Kosta Nake/
Vepra është futur brenda një kornize kohore të përvijuar përpikërisht: 18 qershor 1999 – 16 tetor 2000 dhe është mbështjellë me një vel sarkastik, jo vetëm në paraqitjen e karaktereve e mëdyshta, por edhe kur përmend figura reale të jetës politike dhe artistike të kombit si, Anton Pashku tek i cili gjuha që nuk përputhej me përmbajtjen, Azem Shkreli me heroin lirik si fshatar refleksiv, Martin Camaj me nostalgjinë gjuhësore të emigrantit, Faik Konica dhe marrëdhëniet erotike me Apolinerin, Ali Podrimja që nuk kuptonte edhe vetë se ç’shkruante, Ibrahim Rugova si alturist në politikë me qimen e ujkut nën lëkurë, Malo Gami i vdekur, Naxhije Deva dhe Istref Begolli me projektin filmik; poetët me mbiemrat Berisha, Gashi, e Krasniqi që përpiqen të bëhen heronj pas lufte, etj.
Ka një galeri portretesh që pozojnë, por nuk veprojnë; ata qëndrojnë bashkë vetëm sepse shfaqen në udhën e shkrimtarit ose ndanë saj; një ndarje e dëshirës për një botë ireale e krijuesit me reporterin që pengohet në botën reale. Veprimet janë sporadike dhe pa ndikim te njëri-tjetri: ca të rinj me uniformë e zhveshin shkrimtarin lakuriq dhe pastaj njëri prej tyre rishfaqet si kamerier; një plakë serbe vritet në apartamentin ku banon e vetmuar sikur paralajmërohet revanshizmi; përkthyesja Flora tregon se seksi miksohet me çdo sistem e situatë. Galerisë i bashkëngjitet katërshja e misionit të OKB: Tomashi polak i Ukrainës, shefi i tij Gonzalo nga Kili, gjermani Ryker dhe ndihmësi indian Rau për të ilustruar një saldim të paqëndrueshëm që sot rezulton i ndryshkur. Ata do të pasohen nga Bernard Kushner që dukej si gjel i stilizuar dhe pas tij nënkuptohet Franca që e kishte për zemër Jugosllavinë dhe e la hapur çështjen e Mitrovicës. (f.141) Kur dukej sikur shfaqja e misionarëve të huaj do të mbyllej me zotin Daxner, shef i departamentit të arsimit dhe shkencës për KFOR-in, në aeroportin e Prishtinës shfaqet koloneli rus Igor, Rusia dhe NATO në kufirin e tyre kritik, rusi të cilit “Kosova i ngjante me një arkëmort të ngushtë, në të cilin as rrotulloheshe dot, as i shtrije dot këmbët.” (f.261).
Ka një gjetje interesante në paraqitjen e karaktereve: “Mund ta ketë emrin” Besim ose Besnik”, “ta zëmë”, ky burri i hajthëm mund ta kishte emrin Ahmet”, “mund ta kishte emrin Ahmet ose diçka e tillë, vinte i shkurtër dhe i mbushur nga trupi, si brumbull, dhe kokën e shogët e kishte në formë trapezi.” (f.136). Siç duket në këtë rast, emri thuhet në mëdyshje, pastaj menjëherë shoqërohet me portretin. “Burri i moshuar mund të quhej Qamil, Ismet ose Shani. Shani mund të ishte emër më i përshtatshëm.” (f.142) Mund të ndodhë dhe anasjelltas, jepet një portret sintetik dhe pastaj si mund të quhet: “u duk një burrë i gjatë me syze…Kishte veshur një pardesy të përhimët dhe mbante mustaqe të holla. A m’u duk a ishte Mahmuti? Po, Mahmuti, dora vetë.” (f.139)
Mustafa analfabet është personazhi me më shumë kontakte me shkrimtarin, ai ka një djalë emigrant në Gjermani jo vetëm në një ndarje pa kthim, por edhe me një komunikim epistolar të pamundur.
Këta karaktere u ngjajnë atyre qytetarëve që duket sikur po presin te dritarja postjerin që kalon në udhën e vet për t’i dhënë mesazhin e përgatitur që ta futë në sirtarët e librit që po formësohet. Ajo që ka ndodhur nën sundimin serb vjen me pikatore, por me një koncentrat të fortë, një ulërimë dhimbjeje që lë gjurmë të pashlyeshme: Pranë shkrimtarit në paraburgim është një burrë i traumatizuar sepse të atin ia kishin futur shkijet në gropën e gëlqeres, gruan Hanife ia kishin dhunuar, i kujtohen thirrjet e së bijës 6-vjeçare Ardita që serbët e mbytën në bunar: “Shkoj me marrë ujë, ajo m’thrret, o babë, o babë, prej fundit pusit, shkoj n’pozllam, babë, dal te megja, o babë, kthehem n’shpi, o babë, o babë, hapi nji derë, hapi nji tjetër, o babë, o babë, bie me fjetë, e mbuloj kryet me batanije, o babë, o babë, kurrë pa ia da, as ditë, as natë.” (f.81)
Shpërnguljet e detyruara nga Mitrovica identifikohen me Muharrem Qenën, shkrimtar dhe këngëtar, i lindur në Mitrovicë. Ai donte të shkonte në qytetin e lindjes, por nga një plak mëson: “Asgja nuk ka ma atje, krejt i ka marrë Serbia.” (f.206) Nuk është as kafja e Sylës, as furra e Orhanit, as Lagjja e Boshnjakëve.
Ardita e përmendur me familjen e saj, plotësohet me një dëshmi të ngjashme, me Jetën 16-vjeçare të cilën një grup paramilitarësh serbë e kishte nxjerrë nga kolona e njerëzve që shkonin drejt Malit të Zi dhe e kishte përdhunuar në një kasolle barinjsh, etj.
Cila është panorama njerëzore e qytetit të Prishtinës pas çlirimit?
Një kamerier nuk arrin dot të bëjë një kafe sepse dritat ikin e vijnë duke na kujtuar të njëjtin fenomen shqiptar nga ku mezi kemi dalë pas më shumë se njëzet vitesh edhe në Shqipëri.
Fati i pianistes Teuta tregon një yll në perëndim që duhet të paguajë harraç për burrin e saj që kishte punuar me policinë e fshehtë. Një fat të ngjashëm ka Muradija, e shoqja e profesorit të çmendur të fizikës. Të dyja kanë guximin të deklarojnë se jeta duhet të vazhdojë edhe pas vdekjes së tyre, për t’ia mjelë jetës edhe qumështin e fundit.
Shani bëhet shprehës i krizës morale të kosovarëve që nuk orientohen dot në realitetin e ri: “Ne jemi të vdekur trefish… Një herë jemi të vdekur se sepse ka vdekë komunizmi, masandej jemi të vdekun se ka vdekë Jugosllavia dhe për të tretën herë jemi të vdekun sepse prostata nuk na e mban ma shurrën.” (f.143)
*
Një kup i vendosur në fund të rreshtit të tretë që në kreun e parë nuk di pse më krijoi perceptimin se mjedisi i ndotur natyror patjetër do të pasohej nga mjedisi i ndotur shoqëror dhe do të përforcohej edhe nga mjedisi i ndotur gjuhësor. A është kjo dukuri fryt i një Kosove të traumatizuar?
Jashtëqitjet njerëzore do t’i ndeshim gjithandej në faqet e romanit për të theksuar atë antitezën e munguar me kujdesin që do të duhej të tregonim, pasi një Kosovë e çliruar për herë të parë, do të duhej të këqyrej si hyrje në një shtëpi të re; në kreun e dytë do të shohim pamjen e neveritshme të plakës serbe të mbytur në vaskë; në kreun e tetë ka një bufe në zyrat e redaksisë së gazetës që mban erë nevojtore; në kreun e njëmbëdhjetë mësohet se është vrarë Selimi, ish punonjës i policisë së fshehtë dhe është mirë të mos dihet ku është varrosur që të mos i bëjnë ndonjë kup sipër; në kreun e nëntëmbëdhjetë narratori dhe një gazetare nguten të bëjnë seks në një kthinë me duhmë të rëndë lagështie dhe minjsh të ngordhur; në kreun e njëzetë “një vit dhe pak pas çlirimit, Prishtina përnjëherësh mori një pamje si të ndryshkur e të vjetëruar.” (f.260)
Ndotja shoqërore vjen nga fakti që çlirimi i Kosovës nuk u shoqërua me frymën e bashkimit, në rrugë nuk sheh turma entuziaste, të gjithë spiunët e së kaluarës janë bartur në një kohë të re, nxitojnë të vetëshpallen heronj dhe të mbajnë ose të rimarrin pozicionet e humbura në aparatin shtetëror-administrativ, njerëzit janë zhgënjyer me lirinë që në vitin e parë të ardhjes së saj. Kosovarët janë të pakënaqur jo vetëm mes vedi, por edhe me forcat e OKB-së sepse ua marrin gratë e reja “Teutat, Besat, ato që e kanë trupin si ngjalë, që u vjen aromë e këndshme” dhe u kanë lënë “Qefseret, Sanijet, ato që pjerdhin si mushka dhe u vjen era bajgë dhe djersë,… me bythë të mëdha dhe me lafshë të dhjamosur.” (f.62) Shembulli klasik i spiunëve vjen nëpërmjet Agimit: “A kemi spiunuar? Nëse na është kërkuar, po. A ju kemi persekutuar? Nëse e deshi puna, po… Po a na bren ndërgjegjja? Asnjëherë!” (f.112-13) Nga e njëjta vathë janë edhe Korabi dhe Tomori të cilët, jo vetëm kanë ruajtur pozitat e tyre, por vazhdojnë të sillen harbutçe; Ahmeti që bënte martesa me autoritetin e partisë; Besniku pinjoll i një familjeje komunistësh që nuk nguron të aplikojë eutanazinë për të moshuarit që kujtojnë gjëra që duhen fshehur, gazetari Zeka që tradhëtoi minatorët e Trepçes të futur në grevë urie. Qasja ndaj spiunëve kulmon në kreun e pesëmbëdhjetë, kur vdes spiuni Brahim, i urryer prej shkrimtarit, por të tjerë, me maskë të akullt hipokrizie, i kërkojnë të marrë pjesë në varrim si përfaqësues i lagjes, madje të mbajë edhe një fjalim reabilitues.
Ç’ndodhi me gratë e përdhunuara të Kosovës pas çlirimit? Shkurtuan fundet, hapën dekoltetë, kakarisnin me zë të lartë. Po burrat? U veshën pa shije, me atlete dhe kapardiseshin. Në kreun e njëzetenjëtë nga Mustafa mësojmë se kanë dalë gra që u bëjnë aborte dashnoreve të luftëtarëve të UÇK-së.
Së fundmi, ndotja shoqërore vjen edhe nga grupimi i nostalgjikëve që nuk janë ndarë as nga lidhja e komunistëve jugosllavë, as nga trashëgimia enveriste shqiptare dhe kjo vjen me grotesk në faqet e fundit të romanit nëpërmjet figurës së Petritit.
Ndotja gjuhësore, e treta në ndotjen gjithëhapsinore, vjen, nga njëra anë në derdhjen pa dorashka të sharjeve e mallkimeve, në shpërfilljen e fjalëve tabu, dhe nga ana tjetër në vëmendjen e shtuar ndaj artikulimit tingullor të karaktereve. Një djalë me uniformën e UÇK-së shan: “Ngoni këndej, ju spiuna t’mutit! … Për ju nuk asht dasht me e derdhë asnjë pikë shurrë, jo më gjak!” (f.54) Poetja Qefsere deklaron: “Unë u plaka tue pritë që ju t’ju ngehet!” (f.65)
Edhe pse ato nuk kanë për qëllim ndonjë klasifikim gjuhësor, ka një rimarrje këmbëngulëse të zanoreve dhe bashkëtingëlloreve që dalin nga gojë të ndryshme në përmasa që nuk e kam ndeshur te asnjë autor tjetër: “Zanoret e Jusufit me maja të thepisura fishkëllenin nëpër dhëmbë dhe i shponin fjalët si tullumbace… bashkëtingëlloret afrikate tërhiqeshin zvarrë midis dhëmbëve prej paladori dhe krijonin ndjesinë e mbytjes.” (f.122) “Janë po ata personazhe që flasin me zanoret kumbuese, të huajtura nga serbishtja vulgare.” (f.133) Shaniu fliste “me një të folme grykore, sikur t’i villte fjalët nga gabzherri”. (f.145) Sahiti foli me një lehtësi të çuditshme, “sikur fjalët i binin nga goja jo për shkak të kuptimit, po për shkak të gravitetit. (f.170) …u përpoq të thoshte diçka, por nxori vetëm ca zanore që nuk lidheshin dot mes veti, iii-aaa-i-uuu-ooo-u, tingujt u ngatërruan me ca bashkëtingëllore pështymore.” (f.256) Poeti Berisha “fliste me rrokje të ndara, së pari i shpërbënte fjalët dhe ca pjesë të tyre i gëlltiste pastaj.” (f.185) Në zërin e Muradijes zanoret ishin mbështjellë me një butësi të qullët, … sikur fjalët e saj ngjiteshin deri te tavani dhe që andej rridhnin si jargë qerosje.” (f.307) Syla arriti të nxirte ca tinguj grykorë dhe ca zanore të zgropuara përbrenda, aaa-ooo-uuu. (f.314)
Duke u ndalur edhe pak te ndotja gjuhësore, kam ndjesinë se ka një lloj irritimi të autorit kur përmend toskërishten, mbase një qejfmbetje që nga Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972. Sot ka më shumë njerëz që besojnë se gegërishtja është ashti i gjuhës shqipe dhe toskërishtja tuli i saj. “Toskërishtja e Korabit dhe Tomorit ishte e sforcuar dhe vende vende, marksiste-leniniste.” Petriti “fliste një toskërishte ideologjike, me ato gjysmëzanoret e dhunshme dhe blegëruese. (f.319)
Kompozicioni i veprës ngrihet mbi një linjë lineare, shkrimtari dhe narratori e ndan misionin me gazetarin, rrjedhimisht ka zgjedhur vetën e parë, për të kaluar nga një skenë te tjetra, nga një karakter te tjetri duke përdorur perifrazime të tilla si: “që kuadri të plotësohet, tani më duhet të them se…”, “edhe pak çaste duhet të qëndrojmë në Aeroportin e Prishtinës,” “edhe për pak çaste do të mbesim në bordin e po atij avioni” (f.268) për të na njohur me gazetarin greko-flaman Prekas i cili mendon se “ndërhyrja ndërkombëtare në këtë vend kishte qenë një marrëzi politike, me pasoja të paparashikueshme për rendin botëror.” (f.269)
Dy kapitujet e fundit janë ekuivalentë të një epilogu. Pasi ka radhitur karakteret në vargun e 16 muajve, shkrimtari ulet në panelin e analistit: “Në Kosovë nuk do të ketë më luftë për liri, as luftë për ideale, porse do të kishte luftë për më shumë pushtet dhe për më shumë para.” (f.229) “Kosova është bërë si një leckë e hedhur skaj rrugës” (f.230), “vlerat e demokracisë në Kosovë po manipulohen rëndë” (f.231).