

(Kushtuar Patriotit Kolë Prek Gojçaj)- Thesaret, ato që shkëlqejnë nën dritën e historisë, zakonisht matën me vlerën e tyre materiale rriten, bien, ose shuhen me kohën. Por thesaret njerëzore janë krejt ndryshe: janë burime të pashtershme idesh, veprash dhe shpirtmadhësie. Sa janë gjallë, përkushtimi i tyre është aq i natyrshëm sa shpesh kalon pa u vënë re. Por kur largohen nga kjo botë, vepra e tyre ndriçon si një dritë që nuk shuhet kurrë, duke u bërë pasuri e përhershme për brezat që vijnë.
Në këtë plejadë të ndritur atdhetarësh, një vend nderi zë Kolë Prek Gojçaj biri i Helmicës së Malësisë së Madhe të Hotit dhe një nga shtyllat e komunitetit shqiptaro-amerikan në Michigan. Lindur në një familje që kishte paguar çmimin e lirisë me shtëpinë e djegur pesë herë nga pushtuesit, ai trashëgoi jo vetëm plagët, por edhe krenarinë dhe ndjenjën e përjetshme të atdhedashurisë. Dera e shtëpisë së tij kurrë nuk u mbyll; ajo mbeti hapur për të pritur miqtë, bashkëkombasit dhe çdo ideal të shenjtë të kombit shqiptar.
Prej më shumë se gjysmë shekulli në Amerikë, Kolë Gojçaj jetoi me shpirtin e një misionari të heshtur për çështjen kombëtare. Vizitat e tij të shpeshta në Shqipëri ishin një dëshmi e lidhjes së pashkëputshme me rrënjët. Ishte një njeri i besës, i fjalës së dhënë dhe i veprës së kryer me vizion të qartë dhe me guxim të palëkundur.
Në komunitetin shqiptar në SHBA, ai shërbeu si Kryetar i Këshillit të Kishës së Shën Palit, ishte donator i palodhur dhe pjesëmarrës aktiv në çdo nismë për të ruajtur identitetin, kulturën dhe traditat tona. Biznesmen i suksesshëm, por mbi të gjitha patriot i devotshëm, Kola nuk mungoi kurrë në protestat, grevat dhe demonstratat për lirinë e Kosovës. Ishte ndër ata që i dhanë shpirt dhe mbështetje Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e ndihmuar financiarisht dhe moralisht, për çka më pas u nderua me titullin Veteran i UÇK-së dhe gëzonte respektin e pakufishëm të institucioneve kosovare.
Në vitet e fundit, jetonte i ndarë mes Amerikës dhe Helmicës së tij të dashur, aty ku i rrinte gjithmonë zemra. Ndarja e tij nga jeta në moshën 89-vjeçare është një humbje e madhe jo vetëm për familjen e tij, por për mbarë Malësinë, për diasporën shqiptare në Amerikë, dhe për të gjithë ata që e njohën e punuan me të.
Patriotizmi i tij nuk shteroi me largimin e trupit të tij fizik. Ai la pas një pasuri të çmuar vlerash, që do të ndriçojë përherë historinë tonë dhe do të frymëzojë brezat që vijnë.
Në nderim të veprës së tij, ALBTVUSA së shpejti do të transmetojë intervistën ekskluzive të realizuar me Kolë Gojçajn disa vite më parë një rrëfim i gjallë i jetës dhe kontributit të tij atdhetar.
Ngushëllimet më të thella familjes së nderuar Gojçaj, Malësisë së Madhe dhe mbarë komunitetit shqiptaro-amerikan për humbjen e këtij burri të rrallë, që i fali jetës shqiptare më shumë dritë e nder.
Gani Vila
Drejtor
ALBTVUSA