Nga Çerçiz Loloçi/Më 17 korrik 2017, në orën 7 të mbrëmjes Bashkia e Librazhdit, nën kujdesin e kryebashkiakut Kastriot Gurra ka përkujtuar 40- vjetorin e vrasjes nga kupola e regjimit diktatorial të dy poetëve, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka. Në mjediset e Pallatit të Kulturës së këtij qyteti u organizua një mbledhje solemne ku kanë përshëndetur kreu i bashkisë Kastriot Gurra, autori i memorialit të dy poetëve Sadik Spahija, autori i librit monografik Sadik Bejko, bashkëvuajtës së dy poetëve dhe të të burgosurit politik Bedri Blloshmi, ndërsa janë sjellë në ceremoni edhe përshëndetjet e Ismail Kadaresë dhe të personaliteteve të tjera, që nuk mundën të merrnin pjesë.
Mbledhja solemne u pasurua me interpretimin mjeshtëror të aktores Ema Andrea, e cila lexoi disa nga poezitë e Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës. Po ashtu në veprimtari u shfaq edhe dokumentari kushtuar dy poetëve realizuar nga Sadik Bejko dhe Namik Ajazi, si dhe u dhuruan libra kushtuar dy poetëve.
Kreu i bashkisë Gurra, pas vlerësoi punën e paraardhësve të tij si dhe të të gjithëve atyre personaliteteve që kanë dhënë ndihmesë për lartësimin e dy personaliteteve të kulturës, të pushkatuar nga regjimi komunist, tha ndër të tjera se ende ka shumë për të bërë, për t’i njohur më mirë dy poetët martirë, të njihet krijimtaria e tyre në mjedise shkollore dhe jo vetëm. Pavarësisht viteve që kalojnë, tha zoti Gurra, vepra dhe sakrifica e tyre mbetet e gjallë dhe është detyrimi ynë për ta kujtuar me respekt dhe për t’ua bërë prezent brezave që vijnë.Gjithashtu bashkia e Librazhdit për pjesëmarrësit dhe të ftuarit shtroi një darkë në mjediset e restorant “Ballkan’.
Kush ishin poetët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka?
Më 17 korrik 1977 mbushen 40 vjet nga ekzekutimi i poetëve Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Ata bënin pjesë në radhët e familjeve kundërshtare të regjimit komunist. Për këtë arsye u përfshinë në një proces agjenturialo-operativ të Sigurimit dhe më pas hetimor-gjyqësor të hetuesisë e gjykatës.
Genc Leka (1941-1977), ishte 36 vjeç kur u ekzekutua. Prej vitit 1959 ishte vënë në përpunim të organeve të Sigurimit të Shtetit. U arrestua më 31.8.1976.
Vilson Blloshmi (1948-1977), ishte 29 vjeç kur u ekzekutua. Raportimet e para për të nga Sigurimi janë nga viti 1966, ndërsa ndjekja aktive është nga viti 1970. U arrestua më 5.8.1976.
Çështja e trajtimit të tyre në një proces agjenturialo-operativ të centralizuar nis në maj 1975. U implikuan 39 persona. Regjimi kërkoi të lidhte gjoja “sabotimet” në kooperativë me një grup “armiqsh” ishin familje kulakësh, në krye të të cilëve qëndronin intelektualë si poetët Blloshmi e Leka. Për këtë arsye u nxorën në gjykim 8 të pandehur, një pjesë e të cilëve u përdorën për të dënuar të ekzekutuarit (formulë e njohur kjo e proceseve komuniste). Bedri Blloshmi u arrestua më 3.4.1976. Pas një hetuesie të gjatë e barbare, përfshi trajtimin e ekspertizave letrare, gjyqi ndaj tyre në kinemanë e Librazhdit ishte një demonstrim i urrejtjes klasore, një triumf i ligësisë ndaj të drejtës e moralit njerëzor.
Për vite me radhë këtë çështje e ka zbardhur me përkushtim të veçantë, Bedri Blloshmi (i dënuari i tretë i këtij procesi), vëllai i Vilsonit, i cili arriti të zbulojë vendpushkatimin e tyre, si dhe të grumbullojë një dokumentacion të bollshëm, një pjesë të së cilit e ka botuar.
Procesi ndaj poetëve u zhvillua në Librazhd më 6-13 qershor 1977. Me vendimin nr.45, datë 13.6.1977 Gjykata e Rrethit Librazhd, i dënoi poetët me vdekje, pushkatim dhe Bedri Blloshmin me 25 vjet burgim.
U la në fuqi nga Gjykata e Lartë me vendimin nr.202, datë 2.7.1977. Më 16.7.1977 Presidiumi i Kuvendit Popullor njoftoi refuzimin e faljes së jetës. Një ditë më pas, ministri i Punëve të Brendshme Kadri habiu nxjerr urdhërekzekutimin, i cili realizohet më 17.7.1977. Nga kërkimet e bëra, nuk është arritur të gjendet procesverbali i fjalës së fundit të poetëve.