Të heqë dorë nga urrejtja ndaj opozitës/
TIRANE- Kreu i PD-se, Lulzim Basha, duke garantuar Brukselin dhe qytetaret se forca qe drejton nuk do te jete kurre pengese per integrimin e vendit, i ka bere apel kryeministrit Edi Rama te kthehet me mend ne koke dhe te heqe dore nga urrejtja ndaj opozites.
Ne nje deklarate per mediat, Basha ka theksuar se PD ka qene e do te vazhdoje te jete promotore e integrimit dhe do votojë cdo ligj e akt qe lidhet me te.
“Sot PD kërkon nga Rama që ta lexojë drejt e të reflektojë pa humbur kohë mesazhin për fatin e vendit në be dhe rolin përbashkues që Tirana zyrtare duhet të luajë në marrëdhëniet me fqinjët në Kosovë, Maqedoni, si një këshillë ndihmuese dhe qortuese për startin plot qëndrime përcarëse dhe konfliktuale në detyrën e tij si KM”- tha Basha.
Në vijim deklarata e plotë e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha
Kryeministri Rama mori në Bruksel, mesazhin e qartë për të bashkëpunuar ngushtë me opozitën e vendit të tij.
Në emër të Partisë Demokratike dua të falenderoj miqtë dhe partnerët e Shqipërisë në Bashkimin Europian për këtë mesazh kuptimplotë dhe për vendosmërinë e tyre konstante në mbështetje të aspiratave europiane të popullit shqiptar.
Me këtë rast dua të siguroj përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Europian në Bruksel, sikurse kemi siguruar qytetarët dhe Kuvendin e Shqipërisë këto ditë, se opozita e re shqiptare nuk do të jetë në asnjë moment pengesa dhe problemi i integrimit të vendit në BE, se do të jemi promotorë, siç kemi qenë në qeveri, se do të votojmë çdo ligj dhe akt shkon në përmbushje të kritereve të integrimit.
Ndërkaq sot, Partia Demokratike kërkon nga zoti Rama që ai ta lexojë drejt dhe të reflektojë pa humbur kohë rreth këtij mesazhi thelbësor për fatin e integrimit të Shqipërisë në Europë dhe për rolin përbashkues që duhet të luajë Tirana zyrtare në marrëdhëniet me faktoret politikë shqiptarë në Kosovë, Maqedoni dhe në trevat e tjera.
Ta lexojë jo si një mesazh rutinë por para së gjithash si një këshillë ndihmuese dhe qortuese për startin plot qëndrime përçarëse e konfliktuale të zotit Rama në detyrën e tij si kryetar i këshillit të Ministrave.
Zoti Rama i shpalli luftë opozitës në daljen e tij të parë në foltoren e Kuvendit, duke provokuar largimin e saj nga seanca.
Një ditë më pas provokoi braktisjen e Kuvendit të Kosovës nga opozita e Kosovës me qëndrimet e tij ideologjike përçarëse të stampës së vjetër ndaj figurës së ndritur të arkitektit të pavarësisë së Kosovës, Presidentit Ibrahim Rugova.
Në harkun e njëzet e katër orëve provokoi braktisje nga dy opozita kombëtare, një rekord që nuk e ka asnjë kryeministër.
Në vend që të nxirrte mësime përgjatë debatit parlamentar, zoti Rama e thelloi më tej luftëshpalljen ndaj opozitës me deklaratën e tij paprecedent se opozita nuk ka parë akoma se ç’është dhuna, deklaratë nga e cila nuk është tërhequr ende.Në vrapin e tij drejt godinës së qeverisë, akoma pa u tharë boja e firmës së betimit para Presidentit të Republikës, nxitoi të hiqte portretin e tij në shkelje flagrante dhe përçarëse të Kushtetutës, etikës, dhe bonsensit.
Kjo nuk është rruga për të shkuar në Europë.
Shqiptarët nuk harrojnë se Edi Rama bllokoi integrimin e vendit si opozitar kundër qeverisë.
Me veprimet konfliktuale dhe përçarëse që po kryen ai po rrezikon të bllokojë përsëri, kësaj radhe si qeveritar kundër opozitës.