
Evarist Beqiri/
Lufta në Ukrainë nuk është thjesht një konflikt lokal. Ajo është manuali më i qartë i shekullit XXI për mënyrën se si një autokraci agresive synon që të përçaj shoqërinë perëndimore dhe të minojë aleancat ndërkombëtare pa pasur nevojë që të pushtojë gjithçka ushtarakisht. Rusia e Putinit po lufton me një paradigmë të re, luftën hibride. Te “lufta pa kontakt” informacioni, sabotimi politik, presioni ekonomik dhe operacionet kibernetike veprojnë paralelisht me raketa, dronë dhe artilerinë.
Dështimet e Moskës në Ukrainë zbulojnë shumë më tepër sesa arrogancën e një regjimi autoritar. Aty po shpaloset se si një shtet i kapur nga korrupsioni, iluzionet e vetëmanipulimit dhe shërbimet e inteligjencës të politizuara, prodhon plane të dështuara, vendime të rrezikshme dhe krime mizore. Një pjesë thelbësore e ofensivës së Rusisë u mbështet te shërbimet e saj të inteligjencës. Ato supozuan se Ukraina do të thyhej brenda pak ditësh. Këto parashikime që u përgatitën në zyrat e një sistemi të mbyllur, të korruptuar e të frikësuar, rezultuan katastrofike.
Por çfarë lidhje kanë këto mësime me Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët në rajon? Kanë shumë më tepër sesa mendojmë ne.
Së pari, lufta hibride është tashmë një realitet në Ballkan. Nga propaganda ruse te operacionet e ndikimit përmes partive politike, strukturave kriminale, “analistëve” të sponsorizuar, rrjeteve të financimit të errët dhe përpjekjeve për të mbjellë dyshim ndaj BE-së dhe NATO-s, mekanizmi është i njëjtë. Mino besimin, krijo ndarje dhe dobëso institucionet. Serbia është porta tradicionale e këtij ndikimi, por objektivi final janë shqiptarët dhe shtetet e tyre.
Së dyti, dobësitë që Rusia shfrytëzon në Ukrainë janë të pranishme edhe tek ne. Polarizimi ekstrem, parti të kapura, media të blera, mungesë kontrolli parlamentar dhe dobësimi i kulturës demokratike. Banjska ishte tentativa me flagrante për të përçarë Perëndimin, duke krijuar një tjetër konflikt në zemër të Europës. Ukraina u mbrojt sepse kishte një identitet politik e qytetar që reagoi si një trup i vetëm. Shqipëria dhe Kosova duhet që të luftojnë si një trup i vetëm. Nevojitet më tepër kohezion.
Së treti, dronët dhe teknologjia po ndryshojnë natyrën e luftës. Ukraina e ka shndërruar fushëbetejën në një laborator inovacioni. Ndërsa Ballkani është shumë mbrapa. Mbrojtja ajrore, kapacitetet kibernetike, inteligjenca teknologjike dhe operacionet me dronë nuk janë më luks. Janë detyrime të sigurisë kombëtare. Kosova dhe Shqipëria duhet të integrojnë urgjentisht kapacitetet e tyre ushtarake dhe të ndajnë infrastrukturën e përbashkët të mbrojtjes.
Së fundmi, mësimi më i rëndësishëm i Ukrainës është se sovraniteti nuk mbrohet me deklarata, por me kapacitete reale dhe me shoqëri të bashkuara. Rusia ka një objektiv të qartë. Ai është ndarja e Ballkanit nga Perëndimi. Shqiptarët, në Shqipëri, Kosovë, Serbi, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi, janë mbështetja më e qëndrueshme perëndimore në rajon. Pikërisht për këtë arsye jemi në shënjestër.
Europa është tashmë në një luftë. Nëse nuk ndërtojmë një arkitekturë të përbashkët sigurie, një strategji kombëtare kundër ndikimit të huaj dhe një kulturë demokratike më të fortë, atëherë historia do të na trajtojë me të njëjtin cinizëm me të cilin trajtoi ata që nuk e panë rrezikun teksa ai afrohej. Ukraina po paguan çmimin më të lartë. Detyra jonë është të nxjerrim mësime dhe të mos përsërisim të njëjtat gabime.