28 tetor 2021
Mbledhje virtual
Mbledhja V e Komitetit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës u mbajt më 28 tetor 2021, në format virtual. Fjalën e hapjes e mbajti Sh.T. z. Besnik Bislimi, Zëvendëskryeministër i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Qeveria e Kosovës, dhe z. Vassilis Maragos, Shef i Njësisë për Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Kosovën në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit. Mbledhje u kryesua nga ky i fundit dhe z. Artan Çollaku, Drejtor i Zyrës së Koordinimit të Procesit të Stabilizim-Asociimit në Zyrën e Kryeministrit, Qeveria e Kosovës.
Komiteti i Stabilizim-Asociimit diskutoi zhvillimet më të fundit kryesore politike dhe vlerësoi gjendjen në lidhje me kriteret politike dhe ekonomike, përafrimin me acquis dhe standardet e BE-së, bashkëpunimin financiar, si dhe zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA).
Në mbledhje u vlerësua dhe u miratuan rezultatet e mbledhjeve të shtatë nënkomiteteve dhe një grupi të veçantë, të mbajtura gjatë vitit të kaluar. Gjatë gjithë diskutimeve u vlerësuan përparimet në fushat relevante për Agjendën për Reforma Evropiane dhe Programin për Reforma në Ekonomi, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm si udhërrëfyes i përpjekjeve të Kosovës për reforma dhe zbatimin e MSA-së. Në mbledhje u diskutua për prioritetet e reformave në një sërë fushash, përfshirë sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave themelore, reformën e administratës publike, konkurrencën dhe klimën e investimeve, si dhe punësimin dhe arsimin.
Komisioni Evropian mirëpriti faktin që Qeveria e Kosovës, e zgjedhur në mars 2021, ka konfirmuar përkushtimin strategjik të Kosovës në rrugën e saj evropiane dhe ka bërë të mundur rifillimin e dialogut të lehtësuar nga BE me Serbinë.
Komisioni Evropian përshëndeti hapat e Qeverisë për rigjallërimin e proceseve të reformave, përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe në lidhje me rimëkëmbjen nga pandemia COVID-19, dhe nënvizoi rëndësinë që këto hapa të shkojnë deri në fund. Komisioni përshëndeti në veçanti nisjen e fazës së dytë të Agjendës për Reformave Evropiane (ERA) dhe miratimin e Planit përkatës të Veprimit, dhe inkurajoi zbatimin efektiv të tyre. Në këtë frymë, Komisioni nënvizoi gatishmërinë e BE-së që të vazhdojë me ofrimin e këshillave për të shmangur papajtueshmëritë me standardet dhe acquis të BE-së në përpjekjet e Qeverisë për reforma. Komisioni inkurajoi Qeverinë që të punojë së bashku me të gjitha partitë politike në Kuvend, përfshirë edhe ato nga opozita, në mënyrë që të forcojë më tej konsensusin politik për vendimet që kanë të bëjnë me zbatimin e MSA-së dhe Agjendës për Reforma Evropiane, si dhe lidhur me Dialogun Beograd-Prishtinë.
Në mbledhje u nënvizua rëndësia e përafrimit me standardet e mira të BE-së në fusha përkatëse, veçanërisht në sundimin e ligjit, reformën e administratës publike, zhvillimin ekonomik, tregun e brendshëm, arsimin, energjinë dhe mjedisin. Komisioni përsëriti rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit makro-financiar.
Palët mirëpresin të diskutojnë më tej përparimet e bëra në këto fusha kyçe gjatë Këshillit të ardhshëm të Stabilizim-Asociimit.