Ditën e Dielë, 16 Gusht, Uran Kostreci, shkrimtari disident, mjeshtri i soneteve, simboli i qendresës antikomuniste, pësoi një goditje cerebrale. Gazeta Dielli e mori lajmin përmes mikut të Vatrës , anëtar Nderi i saj, Prof. Dr. Beqir Meta. Dielli u informua se miqtë e Uranit, Nebil Çika, Neritan Sejamini dhe shumë të tjerë, u interesuan maksimalisht për t’i ardhur në ndihmë dhe për ta transportuar nga Spitali i Pogradecit në Tiranë.
Kryetari i Shoqatës të Përndjekurve Politik të Shqipërisë, gazetari Nebil Çika, shkroi në fb: Gjithë jetën ftoi në duel vdekjen, duke sfiduar komunizmin në një Shqipëri me anemi të theksuar të Lirisë e në këmbë qëndroi…
Kësaj radhe ish vdekja që e ftoi në duel Uranin!
Urani e fitoi betejën me të edhe kësaj radhe.
E fitoi në emër të djalit që nuk e pati kurrë.
E fitoi në emër të sakrificës, tek tradhëtoi vehten e trupin e tij për ideal t’atdheut!
E fitoi, për të na mësuar se arbër është ai që lufton e fiton beteja deri në frymën e fundit, edhe në luftra të humbura!
Për t’u thënë pushtuesve se Shqipërisë i vodhët lirinë, kohën, por nuk e shuat e nuk do ta shuani kurrë rracën e pastër të Arbërit!
Virtytet e Arbërit i gëzon vërtet, Uran!!
Lutemi për shëndetin e Uranit!
Më pas në një mesazh tjetër Çika informoi se Urani ndodhej në spitalin 5 të Qendrës Nënë Tereza.
Dielli u lidh me të vëllanë Hasan Kostreci, i cili kishte komunikuar pak para goditjes cerebrale më Uranin.
Gjatë ditës së sotme Dielli komunikoi edhe me mikun e Uranit Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu, i cili përcolli lajme të mira për Uranin,- ai ka reaguar gjatë ditës së sotme.
Urani, miku i shtrenjtë i Vatrës ndodhet i shtruar në Spitalin 5 në Tiranë. Lutemi për shëndetin e Tij!
***
Një ditë para goditjes, Urani, mjeshtri i Soneteve, Uran Kostreci, përcolli sonetin më të ri në fb:
BREZI I RI I TRULLOSUR
Siç ndodh mbjell fidan shtrëmbër, në postat,
A pylli duke e ngjeshur e shtrënguar,
Bën që, filizi, pjerrtas shkon, anuar
E nuk drejtohet kurrë, nuk hedh shtat;
Ashtu nga kuqua brezi i ri dēm pat:
Rrena e komunistve i ka deformuar…
Kuqot thanë… Aleatve u qen’ bashkuar…
Po me sërb qenë e zbuan Aleatë!
Në Kosov, kuqot shkuan… vran kosovarë…
Që shtet tok me sërb… deshën… pse s’ thon vallë ?
S’ thon… Shqiprin dogjnë, atdhetar s’ lan gjallë !
Veç thon drejtimnë e duhur patën marrë !
E t’ rinjtë ende besojn kta gënjeshtarë,
Aq kokën, pesdhjet vjet, ua kan bër dhallë.
———————————————————————————–
Shënim: postat =lehe (pjesë toke e ndarë)