
Prof. Dr. Sylë Ukshini/
Më në fund pas shumë prolongimeve dhe obstruksioneve të palës serbe dhe ruse, më 9 qershor 1999 u nënshkrua Marrëveshja Ushtarako-Teknike në Kumanovë, në vendin ku Serbia gjatë Luftës së Parë Ballkanike në tetor 1912 kishte mundur ushtrinë osmane dhe aneksuar territorin shqiptar të Vilajetit të Kosovës dhe të Manastirit. Kjo marrëveshje po ashtu i jepte fund okupimit të gjatë serb në Kosovës.
Marrëveshje e Kumanovës u nënshkrua ngan gjenerallejtënant Majkëll Xhekson (Michael Jackson) në emër të NATO-s, dhe Svetozar Marjanoviq nga Armata jugosllave dhe Obrad Stefanoviq i Ministrisë të Brendshme të Serbisë në emër të qeverive të Jugosllavisë së mbetur dhe Serbisë, sipas së cilës nga Kosova do të tërhiqeshin të gjitha trupat ushtarake, paraushtarake dhe policore serbe. Ndërsa një ditë më pas, me 10 qershor KS i OKB-së miratoi rezolutën e 1244 sipas së cilës Kosova u vendos nën administrimin civil (UNMIK) dhe ushtarak ndërkombëtar (KFOR) dhe në të njëjtën kohë morën fund bombardimet e NATO-s kundër caqeve ushtarake të shtetit serb.