– Ende në përzhitje tymi i luftës, Greqia dhe Maqedonia- Lufta për Pushtet/
Sipas Will Durant*/
Nga Raimonda MOISIU/
Historianët e shkruajnë historinë, duke e ndarë në epoka, vite dhe ngjarje, sipas gojëdhënave, mendimtarëve, dijetarëve, analizat dhe veprat e shkruara e të trashëguara historike, të cilat e identifikojnë botën në sisteme qeverisëse social ekonomike, politike, historike e kulturore, fate njerëzore, heronj, mite, legjenda dhe personalitete të rrallë historikë, që kanë bërë dhe bëjnë historinë, fakte historike dhe heroizma nga faktorët kushtëzuesë me të mirat, gabimet dhe konseguencat e tyre; dhe jo vetëm kaq! Se është historia ajo, që nuk bën kompromise dhe kapërxime madhore, ajo ndjek rrjedhën e saj midis epokave të ndryshimit dhe cdo faze të historisë
Aleksandri i Madh – Madhështia e Perandorit Molossian nga toka e Ilirisë.
Karriera e pasur intelektuale e Aristotelit (384 -322) si filozof, mendimtar dhe shkencëtar i shquar, personalitet universal i kohës, i konsideruar gjeniu më i madh i botës antike perëndimore, e ngjashme kjo me potencialin luftarak të Aleksandrit të Madh. Aristoteli ishte mësuesi i Aleksandrit në disa disiplina shkencore të kohës, i cili realizoi formimin e liderit befasues dhe madhështinë e një perandori të ri; të dyja jetët, ajo e Aristotelit dhe e Aleksandrit ishin pasqyrim i gjallë i Sundimit dhe Sintezës.
Aristoteli ishte filozofi që rrënjosi te brezi i ri, vrullin e bashkëjetesës në harmoni, që i dhanë dinjitet e madhështi fitoreve të Aleksandrit. Sipas gjasave Aleksandri, karakterin ambicioz e kishte të trashëguar nga i ati i tij, ndërsa gjaknxehtësinë, vrullin dhe guximin prej një luftëtari të papërsëritshëm, që vështirë të mundej nga ndokush, – e kishte të trashëguar nga gjaku amësor, Princesha e Epirit, Olympia e Molossëve. Me sa kuptohet, në venat e tij mbartej gjaku i shprishur i një pijaniku, një mbreti të madh, politikani të zgjuar dhe gjenerali të shkëlqyer, sikundër ishte Filipi dhe intensitetin barbar të Olympias, për më tepër që Olympia e kishte prejardhjen nga Achilles -Akili. Prandaj, Iliada pati një magjepsje të vecantë në lidhje me Aleksandrin. Kur ai kaloi përmes Hellespont, ai ripërshkonte aty ku kishte kaluar Achilles-Akili. Kur pushtoi Lindjen e Largët ai synoi dhe realizoi atë që stërgjyshi i tij e pati filluar që nga Troja. Në të gjitha kryqëzatat e tij ai mbante me vete dorëshkrimet e Iliadës të shkruara nga Aristoteli; të cilat Aleksandri i mbante përherë nën jastëk së bashku me kamën e tij, si simbolika për të treguar mjetin e qëllimin e tij në formë e funksion. Leonidas, një farefis molossian i fortë dhe i rreptë nga nëna, e trajnonte atë fizikisht, Leonidas e kishte bërë të fortë e të qëndrueshëm në forcimin dhe zgjerimin e muskujve të trupit nëpërmjet stërvitjes. Lisimaku nga krahina e Dodonës pellazge i jepte mësime letërsie, ndërsa Aristoteli përpiqej të formësonte erudicionin e aftësive të tij mendore, dijet dhe mëncurinë e djaloshit. Respektin dhe dashurinë që Aleksandri ndjente për Arsitotelin, e shprehte shpesh duke thënë: “Jetën ia kam borxh Atit tim, dhe se si të jetoj, mësuesit tim” Ati i tij, Filipi dëshironte që ai të studionte filozofi, -atë që për fat të keq vetë Filipi nuk kishte mundur ta bënte më parë. Aleksandri admironte letërsinë greke dhe kishte zili, ëndërronte qytetërimin helen. Tregojnë se dy grekëve, që ishin ulur me të në një banket të cmëndur me verë, – ku ai u tregua i papërmbajtur dhe i dhunshëm dhe vrau Kleitusin, – iu tha: “A nuk iu duket vetja si gjysmëperëndi, të ulur në mëshirën dhe shoqërinë e maqedonasve? Aleksandri ishte modeli i përkryer i të rinjve, djaloshi ideal. Ai ishte i mirë në cdo lloj sporti; biles miqtë e tij e këshillonin se ai duhej të hynte e të konkuronte në Lojërat Olimpike, por ai iu përgjigj se do të ishte i gatshëm të shkonte aty, nëse kundërshtarët e tij do të ishin mbretër. Kur të tjerët dështonin dhe ai korrte sukseset, babai i tij, Filipi e vlerësoi atë me fjalët profetike: “Biri im, Maqedonia është shumë e vogël për mbretërimin tënd, përpiqu ta shndërrosh në një perandori më të madhe e të denjë që të shkon për shtat”
Ai ishte një student i flaktë, inteligjent, enthusiast dhe i aftë të merrte përgjegjësitë. “Ai kishte”, shprehej Plutarku, – “një etje, pasion dhe energji të pashterrëshme për të studiuar, të cila rriteshin e maturoheshin dita-ditës. Kishte etje për dije e dituri, më shumë se të kishte pushtetin e të sundonte.
Ai ishte dashamirës i përkushtuar i të gjitha zhanreve të letërsisë, njohurive, shkencës e dijes.
Pas një dite të lodhëshme marshimi ose luftimi, ai qetësohej e clodhej gjatë natës duke biseduar me dijetarë dhe shkencëtarë. Ai ishte i dashuruar me jetën dhe jetonte cdo ditë të jetës me emocion dhe shkëlqim të madhërishëm, saqë mëndja e tij nuk gjente një orë paqe. Kurrë nuk i njohu dhe pranoi gabimet, dobësitë dhe kufizimet e veta, ndërsa i pëlqente dhe kishte lakmi të pamatë për pushtet, lavdi dhe famë. Karakteri moral i tij ishte i përngjashëm kondradiktor. Ai ishte sa sentimental aq edhe emocional dhe kishte “sy melankolikë”. Ai qëndronte në vetmi me orë të tëra duke lexuar poezi dhe dëgjuar muzikë. Poezia epike nënkuptonte Homerin. Përshkrimi i tij për të kaluarën heroike të Greqisë në dy poemat e famshme, Iliadën dhe Odisenë, do të ndikonin tepër tek Aleksandri, që edhe përcaktuan drejtimin e jetës së tij. I pëlqente muzika dhe luante në harp me ndjenjë, talent dhe emocion të mrekullueshëm, që në fëmijëri. Reputacioni fisnik dhe zemërgjerësia, e ndihmoi atë në luftërat e tij; mospërfillja e rrezikut, rendja pas aventurës, sfidat dramatike për dyluftim, guximi i çartuar edhe përpara vdekjes, ishin ndikimet e kanunit homerik, që pushtuan imagjinatën e Aleksandrit qysh në fëmijëri. Shtypi pa mëshirë një rebelim në Tebë, banorët e së cilës i shiti si skllevër. Shumë prej robërve të luftës nuk i lejoi të burgoseshin dhe qytet-shtetet që i trembeshin plackitjes hapën portat e mirëseardhjes për të. Megjithatë, “tigresha molossiane”, (nënkupto-nënën e tij Olympia) dhe miti i rrëfenjave rreth Akilit, ishin mëshiruar në gjakun, ndërgjegjen dhe personalitetin e tij, që për fatin e tij të hidhur e bënin shpesh të kalonte në ngazëllim mizor dhe barbar. Identifikonte veten me heronjtë e lashtë të Homerit, i bindur se ishte një pasardhës i Herakliut (Herkulit), nga ana e babait, dhe i Akilit nga ana e nënës. Pa dyshim ai ishte një administrator i zoti dhe i përkryer; ai qeveriste me vendosmëri dhe dorë të hekurt, ishte besnik ndaj marrëveshjeve që ai nënshkroi me gjeneralët e luftërave dhe qytet-shteteve; si dhe nuk toleronte moszbatimin e urdhërave të tij. Diplomacia e tij arriti kulmin kur ai shpalli veten e tij- Zot! Perandi! Në vitin 324 ai dërgoi fjalë te të gjitha qytet-shtetet greke, përveç Maqedonisë – që ai dëshironte tani e tutje të njihej publikisht, si biri i Zeus-Amonit.
Shumica e qytet-shteteve e miratuan thjesht për ndjeshmërinë që kishin ndaj Aleksandrit; biles edhe Spartanët kokëfortë e këmbëngulës e pranuan duke thënë, “Lëreni Aleksandrin të jetë Perëndi, nëse ai dëshiron.” Me tu kthyer në Babiloni ai braktisi edhe veten dhe u dha shumë pas pijes. Disa ditë para se të vdiste, Aleksandri mori pjesë në një banket, duke u kënaqur me gjeneralët dhe oficerët e ushtrisë së tij dhe propozoi një garë me pije, se kush pinte më shumë. Promakus piu me fund dymbëdhjetë gota cerekëshe me verë, dhe e fitoi garën si një talent me dhunti të vecantë, por tre ditë më pas Promakus vdiq. Menjëherë mbas kësaj ndodhie, Aleksandri mori pjesë në një tjetër banket me verë, dhe Aleksandri piu me fund gjashtë gota cerekëshe me verë. Të nesërmen ai piu me tepri përsëri; nga koha e ftohtë që filloi papritmas, e zunë ethet duke shfaqur temperaturë të lartë dhe si rezultat gjëndja shëndetsore e tij u përkeqësua ndjeshëm dhe ai u mbërthye në shtrat për dhjetë ditë me rradhë, duke humbur çdo mundësi komunikimi dhe ecjeje. Edhe gjatë kësaj kohe Aleksandri vazhdonte t’i jepte urdhëra nga shtrati, ushtrisë dhe flotës së tij detare. Ditën e njëmbëdhjetë ai dha shpirt në moshën tridhjetë e tre vjecare, në mes të qershorit të vitit 323, në Babiloni, para lindjes së krishtit. Lajmi i dhimbshëm se Aleksandri i Madh kishte vdekur i detyroi të gjithë oficerët, gjeneralët e ushtarët të kalonin në shenjë nderimi pranë shtratit të tij, për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Pak para se të vdiste, e pyetën Aleksandrin se kujt do t’ia besonte fronin e Perandorisë. Përgjigja e tij ishte epike: “Më të fortit”. Energjia dhe inteligjenca janë gjysma absolute e një gjeniu; ndërsa gjysma tjetër janë sundimi dhe pushteti. Dhe Aleksandri i Madh kishte një inteligjencë dhe energji të paparë, – shumë i ri në moshë – Luftonte dhe Fitonte! Ai sundoi dhe kishte pushtetin, – ngriti Perandorinë më të madhe në botë. Aleksandri i Madh apo Leka i Madh tashmë ishte shndërruar në mit. Ndër shekuj ai admirohet, vlerësohet dhe krahasohet me maturinë e Cezarit dhe urtësinë e mëncurinë e August-it. Ai admirohet dhe vlerësohet sikundër Napoleoni, sepse ai qëndroi i vetëm kundër gjysmës së botës. Imazhi i mitit të Aleksandrit na inkurajon me mendimin, energjinë dhe mëncurinë e jashtëzakonëshme që ekziston në forcën, pushtetin dhe madhështinë e një Perandori. Madje ndjejmë simpati dhe admirimim të natyrshëm për të; pavarësisht nga paragjykimet dhe mizoritë e tij, Aleksandri ishte një djalosh i ri, bujar dhe i dashur, i pakrahasueshëm, guximtar e trim i rrallë. Ai luftoi kundër trashëgimisë të cmendur të barbarizmit në gjakun e tij, dhe se përmes të gjitha betejave, kryqëzatave dhe gjakderdhjes, ai mbajti para syve të tij ëndrrën për të përhapur dritën e qytetërimit gjërësisht drejt një bote më të madhe.
Fundi i një epoke
Kur lajmi i vdekjes së Aleksandrit të Madh, mbërriti në Greqi, revoltat kundër autoritetit maqedonas shpërthyen ngado. Të mërguarit Teban në Athinë organizuan forcën speciale me patriotë e atdhetarë, të cilët rrethuan garnizonin maqedonas në Cadmeia. Biles, ishte grupi anti-maqedon në Athinë, që lutej vazhdimisht për vdekjen e Aleksandrit të Madh. Ishin po ata që kaluan në ekstazë deliri për vdekjen e tij, -dhe se lutjet e tyre tashmë u bënë realitet. Ata vunë kurora me gjethe thupre dhe festonin si të cmëndur për vdekjen e tij, – për ATË-të cilin ata vetë, dikur e kishin patur idhull dhe quajtur Perëndi, – do të shprehej Plutarku, – dhe ishin po ata të njëjtët ngadhnjimtarë, që këndonin tashmë këngët e triumfit e të fitores, sikur të ishin ata vetë, që e kishin mposhtur Aleksandrin e Madh!
Demosteni, oratori më i madh i Helladës, i cili urrente me fanatizëm maqedonasit, po shijonte lavdinë e tij. Gjatë fushatave të Aleksandrit, ai nuk ishte dalluar për mirë, madje u dënua edhe për marrje rryshfeti nga Harpalus. Biles atëhere, Demosteni u dënua me burg për këtë, por ai mundi të arratisej nga burgu dhe jetoi nëntë muaj i fshehur në ekzil, në Troezen. Mbas vdekjes së Aleksandrit të Madh, ai u thirr përsëri dhe u dërgua emisar në Peloponez me qëllim të ringjallte e bashkonte aleatët në mbrojtje dhe për clirimin e Athinës. Forcat e bashkuara aleate të udhëhequra nga Demosteni marshuan drejt veriut, u përleshën me Antipaterin në Krannon dhe u asgjesuan. Një nga ushtarët besnikë e të vjetër, të cilit i mungonte ndjeshmëria e Aleksandrit ndaj kulturës athinase, vendosi kushtet më të rënda e të vështira ndaj qytetit, duke iu kërkuar të paguanin kostot e luftës, të rimerrnin garnizonin maqedonas, të braktisnin kushtetutën demokratike dhe gjykatat, t’iu hiqej e drejta e votimit dhe të deportoheshin në vendbanimet koloniale, të gjithë qytetarët që kishin në zotërim, më pak se dy mijë “drachmas” -vlera të dhuratave dhe të dorëzonin Demosthenes, Hyperereides dhe dy oratorët e tjerë anti-maqedonas. Demosthenes mundi të arratisej përsëri, kësaj here në Calauria dhe u strehua si refugjat në një tempull të shenjtë. I rrethuar nga ndjekësit maqedonas, ai piu shishkën me helm dhe vdiq para se të dilte para gjyqit të shenjtë.
Të njëjtin fund tragjik si të Demostenit, brenda vitit, pati edhe Aristoteli. Ai kishte kohë që nuk ishte më i dëshiruar dhe popullariteti i tij në Athinë kishte rënë ndjeshëm; Akademia dhe Shkolla e Isokratit nuk e pëlqenin atë jo vetëm si kritik por edhe si një kundërshtar të fortë, ndërsa bashkëkombasit e tij e shihnin atë si lider të grupit pro-maqedonas. Duke përfituar nga vdekja e Aleksandrit të Madh, ata ngritën akuza të rënda kundër Aristotelit, sikundër; pasazhe heretike nga librat e tij u paraqitën si dëshmi; gjithashtu ai u akuzua edhe për dhënien e titujve nderi e shenjtërimi diktatorit Hermeas, i cili, duke qenë skllav, nuk mund të ishte një hyjni. Aristoteli la qytetin në fshehtësi të plotë, se nuk dëshironte t’i jepte Athinës një shans të dytë, të mëkatonte kundër filozofisë. Athinasit e dënuan me vdekje në mungesë, sepse nuk kishin as mundësi as interes për ta ekzekutuar atë. Disa thonë që edhe Aristoteli piu helmin, por disa të dhëna të tjera mendohet se gjatë arratisjes ai u sëmur në stomak e cila i agravoi shumë shpejt dhe Aristoteli vdiq disa muaj pas largimit nga Athina, në moshën 63 vjeçare. Fundi i demokracisë helenike ishte një fund sa i dhunshëm, aq edhe i natyrshëm, në të cilën faktorët shkatërrimtarë ishin metodat e rebelimeve dhe trazirava të mirë-koordinuara; Shpata e Maqedonisë thjesht sa përforcoi goditjen përfundimtare. Filipi, Aleksandri dhe Antipater nuk e rrënuan krenarinë, qytetërimin dhe lirinë helene; ajo kishte rrënuar vetveten me kohë; rendin e qetësinë që ata e kishin ngritur e mbrojtur për shekuj me rradhë, duke u zgjeruar e përhapur deri në Egjipt dhe Lindjen e Largët; një qytetërim që në të kundërt mund të kishte pasur fundin e vet të një anarkie tiranike. Dhe ndërsa demokracia po prodhonte kaos në Athinë, monarkia po prodhonte kaos në Maqedoni, – dhjetëra luftëra të njëpasnjëshme, qindra vrasje dhe mijra ndërhyrje e pengesa në favor të lirisë – pa lavdinë shëlbuese të letërsisë, shkencës, filozofisë ose artit. Demokracia helene ishte e korruptuar dhe e paaftë, dhe duhej të “vdiste”. Por kur vitet e shekujt kaluan, njerëzimi kthente kokën pas në të shkuarën, dhe njerëzit kuptonin se sa bukur pati qenë lulëzimi dhe prosperiteti i saj; të gjitha gjeneratat e mëvonëshme të antikitetit iu ktheheshin pas shekujve të Perikliut e Platonit, -si zeniti i Greqisë së lashtë dhe gjithë historisë së saj.
Greqia dhe Maqedonia, marrëdhëniet ndër shekuj dhe Lufta për Pushtet.
Greqia helenike nuk e konsideronte vdekjen e Aleksandrit të Madh, si “Fundin e një Epoke”, përkundrazi, ajo e shihte atë si fillimin e kohëve “moderne”, dhe si simbolin e gjeneratës së re, të fortë dhe energjike. Më saktë Greqia nuk e shihte si ndonjë faktor në rënje, por ajo ishte e bindur në vetvete se kishte hyrë tashmë në fazën më të shëndëtshme të maturisë, dhe se liderët helenë ishin po aq madhështorë sa cilido lider në të kaluarën, me përjashtim të mbretit, që ishte i ri dhe i pashoq. Pra, në njëfarë mënyre qytetërimit helen nuk i kishte ardhur fundi i lirisë e krenarisë helene; përkundrazi, ai (qytetërimi helen) pushtoi zona të reja, duke u përqëndruar në disa drejtime, ndonëse formimi i perandorive të mëdha shkatërroi barrierat politike të mjeteve të komunikimit, kolonizimit dhe tregtisë. Në heshtje dhe vigjilentë, mijra helenë u zhvendosën në Azi dhe Egjypt, Epir dhe Maqedoni, dhe ata jo vetëm që luajtën rolin kryesor në ndërtimin dhe lulëzimin e Ionia-s, por gjaku dhe kultura greke hynë në brendësi të Azisë së Vogël, në Feniki dhe Palestinë, në Siri dhe Babiloni, përtej Efrates dhe Tigris, madje deri në Baktria dhe Indi. Një nga ndikimet më të mëdha të lulëzimit, guximit, gjallërimit të qytetërimit grek në histori ishin; letërsia, letrat, arti dhe kultura helene që kishin arritur gjerësisht një fitore si kurrë më parë.
Mbase kjo është arsyeja pse historianët e kanë shprehi t’i mbyllin faktet dhe ngjarjet historike të Greqisë me Aleksandrin e Madh; ata mendojnë se pas tij vjen historia! Shtrirja dhe kompleksiteti i botës përmbys çdo këndvështrim dhe pikëpamje konstante apo rrëfyese në vazhdimësi. Nuk ishin vetëm tre monarkitë kryesore – Maqedonia, Seleucia dhe Egjipti; ka pasur njëqind qytet-shtete greke, e të gjitha kategorive të pavarësisë; ka pasur një labirint të aleancave dhe niveleve të ndryshme; kishte shtete gjysmë-greke në Epir, Judea, Pergamum, Bizant, Bithinia, Kapadokia, Galati, Baktria; dhe në perëndim ishin Italia Greke, dhe Sicilia, të shkëputura midis Karthage-it të lashtë dhe Romës së re. Zanafilla e rrënjëve të perandorisë së Aleksandrit të Madh, pati qenë e lidhur ngushtë me gjuhën, komunikimin, zakonet dhe besnikërinë e luftës për ekzistencë, për të mbijetuar. Ai nuk la pas njerëz të fuqishëm, dhe askush nuk mund të ishte i kënaqur me më pak sovranitet. Niveli i aftësive, karakteri dhe pangjashmëria i mbretërisë së re hodhi poshtë të gjitha standartet e demokracisë; vetëqeverisja, siç e kuptonin grekët, presupozonte një qytet-shtet, qytetarët e të cilit mund të mblidheshin në mënyrë periodike në një miting të zakonshëm; dhe për më tepër, -a nuk ishin filozofët e Athinës demokratike, që e patën gjykuar demokracinë si kurorëzimin e paditurisë, lakmisë dhe kaosit? Pasuesit e Aleksandrit – të cilët për këtë arsye quheshin Diadochi – ishin prijës maqedonas, të trajnuar me kohë, që sundonin me anë të shpatës; demokracia, me përjashtim të konsultimeve të rastit me ndihmën e tyre, kurrë nuk hyri në kokat e tyre. Pas disa sprovave të vogla me armë, që nxisnin më të vegjëlit, ata e ndanë perandorinë në pesë pjesë (321) – Antipater mori Maqedoninë dhe Greqinë, Lysimakus mori Trakën, Antigonus mori Azinë e Vogël, Seleucus mori Babyloninë dhe Ptolemeu mori Egjiptin. Ata nuk morrën në konsideratë të thërrisnin këshillin për konfirmimin e shteteve greke. Prej atëhere, me përjashtim të disa ndërhyrjeve të forta në Greqi dhe Republikës aristokrate të Romës, monarkia u vendos në Europë dhe zgjati deri në Revolucionin Francez.
*****
Parimi themelor i demokracisë është liria që grish kaosin; parimi themelor i monarkisë është autoritar që grish tiraninë, revolucionin dhe luftën. Nga Philip te Perseus, nga Chaeronea te Pydna (338-168), luftërat e jashtme civile të qytet-shtet-ve, jo vetëm që ishin shtojcë e luftërave të jashtme dhe të brendshme të mbretërive, porse edhe për shkak të prorogativës së pushtetit që tundonte qindra gjeneralëv, të cilët luftonin për fronin. Dhuna ishte aq e përhapur dhe e popullarizuar, aq mercenare dhe madhështore në Greqinë Heleniste, aq sa edhe në epokën e Rilindjes së Italisë. Kur Antipateri vdiq, Athina u rebelua përsëri dhe vrau plakushin Focion, i cili pati sunduar atë, me sa më shumë mund e drejtësi, nën emrin e Antipater-it. Cassander, djali i Antipater, e rimori përsëri qytetin në emër të Maqedonisë (318), zgjeroi ekskluzivitetin e qiramarrësve në vlerën e një mijë dhrahmi dhe u largua si regjenti i tij filozof, dijetar dhe amator, Demetrius i Falerum, i cili i dha qytetit një dekadë; prosperitet dhe paqe. Ndërkohë Antigoni I-rë (“Ciklopi”) ëndërronte dhe shpresonte të bashkonte tërësisht perandorinë e Aleksandrit nën sundimin e tij; por ai pati disfatë në Ipsus (301), prej një komploti dhe e humbi Azinë e Vogël nga Seleucus I-rë. Djali i tij Demetri Poliorcetes (“Zaptuesi i Qyteteve”) çliroi Greqinë nga sundimi maqedonas, duke i dhuruar Athinës dymbëdhjetë vjet më shumë demokraci, si një nga “të ftuarit”, më me popullaritet dhe i pëlqyer i qytetit në Partenon. Ai solli kurtizanat të jetonin me të atje, me qëllim që të tërhiqte vëmendjen e të rinjve të demoralizuar dhe dëshpëruar, dhe të bënin dashuri me to. Ai korri një fitore të shkëlqyer detare mbi Ptolemeun I-rë në Qipro (308), dhe mbajti ishullin e Rodas-it të rrethuar për gjashtë vjet me mjete të reja rrethimi, por pa sukses. Ndonëse ai u kurorëzua mbreti i Maqedonisë në (294), i dha fund Pavarësisë Athinase me garnizone e komplote ushtarake, hyri në luftëra të reja si kurrë ndonjëherë, pësoi disftatë, u mund dhe u pushtua nga Seleucusi dhe në fund helmoi veten për vdekje. Katër vjet më vonë (279), duke marrë shkas dhe përfituar nga trazirat dhe rebelimi i shkaktuar nga lufta për pushtet në Mesdheun lindor, një hordhi Kelte (Celts), apo “gaulët” (“Gauls”) nën komandën e Brennus marshuan mespërmes Maqedonisë dhe hynë në Greqi. Brennus, -thotë Pausanias, “tregoi me gisht dobësinë e shtetit të Greqisë, sasitë e mëdha të argjendit dhe arit”. Në të njëjtën kohë shpërtheu kryengritja në Maqedoni nën udhëheqjen e Apollodorus; një pjesë e ushtrisë iu bashkua dhe ndihmoi të varfërit e irrituar dhe zemëruar në revanshin e herëpashershëm të grabitjes së tyre nga pasanikët. Gaulët, (Gauls) të drejtuar nga një udhërrëfyes grek, gjetën rrugën e tyre përmes kalimeve të fshehta përreth Termopileve, vranë dhe plaçkitën pa dallim dhe hynë në Tempullin e pasur në Delfi. Të zmbrapsur me dhunë dhe të imponuar nga stuhia e fuqishme që filloi, e cila në fenë e tyre nënkuptonte mbrojtjen e Tempullit të Shenjtë të Apollos. Brennus u tërhoq me turp dhe vrau veten, ndërsa gaulët e mbijetuar ikën drejt Azizë së Vogël.
“Ata therrën e masakruan të gjithë meshkujt”, shkruan Pausania, -dhe po me të njëjtën mënyrë masakruan edhe gratë e moshuara, dhe foshnjat që pinin në gjirin e nënës së tyre; iu pinin gjakun dhe hanin mishin e freskët e të shëndetshëm të tyre. Gratë guximtare dhe vajzat e reja kryen vetëvrasje, ata/ ato që mbijetuan iu nënshtruan cdo lloj dhune e mizorie. Disa prej grave me guxim u hodhën në shpatat e Gaulëve që të vdisnin; të tjerëve vdekja u erdhi nga mungesa e ushqimit dhe pagjumësia, pasi këta barbarë të pamëshirshëm i vranë ata, i përdhunuan dhe shfrynë epshet e tyre, pa pyetur në ishin duke dhënë shpirt apo ishin të vdekur. ”
Mbas disa vite vuajtje, rrënimi e shkatërrimi, Grekët e Azisë, korruptuan pushtuesit dhe i bindën ata të vendoseshin në Phrygia-n veriore (aty ku kolonitë e tyrë njiheshin si Galatia), Thraka (Traki) dhe Ballkani. Përgjatë dy brezave, Gaulët (Gauls) vunë taksa të larta dhe mbollën frikën nga haraci që duhet t’i paguanin Seleucusit të I-ë dhe qyteteve greke në brigjet aziatike dhe Detit të Zi; vetëm Bizantinët u paguanin atyre rreth $240,000 në vit. Ndërsa perandorët dhe gjeneralët e Romës u angazhuan t’i zbythnin sulmet e barabarëve, në shekullin e tretë pas Krishtit, – ashtu sikundër mbretërit dhe gjeneralët e Pergamum, Seleucia dhe Maqedonia, të cilët dhanë mbështje dhe energji të jashtëzakonëshme, në shekullin e tretë para Krishtit, të zmbrapsin valët e urrejtjes e zemërimit të invadimit kelt (Celtic). Gjatë gjithë historisë, qytetërimi i lashtë përjetoi epërsinë e një barbarizmi që vazhdimisht i kanosej për ta zhdukur atë. Kurajoja dhe guximi stoik i qytetarëve, të cilët vazhdimisht ishin në dijeni të rrezikut dhe ishin të përgatitur për këtë; teksa stoicizmi po jepte shpirt në Greqi ekzaktësisht në kohën e formulimit klasik të emrit të saj. Antigoni II-ë, i biri i Demetrius Poliorcetes, të cilin e thërrisnin “Gonatas”, për arsye të panjohura, dëboi Gaulin nga Maqedonia, shtypi kryengritjen e Apollodorus dhe sundoi Maqedoninë me zgjuarësi, gjakftohtësi e drejteësi për tridhjetë e tetë vjet (277-39). Ai i dha prioritet dhe dorëhapësi letërsisë, shkëncës, dhe filozofisë, solli poetë si Aratus i Solit në oborrin e tij mbretëror; krijoi një miqësi të përjetëshme me Zeno -Stoikun. Antogoni II-ë ishte nga të parët që krijoi hendekun mes mbretërve filozofë, lidhje që u ndërpre përfundimisht me Marcus Aurelius. Sidoqoftë, gjatë sundimit të tij, Athina bëri lëvizjen e fundit për liri. Në vitin 267 partia nacionaliste erdhi në pushtet nën udhëheqjen e pasuesit të Zenonit, djaloshi Kremonides. Ai shtiri në dorë ndihmën e Egjiptit, përzuri trupat maqedonase dhe shpalli Athinën e lirë. Antigonusi iu kthye përsëri lakmisë së tij të hershëme dhe rimori qytetin në (262), forcoi ligjet dhe u shndërrua në dikushi që respektonte filozofinë dhe të moshuarit. Ai vendosi garnizone ushtarake në Pire, në Sallamitë dhe në Sunium, dhe lidhi aleanca lufte me Athinasit; megjithëse pjesën tjetër të qytetit ai e la tërësisht të lirë. Disa prej shteteve helene e zgjidhën paqësisht cështjen duke fituar pjesërisht pavarësinë me kusht. Rreth vitit 279, Etolia e vogël (Vendi I Shqiponjave) u mbipopullua njësoj si Maqedonia e përgjysmuar nga barbarët, por që kurrë nuk u pushtua nga veriorët, kështuqë filloi të organizonte qytetet-shtetet e Greqisë veriore, kryesisht ato të Amfitiatisë Delfike, pjesë e aleancave Etoliane, Akejane të Patrëss, Dyme, Pella, dhe vendbanimet e tjera përqark qytet-shteteve të Peloponezit, bënë paqen dhe ndërmorën masat të përbashkëta ekonomiko-financiare në të gjithë zonën- një arritje dhe bashkëpunim, që e vlerëson shekullin e tretë në disa drejtime politikisht më mirë dhe më të zhvilluar se në epokën e Perikliut. Liga Akejane u shndërrua në një shtet nga më të fuqishmit nga Aratus i Sykon-it. Në moshën njëzet vjecare, djaloshi Themistokli vetëm me një grusht luftëtarë cliroi Sykon-in nga diktatori i saj. Me oratori dhe bisedime serioze, të mprehta e të mëncura, që ai zhvilloi kudo në Peloponez, me përjashtim të Spartës dhe Elisit, që iu bashkuan Ligës, strategji kjo që zgjati dhjetë vjet (245-35). Me disa qindra luftëtarë ai hyri fshehurazi në Korinth, kaloi përmes Akrokorithus pothuajse të pakalueshëm, coi trupat maqedonase dhe i ktheu qytetit lirinë. Duke kaluar përmes Tiraeus, ai korruptoi garnizonin maqedonas të mos bënin rrezistencë dhe hyri si clirimtar në Athinë. Që prej atij momenti e deri te pushimi i Romës, Athina gëzoi vetqeverisjen unike dhe jo aq të fuqishme ushtarakisht, -vecse nuk u prek nga shtetet e tjera helenistike për arësyen se universitetet e saj shndërruan atë, – kryeqytetin e shkencës, dijes e mëncurisë greke. Athina i hapi rrugën filozofisë dhe me vetëdije i qëndroi larg politikës. Por kur ato ishin në kulmin e fuqisë së pushtetit, të dy ligat filluan të dobësohen nga grindjet dhe lufta klasore brenda llojit. Në vitin 220 Lidhja Etoliane, me Spartën dhe Elisin, luftuan “konfliktin social” ndaj Ligës Akajane dhe Maqedonase. Aratus, përvecse mbrojtës i lirisë, gjithashtu ai ishte edhe mbikqyrës financiar; në cdo qytet mbështeste pronarët e tokës. Të varfërit ankoheshin se nuk mund të merrnin pjesë në kuvendet që zhvillonte Liga, për shkak të largësisë që nuk mund ta përballonin, -që nënkuptonte heqjen e të drejtës së votës. Ata ishin skeptikë të asaj lloj lirie që do të thoshte privilegjim i të pasurve dhe të pushtetshmve, për të shfrytëzuar të varfërit e të dobëtit; gjithnjë e më shumë duartrokisnin demagogët të cilët bënin thirrje për rishpërndarjen të pronës. Njësoj si paria e një shekulli më parë, të varfërit filluan të përkrahnin Maqedoninë përkundrejt qeverisë së tyre. Megjithatë, Maqedonia u rrënua prej sinqeritetit dhe besnikërisë së Antogonusit së III-ë. Ai kishte erdhur në pushtet si mbikqyrës i djalit të gjetur, thjeshtër- Filipit, dhe pati premtuar t’ia dorëzonte fronin, kur Filipi të ishte më i rritur. Cinikët e kohës e quajtën atë “Doson” -The Promiser-me sa duket, edhe pse ai po i gënjente, ata e besonin. Gjithsesi, ai e mbajti fjalën dhe në vitin 221 Filip V-ë, shtatëmbëdhjetë vjeçar, filloi mbretërimin e tij të gjatë përmes luftrave dhe intrigave. Ai ishte kurajoz, guximtar, i zgjuar dhe skrupuloz. Ai joshi gruan e Aratussonit, helmoi Aratusin, vrau djalin e tij me dyshimin për komplot, dhe helmoi gjatë një banketi me verë të gjitha ata që i rezistuan dhe kundërshtuan kauzën dhe planet e tij. Ai zgjeroi kufijtë dhe rriti mirëqënjen e Maqedonisë, dhe e la atë më të populluar dhe më të begatë se sa njëqind e pesëdhjetë vitet e kaluara. Por në vitin 215, Filip V-ë i trembur dhe tmerruar nga rritja e pushtetit të Romës, bëri gabimin historik të alencës me Hannibalin dhe Karthage. Një vit më vonë, Roma i shpalli luftë Maqedonisë dhe filloi pushtimin e Greqisë.
Postscriptum
Shkruar sipas veprës të titulluar “The life of Greece” e Will Durant.
Will Durant-(5 nëntor 1885 – 7 nëntor 1981) ishte shkrimtar, historian dhe filozof amerikan. Ai u bë tepër i njohur për veprat e tij voluminoze, sikundër “Historia e qytetërimit”, me 11 vëllime të shkruar në bashkëpunim me gruan e tij Ariel Durant, që u botuan në mes të viteve 1935-ë dhe 1975-ë. The Life of Greece”, është njëra prej veprave të tij, botuar për herë të pare në vitin 1939 e shekullit të kaluar, ku Durant-e përshkruan historinë e sistemit qeverisës në lashtësinë greke, industrinë, parimet, zakonet e doket morale të jetës e në shoqërinë e atij sistemi, besimi fetar, filozofinë, shkencën, letërsinë dhe artin, – që prej lashtësisë deri në pushtimin romak.
*Përgatitur nga Raimonda MOISIU