Nga Hajro Çini/
Edhe pse jo perfekte, demokracia ka dëshmuar se është zgjidhje më e mirë, më e llogjikshme dhe më e sigurtë për mbarëvajtjen e një kombi. Demokracia është konkurencë e lirë midis forcave që në interval relativisht të përcaktuara paraqesin alternativat dhe ajo më e suksesshmja fiton të drejtën të drejtojë qeverinë dhe disa institucione që parashikon ligji themeltar. Humbësi merr detyrën që të kontrollojë në mënyrë të përgjegjshme pushtetin, të ngrejë zërin kundër abuzimeve dhe të mbështesë nisma që kanë rëndësi kombëtare.
Një demokraci funksionale ka rregulla të qarta, por ajo që e bën interesante demokracinë, është loja politike, që kur bëhet me mënçuri, jep rezultate të kënaqshme. Vetë loja politike është art dhe ka rregullat e saj. Ajo është si një enë nën presion që po ta hapësh në vend të gabuar apo jo në kohën e duhur dëmtohesh rëndë.
Duke jetuar për një kohë relativisht të gjatë në Kanada, dhe duke qënë i prirur ta vëzhgoj politikën, kam vënë re disa gjëra. Kanadaja presupozohet, me të drejtë, se ka një demokraci të konsoliduar, shumë funskionale dhe një nga më të mirat dhe më suksesshmet në botë. Gjatë kësaj periudhe unë kam parë tre rotacione të mëdha. Konservatorët pas një qëndrimi në pushtet për më shume se 9 vjet, humbën zgjedhjet më 1993. Që konservatorët do të humbnin ndjehej kudo, në rradhë të parë në udhëheqjen kryesore të partisë dhe qeverisë. Kryeministri kishte deklaruar dorëheqjen, po ashtu edhe 80 përqind e ministrave. Partia Konservatore nuk kishte një pretendent të qartë, dhe kandidatët që dolën nuk kishin as vizionin, as përvojën dhe as statujën e kryeministrit në ikje. Mungesa e një kandidati të denjë, të paktën në nivelin e paraardhsit, bëri që kjo parti të kalojë një jetë 13 vjeçare anemike apo në agoni të plotë. Ndryshimi erdhi vetëm pas 13 vitesh kur kryeministri aktual, Stephen Harper, ndërtoi një ekip mjaft të aftë dhe për 3 mandate rradhazi drejton Kanadanë.
Konluzioni im në këtë situatë ishte se, sado e konsoliduar një parti, sado përvojë në pushtet, pa një udhëheqës të aftë është e destinuar të lëngojë. Progresi vjen kur pasardhësi ka një vision shumë më të avancuar se paraardhësi.
Më 1993, Liberalët premtuan shumë gjatë fushatës. Udhëheqësi i tyre, Chretien, një nga politikanët më pramgatistë të Kanadasë, mbante një libër të kuq në dorë dhe e proklamonte si programin qeverisës. Ai e njihte shumë mirë politikën e rrugës, ishte trim, mendje hapur dhe me mjaft përvojë. Sapo erdhi në pushtet, deklaroi se libri i kuq, ku pasqyrohej programi i kishte humbur, dhe ai kishte qënë e vetmja kopje që ai kishte pasur. Megjithatë, si rezultat i politikave rreptësisht të djathta fiskale, ai bashkë me ekipin e tij, arriti ta nxjerrë Kanadanë nga kriza ekonomike dhe për 13 vjet ekonomia përjetoi një bum të vërtetë. Kur kërkoi mandatin e dytë, Chretien kishte shumë arritje, por ishte shumë larg premtimeve. Të gjitha pollet e nxirrnin humbës. Pikërisht në këtë kohë Chretien tregoi se ishte virtuoz në politikë dhe lojën e saj. Nga foltorja e parlamentit ai deklaroi:
“Edhe pse unë nuk e kam vendosur akoma ditën kur Kanadaja do të shkojë në zgjedhje, më kanë ardhur aplikacionet e vullnetarëve për drejtues të fushatës së partisë sime. Shikojini vetë, se veprimet e tyre janë evidente. Të tre kryetarët e partive opozitare më kërkojnë me shumë këmbëngulje, me shumë seriozitet që unë ti besoj atyre të më drejtojnë fushatën. Duke ndjekur këshillën e Napoleonit të madh:
“Kurrë mos e ndërprit armikun tënd kur është duke gabuar.”
Unë kam vendosur ti motivoj në këtë rrugë.”
Pjesa dërrmuese e analistëve e akuzuan Chretien për cinizëm klasik. Shumë pak arritën të vënë në dukje se ishin pikërisht gafat e kundërshtarëve që do ti jepnin dorë Chretien. Dhe kështu ndodhi.
Në partinë e tij ai ka pasur një kundërshtar të hershëm, një milioner, Paul Martin, që gjithë jetën tentoi ti merrte partinë. Edhe pse kundërshtar, për efekt të unitetit në Parti, ai e mbajti Paul Martin ministër të Financave, i cili tregoi se ishte mjaft i zoti për atë post. Por Paul Martin kishte një problem shumë të fortë emocional, donte me domosdo të bëhej kryeministër. Që ta realizonte ëndrrën e tij, ai filloi ta sabotojë bosin e vet. Ai filloi të nxirrte, indirekt, në shtyp dokumenta në lidhje me $300 milion dollarë kanadez, që Chretien i kishte zhdukur nga buxheti me preteksin e ruajtes së Quebekut që kërkonte shkëputje. Kur skandali filloi të merrte përmasa të mëdha, Chretien, deklaroi se, pas 41 vitesh në politikë, ai do të largohej. Ai ndenji edhe 5-6 muaj sa skandali të plaste mirë dhe u largua, duke lënë Paul Martin, si kryeministër, të ndeshej me problemin që vete kishte nxjerrë në shtyp. Brenda vitit qeveria Martin ra, Martin humbi zgjedhjet dhe u largua nga politika. Sa kohë ishte Chretien kryeministër, ai e përçau aq keq të djathtën sa ata u ndanë në tre parti. Chretien i mbante të ndarë me shumë sukses, dhe po të mos kishte qënë për Paul Martin, liberalët mund të ishin edhe sot në pushtet. Ardhja në krye të njërës prej partive të djathta të Steven Harper, një ekonomisti brilant, një politikani virtuoz, gjakftohtë dhe jashtzakonisht prudent, bëri që situata të ndryshojë 180 gradë. Ai me urtësi, me llogjikë shumë të ftohtë i shkriu të tre partitë dhe, duke përfituar nga skandali i qeverisë, fitoi 40 % të vendeve në Parlament. Llogjika parlamentare kanadeze është, që partia që ka më shumë vota krijon qeverinë, kur ka më pak se 50% të vendeve, qeveri minoritare. Partitë e tjera që bënin së bashku 60% nuk tentuan që të krijojne një qeveri koalicioni. Ajo formulë nuk operon në kanada. Tani është Harper ai që e ka dëmtuar shumë partinë Liberale, dhe pas tre fitoresh rradhazi, herën e tretë ka maxhorancën (mbi 54%) në parlament, Partia Liberale është parti e katërt ne Kanada, dhe hera e parë që nuk është opozitë zyrtare. (Opozitë zyrtare bëhet Partia e dytë për nga numri i deputetëve)
Konkluzioni i dytë, kur sfidon në mënyrë jo të natyrshme udhëheqsin e partisë për ti marrë partinë, jo vetëm që nuk ke shumë shanse për sukses, por mund ti bësh një dëm të pallogartshëm partisë.
Ç’lidhje ka politika kanadeze me atë shqiptare? Dhe pse Dr. Berisha, si Chretieni para dy dekatash, duhet të emrojë drejtues të fushatës për PD- në drejtues të lartë të opozitës?
Shqipëria ka 22 vjet në rrugën e demokracisë. Po ti shohësh gjërat me vëmëndje, loja politike dhe rezultatet e saj kanë ngjashmëri me atë që kishte ndodhur edhe në Kanada. Të dy partisë kryesore kanë pasur eksperienca me të tilla sfida. Ish presidenti Topi, në shkelje totale të Kushtetutës, abuzoi me presidencën dhe institucione të tjera nën kontrollin e Presidencës, ShISh, Prokurori, që të dëmtonte sa më shumë PD që ai të merrte Partinë. Kjo solli përpjasje Institucionale për një kohë të gjatë. Ai nuk la gjë pa përdorur, nga harta e gjobave për emrimin në gjykata, për çdo gjykatës, e deri në grushtin e shtetit më 21 janar 2011. Për fat, ai dështoi totalisht. Një meritë të veçantë ka edhe vizioni, energjia, pasioni prej Burri Shteti të Dr. Berishës.
Nga krahu tjetër, falë korrupsionit të ngritur në sistem, të luftës së fortë politike të opozitës si dhe dembelizmit të vetë Nanos, sfiduesi i tij, Rama, doli i suksesshëm. Ai e mori partinë. Por si çdo gjë artificiale, për tu kthyer në normalitet do të marrë shumë kohë, dhe do të ketë gjithnjë një kosto të rëndë.
Në këtë fushë interesante zgjedhore një vëzhgues pak i vëmëndshëm kupton se ka shumë gjasa që Edi Rama, Ilir Meta dhe deri diku Fatos Nano janë në garë – për arsye krejt të ndryshme, nga njëherë edhe totalisht kontradiktore – që t’ja bëjnë sa më të lehtë dhe sa më bindëse fitoren Dr. Berishës. Pse?
Duke mos ditur të ndërtojë një program elektoral fitues, duke qënë emocional, që dukshëm ja mjegullon arsyen, dhe së fundi duke qënë një politikan diletant, Rama, së paku, e ka kuptuar që ai nuk mund të përballet me Dr. Berishën. Në një lojë politike, sado miqësore ka edhe humbës. Në Shqipëri është krijuar edhe pozicioni i humbësit profesional. Këtë pozicion e kërkon me shumë këmbëngulje vetë Edi Rama. Ai dështoi të shkatërrojë LSI-në, dështoi në luftën kundër Ilir Metës dhe kudo. Ai nuk di të ndërtojë qoftë edhe një program të thjeshtë elektoral apo politik. U bind së fundi se një problem shqetësues në Shqipëri mbetet sistemi shëndetsisë. (Aq e humbi llogjikën sa akuzoi publikisht, pa të drejtë, të gjitha infermjeret pa dallim). Ka shumë muaj që e kishte kalë të fushatës. Por siç e thashë më lart, shëndetsinë e ka pasur totalisht në kontroll LSI-ja. Me ngjarjen e fundit Rama e kafshoi gjuhën dhe zor se do të dëgjohet më ndonjë akuzë. Ai më së fundi e kuptoi se më 2005 shkëputja e LSI-së nga PS-ja ishte një nga shkaqet që PS humbi, prandaj ka më shumë se 10 muaj që po përpiqet ta tërheqë LSI-në në Aleancë, me kushtet e kësaj të fundit. Por ai nuk kupton se politika është një fushë kaq dinamike dhe e lëvizshme, sa një gjë që ka një vlerë të caktuar para disa vitesh, bëhet antivlera e vetvetes vite më pas. Do të kishte pasur shumë vlera elektorale për PS-në aleanca me LSI-në më 2005, sepse PS+LSI do ti kishin fituar zgjedhjet, por më 2009 më së shumti përfundimi do të kishte qënë barazim (atë kohë PD-ja ishte nën breshërinë e Presidencës, SHISH, Kryeprokurorisë etj.). 2011 vërtetoi se PD kishte më shumë vota se PS dhe LSI të marra së bashku. Shtuar këtu, tani më 2013, edhe koston politike të kësaj marrëveshje (rastet Kadeli, Lezha, dhe Dogjani janë vetëm fillimi i shpërthimit), i japin një fitore vërtet spektakolare PD-së dhe aleatëve të saj.
Nga sa më sipër, Rama e di që nuk mund të fitojë. E vetmja shpresë e tij për sukses është të presë në krye të PS-së edhe nja 15-20 vjet të tjera, deri kur Dr. Berisha të vendosë, për shkak të moshës 80 e kusur vjeçare atë kohë, të tërhiqet në jetën e tij private. Ka vetëm një problem. Si do të justifikojë humbjen? Vetëm duke humbur thellë që të ndërtojë një alibi të “besueshme” se Dr. Berisha në mënyrë të vazhdueshme ja vjedh fitoren.
Ilir Meta ka një agjendë mjaft të peshuar. Një humbje e radhës së Ramës në zgjedhje, e ngre shumë presionin e socialistëve të thjeshtë kundër Ramës si humbës profesionist dhe të çertifikuar. Postin më të lartë që ka pasur deri më tani Rama, ka qënë ose ministër ose Kryetar Bashkie. Në të gjitha rastet jo për meritë të tij, por për përkrahjen nga partia socialiste dhe pikërisht nga Meta kur, ky i fundit ishte Kryeministër. Pra është paradoks, që disa kryeministra të PS-së të jenë larguar nga PS-ja si rezultat i kompleksit të inferioritetit dhe frikës së Ramës, dhe vetë Rama të jetë kryetar. Më këmbëngulësi dhe që ka shanse reale të marrë drejtimin e PS-së, duket se është vetë Meta. Një humbje e rradhës e Ramës e pozicionon drejt për drejtë Metën për në krye të së majtës shqiptare. Meta kështu, bëhet një nga mbështetësit më të vendosur për humbjen e Ramës.
Së fundi, Nano, kryetari historik i PS-së, e ka shumë të vështirë, për ndërgjegje politike, të kapërdijë lojën e papjekur, pa taban dhe pa horizont të Ramës dhë dështimet e njëpasnjëshme të PS-së që ai krijoi. Duke pasur edhe ambicjen për tu bërë president, ai e kupton se i duhet një mbështetje e fortë nga PS, që praktikisht jo vetëm që nuk e ka, por e ka edhe kundër. Pra i duhet një kryetar mbështetës në PS. Për këto arsye, edhe ai e kupton që një humbje e rradhës e Ramës, krijon premisa për largimin e Ramës nga PS dhe kthimin e të majtës në normalitet politik. Kjo e rehaton shpirtërisht Nanon dhe i hap perspektivat për në presidencë.
Nga sa u pasqyrua më lart, të tre drejtuesit e majtë kanë interesa jetike që Dr. Berisha të fitojë zgjedhjet e 23 qershorit. Do të ishte një akt i sinqertë, që vetë Dr. Berisha t’ja besojë atyre, pra Ramës, Metës dhe Nanos fushatën për PD-në në këto zgjedhje.
Nik Kodra says
Me vjen keq, por z. Cini nuk e njeh realitetin e Shqiperise dhe fatkeqesisht ne kete analizer ka perdorur dylbite qe i ka huazuar nga demagogu me i sterholluar i postkomunizmit Shqiptar, ish komunisti fanatik, sot deformuesi i demokracise, Sali Berisha.
Nik
Marina Mara says
Analiza e Zotit Çini mua më duket e studjuar, plot informacion, e thellë, dhe e llogjikshme. Ai ka nxjerrë dy konkluzione nga politika Kanadeze në lidhje me cilësitë e një drejtuesi të suksesshëm partie dhe me zhvillimet nëpër to kur ndryshohet kryetari. Pastaj është përpjekur të lidhë përvojën Kanadeze me atë Shqiptare. Ai ka gëzuar të drejtën që i jep demokracia për të shprehur atë që mendon pa fyer njeri dhe brënda normave etike. Jam e bindur, se edhe ai ta njeh ty të drejtën të mendosh si të duash dhe ta shprehësh atë mendim. Ti je shprehur për Sali Berishën ashtu si e mendon ti atë. Dhe ti je në të drejtën tënde të shprehjes. Po ashtu do të ishte e drejtë të shprehje mendimin tënd për artikullin, i cili edhe
mund të mos ketë pëlqyer, por mua më duket jo etike të diskutosh autorin, apo këndvështdimin e tij (syzet siç shprehesh ti)
Nik Kodra says
How long does it take your moderation time…?!?!