Kanë mbetur vetëm edhe disa ditë kur në Maqedoni do të mbahet referendumi për ndryshimin e emrit të vendit nga Republika e Maqedonisë në “Republika e Maqedonisë së Veriut”. Është zhvilluar një fushatë e ashpër për këtë referendum të rëndësishëm — jo vetëm për Maqedoninë por edhe për rajonin –midis palëve kundërshtare maqedonase, ndërsa merret me mend se shumica e shqiptarëve në atë vend e mbështesin referendumin për ndryshimin e emrit të shtetit ku jetojnë. Pas tri dekada mos marrveshjesh mbi emrin e ish-republikës jugosllave të Maqedonisë, midis Shkupit dhe Athinës, ministrat e jashtëm të dy vendeve, në prani të Kryeministrit grek, Alexis Tsipras, Kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev dhe zyrtarëve të lartë të BE-ës dhe OKB-ës nënshkruan, qershorin që kaloi, marrveshjen për emrin e ri të ish-republikës jugosllave. Marrëveshja — e cila u nënshkrua në Prespë, një zonë kjo që kufizohet me Greqinë, Maqedoninë dhe Shqipërinë — pritet t’i hapë rrugën Shkupit për antarësim të mundëshëm në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Mirëpo, kjo mundësi ka shkaktuar një garë gjeopolitike në atë vend, midis Perëndimit dhe Rusisë e cila po përdor të gjitha mënyrat që ka në dispozicion, për të minuar marrveshjen midis Athinës dhe Shkupit, me qëllim që të bllokojë edhe antarësimin e mundëshëm të Maqedonisë në NATO. Ndërkohë që Moska ka ndërmarrë një fushatë propagandistike të ashpër dhe të gjithanshme, sidomos në mediat sociale, duke përhapur lajme të rreme, vendet demokratike perëndimore kanë shprehur, në mënyrë transparente, mbështetjen e tyre në favor të referendumit, duke dërguar në Shkup zyrtarë të lartë, për të bindur qytetarët e ish-republikës jugosllave që të votojnë në favor të ndryshimit të emrit, përfshirë Kancelaren e Gjermanisë Angel Merkel, Federica Mogherini-n Shefen e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian dhe Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes, Xhejms N. Mattis. Duke cituar Kancelaren Merkel, Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, u shpreh gjatë vizitës së tij në Shkup se, “Qytetarët tuaj do të përdorin këtë mundësi demokratike për të çuar përpara të ardhmen e vendit tuaj, ndërkohë që do të votoni në referendum për të çuar vendin tuaj edhe drejt antarësimit në NATO, ndërsa hedhni votën më të rëndësishme në historinë e vendit tuaj. Ne jemi të vetdijshëm ndaj kësaj vote komplekse për popullin tuaj, por ne u mbështesim që ju të ushtroni të drejtën e sovranitetit të votës tuaj si dhe të ushtroni përgjegjësinë demokratike për të votuar”, ka thënë zyrtari i lartë mbrojtjes amerikane gjatë vizitës së tij në Shkup kohët e fundit. Sekretari Amerikan i Mbrojtjes ka nënvijuar gjithashtu se, “Nuk ka asnjë dyshim se Rusia ka transferuar fonde të mëdha dhe se rusët kanë ndërmarrë fushata të gjithëanshme për të influencuar votën”, në referundimin e të djelës që vjen”, në ish-republikën jugosllave të Maqedonisë, “me qëllim që pikërisht, të bllokohet mundësia e këtij vendi që të antarësohet në NATO”.
Por, Sekretari Xhejms Mattis në mbështetje të miratimit të referendumit për ndryshimin e emrit nga ana e votuesve të Republikës së Maqedonisë, u shpreh duke cituar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Stoltenberg se, “Duke iu bashkuar NATO-s, ju do të siguroni një karrige të barabartë, në tavolinën e aleancës ushtarake më të suksesshme që ka njohur ndonjëherë historia e njerëzimit, së bashku me 29-vende të tjera anëtare të angazhuara për të mbrojtur ju dhe sigurinë tuaj”… Ju do t’i bashkoheni (si vendi anëtar i 30-të, nëqoftse zgjidhni këtë rrugë) një aleance ushtarake në të cilën vende të vogla e të mëdha, punojnë së bashku — në mbrojtje të parimeve të përbashkëta të sovranitetit kombëtar, integritetit territorial dhe të lirisë, kundër ndërhyrjeve të jashtme, ndërkohë që të tjerët përpiqen t’i minojnë këto parime, duke filluar nga Siria e deri në Ukrainë”, një referencë e qartë kjo e zyrtarit të lartë amerikan, ndaj ndërhyrjeve ruse në këto vende.
Një prej metodave që ka zgjedhur Moska për të minuar rezultatin e referendumit të djelën që vjen në Maqedoni, është përhapja e lajmeve të rreme dhe sulmet kibernetike. Zyrtarët e NATO-s thonë se kanë ndihmuar Maqedoninë për të kundërshtuar fushatën ruse. “Shohim se Rusia po përpiqet të ndërhyjë dhe të përhapi disinformacion, por Rusia nuk po fiton” mbështetje, megjithse sipas tij, Moska “po vepron në nivele të ndryshme dhe me me mjete të ndryshme”, është shprehur Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një intervistë për gazetën Nju Jork Tajms. Por edhe si pas diplomatëve perëndimorë, të cilët citohen nga media amerikane, përfshirë Nju Jork Tajms-in dhe Washington Post-in, çdo ditë shfaqen 40 uebsajte të reja me të cilat u bëhet thirrje votuesve të Republikës së Maqedonisë që të bojkotojnë referendumin. Njoftohet se këto uebsajte, origjina e të cilave është jashtë Maqedonisë, përputhen me modelet e mëparshme të ndërhyrjeve ruse në zgjedhjet e tjera në të kaluarën, përfshirë edhe ato në Shtetet e Bashkuara. Disa prej këtyre uebsajteve, sipas medieve amerikane, me qëllim nxitin edhe tensionet etnike me shqiptarët në Maqedoni, ndërsa bëjnë pyetjen provokuese: “A do të lejoni shqiptarët t’ua ndryshojnë emrin” e vendit? Gjatë vizitës së tij në Shkup, Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Xhejms Mattis nuk përmendi Rusinë me emër, por ka theksuar nevojën për të luftuar, “aktivitetin kibernetik qëllim keq, që kërcënon demokracitë tona.
Përpjekjet e Moskës për të minuar referendumin e të djelës që vjen në Maqedoni, janë në përputhje të plotë me politikën afatgjatë të Rusisë putiniste për të ruajtur dhe për të përhapur influencën e saj në Ballkanin Përendimor. Dy vjet më parë, Moska kishte orkestruar një grusht-shteti në Mal të Zi për të rrëzuar qeverinë pro-perëndimore të atij vendi, me qëllim për të parandaluar antarësimin e Podgoricës në NATO. “Një prej objektivave kryesore të Rusisë në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë është që ajo të kundërshtojë NATO-n në çdo hap që ndërmerr aleanca perëndimore”, citohet të ketë thënë për Nju Jork Tajms, Xhejms H. Mackey, Shef i Zyrës Euro-Atlantike dhe Partneritet Global të NATO-s, duke shtuar se, “Për derisa rusët mendojnë se mund të shkaktojnë turbullira diku, ata do të përpiqen të bëjnë një gjë të tillë”, ka thënë ai.
Bazuar në aktivitetet ruse të kohëve të fundit në Maqedoni në mbështetje të bojkotimit të referendumit për ndryshimin e emrit të ish-republikës jugosllave, Moska, siç e ka traditë, po peshkon në ujrat e turbullta të Ballkanit Perëndimor, megjithëse Maqedonia nuk përbën asnjë kërcënim që mund të merret me mend, ndaj Rusisë. Ky pra është problemi i madh rus me të cilin Maqedonia e vogël përballet me arushën e madhe ruse në referendumin e së djelës për ndryshimin e emrit, një vendim që nëqoftse miratohet, do të mundësojë antarësimin e Shkupit në aleancën e NATO-s. Por ashtu siç përfundon editorialin me të njëjtin titull si më lartë, gazeta Washington Post, se cilido qoftë përfundimi i referendumit për ndryshimin e emrit, të djelën që vjen në Maqedoni, një mesazh nga Maqedonia është i qartë: “Putin është i vendosur të minojë Perëndimin dhe institucionet e tija kudo dhe kurdoherë që të ketë mundësi”, madje edhe në një vend të vogël si Maqedonia, me të cilin nuk ka kufij të përbashkët dhe i cili nuk përbën asnjë kërcënim politik as ushtarak ndaj Rusisë, por për të vetmen arsye se, “Çdo sukses i demokracive, sado i vogël qoftë, shikohet si një kërcënim vdekjeprurës” nga ana e Vladimir Putinit, përfundon editorialin e saj gazeta e kryeqytetit amerikan, Washington Post. Vota në favor të referendumit për ndryshimin e emrit të vendit — gjë që do të çonte në antarësimin e Maqedonisë në aleancën e NATO-s — do të konsiderohej prej Rusisë si një humbje e madhe për ‘të dhe si një fitore për Perëndimin dhe për demokracinë. Kjo është arsyeja pra që Rusia përbën një rrezik të madh për Maqedoninë e vogël dhe për demokracinë e saj në referendumin e të djelës që vjen.