
Artan Nati/
Ndërsa lufta e Rusisë ndaj Ukrainës vazhdon të intensifikohet në lindje, si edhe tensionet e vazhdueshme midis Serbisë dhe Kosovës dhe ofensivës së Azerbajxhanit në Nagorno-Karabakh, duket se Evropa përballet me një sfidë të re, me përshkallëzimin e rëndësishëm në Lindjen e Mesme pasi Hamasi filloi një sulm ‘të befasishëm’ në Izraeli të shtunën. Duket se ky është vetëm një sulm i paprovokuar, brutal nga një grup terroristësh nga Gaza. Besoj se të paktën për ne Shqiptarët është e qartë se është shumë më tepër se kaq. Duart që i shtynë këta vrasës janë në Moskë , ashtu siç ishte akti i fundit terrorist në veri të Kosovës, ku bashkëpunimi ruso-serb ishte evident . Presidenti i SHBA Joe Biden dhe liderët evropianë kanë pasur frikë prej kohësh nga një përshkallëzim i luftës në Ukrainë dhe kjo është situata që kemi tani. I frikësuar për ta zhvilluar luftën drejtpërdrejt me NATO-n, Putini ka nxitur konflikte midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, Serbisë dhe Kosovës, në Afrikën Perëndimore dhe tani në Izrael.
Putini është arkitektii i këtyre konflikteve dhe ndoshta nuk ka implikim direkt në to, megjithatë, ai me kënaqësi po hedh benzinë në zjarr dhe po i shfrytëzon ato. Propagandistët rusë tashmë po pretendojnë se një luftë në Lindjen e Mesme i sjell përfitim Rusisë dhe mund të ulë mbështetjen financiare për Ukrainën.
Historia ofron gjithmonë të njëjtat mësime me variabla të ndryshuar. Dhe duket sikur lufta e ftohtë po rikonfigurohet përsëri dhe në thelb kemi një përplasje civilizimesh. Shqipëria dhe Kosova, në ndryshim nga periudha e diktaturës, këtë rradhë kanë bërë zgjedhjen e tyre të lirë dhe janë në anën e drejtë të historisë dhe pikërisht aty ku ne si komb dhe kulturë kemi aspiruar të jemi, por aksidentet historike na e kanë mohuar më parë. Jetojmë në një kohë që në mënyrën më të mirë të mundshme, i duhet i treguar Putinit dhe despotëve të tjerë, brenda dhe jashtë Rusisë, se agresioni kundër demokracive do të dështojë gjithmonë. Konflikti i fundit në Gaza ka disa rreziqe në vetvete me pasoja të rrezikshme për Kosovën.
Së pari dhe më kryesorja është frika se lufta Rusi-Ukrainë mund të errësojë konfliktin izraelito-palestinez dhe atë Kosovë-Serbi.
Së dyti, ekziston frika shoqëruese se komuniteti ndërkombëtar, duke dëshmuar në kohë reale tragjedinë e shpalosur në Ukrainë, mund të vlerësojë më shumë luftën në Ukrainë dhe të zbehi preokupimin e tij të gjatë dhe të lodhshëm me Izraelin dhe Kosovën.
Prandaj, mund të pritet që Serbia të ushtrojënjë influencë, nën ndikimin e Rusisë, duke shfrytëzuar dhe nxitur pakicat serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi dhe ndoshta në Kroaci dhe Maqedoni, duke i lënë këto shtete të pasigurta, ndërkohë që Bashkimi Evropian është i preokupuar nga sfidat e tij të brendshme dhe vetë rendi ndërkombëtar është i ekspozuar ndaj pasigurive të shumta. Kuptohet rajoni ynë është më i rrezikuari në këto momente që vendet e Ballkanit perëndimor aspirojnë për anëtarësim në BE , por edhe në zgjidhjen e nyjes gordiane të ballkanit që natyrisht është Kosova. Një përshkallëzim i konflikteve rajonale të nxitura nga Rusia dhe të përkrahura nga aleatët e saj siç është Serbia , por edhe shtete të tjera ballkanike ,do të ishte me pasoja tepër negative për rajonin tonë, si edhe për Shqipërinë e Kosovën, edhe për faktin se shumë politikanë nën petkun e patriotizmit fallco, por në kurriz të çështjes kombëtare, ndjekin politika në interes të përfitimit personal. Kryeministri i Shqipërisë, Rama, ka “sjellje paternaliste” ndaj autoriteteve të Kosovës, sikurse edhe kryeministrat e mëparshëm shqiptarë. Rama ndjek një linjë politike që dallon nga ajo e Kurtit, për sa u përket çështjeve të Kosovës. Por kjo nuk e justifikon faktin që ata të mos takohen.
Kurti, nga ana tjetër, pretendon se Rama duhet t’i mbështesë qëndrimet e Qeverisë së Kosovës në sfidat që ka në veri me Serbinë, por edhe në raportet e krijuara nga partnerët perëndimor. Mendoj se Rama e ekzagjeron me protagonizmat e tij. “Një politikan do të bëjë gjithçka për të mbajtur punën e tij, madje edhe të bëhet patriot” thotë William Randolph Hearst Sigurisht që kryeministri Rama ka interesat e tij personale, të pushtetit të tij personal, për të marrë rolin e protagonizmit në rajon, edhe me partnerët ndërkombëtarë. Kjo duket qartë dhe është e patolerueshme , pasi Kosova është shtet i pavarur dhe aq më tepër ne të gjithë jemi Shqiptar dhe luftojmë për të njëjtën çështje. Ndërkohë politikanët e tjerë, i frynë më shumë zjarrit, jo për të zgjidhur problemin, por për të marrë rrolin e protagonistit dhe rrolin patriotik, thjesht për interesa personale.
Kauza e një kombi duhet të jetë një urë që bashkon njerëzit, jo një fushë beteje për egon e politikanëve. Mendoj se qëllimi i një kombi ose sistemi i tij politik duhet të jetë të bashkojë qytetarët e tij për të mirën më të madhe. sesa të shërbejë si një platformë për politikanët për të ndjekur ambiciet dhe egon e tyre personale. Në një demokraci ideale, fokusi duhet të jetë në shërbimin e interesave më të mira të popullit, promovimin e unitetit dhe gjetjen e bazës së përbashkët për të adresuar sfidat dhe aspiratat e kombit.