Zoti kyreministër!/
Ne pronarët e ligjshëm kemi një hall të përbashkët, hallin e pronave. Ne duam kthimin e pronës konform kushtetutës, ndërsa ju për ti thenë Evropës dhe SHBA se Qeveria e zgjidhi problemin e pronave. Në fakt, ju jetësuat ligjin 7501, një ligj vëllavrasës, antizakonor e antishqipëtar, por mbi të gjitha edhe antikushtetues e tërësisht në kundërshtim me konventen Europiane të të Drejtave dhe Lirive të njeriut. Me këtë akt ju i dhunuat e i shpërfillët këto të drejta, megjithëse e dini mirë se kështu nuk ka ndodhur në asnjë nga vendet ish socialiste që ndyshuan sistemin në vitet 1990.
Demokracia dhe liria në thelb kanë mbrojtjen e të drejtës e pronës dhe prona nuk mund të fitohet me grabitje nga ana e shtetit. Pas vitit 1991 zytrarisht shteti u shpall demokratik dhe pluralist, por kjo vetëm në letër. Me ligjet që miratonte Kuvendi i Shqipërisë dhe vendimet korruptive që janë dhënë nga komisionet e pronave dhe AKKP si dhe me pushtimet dhe ndërtimet pa leje të personave të tretë në pronat e pronarëve, ju hap rruga vjedhjes së pronave. Me këtë pseudodemokraci u grabit prona pronarit dhe prona e shtetit dhe korrupsioni lulëzoi deri në krye të shtetit. Zullumet më të mëdha për pronat shihen aty ku janë mpleksur interesat e pushtetarëve, në zonën turistike sidomos të qarkut Vlorë nga Kalaja e Ujit të Ftohtë dhe në jugë, duke përfshirë Dukatin, Himarën, Sarandën.
Zoti kryeministër! Në fushatën elektorale ju premtuat zgjidhjen e pronës, ne shpresuam por ju na zhgënjyhet, nuk e mbajtët premtimin. Me legalizimet e ndëtimeve paleje të bëra nga persona të tretë në tokat që kanë pronarë dhe me ligjin e fundit 133/2015 nga ju po merret në mbrojtje ligjore dhe po kultivohet pjesa e pa qytetëruar, ajo që nuk ka turp të përvetësoje pronën e tjetrit. Kjo rrugë është qartësisht antikombëtare. Ligji i ri u përgatit pa u konsultuar me grupet e interesit dhe nga specialistet që punuan për atë ligj u prezantuan vetëm drejtoresha e AKKP dhe të tjerët mbahen sekret. Ata që kanë përgatitur këtë ligj kanë shpërdoruar detyrën sepse kanë shkelur Kushtetuën me urdhërin tuaj. Gjatë muajve Gusht-Shtator 2015, janë bërë takime të shoqatave të pronarëve me Avokatin e Popullit e Presidentin. Këto institucione u shprehën haptas kundër ligjit tuaj. Ju me forcën e kartonit e miratuat ligjin në Komisionin e Ligjeve dhe në Parlament. Ky ligj është edhe më i zi se neni 8 në ligjin 7501, që thotë « Në dhënien e tokave në pronësi e në përdorim personave juridikë a fizikë nuk njihet pronësia e mëparshme, as madhësia dhe kufijtë e saj para kolektivizimit”. Pra ju nuk ktheni pronën e grabitur tek i zoti, por jepni pronë, sepse pronën e grabitur e trajtoni si pronë të grabitësit.
Zoti Edi Rama! A e konsideroni normal veprimin tuaj kur ligji 133/2015 pritet të shqyrtohet në Gjykaten Kushtetuese, ju po shpejtoni shpërndarjen e tapive në zbatim të këtij ligji, të cilat janë fiktive. Zoti kryeministër, pse nuk ballafaqoheni një herë të vetme me grupet e interesit dhe na dëgjoni, sepse ky ligj nuk garanton zgjidhje kushtetuese, të drejte edhe të qëndrueshme. Ju po insistoni që problemi i pronës të mbetet një plagë kombëtare e pambyllur ashtu si dhe problemi i cameve në Çamëri, ndërsa ky i yni nga qeveritë që dalin nga votat e popullit dhe sabotojnë vendin e tyre. Në ligjin 133/2015 ju arrini të kërkoni që pronarët të mos ankohen më në Gjykatën e Strasburgut mbasi dënimet dhjetra milionëshe për gjygjet e humbura nga ankimimet e pronarëve do të çojnë në falimentimin e shtetit. Por a mendoni se Strasburgu do ti ndryshojë standardet e gjykimit ?
Unë kam shkruar edhe herë të tjera në gazetë se nuk kam mundësi tjetër si të komunikoj me ju. Unë jam 16 breza autokton në Dukat të rrethit të Vlorës dhe historikisht familjes time dhe gjithë të tjerëve ndër breza nuk ua grabiti njeri pronën. Diktatura i shtetëzoi pronat e mëdha dhe i vuri në dispozicion të shoqërisë, por nuk jua shpërndau ministrave. Ne fshatarëve në Dukat diktatura nuk na konfiskoi prona por na detyruan ta pranonim kolektivizimin dhe për këtë qëllim u bë dhe ligji për kooperativat bujqesore. Sali Berisha do të ishte në regull nëse do zbatonte parashikimet e ligjit të Enverit për kooperativat kur ato shkriheshin. Berisha e instaloi vjedhjen e pronës dhe këtë e pranoi publikishtsi gabim në 2013. Ju premtuat drejtësi por e stampuat më të zi qëndrimin antipronar të Sali Berishës.
Sot unë me vëllezërit e fëmijët e mi nuk kemi pronë në Dukat dhe kemi 25 vjet qe nuk mund të themi se jemi nga Dukati. Ky është gabimi fatal i shtetit me popullin e tij. Atdheu im i parë dhe i kujtdo nga ne, është toka që na la babai që ne nuk e posedojmë dot, është prona e grabitur. Prona e trashëguar është e patjetësushme, është e shenjtë dhe ne pa pronën e babait jemi pa atdhe. Jo, zoti kryeministër, as ju dhe kërkush nuk e ka tagrin ligjor, kushtetues e kanunor që të më heqë mua identitetin e fshatit tim, askush në botë! Pronat nuk mund të ndryshohen sa here që ndrohen qeveritë. Si unë janë dhe mijra të tjerë prandaj anulloje këtë ligj të zi.
Moskthimi i pronës ka krijuar edhe shumë probleme sociale. Ata që kanë marrë pronat tona falas me këtë ligj na përçmojnë, na provokojnë, na ofendojnë e bëjnë karshillëk, por nga ne është ruajtur gjakftohtësia. Por deri kur duhet të vazhdojmë kështu ? Mos vallë qeveritë e majta e të djathta nuk e vlerësojnë jetën e mbi 8000 të vrarëve për pronën. Politikanët cilëtdo rangu qofshin që na mashtrojnë e na grabisin pronën tonë të trashëguar, ne nuk na hynë në punë, ose të vije dhe ti arrestojë FBI.
Me këtë qendrim armiqësor ndaj pronarëve autoktonë, ju dhe deputetët e tjerë na keni kthyer muhaxhir në fshatrat tona, jemi më keq se çamët, por çamët i perzuri Zerva me hekur e zjarr ndersa ne na perzunë liderët e politikës postkomuniste.
Ne nuk kerkojmë lëmoshë, jemi pronarët autokton që kërkojmë konform Kushtetutës pronën e prindërve tanë të trashëguar ndër breza. Për këtë të drejtë do të luftojmë sa të kemi frymëm sepse është prona jonë. Shoqata Krahina Jonë i drejtoi 20 pyetje në shtyp Avokates së Shtetit, znj. Alma Hicka kur deklaroi se jeni konsultuar me grupet e interesit por nuk u dha asnjë përgjigje! Ne besojmë se Gjykata Kushtetuese nuk do të mashtrohet me këtë ligj, por sido qe të vijë puna secili do të dijë ti dali zot pronës së tij dhe mënyra më e mirë për mua është duke vajtur në Strasburg.
Zoti kryeministër! Prona e trashëguar në zonën turistike bregdetare vërteton identitetin e fiseve dhe familjeve tona, por pse na e mohoni?! Ne nuk duam të kompesohemi, përjashto rastet kur prona shfrytëzohet për nevoja publike. Këtë besoj se e dëgjuat edhe nga protesta e transmetuar dt. 18 prill nga emisioni i Zerit te Amerikës, që besoj se edhe ju që sot jeni kryeministër, ashtu si të gjithë shqiptarët e vlerësoni një zë të fuqishëm që ndimon të drejtat e shkelura të shqiptarëve . Ku qendron nevoja publike që kullotat e Karaburunit të mos i marrin pronarët e vërtetë, por pronarët fallco që do sajohen sipas interesave të pushtetarëve ? Çfarë ju pengon që nuk merrni në shqyrtim zgjidhjen që ju ka propozuar shoqata e pronarëve në 2013 , zgjidhje që përputhet me Kushtetutën, nuk ka faturë financiare, shuan konfliktet dhe vendoset stabiliteti social sepse secili shkon në pronën e tij, ashtu siç është bërë në gjithë Shqipërinë e veriut.
Shpresoj mirkuptimin dhe në reflektimin tuaj.
Me respekt:
Merko Bozhani,
Anëtar i Shoqatës “Krahina Jonë”
18.04.2016