Esse nga AGIM GJAKOVA/*
më merr në tokën e zjarrtë/
më merr atje/
rrëzë Çabratit majë Pashtrikut/
buzë Erenikut/
Të shkruaj Ty/
me fjalë të para/
të shqipes/
Letra janë fletë të shpirtit, të mendjes dhe të qëmtimeve artistike të Mazllum Sanejës Janë dëshmi e vetëdijes së ngarkuar me travajat e jetës, e qenies sa individuale aq shoqërore, e brumosjes së fisnikërisë nëpër fellutat e kësaj bote me njerëz të pamëshirshëm por edhe me të tillë të dashur, mirëkuptues dhe humanistë.
Eva është konkrete dhe simbolikë, ngacmuese dhe paqëtuese, joshëse dhe nxitëse e ëndërrimeve, zbardhje e ditës së jetës që tejpërmbushet me tërë gamën e përjetimeve. I përmbytur me shfrimin ndjenjave që bulojnë nga të katër anët, rreket njerëzimi të ekzistojë në realitetin e përdhosur nga shumë shtrembërime
në këtë
oqean të botës
përplot
ndodhi të papritura
mbërthyer me dredhi
kurthe
dhe komplote
dhe uni poetik i Mazllum Sanejës është ky njerëzim, që rropatet në shumë aspekte dhe as nuk mposhtet, por as nuk del fitues., vazhdon në luftën e përjetshme.
Letra Evës, në kontekstin e përshkrimit të ndjenjave, përbën një mostër për një analizë psikologjike të njeriut të sotëm, i cili është i vetmuar, i braktisur, i përbuzur, i marrë inat, i shtyrë në zgrip të greminës, por me dashurinë që zmbraps gjithë këto, duke dalë në rrahun e së vërtetës së thelbit njerëzor.
Cilat janë aspiratat e këtij uni poetik? Për ta kuptuar më mirë duhet të njohim jetën e Mazllum Sanesë, një jetë tërë peripeci ekzistence, vuajtje mërgimtare, por punë të palodhshme sizifiane në rrahun e letrave. (të pranishmit pothuajse e dinë), prandaj mos të rreket askush të thotë se jeta e tij nuk është vepra e tij.
Të shkruaj Ty
për net të pagjumë
i tretur
në mendime
i mbërthyer nga ëndrrat
ankthi vetmia pritja
të shkruaj ty
të vish të paktën në ëndërrime
Ky unë poetik nuk rreket të ndryshojë botën si Don Kishot, nuk përpushet të hyjë në kalibrin e atyre që shkaktojnë plagë njerëzore dhe gremisin çdo virtyt në humbellë se
loti i një fëmije
nuk vlen
sa tërë bota
ndaj
qaj,
nuk vrapon pas materiales, pasi i gjithi është përfshirë dhe madje mund të them është sunduar nga bota shpirtërore, artistike. Shpresa dhe realizimi, humbja dhe këndellja, konflikti i përjetshëm i kontradiktave përshkohen në prizmin e vargjeve të hedhura me tërë forcën e ndjenjës diku në hapësirë, por që kjo hapësirë është shoqëria, është njerëzimi.
Autorin nuk e ndjek askush, pasi nuk ka frikë nga vetja për rrugën që ka zgjedhur, nuk pendohet se është e tillë dhe se ka bërë këtë jetë të stërmunduar dhe që e stigmatizon në vargje me forcë e bukuri. Ideja se njeriu është i përkohshëm nuk e tremb të thotë se ia ka kushtuar mundin dhe djersën së vërtetës jetësore dhe artistike.
Dashuria për Evën është monument i ndjenjës, jo stil jete i rëndomtë, por i mbrujtur me sinqeritet dhe thellësi shpirti njerëzor, është pasqyrë e vetvetes, dhe reflektim i veprimtarisë, jehonë kumbuese e thelbit të qenies. Hedonizmi u nënshtrohet të gjitha këtyre:
Të shkruaj Ty
për mëkatin
vjedhur
nga qielli
dhe të fal
gjithë të mirat
fjalë të bukura
të mira fjalë
që zemrën shërojnë
si balsam
Nuk ngërthen urrejtje, smirë, xhelozi, mashtrim, lakmi, zili, vese njerëzore, por ka përmbledhur virtytet e së mirës dhe të madhërishmen, ardhmërinë, besimin, karakterin, optimizmin… Poeti nuk i shfaq ndjenjat për t’u mburru, as për të vajtuar. Ai siguron njerëzimin se është i pavdekshëm në shpirtin e tij, se është aleat dhe luftëtar i paepur kundër së ligës dhe poshtërsive njerëzore.
Me sa ethe artistike dhe dashuri të vërtete i lëshohet vargut na shtyn të mendohemi se çka vlon brenda poetit. Është një gamë e gjerë subjektesh e temash, ngjarjet e të cilave e kanë goditur poetin, e kanë fryrë si lumë të rrëmbyeshëm. Rrjedhin dëshirat, zemërimet, melankolitë e pashmangshme ndaj vendlindjes.
Të shkruaj Ty
që të përshkruaj
një fotografi
nga fëmijëria
vendlindja
Madhështia nuk është brumë i qenies së tij. Ai niset nga përkorja, nga thjeshtësia dhe ne e vlerësojmë se arrin aty. Nuk ka dëshirë të duket, nuk përton të stigmatizojë gjithë negativët, nuk heshtë përpara së vërtetës kudo, në çfarëdo rrethane dhe me guxim e rrebesh për ta shkulur gjithë shëmtinë e jetës.
Dhe këto e shumë të tjera i hedh, i shkruan në letra, i skalitë në vargje dhe ia drejton një personazhi që është Eva, simboli poetik i vizionit jetësor për të gjithë ne.
Thanas e Julia GJIKA says
Urime poetit dhe kritikut Agim GJAKOVA per kete esse te kendshme kushtuar poetit dhe perkthyesit Mazllum SANEJA, ketij ambasadori te paemeruar e te papaguar te kultures shqiptare ne Poloni dhe anasjelltas te cultures polake ne Kosove e Shqiperi.
Me respect, Thanas e Julia Gjika.