*NJË DËM TË MADH QË KEMI PËSUAR DHE VAZHDOJMË AKOMA TË MOS E KORIGJOJMË/
NGA HASAN KOSTRECI/Historikisht, po të shikojmë se kush nëpër periudha dhe vënde të ndryshme ka bërë revolucione, kush ka luftuar për të krijuar barazi dhe i urren të pasurit, duke i quajtur çfrytëzues, ndërsa të varfërit viktima. Kush është pjesa më e guximshme e shoqërisë dhe hidhet në aksione për të ndryshuar botën, dihet që në ballë dhe gjithmonë ka qënë dhe mbetet vetëm rinia, por me karakteristikat që përmëndëm e të tjera, del që ajo anon pak nga e majta dhe me të drejtë ish kryeministri i Britanisë së Madhe, Winston Çurçill ka thënë, se të jesh i ri dhe të mos kesh prirje të majta, quhesh pa shpirt, por që të vazhdosh të jesh i tillë edhe kur bëhesh i pjekur, je i marrë. Por ky fenomen, pra natyra impulsive e të rinjëve, shpesh është edhe çfrytëzuar. Komunistët, përshëmbull si dinakë dhe mafiozë që i ishin, pikërisht këtë pjesë të shoqërisë fillimisht mashtruan dhe e bënë për vete. Me ta i mbushën bataljonet apo brigadat e para që iu ngjitën maleve për të luftuar pushtuesin, por në realitet më shumë për t’u ndeshur me kundërshtarët e tyre politikë dhe duke çfrytëzuar naivitetin dhe padjallëzinë e tyre, i ndërsyen mbasi morën pushtetin edhe kundër intelektualëve, njerëzve të arsimuar dhe kundër asaj shtrese modeste të pasur në qytet apo në fshat, sikur ata të ishin faktorë destabilizues në shkatërrimin e vëndit. Ishin po ata që e nxitën këtë pjesë kundër armiqëve imagjinarë të klasës, në prishjen e kishave apo të xhamijave dhe duke e futur gjithmonë thellë e më thellë në atë batak të madh që quhej ‘Revolucion socialist’, e bënë pjesë aktive të asaj ideollogjie të marrë dhe kriminale që i kushtoi aq shumë vëndit dhe shoqërisë sonë. Një pjesë, në fakt që e kuptuan se sa të gabuar ishin e se ku po shkonin, nisën të distancohen, por pjesa më e madhe e vazhdoi atë rrugë, i ndoqën ata nga pas dhe duke kryer edhe disa shkolla të ashtuquajtura partie apo marksiste leniniste, u bënë tamam robotë dhe vegël në duart e bosëve të tyre.
Por ‘Ashtu si bën, ashtu edhe e pëson’, thotë një shprehje e jona popullore dhe vërtet që jo pak nga ata, mbasi diktatura i çrytëzoi dhe i shtrydhi mirë e mirë, përfunduan burgjeve apo u vranë si armiq, agjentë në shërbim të të huajve apo dhe tradhëtarë, por, siç thamë, përqindja e angazhuar me ta, qe e madhe dhe si vënd dhe popull i vogël që jemi, na kushtoi, aq më tepër sepse duke u bërë edhe prindër, merret me mënd se ç’kulturë dhe edukatë ata transmetuan tek pasardhësit e tyre.
Më kujtohet ç’më tha një fshatar i thjeshtë nga viti tetëdhjetë e nëntë, kur u duk se diçka do ndryshonte; Im bir është mësuar ta kalojë kohën në vatrën e kulturës apo nëpër mbledhje rinie apo partie, por jo që të ngrihet e të punojë tokën ashtu siç kam bërë unë” dhe fillozofia e tij qe e saktë, sepse ne përveç të tjerave, kishim humbur edhe konceptin e punës dhe transformuar në një shoqëri pa ego dhe pa ambicje dhe gjithë këto pasoja, sepse ne jemi një popull që gabohemi kollaj dhe të prirur më shumë për të përqafuar të keqen, se sa të mirën.
Por edhe pse kanë kaluar më shumë se dy dekada e gjysëm në demokraci dhe me sistem, tashmë kapitalist, akoma nuk kemi krijuar një gjeneratë të pjekur, puntore dhe sidomos, intelektuale. Universitete gjatë këtyre viteve janë hapur mjaft dhe kjo për mendimin tim, qe e mirë, sepse të dalë nga ai sistem, ishte e nevojshme që të rinjtë të edukoheshin dhe të merrnin një kulturë ndryshe nga ajo që trashëgonin, por a e kemi një rezultat të tillë dhe a janë vërtet studentët që mbarojnë këto shkolla ashtu si duhet?
Qeveria e asaj kohe, në realitet, e angazhonte shumë rininë studentore duke i çuar nëpër hekurudha për të hapur trashe, në korrje gruri apo misri si dhe në zbore ushtarake dhe ato nuk kishin edhe aq për qëllim që t’i bënin ata praktikë e të njiheshin me realitetin, se sa për t’i çoroditur dhe për të mos u lënë kohë të lirë që të mendoheshin. Pikërisht me ato aktivitete ia nxorrën mëndtë gjithashtu edhe ‘çikës së maleve’, të cilës duke i lidhur një shall të kuq në qafë dhe e çuan në aksion, kur u kthye, qe transformuar aq shumë, sa nisi të urrejë, bile edhe prindërit e saj, duke i quajtur fanatikë, të prapambetur dhe me miza në kokë.
Por edhe rinia e sotme duke parë disa programe televizive pa cilësi dhe pa ndonjë informacion edukativ, duke shkuar nëpër klube nate, ku më shumë dëgjon ‘tallava’, se sa muzikë të bukur e të këndëshme, duke u shkëputur, pothuajse krejtësisisht nga libri dhe për më tepër duke parë korrupsionin e madh që po ndodh në politikën tonë, për fat të keq, po degjenerohet, se sa po emancipohet. Një tjetër faktor gjithashtu po aq i rëndësishëm në formimin e tyre, është sepse jo vetëm atëhere, por ende edhe sot, vazhdohet që të mos jemi të sinqertë me ta. Akoma i manipulohet e kaluara dhe nuk i tregohet e vërteta për ngjarjet që kanë ndodhur gjatë luftës, më mbas dhe sidomos për periudhën komuniste. Ajo ende nuk njeh patriotët, herojtë si dhe figurat kryesore të letërsisë, sepse ata ende vazhdohet që të quhen armiq, tradhëtarë apo bashkëpuntorë të fashizmit. Ajo ende shikon përçarje tek shqiptarët, e sidomos kur vijnë vijnë Festat e Nëntorit. E si atëhere të presim një rini ashtu si duam neve, kur ajo akoma nuk di se ç’modele të zgjedhë nga paraardhësit e saj e t’i kopjojë. Kjo është tamam si një fëmijë jetim, të cilit nga që gjithë jetën i kanë munguar prindërit, jo vetëm që edukimin do e ketë gjithmonë të mangët, por edhe të marë nga ambienti përreth, shpesh herë të dyshimtë. Mos ndofta kështu dikujt i intereson që të kemi një rini të të pajisur vetëm me diplloma, por apatike, pa nivel dhe e mangët intelektualisht. Sigurisht që kjo të bën pesimist, por edhe të frikson për të ardhmen e shoqërisë të këtij vëndi.