Aleksandër Çipa/
Personaliteti që dirixhon me elegancë e sharm, mes një së shkuare dhe një të ardhmeje me shkëlqim.
Maestro Eno Koço e priti ditën e 80 vjetorit të ditëlindjes, me atë fytyrën e qeshur dhe shikimin elegant të vet, si në kuptimin e plotë të vargut të Agollit ” Mos ma kujto!”. Kohën e mishëron plotësisht, por e sfidon po aq me kapriçio gjenerozi. Është zotnia i lëvizjeve të lehta, elegante, të sakta dhe si hise e karakterit sanguin që dhuron përshëndetje më tepër nga sa mund të presin të tjerët. Është përherë në aktin e shkëlqyer të dirigjimit edhe kur përpara nuk ka formacion orkestral apo lexhio…
Maestro Koço është dirigjues i shkëlqyer i profilit prej pedagogu, muzikanti, studiuesi dhe diskutanti për çështje të muzikologjisë, materialeve të kompozicionit, etnokulturës dhe lektorimit në universitete të Artit. Ka realizuar një jetë të pasur me suksese dhe honore mbi 60 vjeçare, në qendrat dhe institucionet kombëtare shqiptare por edhe më gjerë, në Itali, Kajro, Britani, Gjeorgji, Ballkan etj., etj.
Koha e gjatë e jetës së tij, mbetet përherë e pamjaftueshme për punët që kryen. Sepse i ka të shumta dhe i kryen sipas rregullit të vetvetes. Shquhet me sqimën prej korçari, e më së shumti, si biri i një nëne që shekullon në majat e larta të shkëlqimit artistik, duke u evidentuar si një ndër referencat për aristokracinë tonë aq të ndërprerë dikur e aq të munguar sot. Nëna dhe At-i i vet, Tefta dhe Kristo Koço, të dy muzikantë, e lanë në mëshirë të jetës në moshën 6 vjeçare. Por emri dhe hija e tyre e shenjtërishme prej qytetarësh dhe artistësh me natyrë mondane, iu bënë frymë ushqyese artistit tonë të ardhshëm.
Në më shumë se pesë dekada, Maestro Eno Koço udhëhoqi orkestracionet dhe trupat e instrumentistëve profesionistë të Tiranës, duke u shndërruar në imazh dhe personalitet përfaqësues për një shkollë dhe përvojë të re dirixhimi shqiptar. Ai është ndër të rrallët dhe të vetmit muzikantë të Shqipërisë që u përball dhe preku nivelet ndërkombëtare të artit.
Në dy dekadat e fundit, kur Maestro prek majat e larta të moshës, është paraqitur pranë publikut si autor i disa librave që hedhin dritë mbi historinë dhe artefaktet e këngës dhe artistëve klasikë shqiptarë. Këto botime autoriale rishtojnë kujtesën dhe dijeninë kulturologjike për zanafillat e bukura dhe shkëmbimet muzikore e kulturore shqiptare, me kryeqytetet europiane. Janë prurje faktuese për kontributet e elitës sonë, pjesë e së cilës ishin prindërit e vet në vitet 1920-’40. Këto botime të ruajtura dhe mbartura në proces përgatitës në gjatësi të shumtë kohore, sjellin në bibliografinë tonë një kontribut fisniku me aq sharm.
Maestro i’u përgjigj ftesës së miqve dhe kolegëve, artistëve dhe shkencëtarëve në fushën e shkencave humane që përvjetorin e 80-të ta përcillte në sallën e Akademisë së Shkencave.
Erdhi shtueshëm.
Me shkopin e dirixhimit, me elegancën dhe shkathtësinë e vet natyrale, por edhe me buzëqeshjen dhe krenarinë për pasardhjen si bashkëshoqëruese… Ndër pjesët e interpretuara para të pranishmëve, njëra ndër më të mirëpriturat ishte edhe ajo e luajtur në violinë nga i biri Genti Koço, një instrumentist i formuar dhe me karrierë të cilësueshme në Britaninë e Madhe.
Maestro është At i suksesshëm i një bije dhe biri me shkollime dhe progrese të adhurueshme në jetën artistike kombëtare dhe më shumë, atë ndërkombëtare. Si në fatin e një dinastie arti, vijon jeta e brezave gjenealogjikë të familjes Koço. Është rast i shkëlqyer kur triumfi feniksian, dëshmohet përmes Maestros dhe brenda familjes, tek pasardhësja-bijë Teuta dhe biri Genti.
Në këtë shfaqje, me aq shumë urime për jetëgjatësi për Maestro Enon, spikati edhe dëshmia e vijimësisë premtuese e pinjollëve të Tefta Tashko Koços, ikonës së aristokracisë sonë artistike.