Thaçi i shpall luftë Haradinajt, e sulmon për dialogun, lidhjet me Radojçiqin dhe veteranët/
Presidenti Hashim Thaçi e ka mbajtur edhe sot një konferencë për media, permes së cilës zgjodhi që t’ia kthejë një nga një publikisht të gjitha akuzat kryeministrit Ramush Haradinaj. Thaçi i bëri thirrje kryeministrit të jetë më racional dhe më i përgjegjshëm kur flet për dialogun. Ia përmendi edhe miqësinë me Milan Radojçiqin e Veriut dhe listat e fryra të veteranëve.
Presidenti Thaçi e nisi konferencën e sotme duke e përsëritur se nuk kanë qenë më shumë se 12 mijë pjesëtarë të UÇK’së dhe u bëri thirrje përfaqësuesve politikë të mos përzihen në çështje të drejtësisë, transmeton Express.
Kjo ishte vetëm pika e parë e deklaratës hakmarrëse që Thaçi ka përgatitur sot për kryeministrin Haradinaj, i cili vazhdimisht thotë se kanë qenë 50-60 mijë veteranë të UÇK’së dhe i cili ka kritikuar ashpër ish-prokurorin Elez Blakaj.
***
Haradinaj: Përgëzime dhe ngushëllime, ideja e kufijve ‘ka vdekur’
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha sot se ideja e korrigjimit të kufijve tashmë ‘ka vdekur’ dhe u ka shprehur ngushëllime atyre që kanë pasur pretendime për ndryshim të territoreve.“I shpreh ngushëllimet e mija për këtë ide të kufijve, pasi që mendoj se ka vdekur, dhe njëkohësisht edhe përgëzime”, ka thënë ai.
Ideja për korrigjimin e kufijve mes Kosovës e Serbisë është dhënë nga Presidenti Hashim Thaçi në gusht të këtij viti, ndërsa Haradinaj vazhdimisht e ka kundërshtuar këtë opsion.Ai pas dekorimit me hartën e artë për Elena Kadaren, është shprehur optimist sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave.
***
Muharrem Nitaj: Thaçi t’i përmirësojë deklaratat e tij, jo Haradinaj
Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërnë e Kosovës, Muharrem Nitaj, ka reaguar ndaj kërkesave të fundit nga Presidenti i vendit Hashim Thaçi në drejtim të Kryeministrit Ramush Haradinaj.Derisa Thaçi ka kërkuar nga Haradinaj të përmirësojë deklarimet lidhur me korrigjimin e kufijve, Deputeti Nitaj në një prononcim për klankosova.tv, ka thënë se është vet presidenti ai që duhet korrigjuar deklarimet:
”Nëse në Kosovë ka një njeri që duhet t’i përmisojë deklaratat e tij për kufijtë, ai është vet presidenti Thaçi”, ka deklaruar ai përmes telefonit.
Presidenti Thaçi ka kërkuar nga Kryeministri Ramush Haradinaj t’i permisojë deklaratat e tij lidhur me korrigjimin e kufijeve, përndryshe shumë shpejt mund të ndërrohet pasi sipas tij Haradinaj po ndihet komod në karrigen e tij, njofton Klan Kosova.