
“Pse më je mërzitur, nënë?”
E di që ishte përvjetori i gjyshërve.
Jetoj në Itali, nënë.
Na ndan një det i gjerë,
por lotët i lashë prej mallit
dhe dallgët i sollën tek ti.
“Pse më je mërzitur, nënë?”
E di që ishte ditëlindja jote.
Jetoj në Australi, nënë.
Në anën tjetër të botës,
ku nata është ditë e dita është natë,
por ndeza qiririn e dëshirave
dhe fort ju fryva për ty.
“Pse më je mërzitur, nënë?”
E di që ishte festa e Vitit të Ri.
Jetoj në Gjermani, nënë.
Ftohtësia e njerëzve ma ka zbehur shpirtin,
por ylli i kësaj feste
për mua je vetëm ti.
“Pse më je mërzitur, nënë?”
E di që ishte ditëlindja ime.
Jetoj në Amerikë, nënë.
Ëndrra ime amerikane u realizua,
por askund nuk e gjeta më
atë kekun me sherbet
që më bëje për ditëlindje, ti.
“Pse më je mërzitur, nënë?”
E di që ishte 8 marsi.
Jetoj në Angli, nënë.
Mjegulla më ka veshur sytë,
por lulen më të bukur në kopësht
e kam mbjellë vetëm për ty.
“Pse më je mërzitur, nënë?”
E di që ishe shumë sëmurë.
Jetoj në Greqi, nënë.
Duart më janë plasaritur nga puna,
por djersa prej ballit më pikon
në çdo rënkim me ty.
“Pse më je mërzitur, nënë?”
E di që më ke pritur shumë herë të vij.
Jetoj në Shqipëri, nënë.
Por dua të kaloj detin,
të iki në perëndim,
atje ku është natë, nënë –
le të ketë mjegull, dëborë e trishtim –
atje ku çdo gjë më duket më mirë
se vendi im.
Nuk erdha dot, nënë!
Por kudo që të shkel,
mendje dhe zemër e kam tek ti.
____________________________
Çfarë është jeta?
Shi, stuhi ndjenjash
dallgë që gërryejnë shpirtin
stola pritjeje
shikime përtej oqeanit
dhimbje që len gjurmë
shpresa pafund…
Ajo qau … Qielli shkrepëtiu…
Çfarë është jeta?
Diell, ylber kaltërsish
rrahje zemre qetësisht
strehëza takimesh
shikime në sy
ditë plot lumturi
ëndërra realitet pafund….
Ajo qeshi…Dielli doli…
Pyeti veten, çfarë është jeta ?
Diell dhe shi,
duar që na zgjaten, shumë që na shtyjnë,
aq e gjatë në kohë
aq e shkurtër në përfundim.
Ajo heshti…
Jeta ishte një gënjeshtër…
————————————-
Ditën kur u largova babë…
shpërfilla mundin dhe shpatullat e tua…
do largohem për një jetë më të mirë babë
asgjë nga ty më nuk dua
U shpërbleva me mijëra euro babë…
por kurrë më, njeri smë përgëzoi
kur punonim në arë të dy, shaka bëje babë
kam shumë falënderime për heroin
Bleva këmishë firmato babë…
e këpucët veç me lëkurë
kurrë nuk mu ngrohën këmbët babë
si çorapet me leshin e deles rudë
Hodha parfum të shtrenjtë babë…
e flokët qethur me model
kurrë nuk u ndjeva aq i bukur babë
sa mëngjeset aty kur pranvera çel
U ula në restorantet më të mira babë…
por kurrë më nuk shijova urlë
e sillje çdo vjeshtë prej malit babë
gjizë lëkure thoshe e kam bërë me mund
Njoha shumë shokë e shoqe babë…
por kurrë asnjë nuk më qëndroi aq besnik
sa zili e paskam sot ‘Balon’ babë
ende qenka me ty në krah si një mik
Pija dhe dehesha shpesh babë…
por kurrë në asnjë mbrëmje si ajo rakia me ty
uleshim pranë kazanit të dy babë
hajde ta provojmë dhe njëherë o bir
Shkova në shumë vende të botës babë…
por kurrë nuk pash perëndim si ky
ti bashkë me diellin të lodhur nga dita babë
aty mes malesh e gjeni qetësinë
Ditën kur u ktheva babë…
Aty mbas shpatullave të tua …
as shirat e jetës nuk i kan lagur babë
e as sakrificat s’të paskan rrëzuar
Dua të të kërkoj falje babë…
që nuk dita të të doja me zë
sa më larg prej viteve të iki babë
aq më afër rrënjëve kërkoj të gjej vënd…
Liziana Kiçaj
Lule e fshatit tim
A ke ftohtë?
Era e acartë e kritikave zemrën do ta ngrijë
Por zjarrin e mirësisë do frymoj drej teje
e lehtë petalet do të çelësh ti
Lule e fshatit tim
A ke frikë?
Kandari më i padrejtë në botë vlerat do t’i shtijë
Por dorën e pastër do zgjas drejt teje
e gjithmonë më lart të qëndrosh si di ti
Lule e fshatit tim
A ke ndrojtje?
Gurët e zilisë do të të godasin në sy
Por fillin e krenarisë do lëshoj drejt teje
e shpejt kam për të të thurur një pasqyrë
Lule e fshatit tim
Çelu në çdo stinë!
Tërbaç, shkurt 2025.
Një fëmijë nga fshati im…
E ndërsa vjeshta rrëzonte gjethet
ashtu si për t’më kujtuar që askush nuk është i përjetshëm,
kthehem atje ku kam lënë zemrën,
e ngjis ato shkallë që im atë i ka skalitur me gur…
Aty pranë lules së parë takoj një fëmijë nga fshati im,
i veshur me rrobat e thjeshtësisë,
me faqet e kuqe të sinqeritetit,
sytë e kristaltë si qielli,
e plot energji më fliste për ëndrrat e tij…
Më tregonte me gisht drejt “bregut”,
atij vendi magjik ku luante me shokët e tij:
– Do vish të luash edhe ti? – më tha.
Lojërat e tua të fëmijërisë…
E nëse rrëzohesh e gjunjët me gjak,
ta dish që dhimbje s’do ndjesh aspak.
E nëse etje do të kesh,
atje poshtë pimë ujë në krua.
E nëse nata na zë jashtë,
të të tregoj hënën dua.
E nëse ndodh të mërzitesh,
ke në krahë një shok si mua.
Fëmija i vogël i fshatit tim,
me ëndrra të mëdha sa bota…
E sikur t’i falja një përqafim,
vetes së vogël së shpirtit tim.
Sot takova një fëmijë nga fshati im…
Dua të jem dhe njëherë si ai…
Tërbaç, 14.09.2024
Liziana Kiçaj u lind në 28 mars 1988 në Tërbaç të Vlorës. Ka kryer studimet në Financë por është e apasionuar pas poezisë duke ndjerë frymëzim nga shpirti i pastër i vendlindjes, kujtimet dhe rrënjët që e formuan. Një vend të veçantë në poezinë e saj zënë figura e femrës si burim force, ndjeshmërie dhe frymëzimi, duke u përpjekur të pasqyrojë në vargje bukurinë, dhembjen dhe dinjitetin e tyre. “Shkrimi për mua është një kthim te origjina, një zë i bredshëm që flet me gjuhën e tokës, të njerëzve dhe ndjenjave të thjeshta, por të vërteta,” shprehet autorja.