Nga Minella Aleksi/
Një rastësi më ngjalli interesin për tu thelluar në temën e shumë diskutuar në dy dekadat e fundit mbi demistifikimin dhe nacional-komunizmin shqiptar. Kjo rastësi ka të bëj me bisedën që zhvilloi studjuesi A. Plasari në “Studio e hapur” datë 3 Nëntor 2017. Pyetjes së gazetares se cili ishte mendimi i tij mbi debatin për çmitizimin e simboleve kombëtare iu përgjigj: “Debati për çmitizimin nga filluar në një organ shtypi në vitin 1994 me titujt “Mbi debatet për Skënderbeun” me vijime, në një kohë që një debat i tillë nuk egzistonte. Ky debat është sajuar në epruvetë, është sajuar duke i veshur historisë së Skënderbeut realitete që nuk kanë të bëjnë me atë. Dhe këto mashtrime e trillime kanë ardhur duke u shtuar me qëllim për të manipuluar një opinion të caktuar publik. Këta topikë mund të jenë 12-15 të tillë. Çmitizimi i shërben destabilizimit dhe shpërbërjes së shtetit shqiptar”. Kjo ishte një ide që flinte te unë por që u zgjua nga një krahasim i gjetur shumë bukur prej A. Plasarit. Nga njëherë më dukej si egzagjerim por kur e dëgjova të shprehur si “punë epruvete” më ringjalli reagimin që më kish krijuar shumë kohë më parë.
Prandaj nuk mund të neglizhohet pyetja se, çfarë ka ndodhur në vitin 1994, në çfarë rrethanash dhe cilët janë ata që e kanë nisur këtë debat kur një i tillë nuk egzistonte? Në nëntor 1994 del numri i parë i revistës kulturore “Përpjekja” me botues F. Lubonjën. Paraqiten tre drejtimet kryesore rreth të cilave strukturohet kjo revistë e përtremuajshme. Në rubrikën e parë botohen shkrime që kanë të bëjnë me tema të aktualitetit, të cilat prekin shoqërinë postkomuniste shqiptare; rubrika e dytë synon një vjelje cilësore të prodhimit letrar bashkëkohor shqiptar, si edhe botimin e artikujve kritik mbi letërsinë; rubrika e tretë përfshin shkrime mbi historinë e Shqipërisë, që synojnë ta shohin historinë e vendit nëpërmjet një optike kritike, duke qenë, kësisoj, një alternativë e historisë “zyrtare” romantiko-nacionaliste me qëllim iniciativën e demistfikimit të miteve nacionaliste në kulturën shqiptare.
“Epruveta” e studjuesit A. Plasari më solli në kujtesë një artikull të gjatë të lexuar shumë kohë më parë. Fjala është për artikullin e studjuesit italian Costantino Marco të publikuar po në vitin 1994 (Shkurt)¹ me titull “Miti nacionalist në letërsinë shqipe nga De Rada te Kadare”. Studjuesi Costantino Marco ishte gjithashtu drejtues i “Marco Edittore” që po në vitin 1994 (Janar) boton në italisht dy librat fillimisht “Ditari i burgut” dhe më pas “Ridënimi” të autorit F. Lubonja. Besoj që lexuesi konstaton një dinamikë progresive datash që lidhen me këta dy emra. Costantino Marco me origjinë arbëreshe për pak kohë ka qënë lektor edhe në universitetin e Tiranës. Ndërkohë zv/drejtori i revistës “Lo Straniero” shkrimtari Alessandro Leogrande kishte çfaqur një interes të veçantë mbi disa shkrimtarë e studjues të rinj shqiptarë. Nën kujdesin e A. Leograndes në një artikull “Vendi përballë” dedikuar tërësisht Shqipërisë prezantohen disa shkrimtarë shqiptarë duke filluar me F. Lubonjën si një ish disident politik që shpjegon metamorfozën e ish bllokut në Tiranë, dhe një nga zërat më kritikë në periudhën pas komuniste. Pasohet ky prezantim me A. Vehbiun si një shkrimtar që me shumë vëmendje analizon nacionalizmin e rilindur shqiptar dhe raportet e Shqipërisë e të shqiptarëve me Europën, vazhdon pastaj me të ndjerin A. Klosi si një kritikë i rëndësishëm, përkthyes, organizator kulturor dhe militant ambjentalist shumë i angazhuar, R. Devole i angazhuar me trajtimin e emigracionit, etj.. Kuptohet që shtetet e mëdha që luajnë rol në historinë botërore shpenzojnë buxhete në nivel shtetëror dhe në nivel qarqesh të caktuara private për studime historiko-kulurore mbi popujt e vegjël më pak të zhvilluar dhe mbi bazën e këtyre studimeve ndërtojnë politika të caktuaraᵌ.
Studimi “Miti kombëtarist në letërsinë shqipe nga De Rada te Kadare” më kish mbetur në kujtesë mbasi më kishte lënë përshtypjen e një manifesti letraro-politik dhe që sëbashku me filmin “L’America” me regji të G. Amelio, të çfaqur për herë të parë në kinematë italiane po në vitin 1994 (shtator) përbënin qartazi një platformë me qëllime keq interpretuese për popullin dhe kulturën shqiptare. Po në vitin 1994 dhe në vazhdim më 1995 gazeta italiane “La Republica” që dukej një lloj kundërbalancuese e këtyre lloj publikimesh boton disa artikuj me opinione mbi Shqipërinë dhe shqiptarët (duke mos bërë interpretime e komente) dhe mes tyre dallon ai i 11 janarit 1995 i autorit Bernardo Valli ku theksohet se shkrimtari Kadare reagon me një qëndrim shumë të ashpër ndaj autorëve të filmit dhe e konsideroi atë një film që përçmon vendin dhe popullin e tij. Artikullshkruesi nënvizon se nobelisti Mario Vargas Llosa gjithashtu e akuzon regjizorin italian që i trajton shqiptarët si insekte. Ndërkohë në vazhdim autori italian sjell në vëmëndje të lexuesit se shkrimtari italian Alberto Moravia në mars 1990 kish pritur për vizitë shkrimtarin Kadare në shtëpinë e tij në Romë. Shkrimtari Moravia dihej që nuk bënte pjesë në rrethin e shkrimtarëve italianë admirues të regjimit fashist musolinian. Studimi i Costantino Marco që më ishte dukur si një manifest (20 faqe) përmban citime e referenca nga studjues shqiptar të viteve 60-80, si Dh. Shuteriqi, K. Bihiku, A. Pipa, K. Kodra, e ndonjë studjues arbëresh. Autori përqëndrohet më shumë te krijimtaria poetike e De Radës, te krijimtaria e D. Agollit, dhe te vepra e Kadaresë. Shkurt po sjell 2-3 pasazhe nga artikulli me 20 faqe. Studjuesi italian Marco thotë: “E veçanta e modernitetit të letërsisë shqiptare konsiston në auto proklamimin e statusit kulturor si proçes i identitetit kombëtar, dmth në krijimin e një letërsie që të jetë eksploruese e një arkeologjie nacional-popullore për të cilën shkrimtari vihet në rolin e profetit, interpretit dhe të atit shpirtëror të këtij modeli didaktik. Është e kuptueshme që shtysa etiko-politike të mund të inspironte një letërsi patriotike të spikatur (si Carducci në Itali e VVhitman në USA) por persistimi i saj në shekullin tonë përbën një nga treguesit e një intelektualiteti me prapambetje shumë të madhe kulturore që asnjëherë nuk ka mundur që tia dalë për të bërë llogaritë me traditën e vet ideale, pa pasur frikën e të qënurit e izoluar nga spiritualiteti i popullit shqiptar që tek e fundit përbën edhe fatin e intelektualëve dhe të kulturës kritike. Kur identiteti kombëtarist transformohet nga një inspirim romantik në një mjet ideologjik atëhere letërsia degradon në një manifest servil të nacionalizmit, sëmundja tipike ballkanike”. Mjafton të thuhet se letërsia e tij duke iu nënshtruar qëllimeve ideologjike është larg artit autentik dhe me kalimin e kohës do të theksohet madje si një eksperiment i shkëlqyer estetik që e bën letërsinë një instrument brilant ndihmës dhe servile të një projekti ideologjik nacionalist. Kadare evokon thelbine ideologjisë nacional-komuniste shqiptare: luftën e vazhdueshme kundër armiqve, etj..
Vazhdon: “E keqja e madhe që kanë provokuar në këtë rast, si diktatura e E. Hoxhës ashtu edhe letërsia e Kadaresë e ka emrin “Nacionalizëm” dhe mjekimi ose ilaçi në këtë rast është vetëm një kulturë e shëndetëshme lirie, diçka që De Radës nuk i përputhej me projektin e tij kulturor-historik dhe aq më shumë e kundërshtuar kultura e shëndetëshme në liri nga komunizmi totalitar shqiptar. Miti kombëtarist shqiptar që prej shekujsh endej konfuz në shpirtin popullor e që qartësisht u ringrit nga E. Koliqi në një instikt kambëtarist vazhdonte akoma të ishte “humusi” letrar i një kulture që nuk ishte çliruar nga komplekset historike të këtij populli anonim”. Marco nuk heziton që këtë studim ta pasuroj edhe me detaje që kanë të bëjnë me jetën personale të shkrimtarit. Kështu p.sh. shpjegon se: “Një shkrimtare shqiptare që ka qënë bashkëpunëtore shumë e afërt e shkrimtarit Kadare kur drejtonte “Le Lettres albanaises” më ka thënë se, edhe pse për shumë vite Kadare ka punur me atë shumë afër, bërryl më brryl, nuk pati asnjëherë vëmendjen që të lexonte një rrjesht të shkrimeve të saj apo aq më pak të bënte ndonjë koment mbi to”. Dhe vazhdon më tej me interpretim të këtij tipari të shkrimtarit. Nuk mungon gjithashtu që të theksoj ndonjë rrethanë tjetër shqetësuese që i ka përkitur familjes së shkrimtarit në kohën e diktaturës, etj..
Studjuesi Marco bën pyetjen: “Kur shkrimtari Kadare rikujton, iu referohet shpesh në veprën e tij grekëve dhe trojanëve përse ne të mos flasim për gjëra që kanë ndodhur 20 vjet më parë”?.
Mendoj se nuk do shumë mend që të kuptohet se kur në një studim me objekt tipare dhe fenomene letrare që i përkasin letërsisë së një populli ndërfuten paturpësisht thashetheme dhe çështje personale për shkrimtarin atëhere duket qartë që autori i studimit synon diskreditimin e shkrimtarit nëpërmjet koperturës së analizës letrare.
Në një intervistë² F. Lubonja shpjegon: “Në numrin e dytë të revistës “Përpjekja” e atakuam Kadarenë me një artikull të Costantino Marco”. Në revistën “Përpjekja” jo vetëm vendoset artikulli komplet i Marcos por në vazhdim idetë e tij ripërsëriten prej më të zellshmëve çmitizues në artikujt e revistës “Përpjekja”.
Në letërsinë shqipe fillesën e mitit nacionalist shqiptar C. Marco e gjente te vepra poetike e De Radës e krijuar 150 vjet më parë. E çuditëshme. Asnjëherë në historinë e tyre shqiptarët nuk kanë qënë mbretëri apo shtet i atij niveli që të ushqente ndjenja nacionaliste ndaj popujve fqinjë. Madje edhe epoka e ndritur e Skënderbeut ka qënë luftë për ti mbijetuar pushtimit osman. Shkurt “Nacionalizmi shqiptar” apo “shqiptaria” ishte thjeshtë patriotizëm për mbijetesë. Prandaj më duket pak i habitshëm ky merak i studjuesve italianë për simbolet kombëtare shqiptare, simbole që për vet shqiptarët janë shprehje krenarie mbijetese!! Bashkëkohësve në Tiranë u kujtohet mirë se në Janar 1991 Edi Rama, Ardian Klosi dhe Kasëm Trebeshina kishin filluar që të zhvillonin bisedat me temë Refleksione” të mbajtura te salla e ILA. Të interesuarit kujtojnë mirë se boshti i bisedave ishte qëndrimi kritik ndaj figurës së E. Hoxhës dhe më pas shikimi kritik i veprës letrare të shkrimtarit Kadare. Këtë e ilustron saktësisht intervista e K.Trebeshinës dhënë A. Klosit ditën e mbledhjes së parë të “Refleksione” 11 Janar 1991. Po ashtu edhe shënimet e dëshmitarit Mehmet Metaj nga ai takim.
Kur filluan “Refleksione” organizatorët nuk e kishin fare objekt të debateve figurën e Skënderbeut e aq më pak Nënë Terezën. Të influencuar shumë nga miku i tyre K.Trebeshina u fokusuan në vetëm këto dy figura, atë të E. Hoxhës dhe te vepra e shkrimtarit Kadare. Deri sa egzistuan si grup “refleksionistë” nuk përmendën ndonjëherë demistifikim të figurave të Skënderbeut apo të Nënë Terezës. Tre vitet Janar 1991- Shkurt 1994 kur u elaborua manifesti i C. Marco “Miti nacionalist nga De Rada te Kadare” ishin vitet e inkubacionit të tezës së “çmitizimit” nga studjuesit italianë dhe parapërgatitje për gjetjen e bashkëpunëtorëve shqiptarë..
Në revistën “Përpjekja” 1994 u prezantua filizi i tezës së demistifikimit jo vetëm të E. Hoxhës dhe çkurorëzimi i veprës së Kadaresë por tashmë edhe i figurës së Skënderbeut dhe të Nënë Terezës.
Me një sens humori keqardhës më vjen të them që Skënderbeu dhe Nënë Tereza si mite që duhen demistifikuar janë “viktima të mitit” të shkrimtarit Kadare që vazhdoi dhe vazhdon të jetë shkrimtari më i rëndësishëm shqiptar. Skënderbeu dhe Nënë Tereza u projektuan si “viktima” ngaqë “çmitizuesit” jashtë e brenda vendit donin që të dukeshin parimor në këtë ndërmarrje historike, të dukeshin që nuk bënin dallime në gjykimin e figurave simbole kombëtare. Të dukeshin se nuk kishin vetëm hallin e çkurorëzimit të veprës së Kadaresë e të atij vet si individ, por se ishin principet e larta të objektivitetit historik ato që i shtynin për të rivlerësuar simbolet kombëtare. Po përse kaq cmirë dhe agresivitet ndaj shkrimtarit më të rëndësishëm të letërsisë shqipe? Jemi në vitet 70-80 kur romani i shumë përmendur “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i botuar tashmë në disa vënde të Ballkanit e në Paris nuk po gjente terren të ngrohtë botimi në Itali.
Vonimi i botimit të tij në Itali shpjegohej me një qëndrim jo pajtues e mirëkuptues të disa qarqeve të caktuara të elitës kulturore italiane ndaj mënyrës së trajtimit në roman të imazhit të ushtrisë fashiste italiane gjatë pushtimit të Shqipërisë. Atmosfera politiko-kulturoe italiane në vitet 60-70 dominohej nga e djathta demokristiane. Një e Djathtë që përmbante brenda saj ekstreme konservatore e aq më tepër shumë e ndjeshme ndaj Ateizmit të Shqipërisë komuniste.
Qarqe të caktuara kulturore-politike italiane ndjeheshin të sfiduar nga një shkrimtar i një vendi që ishte më i varfëri dhe më i fundit kulturalisht, thënë ndryshe nuk ushqenin ndonjë fije respekti. Në roman bëhej fjalë për pushtimin e një vendi me një popullsi 1.5 milion banorë nga një vend me 44.5 milionë banorë. Njëzet vjet kishin kaluar nga fundi i luftës kur plagët dhe tmerret e saj ishin akoma shumë të freskëta. E megjithatë në Italinë e elitave gjeje grupime politiko-kulturore që të flisnin me krenari për ato arritje të mrekullueshme të realizuara në kohën e Musolinit sidomos në ndërtimin e rrugëve nga veriu në jug dhe ndërtesat me arkitekturë mbresëlënëse në qytetet kryesore italiane. Duket që brenda vendit të tyre e dënonin me rezerva fashizmin ndërsa në raport me një vend të vogël fqinj e kishin shumë të vështirë që të pajtoheshin me mënyrën groteske dhe përçmuese që i bëhej elitës fashiste e mbështetësve të saj në një roman antifashist. Barbaria fashiste diskreditohet me përshkrime jashtëzakonisht të forta. Shkrimtari përdor të vetmin mjet që ka në zotërim, forcën e talentit artistik ku me magjinë e fjalës e trajton fashizmin italian në mënyrë sa ironike edhe groteske që brenda dy dhjetëvjeçarëve në mënyrë të turpëshme ishte hedhur në det nga një popull i vogël martir.
Kadare vlerëson në libër kulturën dhe historinë e popullit italian të cilat janë në themelet e Europës demokratike dhe pavarësisht që mundohet ta ndajë aq sa mund të ndahet italiani i thjeshtë nga fashisti prapëseprapë nuk duhet të harrojmë se të gjithë ata kriminelë fashistë që kishin bërë ato krime kishin folur italisht. Njëlloj kishin folur italisht kur kishin bërë masakrat akoma më të tëmerrshme në Domenikon dhe Qefaloni të Greqisë. Duhet të pranojmë se shkrimtari i kishte prekur aty ku u dhimbte më shumë. Ashtu si e meritonin për atë që i kishin bërë vendit dhe popullit të tij.
Botimi i romanit në gjuhët dhe vendet kryesore të Europës, përkrahja e madhe që vinte indirekt për shkrimtarin nga këto botime ishte një lloj trysnie e prekshme që e vinte elitën e kulturës italiane në një situatë komplekse që nuk e nderonte në sytë e kulturës europiane. Romani përbënte një rast unikal. As grekët që kishin eksperiencën e dhimbëshme të disa masakrave e që mund ta bënin nuk e kishin shkruar një roman të tillë, kurse për abisinasit as që mund të pretendohej një gjë e tillë. Sidoqoftë erdhi koha që elita kulturorë italiane u dorëzua përpara vlerave të këtij romani që u botua nga “Longanesi” në vitin 1982.. Megjithatë edhe pse me kalimin e kohës kishte një mirëkuptim e ndryshim mentaliteti prapëseprapë nuk ishte e qetë sedra e atyre që vazhdonin të ishin të lënduar nga romani.
Drama e eksodeve shqiptare të përsëritura rizgjuan në qarqe të caktuara politiko-kulturore italiane ndjenjën e fjetur të revanshit, të larjes së hesapeve ndaj autorit të “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”. Kultura shqiptare ishte në mëshirë të vullneteve herë dashakeqe e herë indiferente të vet shqiptarëve. Në Italinë fqinje u vunë në lëvizje njerëz që si kundër përgjigje ndaj autorit të romanit të propagandonin në median e shkruar italiane idenë e paraqitjes së shqiptarëve si një komunitet njerëzish të pa denjë për të qënë pjesë e Europës. Koha tregoi se nën nxitjen e atij reaksioni të madh që kishte shkaktuar romani i Kadaresë ishin studjues kryesisht arbëresh shqipfolës që praktikonin studimin e kulturës e letërsisë shqipe në universitetet e Palermos, Napolit, Kozencës e të Romës baza kulturore e elaborimit të projektit çmitizues antishqiptar. E menduar hollë platforma e tyre synonte që denigrimi dhe poshtërimi kulturor i shqiptarëve të mund të realizohej jo vetëm nga studjues italianë por më e rëndësishmja ishte që të bëhej nëpërmjet ideve të thëna prej, dhe shkrimeve të autorëve shqiptarë. Studjuesit diabolikë italianë e nuhatën shpejt gjahun dhe nuk gabuan në shfrytëzimin e disa shkrimtarëve me talent të kufizuar që e filluan karierën letrare si të tillë por mbetën rrugës si ata që i lënë forcat disa kilometër pasi kanë nisur maratonën. Ishin nga ata që nuk ke novojë që ti kërkosh sepse të afrohen dhe të gjejnë vet duke u vënë në shërbim me vullnet e zell shërbëtori për përfitime personale. Njeri tjetrin e gjetën njëlloj si gjejnë mizat mjaltin. Duhet mbajtur mirë parasysh se xhelozia, cmira, egoja e pakufizuar, uria dhe varfëria bëjnë gjëra shumë më të mëdha sesa goditja e një shkrimtari si Kadare.
Këtu vlen të theksohet ajo që ndodhi në Tiranën e viteve 90-95 me disa shkrimtarë e studjues relativisht të rinj të cilët kërkonin me ngulm që të afirmoheshin nëpërmjet kontakteve dhe sidomos botimeve në vëndet perëndimore. Shfrytëzuan linjat e studjuesve në universitet që thamë më sipër. Ndonjëri gjëndej atje në bazë të marrëveshjeve ndërshtetërore për kualifikim pasuniversitar. Këta për të cilët flasim ishin kryesisht fëmijë të ish prindërve komunistë në hierarkinë e lartë komuniste, me mundësira mësimi të gjuhëve të huaja dhe që kishin provuar por pa sukses që të afirmoheshin si shkrimtarë të njohur. Përmendëm më sipër botimin e revistës “Përpjekja” në nëntor 1994 e cila u bë fidanishtja kulturore ku autorët më të shpeshtë me temat mbi platformën çmitizuese të trajtuara në mënyrë identike sipas manifestit të Costantino Marco ishin F. Lubonja, A. Klosi, A. Puto, A. Vehbiu. N.Clayer, C. Marco, R. Elsie, E. Sulstarova. R. Devole, etj.. Idetë e manifestit çmitizues të C. Marco, F. Lubonja i ripërsërit si plagjiaturë, me besnikëri shëmbullore në çdo intervistë që jep për revistat e mësipërme italiane apo dhe në tavolina ku diskutohen të tilla tema kulturore deri edhe së fundi te emisioni “Të Paekspozuarit”.
I ndjeri Robert Elsie shumë i entusiazmuar me rastin e botimit të parë në anglisht (1997) të një numri të revistës “Përpjekja” jep shpjegime mbi kontribuesit kryesorë nga fusha e letërsisë, historisë dhe politikës, disa prejt tyre emigrant në vende të ndryshme. Ai përmend midis tyre E. Rama në Francë, B. Shehu në Barcelonë, A. Klosi në Mynih, R. Qosja dhe Sh. Maliqi në Prishtinë, C. Marco në Kalabri, F. Nazi në Nju Jork dhe natyrisht F. Lubonja vet. Madje në këtë botim anglisht përmend si më të rëndësishme esenë e F. Lubonjës “Për një shpirt kritik” dhe esenë “Një ndryshim kontrovers” me bashkëautor Costantino Marco, B. Shehu dhe F. Lubonja, mbi rolin e I. Kadaresë si shkrimtari më i rëndësishëm i vendit.
Bashkëpunëtorve shqiptarë studjuesit italianë ua hapën oreksin e botimit, ndërkohë që ua bën të qartë detyrimin ndaj mirëbërësve. Ishte pak a shumë një lloj kontrate kleringu. “Çmitizuesit” do botoheshin në revistat e tyre disa gjuhëshe, do bëheshin të njohur aq sa duhej në sfera të caktuara të kulturës italiane, dhe pas kësaj njohjeje nuk do mungonte edhe ndonjë çmim letrar. Çmim që realisht nuk i përkiste cilësisë artistike të shkrimeve të tyre por i përkiste antishqiptarizmit, hakmarrjes që u zjente në shpirt ndaj shkrimtarit më të rëndësishëm. E shkëmbyen si “klering” integritetin e tyre moral në dëm të vlerave kombëtare shqiptare. U entusiazmuan sepse filluan të shikojnë që për ata si brez i shkrimtarëve të rinj në liri po shkruanin disa revista italiane, u botohej ndonjë ese me temë mbi kulturën e historinë në komunizëm dhe mentalitetet e prapambetura shqiptare, etj.. Unë sigurisht i kuptoj dhe e konsideroj të drejtë dëshirën dhe përpjekjet e këtyre shkrimtarëve për afirmim brenda e jashtë vendit deri në momentin kur ajo nuk cënon të drejtat e dikujt tjetër. U përzgjodh dhe u fut në proçes fabrikimi i personalitetit disident të F. Lubonjës nën patronatin e “Marco Editore” disagjuhëshe. U duhej patjetër një shkrimtar që të kish qënë në burg si kundërpeshë e shkrimtarit Kadare. Kishin hequr dorë nga shkrimtari Trebeshina si i pa përshtatshëm për misionin e tyre. Trebeshina e kish shkruajtur me dorën e tij që kishte qënë vrasës. Kjo përbënte “ekzemën” e tij morale.I kundërti i tij shkrimtari i talentuar Petro Marko nuk mund të ishte pjesë e kësaj loje sepse ishte patriot me personalitet të pa lëkundur. Lubonja u përzgjodh për shkak të disa cilësive: mjaftueshëm inteligjent për të ndërmarë dhe kurorëzuar këtë mision, ish i dënuar që më vonë u kthye mirëfilli në kundërshtar politik, me një rreth miqsh mbështetësish në këtë mision, i etur për afirmim si shkrimtar dhe protagonist i rëndësishëm i kulturës moderne shqiptare. Shkurt një V. Havel në miniature, personalitet çek të cilin e përmend shpesh në intervistat e tij me të huajt. Në këtë mënyrë do të ishte i denjë për të eklipsuar shkrimtarin më të rëndësishëm shqiptar të cilin nuk mund ta lejonin, nuk mund ta duronin dot më që të ishte i tillë në të dyja kohët, të kaluarën dhe të renë. Nuk ia thoshin dot vetes se:fatkeqësia e tyre qëndronte te talenti i jashtëzakonshëm i Kadaresë, nuk qëndronte te Ismaili. “Ishim ne bijtë e elitës së Tiranës dhe nga ana tjetër ishte gjithë masa e të rinjve që vinin në shkollën e lartë nga fshtrat dhe hynin në parti si shërbëtorë të verbër e besnikë të saj, të vetëdijshëm se partia ishte e vetmja mundësi për të ecur përpara në shoqëri” thotë F. Lubonja në intervistën e botuar si libër më 2004 nën kujdesin e Claudia Bazochi. “Çmitizimi” u bë kauza e jetës së F. Lubonjës, kauza që i siguronte dhe po i siguron “Protagonizëm”.
Idetë dhe interpretimet e studjuesve Costantino Marco e Alessandro Leogrande fillojmë ti shikojmë të riprodhuara identike e të shtjelluara më gjerë dhe me më shumë agresivitet në revistën “Përpjekja” e në shtypin shqiptar e me po aq forcë në vitet e mëvonëshme në TV private të Tiranës. Në këtë mënyrë italianët e mbollën farën e çmitizimit duke qënë të sigurtë se kujdesin e mëvonshëm të bimës do e merrnin nën kujdes mercenarët shqiptarë. Tezën e “çmitizimit” e kemi “peshqesh” nga Costantino Marco dhe bashkëpunëtorët e tij itlianë si ideatorët original të saj. Këtë meritë duhet tua njohim. “Aliazhi Njerëzor” ishte një bashkëpunim perfekt italo-shqiptar. Klani shqiptar çmitizues e importoi me zell tezën nga italianët dhe e interpretoi me mjeshtëri në shtypin shqiptar. Brezat që jetuan diktaturën e kanë të lehtë që të bëjnë ngjashmërinë me “peshqeshin” e tezave të Kominternit të cilat u zbatuan me zell nga komunistët shqiptarët. “Prandaj studjuesi A. Plasari deklaron që teza e çmitizimit është një krijesë në epruvetë për një debat që nuk egzistonte më parë. Mendoj se në këtë histori ka vlerë të theksohet një aspekt i veçantë. Në ambjentet e kulturës tiranase dihet që studjuesi A. Plasari ka qënë në raporte miqësore me disa nga figurat promovuese të çmitizimit. Nuk kam dyshim se kur është njohur me këtë tezë dhe e ka analizuar mirë duke kuptuar dhe rëndësinë e prapavijës burimore të saj me siguri i ka thënë vetes, stop. Prit pak se këtu nuk është halli i dënimit të diktaturës dhe të figurës së E. Hoxhës. Kjo platformë e kalon këtë qëllim dhe kapërcen në një sjellje antishqiptare. Ky konkluzion ka sjell shkëputjen e tij nga 12-15 topikët, mbështetësit e tezës së çmitizimit. Mendoj se mbi këtë logjikë argumentesh iu largua edhe E. Rama “çmitizuesve”. Besoj se mbahet mend debati i zhvilluar në Tiranë mbi shprehjen “Jashtëqitje e kombit” që studjuesi A. Vehbiu sëbashku me shkrimtarin italian A. Leogrande të “Lo Straniero” e futën në një botim në “Lettera Internazionale” si thënie e bërë nga shkrimtari Kadare. Mendoj se naivët mund të pranojnë që revista ‘Lettera Internazionale” ishte apasionuar mbas një shkrimtari të rëndomtë shqiptar e që kërkonin që ti botonin një ese me me kontrabandën e “jashtëqitjen” brenda. Bllofe të tilla të pa skrupullta nga të dy anët e Adriatikut mund të bëjnë vetëm mashtruesit si dyshja Leogrande-Vehbiu. A. Vehbiu ishte bashkëpunëtori më aktiv i Klanit Lubonja-Marco në revistën “Përpjekja” me mision që të përhapte sa të mundëte shpifjen ndaj shkrimtarit Kadare. Kishte disa vjet që këtë mashtrim të “jashtëqitjes..” A. Vehbiu e qarkullonte kudo ku mundëte duke e ngatërruar veten në një labirint hamendësirash mashtruesish. U bë aq qesharak me alibinë e përkthyesit fantazmë Aldo Doda (alias A. Vehbiu) sa, i turpëruar publikisht bordi i revistës me siguri ka vendosur një flamurëz të kuq mbi emrin e tij. Se keqardhëse është por nuk ia kemi lexuar më emrin në ndonjë botim të asaj reviste. Në bisedë me një shkrimtare shqiptare që jeton jashtë e boton në italisht i kërkova mendim mbi shkrimtarët italianë që kanë elaboruar tezën çmitizuese. Me argumentat që më dha erdhëm në emëruesin e përbashkët që ata janë homologët e shkrimtarëve shqiptarë A. Vehbiu, B. Shehu, E. Hatibi, F. Açka, M. Meksi, etj., të cilëve po nuk ua the në sy që janë të dobët si shkrimtarë zor se ndonjëherë do bëhen esëll për të pasur një autogjykim realist. “Unin” vetvlerëses iluziv ua ka ushqyer me tepri edhe Qeveria e majtë nëpërmjet Ministres së kulturës M. Kumbaro (si pjesë e elitës tiranase) me lehtësirat në hije që kanë favorizuar dhënie çmimesh letrare të pa merituara. Ministria Kumbaro madje me gëzim nxiton që të na bëj të ditur se si e ka përkthyer në frëngjisht Trebeshinën. Imagjinoj nivelin e shkallës së të kuptuarit të kësaj përkthyeseje dhe ministreje. Imagjinoni një shkrimtar hungarez që të arrinte të shkruante për Janosh Huniadin liderin ushtark-politik të hungarezëve, bashkëkohës i Skënderbeur, si vjedhës kuajsh e hajdut karvanesh, rebeli i pabesë, brigand që luftonte për interesat e familjes së tij,njeri me cilësitë më të këqia të racës shqiptare, etj, ashtu si është shprehur shkrimtari K. Trebeshina për Skënderbeun. Me siguri që nga hungarezët do ishte përbuzur dhe ndëshkuar moralisht në mënyrën më shembullore. Ndërsa në Shqipëri Trebeshina nderohet e vlerësohet. Futet në tekstet mësimore dhe me sa kam dijeni autori I këtyre teksteve e ka futur në antologjinë e letërsisë kundër dëshirës së tij, me urdhër nga lart, përndryshe nuk i miratohej teksti nga Ministria.
Do sjell edhe një të dhënë interesante që e përcjell autorja V. Bekteshi në romanin e saj “Ora me rërë”. Zonja Vera ka bërë pjesë në rrethin miqësor të asaj që F. Lubonja e quan “elita e Tiranës” dhe që është njohëse shumë e mirë e studjuesve dhe publicistëve për të cilët flasim. Në gojën e personazheve ajo vendos këtë mesazh: “Viktor, ti përfshihesh në sulme personale. Nuk mund të jesh njëkohësisht çmitizues dhe intolerant, sepse së pari duhet të çmitizosh idhujt e tu. Duhet të ndahemi nga mitet e rrema, jo nga të gjitha mitet”. “Nadia nuk bie kurdoherë në një mendim me Viktorin, sidomos në qasjen ndaj disa figurave kombëtare, apo ndërkombëtare të rëndësishme apo në kritikat e ndryshme të Viktorit, që, nganjëherë duket sikur është kundër gjithëçkaje dhe kundër të gjithëve”.
Studjuesin A. Plasari që e përcaktoi mjaft saktë si të krijuar në epruvetë tezën e çmitizimit e që sigurisht e njeh shumë më të plotë mekanizmin e kësaj historie do e ftoja që ta bënte të ditur për lexuesit. Me të dhënat që disponon ai do e plotësonte çdo kutizë të këtij fjalëkryqi të helmët të kulturës e të shqoqërisë shqiptare në këto 25 vjetët e fundit. Për vetëm një arsye: Të mësohet e plotë e vërteta ku çdonjëri të ketë pjesën e tij. Kjo histori është ilustrimi më bindës mbi vërtetësinë e shprehjes: “Sa të veshi këpucët “E Vërteta”, “Gënjeshtra” i ka ardhur botës vërdallë”.
1. Revista “L’Altra Europa”, 2.“Nga Burgjet e E. Hoxhës në lirinë e xhunglës”. 3. “Osservatorio balcani e caucaso transeuropa” dhe “Lettera Internazionel” me orientim drejt njohjes dhe promovimit të kulturës dhe historisë së vendeve të Europës lindore.