Nga Astrit Lulushi-Teoritë zakonisht lindin të parat, por ndonjëherë ato nuk arrijnë të kapërcejnë paqartësitë e botës reale, ose shpesh e bëjnë më të turbullt. Historia është shkruar jo nga më i forti, por nga më i çuditshmi. Franz Boas, themeluesi i antropologjisë moderne amerikane, citohet të ketë thënë se, njeriu nuk gënjen kurrë për hedhurinat e tij. Dhe ka të drejtë: një pjesë e madhe e asaj që dihet për të kaluarën e njerëzimit vjen nga përmbajtja e grumbujve dhe gropave me plehëra. Zbulimi i ri se libri në formën e sotme ka ekzistuar 2500 vite më parë është për shkak të gërmimit të plehrave, zhvarrosjes së një qyteti që zgjeroi kuptimin e njeriut për kulturat letrare të Egjiptit, Greqisë dhe Romës së lashtë.Në fund të vitit 1896, dy arkeologë anglezë Bernard Grenfell dhe Arthur Hunt u nisën nga Oxfordi për në fshatin egjiptian El-Bahnasa, në jug të kryeqytetit të Memfisit të lashtë. Ata u vendosën në një degë të Nilit të quajtur Bahr Yusuf (Kanali i Josifit). Arkeologëve u tërhoqën vemendjen përrallat që rrëfenin banorët e fshatit, ku dikur shtrihej qytetit i lashtë Oksyrhynshus, i cili pas pushtimit nga Aleksandri (v. 320 pes) u bë kryeqytet provincial me rreth 20,000 banorë.Si tani, qyteti kaq i madh prodhoi edhe një sasi të konsiderueshme plehërash, në pjesën më të madhe në formë dokumentesh, dhe tekstesh të tjera të hedhura. Diku midis qytetit dhe fermave të ujitura që e rrethonin ndodhej një rrip i pakultivuar toke, ku banorët hidhnin mbeturinat, të sigurt se rëra e shkretëtirës do t’i mbulonte. Grumbujt e plehërave u rritën e u rritën gjatë shekujve, u bënë tuma, duke krijuar një peizazh me kodra dhjetëra metra të larta.Pas një viti, Grenfell e Hunt u kthyen në Britani, dhe zbulimet i publikuan në një vëllim me titull Oxyrhynchus Papyri. Në sezonin e parë të gërmimeve ata zbuluan fragmente nga poetja Sappho; kopjen më të hershme të njohur të Ungjillit të Mateut; një libër me titull ‘Veprat e Palit dhe Thedas’ që janë biseda të Apostullit me besimtarë. Gropa me dokumente shtrihej 10 metra poshtë në tokë, të ruajtura nga rëra mbrojtëse dhe klima e thatë.Pas disa vitesh në gërmime gjetkë, Grenfell dhe Hunt u kthyen në Oxyrhynchus dimrin e vitit 1903-1904 dhe përsëri çdo vit deri në vitin 1907. Në fund ata rikuperuan gjysmë milioni copa të ndara papirusesh, duke i botuar në vëllime vjetore. Më 1920, Grenfellit vdiq. Hunt vazhdoi i vetëm punën deri sa edhe ai vdiq në vitin 1934; vëllimi i 70 i Oxirhynchus Papyri u botua në 2014, dhe përgatitësit parashikojnë më shumë se njëqind vëllime.Gropa e Oxyrhynchus është elefanti në dhomën e papirologëve. Më shumë se gjysma e të gjitha papiruseve që kanë mbijetuar deri në shekujt e IV kanë dalë nga grumbujt e hedhurinave për rreth Elbahnasit, dhe pesha e provave vazhdon të ushtrojë një tërheqje të fuqishme për ata që studiojnë shkrimin, letërsinë dhe kulturën antike. Por po aq intriguese sa ishin përmbajtjet e poezive të humbura, shkrimeve fetare dhe letrave personale, edhe paraqitja fizike dhe forma e tyre janë po aq të rëndësishme. Deri kohët e fundit, historianët ishin të bindur se libri i parë doli diku gjatë shekullit IV të erës sonë, dhe, duke pasur parasysh që një pjesë e vogël e librave që mbijetuan nga ajo kohë ishin bërë të gjitha me pergamene, supozohej se shpikja e librit me fletë kishte shoqëruar rënien e shkrimeve në papiruse.