• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MASHTRIMI I MADH

August 10, 2020 by dgreca

-(Demokracia e trukuar dhe komunizmi rozë)–

“Shqipërinë do t’a gëzojmë ne dhe fëmijët tanë”- Ramiz Alia-

 “Sistemi ynë ka kapitulluar përballë atij kapitalist, ndaj jemi të detyruar të ndryshojmë strategji”…–

NGA EUGJEN MERLIKA-Me këtë pohim “të sinqertë” që binte ndesh me dogmën gjysëm shekullore të “epërsisë së socializmit” si rend shoqëror, politik dhe ekonomik, Kryetari i Shtetit dhe i partisë së komunistëve shqiptarë, Ramiz Alia, në tetor 1989, fillonte fjalën e tij para Byrosë Politike. Ai ishte i vetëdijshëm se ajo fjalë do të ishte një gur sinori mes dy kohëve historike, asaj të socializmit dhe një tjetre që do t’a pasonte, me gjithë të panjohurat e saj e që do të ishte, në synimin e tij dhe të kastës së kuqe që ai kryesonte, një kapitalizëm rozë.

            Viti 1989, i mrekullive të paimagjinueshme të një shekulli luftërash mizore e diktaturash të pashembullta, po ecte me revan drejt fundit të tij. Kishte sjellë flladin e lirisë në Vendet e Evropës Lindore që, njëri pas tjetrit, rrëzuan regjimet komuniste që i kishin sunduar për gati një gjysëm qindvjeti. Muri i Berlinit ishte shembur dhe “perdja e hekurt” mes dy pjesëve të kontinentit mbetej vetëm një relike e një periudhe historike që, çuditërisht, kishte arritur në stacionin e saj të fundit.

            Në Shqipëri ndryshimet epokale të kampit socialist përcilleshin me një heshtje të përgjithëshme, nën të cilën ndizeshin shpresat e vakëta e mbi të cilën vigjëlonte si skifteri arma e mprehtë e diktaturës së kuqe, Sigurimi i Shtetit. Dyshja Ramiz-Nexhmije, që deri atëhere ishte nanurisur në përrallën e përjetësisë së enverizmit pa Enverin, në fshehtësi projektonte një t’ardhme që do t’ju siguronte atyre dhe vartësve të tyre një pleqëri të rehatëshme e pa telashe e fëmijëve të tyre një sundim të qetë, jo më në një sistem terrori siç kishte qënë diktatura e kuqe, por në një “demokraci kapitaliste” në ngjyrën e formën që do t’ju këshillonin “miqtë e Perëndimit”.

            Ky ishte thelbi i fjalës së Ramiz Alisë në Byronë Politike në tetor 1989. I arkivuar si “shumë i fshehtë” për vite të tëra ky dokument, një nga më të rëndësishmit e historisë së Shtetit bashkëkohor shqiptar, ka disa vite që është në duart e shqiptarëve të cilët, nëpërmjet tij, kanë mundësi të kuptojnë e të shpjegojnë të gjitha “enigmat” e periudhës së  kalimit nga një sistem në një tjetër. Si i tillë ai vlen të studjohet e të komentohet në hollësi. Fjala është një parashtrim i qartë dhe i detajuar i një projekti të madh, që do të fillonte sendërtimin e tij së shpejti e do të shtrihej në gjatësi kohe.

            Simbas ish Kryetarit Alia ndryshimi i pashmangshëm do të kufizohej në dy pika:”në respektimin e të drejtave të njeriut e në pluralizmin politik”. Ishin çështjet në të cilat këmbëngulte Evropa Perëndimore në dokumentat e saj e të cilat, dështimi ekonomik i sistemit socialist, i kishte bërë të detyrueshme për t’u gëlltitur nga hierarkët e tij. Se sa do të ishin të mjaftueshme këto dy parime bazë për të ndërtuar një demokraci të vërtetë  e treguan përvojat e këtyre viteve, por e paralajmëroi dhe dinaku Alia kur parashtroi:

            “Të drejtat e njeriut janë diçka brënda nesh dhe mund të abuzohet me to deri diku, por pluralizmi do të bëhet se s’bën. Kundërshtarët tanë do t’i nxisim që të krijojnë parti sa të duan; të majta, të djathta e të qendrës, por gjithsesi këto parti duhet të kontrollohen e drejtohen nga Ne. Programet e themelimit të këtyre partive, do t’i formulojmë dhe do t’i miratojmë Ne. Në krye të këtyre partive, duhet të nxirren njerëz që të përkrahin strategjinë tonë”

            A u zbatuan porositë e Ramiz Alisë në krijimin e partive, apo ato lindën spontanisht nga dëshira e ndrydhur dhjetëvjeçarë me rradhë? A ishte një rastësi që në krye të partive u vunë ish kuadro të regjimit, madje të ardhura edhe nga shërbimet e fshehta, apo ata patën guximin që u mungoi të përndjekurve të diktaturës? A ishte thjesht pasioni i politikës, një mënyrë për të nxjerrë jetesën apo pjesë e strategjisë për të copëzuar opozitën ndaj partisë komuniste “të reformuar” krijimi i dhjetra partive në jetën shqiptare? Këto e të tjera pyetje si këto ende e mundojnë shqiptarin e thjeshtë që nuk arrin dot të kuptojë se kujt i shërbejnë dhjetra grupime njerëzish, që quhen parti, kur ritmet e zhvillimit të Vendit nuk kanë krahasim as me fqinjët tanë e standarti i jetesës njeh ngjitje marramendëse vetëm për kastat në pushtet e për trafikantët e shkelësit e ligjit.

            Të gjithëve u kujtohen kohët e entuziazmit të krijimit të partive, duke filluar nga ajo Demokratike. Drejtuesit e tyre, që hodhën shpejt triskën e kuqe në kosh dhe u vetëshpallën kampionë të demokracisë e të antikomunizmit, flisnin me zjarr e pasion kundër Enver Hoxhës, për krimet e regjimit, mungesën e lirisë etj. Binte në sy  fakti se në këto parti kishte pak ose aspak ish të burgosur të ndërgjegjes apo përfaqësues të diasporës antikomuniste. Kjo i detyrohej deri diku dhe ndrojtjes së tyre  e mendimit se populli i indoktrinuar nuk do t’a kuptonte pjesëmarrjen e tyre në jetën politike, por diku haptas e diku në mënyrë të maskuar dhe mospranimit të drejtuesve të rinj. Këta të fundit që mendonin, sikurse ustai i tyre, se i nevoitej “karta morale” e të dënuarve të diktaturës bënin garë në  demagogji për të fituar përkrahjen e tyre.

 Partia Demokratike qe ajo që mori në gjirin e saj më shumë ish të përndjekur. Në vitet e para disave prej tyre  u dha poste me rëndësi partiake dhe shtetërore, në nivele të ndryshme. Por aktivizimi i ish të përndjekurve politikë ishte vetëm një anë e treguesit të prirjeve demokratike të këtyre partive. Ana tjetër dhe më e rëndësishmja ishte strategjia ekonomike dhe e reformave që duhet të ndryshonin sistemin.

            Thelbi i këtyre reformave ishte njohja dhe kthimi i pronave, pra një rindarje e pasurisë shtetërore ndërmjet qytetarëve, të cilëve gati gjysëm shekulli më parë Shteti komunist ua kishte grabitur me dhunë. Qëndrimi i partive qe një ngritje shqytesh e përgjithëshme e përmbledhur në shprehjen shqeto komuniste:” nuk do të lejojmë të nakthehen bejlerët dhe agallarët.”. Ligji 7501, që u miratua thuajse njëzëri nga Kuvendi, si pasojë e një marrëveshjeje ndërmjet demokratëve e socialistëve, ishte themeli i të gjithë prapësirës pas komuniste. Ai ligj jepte tokën në përdorim pa shumë ndryshim nga reforma agrare e 1946,  pa synimin që t’i bashkonte sërish forcërisht fshatarët, por edhe pa mbajtur parasysh se e kujt kishte qënë ajo tokë. Me një ndërhyrje zbukuruese vetëm për dukje krijohej ideja se Shteti po zhvishej nga pushteti ekonomik e se popullit i kthehej mundësia e rivendosjes së pronësisë vetiake. Fshatarët ktheheshin në argatë të tokës, që nuk ishte e tyre, por që për një farë kohe nuk do të paguanin detyrimet që rridhnin nga shfrytëzimi i saj. Nuk ishte gjë e rastit që populli në disa zona të Vendit, sidomos në pjesën Veri-Lindore nuk e pranoi këtë ligj dhe vendosi njëzëri khimin e pronësisë së secilit në kufijtë e para reformës agrare. Kasta komuniste, që ishte e vetëdijshme se duhej lëshuar përkohësisht pushteti politik për të zotëruar në mënyrë “demokratike” atë ekonomik, e kishte hartuar atë me synimin , më pas të sendërtuar, të ruante mundësinë e pasurimit të saj në rrugë të ligjshme e më shumë të paligjshme.

            Mungesa e përcaktimit të pronësisë i humbi Vendit shortet e investimeve të huaja që, në fillimet e viteve 90, ishin pothuaj të barabarta për të gjitha Vendet e Lindjes, duke çuar në kalendat greke kohët e vënies së tij në rrugën e zhvillimit ekonomik. Ky dëm i stërmadh që iu shkaktua Vendit, pasojat e rënda të të cilit vazhdojmë t’i paguajmë çdo ditë, ishte rrjedhojë e paaftësisë, e diletantizmit të klasës drejtuese pas komuniste që nuk arrinte të kuptonte përparësitë e çastit, apo zbatim i një strategjie të paracaktuar? Përgjigjen shkoqur e pa dredha e gjejmë tek fjalët e Ramiz Alisë: “ Ne, “Komunistët Reformatorë”, do të zbatojmë strategjinë tonë në ekonomi, sipas së cilës kapitalistët dhe pronarët e ardhshëm në një vend socialist, të jemi ne dhe njerëzit tanë. Me këtë strategji, brenda dy tre legjislaturave, do të arrijmë që nga klasat komuniste të krijojmë klasën kapitaliste, e cila do të na përjetësojë në pushtetin politik të së ardhmes që e kemi planifikuar dhe po e pregatisim vetë….”

            Në zbatim të kësaj strategjie qemë të pranishëm në fillimin e viteve 90 në sulmin asgjësues të vandalizmit mbi objektet ekonomike, social-kulturale, të tregëtisë, mbi mjetet e trasportit, madje deri dhe mbi drurët frutorë e jo frutorë, në grabitjet e depove e të dyqaneve. Ky lloj banditizmi, i mbuluar me vellon e “urrejtjes për komunizmin”, i orkestruar nga një rrjetë e padukëshme ish sigurimsash e antarësh të partisë së punës, synonte të zotëronte nëpërmjet grabitjes atë pasuri që kishte mbetur në depot e Shtetit, por dhe të kthente, në dukje, në gjëra pa vlerë objektet shtetërore. Askush, duke filluar nga Qeveria e papërgjegjëshme e  “destabilitetit” të Ylli Bufit, nuk shqetësohej për dëmin e madh që i shkaktohej imazhit të Vendit nga kjo strategji shkatërrimi, në një nga çastet më vendimtare për të ardhmen e tij.

 Mallrat e grabitura do të shërbenin si bazë për të filluar rrugën e pasurimit, ndërsa zhvleftësimi i objekteve do të kishte si pasojë blerjen e tyre, gati falas, në proçesin e privatizimit që do të fillonte së shpejti. Ky i fundit do të bëhej me kritere haptas favorizuese për komunistët që, simbas parimit të vjetër “politika në plan të parë” kishin në dorë të gjitha postet kyç në sektorët e ndryshëm të ekonomisë e në tregti. Përparësinë në blerjen e objekteve Shteti i PD do t’ja u jepte atyre që punonin në to. Në pamje të parë ishte diçka e drejtë, në fakt ishte vënie në jetë e strategjisë së krijimit të “klasës kapitaliste” nga komunistët. Në këtë drejtim do të jepnin ndihmesën e tyre komisionet e privatizimit që, jo vetëm për përzgjedhje klasore por edhe për përfitim vetiak, do të zbatonin çmime krejtësisht në dobi të blerësve. Lidhjet me mjediset e fitimit të paligjshëm në Vendet fqinjë e në ata Perëndimore, sidomos në Itali, do t’i jepnin shkas lindjes së trafiqeve të ndryshme që sollën pasurime marramendëse në kohë relativisht shumë të shkurtëra. 

Kjo ishte strategjia afatmesme e komunistëve por, për çastin, duhej mbajtur vetëm si një synim i fshehtë e i padeklaruar. Për çastin duhej lëmuar fasada, duhej fituar besueshmëria e Perëndimit që duhej të miratonte rrugën e nisur, për të çelur epokën e paqtimit e të lënies së konflikteve mbrapa krahëve. Për këtë nevoitej një qëndrim i ri karshi të gjithë atyre që, deri dje, kishin qenë “armiqtë e betuar” të socializmit brënda dhe jashtë Shqipërisë. Ujqit do të vishnin lëkurët e qëngjave e, duke sharë  sa të mundnin kryeujkun, do t’ju krijonin viktimave iluzionin se tashmë kishte ardhur koha e tyre. Strategjia ramiziane parashihte një përmirësim të ndjeshëm të kushteve të jetesës të asaj pjese të popullsisë, që kishte qenë kavje e sprovës enveriste në larminë djallëzore të burgjeve, kampeve të punës e atyre të internimit për dhjetëvjeçarë me rradhë.    

Strategjia ishte sa dinake aq dhe e poshtër. Për t’u bërë bindëse në “qëllimin” e saj i duhej besuar jo ish ministrave të Adil Çarçanit, gazetarëve të Zërit të popullit apo studjuesve të Institutit që kryesohej nga Nexhmije Hoxha, por klasës së re politike, të përbërë nga profesionistë të të gjitha fushave e ndonjë ish të burgosuri politik. Kryetari Alia projekton si në një ekran ngjarjet e pritëshme dhe mundësitë e kanalizimit të tyre simbas interesave të caktuara e planit të studjuar deri në imtësitë e tij.

“Partia që do të marrë pushtetin, do të shajë komunizmin në themel e në çati. Në këtë mënyrë do të fitojmë simpatinë e Perëndimit dhe të Disidencës Antikomuniste. Ata që janë nëpër burgje, të dënuarit dhe të persekutuarit politikë antikomunistë do të flasin për ne dhe do të na shajnë. Dhe këta dihet që e urrejnë komunizmin por do  të na afrohen e do të na përkrahin. Neve na intereson karta morale e tyre. Këta do t’i afrojmë dhe do t’u japim punë të parëndësishme;por kurrë nuk do t’i lemë të na marrin pushtetin, sepse Ata, sa të marrin fuqinë, do të fillojnë të hakmerren dhe ne kështu do të bëheshim hyzmeqarët e tyre.

Në zbatim të të drejtave të njeriut, duhet t’u japim edhe kompensimin në para, të burgosurit politikë t’i kompletojmë me komoditete banimi…”

            Përcaktohen kështu qartë kufijtë, brënda të cilëve do të vërtitet demagogjia e stilit të ri, për të arritur në synimin thelbësor që mbetet ruajtja e pushtetit nga rreziku i rënies së tij tek ata që duhej të kishin qenë trashëgimtarët e ligjshëm të tij në kushtet e shëmbjes së sistemit. Skenari u vu në jetë me një besnikëri të admirueshme, madje lëshimet e detyrueshme qenë më të pakta se sa ata që parashikoheshin.

            Sot, në largësi 15 vitesh, ish të përndjekurit  duhet t’i ngrenë një “përmendore” Kryetarit Alia, sepse po të ishte sendërtuar programi i tij, ndoshta do të kishin patur të gjithë nga një shtëpi e do të kishin përfituar edhe paratë e dëmshpërblimit për djersën e papaguar nëpër kampet e punës së detyruar të Shqipërisë socialiste. Pasardhësit e tij në pushtet bënë garë me njëri tjetrin se kush mund t’i mashtronte më shumë ata. Problemi  i banesave të tyre, që normalisht duhej të ishte zgjidhur në kuadrin e rindarjes së pasurisë së paluajtëshme shtetërore ende sot mbetet një rebus. Me paratë që Shteti u ep si shpërblim nuk mund të blejnë as  banesë për një person kurse ata, të cilëve u është njohur pronësia e shtëpive të sekuestruara, ende vazhdojnë të shohin qiraxhinjtë “zotër shtëpie”, që paguajnë qira qesharake, më pak se simbolike. Shumë të tjerë vazhdojnë të sorollaten vite me rradhë gjyqeve, siç kishte profetizuar “magjistari Alia” në tetor 1989:

“Të sekuestruarvet dhe të shpronësuarvet do t’u japim nga një letër në dorë që t’u njihet prona, por asnjëherë nuk do t’u japim pronën e tyre dhe në forma të ndryshme do t’i ngatërrojmë me njëri tjetrin. Ata do të kalojnë nëpër gjykata, ku do të zbatohet rotacion nga Gjykata e Shkallës së parë në të dytën etj. dhe për “difekte teknike” do të kthehen përsëri në të parën…”

            Tuneli i errët i drejtësisë, një nga problemet e pazgjidhura të gjithë këtyre viteve. Sa drama e tragjedi i janë shtuar shqiptarëve nga vendimet e sallave të gjykatave, sa padrejtësi janë ligjësuar në to. Nga fjalët e regjizorit të pas komunizmit kuptohet qartë se drejtësia ka qenë e telekomanduar, se nuk i ka shërbyer krijimit e fuqizimit të Institucionit të pavarur. Ajo ka shërbyer si mashë, si dora e gjatë e partisë komuniste për të sendërtuar synimet e saj, që mbeteshin përjetësimi i grabitjes së qytetarëve shqiptarë, i nisur më 1945, e përvehtësimi me mjete “demokratike” i pasurisë së tyre. Sorollatjet shumëvjeçare në dyert e gjykatave, që kanë helmuar jetën e shumë njerëzve në këto vite, nuk janë vetëm pasojë e zbrazësirës morale të një pjese të shërbyesve të tempullit të drejtësisë, por edhe pjesë e strategjisë ekonomike e pushtetore të projektit ramizian. 

  Mars 2004- Vijon

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlika, mashtrimi i madh, Ramiz Alia

MASHTRIMI I MADH

December 1, 2016 by dgreca

*NJË DËM TË MADH QË KEMI PËSUAR DHE VAZHDOJMË AKOMA TË MOS E KORIGJOJMË/

1-hasan-kostreci

NGA HASAN KOSTRECI/Historikisht, po të shikojmë se kush nëpër periudha dhe vënde të ndryshme ka bërë revolucione, kush ka luftuar për të krijuar barazi dhe i urren të pasurit, duke i quajtur çfrytëzues, ndërsa të varfërit viktima. Kush është pjesa më e guximshme e shoqërisë dhe hidhet në aksione për të ndryshuar botën, dihet që në ballë dhe gjithmonë ka qënë dhe mbetet vetëm rinia, por me karakteristikat që përmëndëm e të tjera, del që ajo anon pak nga e majta dhe me të drejtë ish kryeministri i Britanisë së Madhe, Winston Çurçill ka thënë, se të jesh i ri dhe të mos kesh prirje të majta, quhesh pa shpirt, por që të vazhdosh të jesh i tillë edhe kur bëhesh i pjekur, je i marrë. Por ky fenomen, pra natyra impulsive e të rinjëve, shpesh është edhe çfrytëzuar. Komunistët, përshëmbull si dinakë dhe mafiozë që i ishin, pikërisht këtë pjesë të shoqërisë fillimisht mashtruan dhe e bënë për vete. Me ta i mbushën bataljonet apo brigadat e para që iu ngjitën maleve për të luftuar pushtuesin, por në realitet më shumë për t’u ndeshur me kundërshtarët e tyre politikë dhe duke çfrytëzuar naivitetin dhe padjallëzinë e tyre, i ndërsyen mbasi morën pushtetin edhe kundër  intelektualëve, njerëzve të arsimuar dhe kundër asaj shtrese modeste të pasur në qytet apo në fshat, sikur ata të ishin faktorë destabilizues në shkatërrimin e vëndit. Ishin po ata që e nxitën këtë pjesë kundër armiqëve imagjinarë të klasës, në prishjen e kishave apo të xhamijave dhe duke e futur gjithmonë thellë e më thellë në atë batak të madh që quhej ‘Revolucion socialist’, e bënë pjesë aktive të asaj ideollogjie të marrë dhe kriminale që i kushtoi aq shumë vëndit dhe shoqërisë sonë. Një pjesë, në fakt që e kuptuan se sa të gabuar ishin e se ku po shkonin, nisën të distancohen, por pjesa më e madhe e vazhdoi atë rrugë, i ndoqën ata nga pas dhe duke kryer edhe disa shkolla të ashtuquajtura partie apo marksiste leniniste, u bënë tamam robotë dhe vegël në duart e bosëve të tyre.

Por ‘Ashtu si bën, ashtu edhe e pëson’, thotë një shprehje e jona popullore dhe vërtet që  jo pak nga ata, mbasi diktatura i çrytëzoi dhe i shtrydhi mirë e mirë, përfunduan burgjeve apo u vranë si armiq, agjentë në shërbim të të huajve apo dhe tradhëtarë, por, siç thamë, përqindja e angazhuar me ta, qe e madhe dhe si vënd dhe popull i vogël që jemi, na kushtoi, aq më tepër sepse duke u bërë edhe prindër, merret me mënd se ç’kulturë  dhe edukatë ata transmetuan tek pasardhësit e tyre.

Më kujtohet ç’më tha një fshatar i thjeshtë nga viti tetëdhjetë e nëntë, kur u duk se diçka do ndryshonte; Im bir është mësuar ta kalojë kohën në vatrën e kulturës apo nëpër mbledhje rinie apo partie, por jo që të ngrihet e të punojë tokën ashtu siç kam bërë unë” dhe fillozofia e tij qe e saktë, sepse ne përveç të tjerave, kishim humbur edhe konceptin e punës dhe transformuar në një shoqëri pa ego dhe pa ambicje dhe gjithë këto pasoja, sepse ne jemi një popull që gabohemi kollaj dhe të prirur më shumë për të përqafuar të keqen, se sa të mirën.

Por edhe pse kanë kaluar më shumë se dy dekada e gjysëm në demokraci dhe me sistem, tashmë kapitalist, akoma nuk kemi krijuar një gjeneratë të pjekur, puntore dhe sidomos, intelektuale. Universitete gjatë këtyre viteve janë hapur mjaft dhe kjo për mendimin tim, qe e mirë, sepse të dalë nga ai sistem, ishte e nevojshme që të rinjtë të edukoheshin dhe të merrnin një kulturë ndryshe nga ajo që trashëgonin, por a e kemi një rezultat të tillë dhe a janë vërtet studentët që mbarojnë këto shkolla ashtu si duhet?

Qeveria e asaj kohe, në realitet, e angazhonte shumë rininë studentore duke i çuar  nëpër hekurudha për të hapur trashe, në korrje gruri apo misri si dhe në zbore ushtarake dhe ato nuk kishin edhe aq për qëllim që t’i bënin ata praktikë e të njiheshin me realitetin, se sa për t’i çoroditur dhe për të mos u lënë kohë të lirë që të mendoheshin. Pikërisht me ato aktivitete ia nxorrën mëndtë gjithashtu edhe ‘çikës së maleve’, të cilës duke i lidhur një shall të kuq në qafë  dhe e çuan në aksion, kur u kthye, qe transformuar aq shumë, sa nisi të urrejë, bile edhe prindërit e saj, duke i quajtur fanatikë, të prapambetur dhe me miza në kokë.

Por edhe rinia e sotme duke parë disa programe televizive pa cilësi dhe pa ndonjë informacion edukativ, duke shkuar nëpër klube nate, ku më shumë dëgjon ‘tallava’, se sa muzikë të bukur e të këndëshme, duke u shkëputur, pothuajse krejtësisisht nga libri dhe për më tepër duke parë korrupsionin e madh që po ndodh në politikën tonë, për fat të keq, po degjenerohet, se sa po emancipohet. Një tjetër faktor gjithashtu po aq i rëndësishëm në formimin e tyre, është sepse jo vetëm atëhere, por ende edhe sot, vazhdohet që të mos jemi të sinqertë me ta. Akoma i manipulohet e kaluara dhe nuk i tregohet e vërteta për ngjarjet që kanë ndodhur gjatë luftës, më mbas dhe sidomos për periudhën komuniste. Ajo ende nuk njeh patriotët, herojtë si dhe figurat kryesore të letërsisë, sepse ata ende vazhdohet që të quhen armiq, tradhëtarë apo bashkëpuntorë të fashizmit. Ajo ende shikon përçarje tek shqiptarët, e sidomos kur vijnë vijnë Festat e Nëntorit. E si atëhere të presim një rini ashtu si duam neve, kur ajo akoma nuk di se ç’modele të zgjedhë nga paraardhësit e saj e t’i kopjojë. Kjo është tamam si një fëmijë jetim, të cilit nga që gjithë jetën i kanë munguar prindërit, jo vetëm që edukimin do e ketë gjithmonë të mangët, por edhe të marë nga ambienti përreth, shpesh herë të dyshimtë. Mos ndofta kështu dikujt i intereson që të kemi një rini të të pajisur vetëm me diplloma, por apatike, pa nivel dhe e mangët intelektualisht. Sigurisht që kjo të bën pesimist, por edhe të frikson për të ardhmen e shoqërisë të këtij vëndi.

Filed Under: Analiza Tagged With: Hasan Kostreci, mashtrimi i madh

Libri «Mashtrimi i Madh» u shpërndahet falas seminaristëve ndërkombëtar të albanologjisë

August 21, 2015 by dgreca

Veprimtari i çështjes kombëtare nga Tetova Abedin Murati, ish profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në fushën e Metodikës në Universitetin Shtetëror të Tetovës, aktualisht pronar i Fabrikës së Mobilieve «Molika» në Tetovë dhe Fabrikës së përpunimit të pemëve dhe perimeve «Royal» si dhe pronar i qendrës tregtare «Prima Centre» në Tetovë sponsorizoi shpërndarjen falas të librit «Mashtrimi i Madh» të autorit Bardhyl Mahmuti për të gjithë seminaristët e Seminarit Ndërkombëtar për gjuhë, letërsi dhe kulturë shqiptare që mbahet në Prishtinë.
Përmes kësaj forme albanologu Abedin Murati dëshiron që t’u ofrojë albanologëve ndërkombëtarë një analizë shkencore që nxjerr në shesh realitetin e politikës së gjenocidit në Kosovë. Krahas sensibilizimit me të vërtetën e hidhur që ka përjetuar populli shqiptar i Kosovës, Abedin Murati shpreson në kontributin e të gjithë albanologëve që tragjeditë e tilla të mos përsëriten as në Ballkan e as gjetiu.

Filed Under: Kronike Tagged With: libri, mashtrimi i madh, të albanologjisë, u shpërndahet falas seminaristëve ndërkombëtar

Shperngulja e madhe ”serbe” dhe mashtrimi historik serb

September 14, 2013 by dgreca

“Vërtetë historia ka nevojë për dokumenta , por në raste të caktuara ka nevojë edhe për logjikë të thjeshtë”- (Arben.Llalla)/

Shkruan: FAHRI XHARRA/

Ne Foto: Shpërngulja “serbe”/

Kur Hispaniket ne shek. e 15 -të e pushtuan Amerikën e sotme Jugore  shketërruan çdo gjë që hasen para vetit.Kultura të papulljve Maja, të Actekëve dhe ato të Inkasve ,të krijuara me mijëra  vjet  humbën si kur të mos kishin qenë kurr.Popullata vendase në mënyrë të pa mëshirëshme u mbyt ,dhe ato pak shembuj njerëzor që mbetën u asimiluan pa guxuar që të dijnë se kush ishin dhe çka ishin. Por . shkatërrimi nuk mundi të përfshijë çdo gjë ,nuk mundi të fshijë atë punë mijëra vjeqare të vendasve.Mbetën gjëra me të cilat sot  bota i admiron ato kultura që nuk vdesin kurrë. Çka më shtyu që të përmendi Amerikën Latine kur tema edhe nga titulli nuk ka të bëj me ta.? Është për t`u habitur që kurrë hispanikët nuk u munduan të gjejnë rrënjët e veta në këto toka,dhe të krenohen që janë trashëgimtarë të një kultureje që nuk i takonin.

Me serbët nuk ndodhë e njejta gje ;edhe ata të ardhur në kohët e vona dhe falë rrethanave historike u ngulën në këto anë por ne vazhdimësi mundohen t`a bimdin botën se ishin këndej pari para se të lindëte edhe vetë natyra. Rrethanat historike iu mundësuan serbëve që edhe ata të shkatërrojnë çka mundën dhe çka gjetën. Kryesorja që neve nuk mundën të na zhbëjnë e që ishte qëllimi i tyre. Se për kulturën tonë të kaluar të rrahur në valët e historisë po mundohen edhe sot e kësaj dite t`a për vehtësojnë dhe t`a paraqesin si të tyre.  Edhepse për ne historia ishte njerkë, gjeografija ishte dhe mbeti nënë.

Serbia ,si mozaik i formuar nga gurët shumëngjyrësh të kombeve për rreth saj duket shumë e bukur ,por kur i analizon ato copëza që e kanë formuar e kupton se çdo gjë është e huaj.Në mozaikun e formimit si tokësor ashtu edhe historik të Serbisë ,shqiptarët janë ”zbukuruesit ” më të mëdhenj të asaj panoje ”historike”, Si shtrirja gjeografike e Serbisë ashtu edhe historija e saj janë margaritarë të vjedhur , mu nga shqiptarët.

Është për t`u përmendur një mashtrim historik i serbëve në lidhje me shpërnguljen e tyre të madhe nga Kosova në vitin 1690, Sipas burimeve serbe qëndron kjo:” Shpërngulja e parë e madhe “serbe” ndodhi në vitin 1690 nën udhëheqjen e Patriarkut Arsenije III Çarnojeviqit dhe edh si rezultat i tërhjekjës së Habsburgëve nga tokat “Otomane”  në Balkan.Kurse shpërngulja e dytë serbe gjithashtu nga Kosova ndodhi gjatë vitëve 1737-1739 nën ndikimin e  Patriarkut të Pejës Arsenije IV Jovanoviqit. Në vitin 1690 Imperatori Lepoldi i I-rë iu lejoi refugjatëve që të vendosen në rrypin e Savës dhe Danubit dhe e pranoi Arsenije III Çarnojeviqin si udheqës shpirtëror të tyre” (Stefan Pavloviq :Serbia dhe Historia  e saj)

Burimet na japin shifra të ndryshme të të shërngulurve: 37 000 familje sipas manuskriptit të Manstirit të Shishtavecit të shkruar nga murgu Stefani i Ravanicës( të shkruara 28 vjet pas shpërnguljes), 37 000 familje sipas Pavle Julinacit(1765),37 000 familje sipas  Jovan Rajiqit (1801), kurse •         Émile Picot vjen në përfundim  se ishin 35000 deri 40 000 familje pra në mes të 400 000 deri 500 000 njerzëve.Ai thot “ Ishte traditë e vazhdueshme që numrimi të bëhej me familje dhe jo me numër njerzish” .Akademia e Shkencave Serbe e pranon shifren prej 37 000 familjesh të shpërngulura  kurse sipas Milosh Nestoroviqit ,”Problemet etnodemografike të Kosovës dhe Metohisë”  mbetën të shkreta  në Kosovë mbi 36o fshatra “

“ Serbët” e shpërngulur u vendosën në Hungarinë e sotme , Vojvodinën e sotme dhe në Kroaci.

Ne luften e koalicionit katolik kunder turqeve ne luften 1737 kane marre pjese dhe kelmendasit dhe fise te tjera te malsise se madhe. Mbas humbjes se koalicionit kelmendasit kishin bere marrveshje qe ne rast te humbjes te strehoheshin ne territoret e austrise. Keshtu nga kelmendi kane ikur 273 familje dhe nga gjithe Malsia e Madhe reth 3000 persona. ne Borgo Erizo, Nikinci, ne Zara, Hertovski, Zemunik te Kroacise.(Gjon Vuksani) Kjo eshte nga shperngulja e dytë  ”serbe” .

Shpërngulja “serbe”

A kishte Serb në atë kohë në Kosovë dhe në numër aq të madh? A mos ishte kjo bartje dhe largim i madh i shqiptarëve ortodoks dhe katolik nga Kosova.? Duke i analizuar marrëveshtjet historike në mes të Kishës Ortodokse Bizantine dhe Otomanëve  për shfarosjen e shqiptarëve atëherë na del një rezultat i kësaj shpërnguljeje  si mashtrim serb për shpërnguljen serbe.  Dokument i gjallë janë trashëgimtarët e atyre të shpërngulurve që gjenden edhe sot e kësaj dite në tokat e përmendura më lartë  dhe që flasin  ende shqip.

 

Por të nisemi edhe nga një fakt tjetër ; domëthënja e emrit Serb. ?

”Historiani Cek Josef Holeček (1853 Stožice – 1929 Praha) thot: Emri serb u morr pas shekullit të mesëm dhe s`ka lidhje me etninë Serbe , qe pas shkekullit XX grupi religjioz te fes Orthodoxe te Ballkanit e formuan këte emër Serb per etninë që sot quhën Serb .

Emri Serb ishte emër kyq vetem per orthodokset e jo për përcaktim të një etnijeje , kemi mijëra të dhëna historike për këte , shkruan Josef Holeček. Shkojmë më tutje, Stojan Novakoviq (1842-1915) :Nuk ka dyshim që ortodoksët janë quajtur Serb dhe nuk kishte etni serbe dhe as që egzistonte-(“Prvi osnovi slovenske književnosti među balkanskim Slovenima”,Beograd 1893. ,Stojan Novaković)

Diplomati Rus Giljferding ::.Deri në mesin e shekullit XIX ke vene re se të gjitha kombet qe e kishin fenë ortodoxe quheshin Serb .http://montenegrina.net/pages/pages1/is … o_u_cg.htm.    Vuk Karadžić ne vitin 1834 ishte ai i cili e detyroi Njegoshin që  tësajon një etni Serbe :Authori , Ljubomir Nenadovic . Profesori i Shkollës së madhe të Beogradit Vladimir K ,me 1887 shkruan: ”

Simo Matavulj në librin e tij “Bilješke jednog pisca” Beograd 1939, shkruan :”Serb jane quajtur vetem Orthodokset dhe i ishte vetëm vendi i perkatesisë fetare Orthodokse .”Mark Milani shkruan:” Fisi Kuqi u shkapërderdh sepse morrën ryshfet nga turqit për vetëtradhëtim si për shembull Lul Palpllumbi ,turk i fashtit Ledinë ; Pal Leka , latin i fshit Bankani; si dhe Punan Deda (Dedin)  serb i fshatit Berovë,Beqo Saviqev serb nga fshati LevaReka.. Që të katërtit kanë marrë pare me kapuç nga turqit” (Atdhetari Shkup)Serbit i është e rëndësishme të quhet i krishter dhe i krishter ortodoks dhe shkon aq largë sa që nuk e dallon fenë me kombësinë kështu që ai quan serb çdonjërin vetëm pse është ortodoks,( Serbija 1887)

Bëhet zberthimi ,latini pra katolik ,turku-musliman dhe serbi – ortodoks .pra që të katërtit të fisit Kuqi. Kurse Kuqët nuk ishin as latin as turq e as serb. Pra emri Serb ishte emër kyq vetëm për orthodokset e jo për përcaktim të një etnijeje , kemi mijëra të dhëna historike për kte  shkruante  Josef Holeček

Të shkojmë më tutje “Serv” në gjuhën e bizantine është një fjalë që do të thotë “rob” “tzerboulianous” do të thotë ata që veshin veshje të varfera , . Serbët kanë qenë të quajtur kështu për shkak se ata kanë qenë skllevër të perandoris bizantine. Serb dmth rob e thot edhe Ismail Kadare.

Dhe kjo është një tezë tjeter, per vertetesine e te ciles, une nuk kam dyshim. Serb do te thot rob, serve, sherbetor, skllav, servant. Vete emri i tyre, tregon qe nuk jane etni natyrore, por besimtare te grumbulluar rreth nje besimi te caktuar. ( Atdhetari Shkup)

“Vërtetë historia ka nevojë për dokumenta thot publicistiArben.Llalla .

, por në raste të caktuara ka nevojë edhe për logjikë të thjeshtë”.

Duke i analizuar edhe pikturat e kohërave të ndryshme të shpërnguljs së madhe ”Serbe” pra ortodokse shofim që Kosova u zbraz nga rreth 400 mijë shqiptar ortodoks. Paramendoni rritjen natyrale dhe llogaritni. E gjithë kjo falë turkut ,pardon Otomanëve.

Më duhet të shtoj se manipulimet historike vjedhje e paskrupullta të serbëve e ilustron edhe kjo” Libri Kosovo nekad i danas ( Kosova dikur e sot) grup aut. serb e shqiptarë bot. Beograd 1973 f. 416  e shkruar serbokr. e shqip shkruan: Graçanica e tashme gjindet në themelet e një kisheje më të vjetër, në të cilën ka qenë selia e ipeshkvisë së Lipjanit. Kisha e Graçanicës objekti më i vjetër i konstatuar është themeli i bazilikës tri pjesësh të Bizantit të hershëm Siç shkruan edhe ak. M. Krasniqi në librin Rrënjët tona etnike, Prishtinë, 2002 f. 219-220 Graçanica, Patrikana e Pejës, Levishka në Prizren etj. këto janë ndërtuar në kohën e sundimit bizantin para ardhjes së serbëve. …(Serbia i ka borxh Kosovës territor rreth dy Kosova (1804 – 1878)

Manipulimet e tyre kanë qenë aq të mëdhe sa që edhe n në ditët e sotit e kemi të vështirë t`i kundërvihemi. Aq më tepër kur edhe pseudo historianët që punojnë me udhëzime na e turbullojnë edhe më shumë mundësinë e sqarimit të plotë të një historijeje të vjedhur pa fije fytyre,

”Fatbardhësisht libri i Buxhovit “Kosova” e dekonstrukton një falsifikat serb rreth historisë së tyre nacionale e bashkë me të edhe të historisë sonë. I kam lexuar  të gjitha librat më të rëndësishme nga historiografia serbe qe nga haxhiografitë, si “Letopis popa Duklanina”, “Istoria Slavena” të Mario Orbinit (1601), “Istoria slovena Ilirika Gornje  Donje Mizije” te Gj. Brankoviqit, edhe librat e historianëve të tyre të parë Jovan Rajiqit, edhe S.Novakoviqit. S. Mijatoviqit, V.Gjorgjeviqit, J. Radonjiqit, K. Novakoviqit, A. Bogosavljeviqit, T. Stankoviqit, pastaj Fanulla Papazogllun, M. Budimirin, D. Bogdanoviqin e të tjerë dhe nuk ka asgjë tjetër pos një falsifikati të madh dhe përpjekjeve  për ta përvetësuar një falsifikim të huaj. As ka shtet mesjetar serb (në të gjitha librat shkojnë paralel Rashka dhe Serbia – nuk dihet se ku është realisht kjo e dyta), e Rashka gjithnjë gjendet te shtetet tribale, e as nuk ka kishë serbe. Aq më keq Serbia e tashme u bë  një territor ku serbët nuk ishin as 1/4 e popullësisë.( Ramadan Musliu)”

Eh ,hajni se jo mahi!

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, historik serb, mashtrimi i madh, Serbe, shperngulja e madhe

Artikujt e fundit

  • Shqipëtarët me besim të pakufishëm se Amerika se do të jetë miku ynë i përjetshëm
  • Eugene Pittard dhe kontributi i tij nё zbulimin e periudhёs sё Neolitit (7000-4500 p.Kr) nё Shqipёri
  • Argjentina një ëndërr e jetuar
  • “Kisha mesjetare e Shën Aleksandrit në Bokion (Pruell-Spiten): Historia dhe arkitektura”
  • 4 Korriku – Meteor i Demokracisë Botërore dhe Dritë Udhërrëfyese për Lirinë e Popujve
  • FEDERATA VATRA: AMERIKË, GËZUAR 4 KORRIKUN, 249 VJETORIN E PAVARËSISË
  • 10 arsye përse ne shqiptarët duhet të duam SHBA-në pa kushte
  • Jehona e Deklaratës së 4 Korrikut të vitit 1776 në SHBA dhe Shqipëria
  • Sotir Kolea, 4 shtator 1872 – 3 korrik 1945
  • Bajroni dhe dy këngë të Folklorit Shqiptar
  • Aty, ku fjala, kënga, vallja, lutjet, gëzimi e hidhërimi bëheshin vetëm shqip!
  • 7 Fakte Tronditëse Ujë me Akull ose me Temperaturë dhome
  • SHKOLLA VERORE SHQIPE NE KROACI, SELCE 2025
  • Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë Dr. Atdhe Hetemi priti në takim Dr. Elmi Berishën, kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, VATRA
  • Mësuesit e Shkollës Shqipe në Bavari

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT