Komisionit për çështje kushtetuese i Kuvendit të Maqedonisë ka filluar diskutimin për nismën mbi ndryshimet kushtetuese të parashikuara në Marrëveshjen e Prespës./
Nga Fatos Musliu/
Kryeministri Zoran Zaev në arsyetimin e propozimit të ndryshimeve kushtetuese theksoi se nga shqyrtimet dhe reagimet e deritanishme në opinion nuk ka asgjë kontestuese në propozimin për ndryshime kushtetuese. Ai ka vlerësuar se për opinionin profesional dhe ekspertët ndryshimet janë në pajtim me standardet ndërkombëtare. “Kjo iniciativë ngrihet në pajtim me ligjet dhe procedurat institucionale. Deputetët janë ata që duhet ta përcaktojnë të ardhmen e qytetarëve drejt NATO-s dhe BE-së dhe të prononcohen sipas vullnetit të tyre. Tani ka ardhur koha që të gjithë ata që janë për në NATO dhe në BE të përkrahin ndryshimet”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.
Zaev: Në duart tona është perspektiva evropiane e Maqedonisë
Zaev i ka ftuar të gjithë deputetët, pavarësisht përkatësisë partiake të marrin përgjegjësi dhe ta respektojnë vullnetin e qytetarëve të shprehur në referendumin e 30 shtatorit. “Do të zgjidhim një problem 25 vjeçar që vendin e ka tërhequr mbrapa. Vendimi juaj deputetë do ta dërgojë në histori referencën FYROM. Identiteti i Maqedonisë është i mbrojtur për shekuj me radhë. Nëpërmjet mbështetjes së këtyre ndryshimeve do të tregohet respekt ndaj vullnetit të qytetarëve. Në duart tona është perspektiva evropiane e Maqedonisë”,ka thënë Zaev.
Veljanovski: Nuk do ta keni përkrahjen e opozitës maqedonse
Ish-kryetari i Kuvendit nga radhët e VMRO-DPMNE-së Trajko Veljanovski ka thënë se nëse qytetarët kanë dhënë vendimin e tyre, ne nuk kemi mandat as qëllim që të marrim pjesë në votimin e ndryshimeve kushtetuese. “Nuk do ta keni shumicën prej dy të tretave për ndryshimet kushtetuese”, u shpreh shkurt Trajko Veljanovski nga VMRO-DPMNE gjatë fjalimit të tij në Komisionin për Çështje Kushtetuese të Maqedonisë. Gjatë fjalimit Veljanovski, Marrëveshjen me Greqinë e cilësoi të dëmshme dhe jolegjitime
Dimovski: Po heqim dorë nga trashëgimia kulturore
Deputeti i VMRO-DPMNE-së Ilija Dimovski vlerëson se maqedonasit në shtetet fqinje nuk mund të trajtohen si diasporë, sepse kushtetuta i njeh si pjesë auktoktone në këto territore. Gjithnjë sipas Dimovskit, pas Marrëveshjes së Prespës, maqedonasit nuk mund t’i referohen trashëgimisë kulturore në territorin e Greqisë. “Shumë këngë maqedonase që i këndojmë dhe kërcjemë kanë origjinë nga Maqedonia e Egjeut. Përfundimisht, Kërste Misirkov ndaj të cilit e bazojmë identifikimin gjuhësor dhe nacional, asnjëherë nuk ka jetuar në territorin e Maqedonisë së tanishme”, u shpreh Dimovski.
Kush po i kërcënon deputetët?
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, paralajmëroi hetime lidhur me pretendimet për kërcënimin e deputetëve nga rradhët e VMRO-DPMNE-s, që duan të votojnë për ndryshimet kushtetuese. Spasovski tha se kërcënimet më shpesh deputetët i marrin përmes rrjeteve sociale. Numri një i policisë iu bëri thirrje deputetëve që t’i denoncojnë kërcënimet e mundshme.
Procedura për ndryshim të Kushtetutës do të realizohet në tri faza. Në fazën e parë, Kuvendi me shumicë prej dy të tretave duhet të sjellë vendim për aderim drejt ndryshimit të Kushtetutës. Në fazën e dytë duhet të përcaktohen draft-amendamentet dhe për këtë nevojitet shumicë e thjeshtë ose 61 vota. Faza e tretë dhe e fundit është miratimi i amendamenteve për çka nevojitet shumicë prej dy të tretave ose mbështetje prej më së paku 80 deputetëve. Për amendamentin e Preambulës të Kushtetutës përveç shumicës prej dy të tretave nevojitet edhe shumica e Badenterit.(DW)