Nga Shpend Sollaku Noé/
Në kohë pandemie duhet diçka e rëndësishme të të ngrejë moralin. Dhe më shumë se fuqia bestiale e një personazhi super asgjë nuk mund të të ndihmojë. Kam mijëra e mijëra materiale në kompjuterin tim të fundit, pasi ai i parafundit nuk nxinte më, pasi ai i tretëfundit nuk nxinte më, pasi ai i katërfundit o pesëfundit i… i…
Më në fund i gjeta ato gjëra që mendoja se i kisha humbur.
Jam i lumtur për të prekur më së fundi një temë që më zbërthen të tërin: talenti i jashtëzakonshëm i një gruaje të jashtëzakonshme, i një vepre që tashmë e ka tejkaluar të vdekshmen.
Ajo m’u gjend si një speranzë për barkën time që në këto ditë rrezikonte mbytjen në dallgët e lodhjes e të dëshpërimit.
Është arti i saj dhe i atyre të paktëve që i ngjajnë Lumturi Blloshmit, që mund të na bëhet serum në këto kohëra kur vdekja e shpërfill kaq shumë ekzistencën tonë.
I hap me kujdes ato foto të bëra në takimin tonë tashmë të mëparshëm, në studion e saj të ngushtë, që as për banesë një të zakonshmi nuk do t’i mjaftonte. Në studion e kthyer prej saj në atelie planetare. Nga jashtë ajo ngjan me një hyrje të thjeshtë të një pallati banal. Por mjafton të kapërcesh pragun për t’u ndjerë si Liza në botën e çudirave, që sapo ka rënë në strofullën që e shpie të shijojë të pamendueshmen. Edhe mua më mjaftoi të kapërcej atë prag, për të lënë për një kohë të pamasë jashtë asaj dere të rëndomte një botë të parëndësishme, të pakrahasueshme si vlerë me një artiste të tillë.
Për të mbijetuar, ku të kapem më mirë tek vepra e Lume Blloshmit?
Do të më mjaftonte edhe vetëm “Hapësirë vizuale”, që mund ta bëjë të zejë vend në muzetë më prestigjozë. Figura jonë më e rëndësishme kombëtare, të paktën përkrenarja e tij, mbi një kokë të pazakontë, që me brirët shënon kulmin e pjesës së majtë të veprës, në bazamentin e të cilës duket sikur prehet (?) një dragua; zjarrin e ka Prometeu-Gjergj-Zeus- që lidh me një drejtëzë të përshkënditur shqiponjën e kuqe të një flamuri në ngjyrë gjaku të mpiksur.
Një faqe të tërë muri pothuaj e zë një tjetër vepër madhore – “Dekorata”. E gjërë jo vëtëm prej përmasave (259,5 x 112) por dhe sidomos prej ideve që mbart, prej ironisë, prej simboleve, prej dëndësisë e shumëllojshmërisë të figurave që paraqet. Me secilën prej tyre mund të ndërtohet një kuadër më vete. Teknika mikse thekson relievin e vaj-argjendtë, të vënë në pah edhe nga një përflakje që mbledh si një qefin i pjeshëm një trup gruaje në dukje të mumifikuar.
Stop. Si i kisha kthyher shpinën një kuadri të tillë si “Dashuri dhe urejtje “? Vaji e argjendi këtu ngërthejnë dy trupa që nuk u kuptohen kufijtë; edhe kokat sikur kërkojnë të gëlltisin njera-tjetrën, në një rendje të kotë në dukje, pasi fundi është i pashmangshëm.
Kjo lloj teknike mikste vaj-argjend është arma vetiake e Lume Bllosshmit. Askush si ajo hap zjarr me të. Pasi një zjarri të vërtetë i ndruhesh, përzhitjes prej tij, ndërsa ndodhesh para tyre. Të një llave të tillë janë ndër shumë të tjera veprat madhore “Ikja”, “Obsesion”, që të dyja të vitit 2002.
Por në këto pak rreshta unë nuk mund të rri pa risjellë një tjetër mënyrë për të bërë art. Janë shumë veprat që Lumturia u ka dhënë jetë me ketë teknikë të papritur: të frymëzuar nga lëkura e portokallit – ide dhe mjet artistik. Un po ju po përmend vetëm njerin prej tyre: “Kryqëzimi”, në cilin Blloshmi rri karshi Giotto-s.
Një tjetër teknikë që i siguroi ekspozimin në Chelsea Art Museum New York është vepra e saj “Menu Kamasutra”, një kuadër i ndërtuar tërësisht me këmbë bretkosash. Erotizëm origjinal, i pastërt, që u pranua të ekspozohej edhe në një institucion fetar në Modena.
E vepra “Homazh Damien Hirst”? Ajo është ndërtuar me mjet kryesor artistik filtrat e cigareve. Tronditje prej domethënies, prej përkushtimit, prej lëngatës së përzgjatur që njeriu i shkakton vetvetes në lojën vetëshkatërruese që ai e konsideron jetë.
Origjinaliteti e kësaj autoreje përfshin edhe teknika të tjera. Një shkrim homazh si ky nuk mund të përmbledhë gjithcka. Kudo, edhe në atë që rëndom e quajnë art të aplikuar, ajo është tjetër gjë, si për shembull në njërën prej veprave të saj “Piramida – viaggio leggero” , ekspozuar në Modena (2005), në të cilën mjeti shprehës gjendet tek shishet.
Përhumbem edhe njëherë në fotot e shkrepura në studion e saj prej Edit, sime shoqeje. Rikridhem në një album që përmbledh pjesë të gjenisë së kësaj artisteje të madhe që jeton e vetmuar, diku, në periferinë e Tiranës një një apartament -studio, ku edhe një krijese të rëndomtë do t’i ishte marrë fryma. Dhe jo më Asaj.
Ndërsa për të tjerë ndërtohen muze për së gjalli, si shpërblim të besnikërisë politike. Ndërsa për të jetuar kanë hapësira që edhe vet nuk arrijnë t’i jetojnë.
Kur do të mësojmë t’ua lehtësojme krijimin gjenive tanë rebelë? Vijnë aq rrallë në jetët tona, saqë jemi ne që bëjmë vetvrasje kur i shpërfillim.