“Flijimi vullnetar me vetëdije të plotë dhe I lirë nga çfarëdo detyrimi, flijimi i vetëvetes për të mirën e të gjithëve, është simbas meje, treguesi I zhvillimit më të madh të personalitetit, të epërsisë, të zotërimit të plotë të vetëvetes, të më të madhit vullnet të lirë.”
FIODOR DOSTOJEVSKI
Nga Eugjen Merlika (Vijon nga numuri i kaluar)
Ja çfarë ka shkruajtur për Markun shkrimtari e poeti i madh Ernest Koliqi, në një shkrim të vitit 1971, me rastin e një të katërtit të shekullit të ndërrimit jetë të tij, me titull tejet kuptimplotë, “Mark Gjomarkaj, theror i traditës”:
“…..Të moçmit na lanë fjalë se dielli me shoshë nuk mbulohet. E dijmë mirfilli se herët a vonë, në çastin që vjen stina historike,vlerat e njimendta dalin në dritë duke i dhënë secilit protagonist në fushë të përparimit dhe të lartësimit të lartë kombtar vendin përkatës sipas meritave. Por kjo nuk do të na ndalojë të shfaqim një ndiesi keqardhjeje për padrejtësitë si të njerëzve ashtu dhe të fatit përballë disa fatosave tek të cilët spikatën vetitë eprore të gjakut tonë.
Nji ndër ta është dhe Mark Gjomarkaj.
Markun e njoha kur ishte student 24 vjeçar në Romë. Më bëri përshtypje që prej takimit të parë pjekuria e mëndjes së tij, një pjekuri ku me zgjuarsi natyrore plot vetëdije për pozitën e veçantë krahinore në shoqërinë shqiptare, shartohej pamja e gjërë realiste e problemeve të kohës dhe kuptimi i nevojës për t’u inkuadruar me qëllime e drejtime në jetën e përgjithëshme kombëtare. Kapidani i ri, me moshë e me mendësi, ashtu m’u duk dhe ashtu e tregoi veten dhe më vonë, Mark Gjomarkaj.
I rysun prej një mërgimi politik 5 vjeçar që më kishte dhënë mundësinë për të njohur e për t’u miqësuar me persona e personalitete të ndryshme nga mbarë Shqipëria, u përpoqa kur u bëmë miq të ngushtë, me i folë Markut për nacionalistët tonë të spikatur. Në shpjegimin tim ai pëlqeu mbi të tjerët si njeri politik me ide të qarta e të prera, Mustafa Krujën, të cilit i a kishte dëgjuar emrin…..”
Ka një përputhje pothuajse të plotë të opinioneve të dy shkrimtarëve të sipërpërmendur mbi personalitetin e Mark Gjomarkajt. Është një dukuri që vërteton dëshminë e tyre se i përgjigjet së vërtetës. Marku shkoi në Itali për të studjuar Drejtësi, në traditën më të mirë të profesionit shekullor të familjes. Mbas pak kohe Italia e pushtoi Shqipërinë dhe dërgata e Shkodrës në parlamentin shqiptar, në të cilën bënte pjesë edhe Kapidan Gjoni, babai i Markut, qe ajo që kundërshtoi më shumë formën e re të marrëdhënieve me Vëndin fqinjë. Në këtë kundërshti pikërisht Kapidan Gjoni pati rolin e parë. Por pushtimi i Shqipërisë ishte edhe pragu i luftës së Dytë botërore, e juristi i ri, kapidan Marku, shpresonte në sendërtimin e ëndërrës së madhe të bashkimit të shqiptarëve në një Shtet të vetëm. Kështu ai përqafoi vijën politike të Mustafa Krujës, e pranoi të bënte pjesë në qeverinë e tij, duke marrë postin e zv.ministrit të Brëndëshëm, mbasi atë të ministrit e mbante vetë kryeministri. Ishte ministria më e rëndësishme në kabinet, sepse duhej të ruante barazpeshat e detyruara ndërmjet mëtimeve të pushtuesve e kërkesave të shqiptarëve. Marku ishte ministri më i ri në moshë i një kabineti që shquhej për cilësinë e lartë profesionale dhe integritetin moral të gjithë pjestarëve të tij.
Pak muaj mbas betimit si zv. Ministër, i ngarkuar nga kryeministri Kruja, u angazhua në shpëtimin e 320 familjeve hebrenje, duke u shpërngulur nga Kosova në Shqipërinë e Mesme e të Jugut. Së bashku me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, z. Engjëll Çoba e ndonjë tjetër pëfaqësues të qeverisë, shkuan në Kosovë e në fshehtësi shpërngulën në Shqipëri hebrenjtë e vendosur në Kosovë mbas ribashkimit të trojeve, të cilët ishin shënuar në dokumentet e Legatës gjermane në Beograd. Këto familje hebrenje u pajisën me dokumente zyrtare letërnjoftimesh me emra shqiptarë, siç ishte rënë në ujdi ndërmjet Mëkëmbësit Jakomoni e kryeministrit Kruja.
Miqësia me Mustafa Krujën erdhi duke u forcuar gjithënjë e më shumë, duke vërtetuar fjalët e Koliqit në lidhje me bindjet e Markut mbi politikanët shqiptarë. Më 12 korrik 1942 Mark Gjomarkaj ishte në Bari të Italisë, në ceremoninë e martesës së birit të parë të kryeministrit, Petritit, me vajzën e gazetarit kolonjar Sotir Gjika, Elenën. N’atë ceremoni ai nënëshkroi në regjistrin e Bashkisë, si dëshmitar nga ana e djalit, së bashku me Shuk Gurakuqin, ndërsa dëshmitarë të vajzës ishin Gjovalin Kamsi e Kostandin Kotte. Mustafai i zgjodhi dëshmitarët ndërmjet miqve e antarëve të kabinetit e Marku ishte më i riu prej tyre, dy vite më i madh se vetë dhëndërri.
Ai qëndroi në atë qeveri deri në fund e dha dorëheqjen, së bashku me të gjithë ministrat e tjerë kur Mustafa Kruja vendosi të ndërpresë detyrën e tij së bashku me veprimtarinë politike, si pasojë e mos pranimit nga ana e autoriteteve italiane, për të hetuar e marrë masat përkatëse ndaj vrasësve të Qazim Koculit, komisar i lartë i qeverisë për Vlorën, i ngarkuar me një mision të fshehtë nga kryeministri, mik e bashkëpuntor i tij.
Marku u tërhoq në Shkodër e në Oroshin e tij. Ai tashmë , megjithëse vetëm 30 vjeçar kishte familjen e tij, të përbërë nga një shejtëreshë, që ishte bashkëshortja e tre fëmijë të vegjël, dy vajza, Kristina e Çelestina dhe djali, Gjoni. Por gjëndja në Shqipëri keqësohej dita ditës. Marku e kuptonte se e ardhmja e saj vihej në rrezik nga një përfundim i luftës, në të cilën mund të dilte fitues Fronti Nac-Çl. Me partinë komuniste në qëndër, të drejtuar nga jugosllavët e me mbështetjen e aleatëve që kishin vendosur të mos njihnin kufijtë e krijuar nga lufta e që përkrahnin ardhjen e komunistëve në pushtet.
Shkruan Kol Bib Mirakaj në librin e tij të kujtimeve “Vetvrasja e një Kombi : “Që në verë të 1942-shit, në ndeshje me forcat e Milicisë sonë në Mal të Zi, nji të vramit malazez i kje gjetë në trup nji dokument që përcaktonte masakrimin e Shqiptarëve të Kosovës dhe okupimin e Shkodrës….
Plani “Mihajloviq” ishte aq i kjartë e i tmerrshëm ndër synimet e tij për shfarosjen e të gjithë shqiptarëve, sa çdo shqiptar me ndërgjegje përgjegjësie para kombit e historisë, duhej prej atij çasti me drejtue veprimin e vet drejt forcimit ushtarak të Vendit, që mund t’arrihej vetëm në harmoni me “okupatorin” e jo me sabotime dhe provokime.”
Kjo frazë e fundit e Mirakajt përmbledh në vetvete, me pak fjalë, tragjedinë e vërtetë të problemit shqiptar gjatë luftës së Dytë botërore. Ai, copëzimi i bashkësisë, me njohjen e të drejtave sërbe, greke, maqedonase e malazeze lakmisë grabitqare të fqinjëve, duke mos mbajtur parasysh asnjë nga arsyet historike, gjeografike, etnike të popullsisë shqiptare mbi trojet e tyre, të rrëmbyer padrejtësisht e barbarisht në një periudhë kalimtare, kur Turqia ishte në perëndimin e fuqisë së saj perandorake e Shqipëria ishte një bebe e sapo lindur, shkaktuan padrejtësinë më të madhe që pësoi populli shqiptar në shekullin e atomit. Fatkeqësisht, aleatët perëndimorë, në bashkëpunim me Rusinë, që përcaktuan këtë padrejtësi, madje atë katrahurë të shqiptarëve, nëpërmjet konferencave të Londrës e të Parisit, shpallën vendimin e tyre edhe gjatë luftës, për të ngulur këmbë n’ata qëndrime, të cilat shkaktuan zëmërim të ligjshëm tek shqiptarët. Kundërshtarët e tyre, pjesëmarrësit e Boshtit, u a kthyen atyre të drejtën e bashkimit të atdheut. Prandaj pjesa më atdhetare e tyre e quajti parësore këtë gjë e nuk vendosi të luftojë kundër ushtrive të tyre, edhe se ishin pushtuese.
Historia e fituesve duhet t’a kuptojë qëndrimin e asaj klase politike shqiptare, që qe e vetmja në Evropën e luftës së Dytë botërore që nuk i u nënështrua politikës antisemite kriminale të Gjermanisë e Italisë e i vunë Vëndit të tyre një kurorë dafinash të fituesve moralë, edhe se praktikisht të mundur. Ai qëndrim nuk ishte në dobi të diktaturave, madje synonte një Shqipërin në sintoni me vlerat më të spikatura të traditës arbërore, por edhe të demokracive të Perëndimit, por një Shqipëri të bashkuar në kufijtë e saj natyrorë e jo të ndarë në të gjithë fqinjët e saj. Lufta e vendimet e saj sollën në Shqipëri Shtetin e rindarë me fqinjët, e një diktaturë më të keqe se ajo e pushtuesve gjatë luftës. Nuk ka asnjë lloj arsye njerëzore, që të mos u japë të drejtë atyre drejtuesve shqiptarë, ndërmjet të cilëve edhe Mark Gjomarkaj, pavarësisht fundit të tyre dhe përfundimit të tyre.
Oficerët e misioneve angleze dhe amerikane, në vetvete e kuptonin se nuk ishte në dobi të tyre e të Shqipërisë një qeveri komuniste e mbas luftës, se lëvizja kombëtariste duhej të përkrahej krahas asaj komuniste. Por e para mbetej në hijen e së dytës sepse për të dytën problemi kombëtar nuk kishte asnjë farë rëndësie, mbasi ata ishin ngritur për të luftuar për atdheun e Stalinit e të komunizmit ndërkombëtar. Veç asaj shenjat e ndryshimit të epërsisë luftarake vinin nga Rusia e Stalini kërkonte pjesën e tij nga fitorja e mundëshme. Marku e kuptonte se e vetmja shpresë që mbetej ishte ajo e asgjësimit të lëvizjes komuniste e afirmimit të një lëvizjeje të bashkuar kombëtariste që duhej të përbënte një forcë të konsiderueshme edhe në sytë e anglo-amerikanëve. Prandaj ai i dha përparësi krijimit të një fuqie ushtarake me besnikët e krahinës së tij e përpjekjeve për të gjetur një gjuhë të përbashkët me Lëvizjen e Legalitetit të Abaz Kupit e Ballin Kombëtar të Mithat Frashërit, të cilët, mbas prishjes së marrëveshjes së Mukjes e kishin kuptuar se mbas luftës nuk do të kishte asnjë mundësi pjesëmarrjeje në qeverisje me partinë komuniste. Këto përpjekje synonin t’i dilnin përpara një rreziku që, me gjasë, i kërcënohej Shqipërisë së bashkuar nga zhvillimi i luftës.
Një strategji e tillë, që të mbante parasysh interesin madhor të Shqipërisë, ruajtjen e kufijve të vitit 1941, ishte bërë urdhërues për të gjithë atdhetarët kombëtaristë, edhe se ndërmjet tyre kishte ndryshime herë herë të theksuar pikëpamjesh e vlerësimesh të gjëndjes në Shqipëri e jashtë saj, në marrëdhëniet me botën që n’a rrethontee në të cilën bënin pjesë. Shumllojshmëria e mendimeve, e vlerësimeve dhe interesave përcaktoi një gjëndje pasigurie që çonte në mos veprime e pritjeje që nuk qenë aspak të dobishme për strategjinë kombëtare. Politikani atdhetar Kol Bib Mirakaj, ish ministër i partisë fashiste në pjesën e dytë të kabinetit të Mustafa Krujës, më vonë titullar i dikasterit të Punëve të Brëndëshme në qeverinë e dytë të Eqerem bej Vlorës, në librin e tij me kujtime “Vetvrasja e një Kombi”, ndoshta vepra më e saktë e më e plotë, përsa i përket vërtetësisë historike, e shkruar mbi periudhën e luftë së Dytë botërore, tregon mbi bisedën që ka zhvilluar me Benito Mussolinin në Romë, më 23 prill 1943, në prani të zotërinjve Hilmi Leka, Vasil Alarupi e Hysref Frashëri, në të cilën ka shtjelluar me guxim qytetar e largpamësi politike problemet që shtroheshin para Shqipërisë n’atë çast e në t’adhmen, madje duke hamendësuar edhe një humbje të luftës nga Italia dhe Gjermania. Ja disa nga pikat e shtruara nga Mirakaj në marrëdhëniet ndërmjet Italisë e Shqipërisë:
“1.Asht ba gozhdë e ngulun e shqetsim i përgjithshëm në mendje të Shqiptarëve: Frika e kolonializimit, që si rrjedhim do të sillte shkombtarizimin e ngadalshëm tek ne.
Populli shqiptar duhet të sigurohet për tash e për t’ardhmen nga synimi i kolonializimit, t’i hiqet ky preokupim.
2.Asht nevojë imperative dhe e ngutshme me rikrijue ushtrinë shqiptare ashtu si e keni premtue Ju, me komandë të veten, me flamurin e vet kombtar dhe me divizione të veta, dhe njiherit me përgatitë planin e mobilizimit të përgjithshëm, qi të mund të përballojmë për kohën e nevojshme rrezikun që U tregova.
3.Italia, ka detyrë ta venë në gjendje Popullin shqiptar të mbrohet nga rreziku i shuemjes nga faqja e Dheut. Ma interes ka Italia të jetë populli Shqiptar mik në bregun kundruell Adriatikut, se sa i shuem e i zëvendësuem nga anmiq të fortë e të papajtueshëm t’Italisë.
4.Asht nevojë e domosdoshme që kjo kolonë e pestë e sllavizmit të zhduket rrajsisht, para se të mundet me krye krimin që synon dhe që i asht ngarkue nga Kremlini.
5.Në kët raport, U kam ba edhe nji propozim që mund të prekë sensibilitetin: pushimin e funksionit të P.F.SH. dhe zëvendësimin e saj me Lëvizjen e Birëve të Shqipes…
Nji lëvizje kombtare për të kenë i sigurtë suksesi i saj, duhet të ketë zanë fill nga ndijesitë e tradicioni i Popullit. Ju vetë e keni thanë se fashizmi nuk asht për eksportim, pra nuk mund të kopjohet integralisht, siç ban komunizmi. Tentativa e disa jerarkëve me e kopjue në Shqipni, e ka sjellë në negativitet.”
Vijon