(Replike me Sigurimin e Shtetit)/
Nga Bislim AHMETAJ/
Këtë vit si asnjëherë më parë në këtë çerek shekulli, një grup i njohur shkruesish i është vërsulur Dhjetorit 90 për ta deheroizuar, për “t’ia nxjerrë të palarat” në shesh. Për ta ligshtuar, për ta neglizhuar, për ta barazuar me asgjënë, për ta nënshtruar, për ta barazuar me hiçin me vetën e tyre të mbuluar me pluhur, me harres, me turp , me krim dhe përbuzje. I bindur se për majat e larta të historisë së vendit tonë do të gjenden gjithmonë baltëhedhës , mendje e këmbëshkurtër, nuk do të kisha marrë mundimin t’u përgjigjesha apo të polemizoja me ta. (A nuk na e kanë sharë deri edhe Skenderbeun? A nuk e quanin edhe nënë Terezën, “shtrigë të Imperializmit”?) Ajo që më bëri më shumë përshtypje është se duke hedhur baltë mbi Lëvizjen Studentore, ata shkruesit e specializuar në zyrat e errësirës glorifikuan pothuajse në kor Sigurimin e Shtetit. Ky glorifikim i masakruesve të shqiptarëve, i vë ata në krahun e Sigurimit, kundër Lirisë së Shqiptarëve. Ky është dhe ndoshta ka qenë gjithmonë pozicioni i tyre. Në këtë kohë rilindjeje të fjalorit e veprave të dhunës, burgjeve, arrestimeve, në këtë periudhë minash e dinamiti, në këtë ringjallje të brutalitetit shtetëror,në këtë ringjallje të simboleve të diktaturës dhe diktatorit ishte e pritshme që hijet e tulatura deri dje të Sigurimit, të ringriheshin përkrah Partisë që i lindi e i farkëtoi.
Misioni: Deheroizimin e dhjetoristëve, Paraqitja e Dhjetorit si vepër e Sigurimit dhe liria e shqiptarëve si derivat i mençurisë së PPSh-së, dhe bijës së saj me emër të ri, PS-së. A e imagjinon kush një intelektual apo gazetar gjerman duke e quajtur rënien e Murit të Berlinit, si vepër të KGB-së, apo Stas-it!!!
Pse e bëjnë? Për t’i hyrë në qejf Partisë që themeloi Sigurimin e Shtetit sipas mësimeve të armiqve më të mëdhenj të kombit shqiptar serbëve e rusëve? Për të poshtruar një grup ish studentësh që dhanë gjithçka në dhjetor 90, e deri sot, deri edhe jetën e tyre për të çliruar Shqipërinë nga diktatura? Për t’u spikatur si “vizionar”? Si njerëz gjoja të mendjes e të vizionit, që kanë të drejtë të dyshojnë në gjithçka? Apo se janë “thirrur nën armë” si kontigjent në rezervë i ish Sigurimit?
Duke refuzuar me neveri sulmet e tyre, në emër të grupimit civil që drejtoj, një grupim njerëzish të lirë e ish studentësh liberator u bëj thirrje ta ribotojnë organin e tyre “Në (ri)Sherbim të Popullit” të dalin haptas kundër lirisë së fituar! Shkrimet e tyre janë të denja për kryetituj të numrit të parë, të ribotimit të asaj reviste propagandistike të Sigurimit.
Me keqardhje për këto sulme të padenja e aq më pak të nevojshme.
*Kryetar I Grupimit “Dhjetor ‘90”(Kortezi:Panorama)