Nga Xheladin Zeneli*/
Pothuajse gjithë faktorët relevant ahqiptar,si politik dhe jo politik, janë në pajtueshmëri të plotë me faktin se pozita e shqiptarëve në Mal të Zi vazhdon gjithënjë të jetë e pavolitshme.Mjafton vetëm që t’ju hidhet një sy programeve të subjekteve politike shqiptare dhe të vërtetoheni në listën e tyre të gjatë të kërkesave dhe çështjeve të pazgjidhura të shqiptarëve.
Gjithashtu,gjatë 23-vjeçarit të fundit jemi dëshmitarë të bashkëqeverisjes dhe marrëveshjeve të shumta në mes subjekteve të caktuara politike shqiptare dhe partisë që udhëheq me pushtetin qendror, por pa rezulltate apo me rrezulltate të kufizuara.Njëkohësisht jemi dëshmitarë të premtimeve të vazhdueshme ,nga ana e qeverisë së Malit të Zi dhe kryeministrit Gjukanoviq kur janë në pyetje realizimi i të drejtave të shqiptarëve,premtime këto që kanë mbetur të zbrazta. Gjatë gjithë kësaj kohe, ka pasur projekte ,elaborate të ndryshme, reagime,propozime të amandamenteve ligjore nga ana e përfaqësuesve shqiptar në parlamentin e Malit të Zi, por pa një sukses të konsiderueshëm.
Duke u nisur nga këto parametra, si dhe nga shqetësimi i diasporës shqiptare për pozitën e përkeqësusar të bashkëkombasve të tyre në vendlindje, organizatat shqiptare me prejardhje nga trojet etnike në Mal të Zi që veprojnë në SHBA ,organizuan demonstratën paqësore në Washington me 8 Prill 2014, në të njëjtën ditë kur kryeministri malazez, Gjukanoviq u takua me z/presidentin amerikan,Biden,në Shtëpinë e Bardhë .Kjo demonstratë pati përkrahjen e shumë organizatave tjera shqiptare në SHBA dhe pati një jehonë të madhe në mediumet dhe në hapësirën shqiptare. Gazeta shqiptaro – amerikane ” Illyria” e përshkruan këtë demonstratë si “Protesta më e madhe shqiptare e dekadës në Washington”,kurse Albanian News Agency ( AlbPress) shkruan:”Kjo demonstratë konsiderohet si një ndër më të organizuarat pas luftërave në Kosovë dhe Maqedoni”.Si rrezulltat i kësaj demonstrate ,anëtari i Komitetit për marrëdhënie të jashtme i Kongresit Amerikan, z. Eliot Engel,menjëherë pas përfundimit të demonstratës,ftoi në zyrën e tij të Kongresit,përfaqësuesit e disa shoqatave shqiptare dhe disa aktivistë të tjerë të komunitetit me në krye anëtarin e Asamblesë së New York-ut, z. Mark Gjonaj,ku u parashtruan kërkesat kryesore të shqiptarëve në Mal të Zi.
Në të njëjtën ditë,pra me 8 Prill 2014 dhe në koordinim me shoqatat shqiptare në SHBA, u mbajt në Plavë protesta paqësore me moton ” Kërkojmë të drejtat tona”, e organizuar nga Unioni i pavarur i studentëve shqiptar në Mal të Zi (Dega Plavë -Guci). Këto djem dhe vajza meritojnë mirënjohje të veçantë për vendosmërinë dhe kurajon e tyre që treguan me rastin e realizimit të kësaj proteste. Kurse,dy ditë më parë me 6 Prill, në Tuz të Malësisë u mbajt ,gjithashtu protestë kundër politikës diskriminuese të pushtetit malazez ndaj shqiptarëve, e organizuar nga Forumi Demokratik për Integrim (FDI) dhe e përkrahur nga Lidhja Demokratike në Mal të Zi – Dega e Malësisë si i vetmi subjekt politik i cili i ka dhënë përkrahje paraprake protestave të shqiptarëve.
Pyetjeve që nuk mund ti shmangemi dot është se përse protestat paqësore nuk patën përkrahjen e duhur të subjekteve të tjera politike shqiptare ? Përse nuk u përkrahen protestat e studentëve shqiptar në Plavë të cilët dualën në rrugë pa kurrfarë interesave politike por thjeshtë që të ngrisin zërin e tyre ndaj padrejtësive që iu bëhen shqiptarëve ? Gjithashtu,përse nuk u përkrah demonstrata e diasporës shqiptare në Washington ?. Këto janë vetëm disa pyetje,përgjegjën e të cilëve e dijnë vetëm subjektet politike shqiptare.
Një ndër arsyet e organizimit të protestave në fjalë ishte edhe ajo,se ky vit është vit i vendimtar për Malin e Zi në aspektin e përmbushjes së kushteve dhe kriteriumeve lidhur me anëtarësimin e tij në NATO dhe në BE. Prandaj,ky është moment i rëndësishëm që shqiptarët të riaktualizojnë çështjen e tyre duke sfiduar integrimin europian të Malit të Zi në aspektin e mos realizimit të të drejtave të plota të shqiptarëve sipas standardeve të vetë asaj bashkësie ,pjesë e së cilës Mali i Zi pretendon të bëhet,pra pjesë e BE. Është i papranueshëm fakti që Podgorica zyrtare, në njërën anë aspiron të jetë anëtare e NATO-s dhe e BE, kurse në anën tjetër iu mohon të drejtat elementare të shqiptarëve.Prandaj edhe një ndër parrullat e protestuesve shqiptarë në Washington ishte “Nuk ka integrim në NATO për Malin e Zi pa të drejtat e shqiptarëve !”
Kur dialogu dhe rruga institucionale nuk jep rrezulltate të pritura të zgjidhjes së problemeve,atëherë protestat paqësore duhen të kuptohen si vazhdimësi e një proceci demokratik dhe si mekanizëm mbrojtës ndaj padrejtësive evidente të pushtetit malazez dhe si element plotësues i aplikimit të trysnisë ndaj këtij pushteti.
Duke u nisur nga kjo premisë, atëherë përse pjesa dërmuese e faktorit politik shqiptar në Mal të Zi ngurrojnë apo hezitojnë që të shprehin pakënaqësinë e tyre përmes protestave paqësore? Të drejtën për të protestuar iu mundëson edhe kushtetuta e Malit të Zi ( neni 52). Derisa në të kaluarën ka pasur protesta të shqiptarëve në Mal të Zi me karakter lokal,deri më sot nuk ka pasur asnjë protestë masive të tyre.Një protestë masive eventuale e gjithë faktorit politik shqiptar bashkë me organizatat joqeveritare shqiptare,para institucioneve ku legjitimohet diskriminimi i shqiptarëve siç është parlamenti dhe qeveria në Podgoricë, do të dëshmonte unitet të pashembullt, dhe do ishte një mesazh i fortë i vendosmërisë së tyre në zgjidhjen e problemeve që preokupojnë shqiptarët si dhe do të tërhiqte vëmendjen e faktorit ndërkombëtar.
Një dukuri tjetër ,që pak a shumë dominon në opinion shqiptar e posaçërisht dominon në retorikën e strukturës udhëheqëse të partisë së Gjukanoviqit ( PDS), është logjika sipas të cilës “nuk bën që të kundërshtohet diçka që përputhet me kundërshtimet e serbëve në Mal të Zi “!? Nëse serbët në Mal të Zi kundërshtojnë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, këtë ate e bëjnë për arsyet e tyre, kurse shqiptarët e bëjnë për shkaqe të tjera. Serbët e kundërshtojnë anëtarësimin e Mali të Zi në NATO sepse e urrejnë NATO-n ,kurse ato shqiptarë që kundërshtojnë anëtarësimin e Malin e Zi në NATO, e adhurojnë aleancën ushtarake të Përendimit, por njikohësisht kërkojnë që Mali i Zi ti respektojnë të drejtat e tyre ,si anëtare e mundshme e NATO-s.
Me vite të tëra, një ndër strategjitë e pushtetit malazez ka qenë edhe ajo se shumë prej kërkesave të tyre janë kategorizuar si kërkesa të cilat “çojnë ujë në mullirin e pakicës serbe” (!?). Shembulli më i mirë i kësaj është kërkesa për statusin e komunës së pavarur dhe të plotë të Tuzit ( Malësisë). Qeveria e Malit të Zi dhe partia udhëheqëse e saj ( PDS) e arsyeton mos realizimin e komunës së plotë të Tuzit ( Malësisë) me preteks se me shkëputjen eventuale të Tuzit si komunë në vehte mund të ndikojë në ate që udhëheqja politike e Podgoricës të “kalojë në duart e opozitës serbe”, arsyetim ky i cili mund të merret edhe si llojë kërcnimi. Si rrjedhim i kësaj kemi të drejtë të pyesim se përse shumica shqiptare e Malësisë duhet të vazhdojë që të sakrifikohet apo të përdoret për interesat politike të partisë në pushtet ( PDS) ? Deri kur shumica shqiptare e Malësisë do të mbahet peng e llogaritjeve politike të partisë së Millo Gjukanoviqit e cila ka për qëllim vetëm vazhdimësinë e mbajtjes së pushtetit , dhe jo plotësimin e mirëfilltë të kërkesave të shqiptarëve ?.
Deri tani,përkrahja që shqiptarët i kanë dhënë partisë në pushtet dhe Malit të Zi,ka qenë më e madhe se asnjë popull tjetër pakicë në këtë shtet. Gjukanoviq dhe partia e tij kanë përfituar më shumë ndaj përkrahjes së shqiptarëve se sa shqiptarët kanë përfituar nga politika e tij. Në të vërtetë përkrahja dhe lojalizmi i tyre asnjëherë nuk iu është kthyer.
Prandaj,për dallim nga e kaluara, tani është koha që shqiptarët të mendojnë për vetëveten dhe interesat e tyre .Ata nuk duhen të brengosen shumë me faktin se a do të anëtarësohet Mali i Zi në NATO apo BE, por duhet të mendojnë se cili do të jetë statusi i tyre në një Mal të Zi europian.Vendimi për anëtarësimin e Malit të Zi do të merret në qendrat vendim-marrëse siç është Washington-i dhe Brukseli dhe shqiptarët nuk kanë nevojë të jenë avokatë i integrimit të Malit të Zi në strukturat euro-atlantike. Shqiptarët,në rend të parë duhen të jenë avokat të vetëvehtes sepse askush tjetër nuk do t’a bëjë këtë,nëse ata vetë nuk angazhohen për çështjen e tyre.
(* Ne foto: Autori i shkrimit gajte protestes se 8 prillit 2014 ne Washington)
24 Prill 2014