Më 9 nëntor 1917 u vra Themistokli Gërmenji, atdhetari dhe komandanti i çetave kryengritëse çlirimtare shqiptare. Rrethanat e arrestimit, gjyqi dhe ekzekutimi i tij, ishin dhe mbetën një mister. Pavarësisht teorive, të vërtetave të pretenduara, atyre që referohen asaj kohe, vrasja e tij ishte dhe mbeti një njollë e errët padrejtësie. Këtë e vërteton më së miri letra që ai i dërgon të shoqes ku e bën me dije se është i pafajshëm.
Dikush e shiti dhe dikush e bleu kokën e tij. Por ajo që mbeti nga vepra dhe përpjekjet e tij prej atdhetari, as nuk u shitën dhe as nuk u blenë, por mbeten një faqe në historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve, një dëshmi e pakontestueshme e vlerave dhe atributeve që emri dhe akti i tij prej mëmëdhetari skaliti në kujtesë.
Para pushkatimit Themistokliu shfaqi tri dëshira të padëgjuara ndonjëherë:
1. Te vishem me kostum kombëtar shqiptar.
2. Të mos me lidhni sytë.
3. Komandën për zjarr e jap unë.
Pushkatohet nga një togë franceze pas shpalljes fajtor nga gjyqi ushtarak për kontaktet që kish pasur me autoritetet austro-bullgare në Pogradec para marrëveshjes me francezët, më dt. 9 dhjetor 1917. I shkruan të shoqes:
“E dashura ime Evdhoksi,
Rashë dëshmor i çpifjeve. Me qenë se unë nuku kthenem në Korçë dhe më s’jam për shtëpi, tinë ke të drejt të martohesh, po për martesën tënde të këshillohesh me Pandelinë e Tsalit, i cili ka për detyrë, si atdhetar që është, të mos të të lërë të vuash. Nënës i puth dorën. Vasilin dhe Efçën i puth me mall sytë. Dijeni që vdes i pafajshëm. Kërkoj ndjesë nga të gjithë atdhetarët, në qoftë se kam bërë ndonjë të ligë pa dashur.
Rroftë Shqipëria nën mbrojtjen e Francës.
Shoqi yt, Themistokli Gërmenji, Selanik 9, 11, 1917.
Adresa Evdhoksi Th. Gërmenji, Në Korçë, Shqipëri
Themistokli Gërmenji u lindi në Korçë në një familje me origjinë nga fshati i Gërmenjit, i biri i Thanasit dhe Katarina. I ati qe themelues i lëvizjes “Shoqëria e Zezë për Shpëtim”, e për shkak të veprimtarisë së tij u vra në Thrakë. Më 1892 mërgon për në Rumani bashkë me vëllanë, Telemakun. U kthyen në atdhe pas nëntë viteve, dhe u vendosën në qendrën e vilajetit, Manastir. Aty hapën hotelin “Liria” në fillim të vitit 1908, veç dhomave për të fjetur, kishte një restorant, një sallë të madhe për konferenca dhe një bibliotekë që mund ta shfrytëzonin të gjithë. Në një dhomë të fshehtë ndodhej shtypi kombëtar: libra, gazeta dhe revista të shtypura në gjuhën shqipe në Sofje, Bukuresht, Boston e gjetkë. Qe pikë mbledhjeje për rininë shqiptare që shkollohej atëkohë në qytet. Ndihmoi për organizimin e Kongresit të Manastirit, që u mbajt në hotelin e tij. Në fillim të prillit të vitit 1911, Th. Gërmenji shkoi në Sofje, ku e priti Nikollë Ivanaj.
Gjatë kohëve të Luftës Ballkanike përpiqet me Ismail Kemal bej Vlorën dhe emërohet nënprefekt në Skrapar. Me ardhjen e Princ Vidit është shef policie në Korçë deri që me ardhjen e grekëve shtrëngohet të dalë në Bullgari. Me vrasjen e të vëllasë, Telemakut, do kujdesej për rritjen e të birit, Vasilit. Vjeshtën e vitit 1916 gjendet në Pogradec në lidhni me autoritetet bullgare dhe shërbimin e kundërzbulimit austro-hungarez. I ndërgjegjshëm për synimet bullgare dhe duke parë krahinën e Korçës që përjetonte përleshje mes çetave të Sali Butkës dhe trupave paraushtarake venizeliste, i propozon francezëve për vendosjen e një administrate shqiptare. Më dt. 8 dhjetor 1916 në krye të dy-treqind vetëve hyn në Korçën e spastruar prej grekëve nga prania franceze dhe ndërmerr formimin e një këshilli administrativ dhe u shpall formimi i Republikës Shqiptare të Korçës më 10 dhjetor me bekimin e Henri Deskuen kom. i garnizonit francez në qytet.
Sipas protokollit të 10 dhjetorit, qyteti i Korçës, Bilishti, Kolonja, Opari dhe Gora, formonin një krahinë “autonome”, që do të administrohej nga shqiptarët, nën mbrojtjen e autoriteteve franceze. Krahina do të administrohej nga një këshill administrativ, i përbërë prej katërmbëdhjetë vetash, i cili do të kishte edhe xhandarmëri për të mbajtur rregullin. Gjuha zyrtare në kërkesa, ankesa e kontrata, do të ishte shqipja dhe flamuri i Krahinës “autonome”, ai shqiptar, me një shirit të trengjyrëshit francez. Si u bënë këto biseda, të cilat u përkthyen nga dr. Noke, protokolli u firmos nga të dyja palët. Pastaj, Themistokliu doli në ballkon dhe ngriti flamurin. Ushtria franceze i rrinte për nder flamurit, kurse populli thërriste me gëzim: – Rroftë Shqipëria !
Krahina “autonome” e Korçës, pati rëndësi të madhe dhe ishte sukses i shënuar, i forcave patriotike shqiptare. Ajo, megjithëse pati autonomi të kufizuar, arriti të sigurojë mjaft të drejta për popullin, të krijojë kushte qetësie dhe zhvillimi ekonomik, si dhe të paralizojë veprimtarinë shoviniste greke, në Shqipërinë e Jugut.
Por gjatë vitit 1917 edhe Qeveria venizeliste ishte forcuar. Ushtria e saj ishte shtuar dhe kishte filluar te peshonte rëndë, prandaj Venizelua kishte filluar të lozte me intrigat e tij kundra Republikës, të cilën e kishte halë në sy dhe e shihte si një pengesë serioze për realizimin e aspiratave të tij mbi Korçën.
Sureteja franceze (sigurimi) administrohej nga vellezëria Galvani. Këta filluan intrigat kundër Themistokliut duke shfrytëzuar mërinë dhe pakënaqësine që kishin kundër tij disa persona me influencë në Korçë. Ky grup i të pakënaqurve kryesohej nga bejlerët e Dishnicës. Këta organizuan disa mbledhje të fshehta, ku edhe u përgatit një peticion kundër Themistokliut, i cili akuzohesh si njeri që mbante marrëveshje të fshehta me kundershtarin. Komploti u përgatit si duhet. Mbasi u muar gjithashtu edhe pëlqimi i gjeneral Sarailit. Në tetor 1917, një mbrëmje, një kamion solli disa oficerë të sigurmit nga Follorina në Korçë, të cilët u drejtuan për në shtepinë e Themistokliut dhe e ftuan këtë për në Selanik, ku gjoja e thirrte gjeneral Saraili. Themistokliu kishte kohë të fshihej dhe të arratisej, e të mos u dorëzohej atyre që kishin ardhur ta arrestonin, por duke e ditur vehten te pafajshëm, e duke patur besim në drejtësinë franceze, u dorëzua dhe u nis bashke me ta për në Selanik. Atje, brenda tri katër ditëve u nxuar para gjyqit ushtarak duke u akuzuar për aktivitetin qa ai kishte zhvilluar në favor të shërbimit informativ austro-bullgar, kur ndodhej në Pogradec, para marrëveshjes me francezët. Themistokliu nuk e mohoi këtë aktivitet. Ai insistoi duke thënë se pas marrëveshjes kish vepruar besnikërisht dhe si një aleat i vërtetë me francezet dhe kërkoi që të mos merrej para sysh veprimtaria e tij para marrëveshjes. Gjykata ushtarake nuk i përfilli justifikimet dhe e deklaroi fajtor për aktivitetin e tij te mëparshëm, duke e dënuar me vdekje. Mbasi dënimi u aprovua nga gjeneral Saraili, i cili ushtronte te drejtën e Presidentit te Republikës Franceze, Themistokliu u pushkatua në Selanik padrejtësisht dhe tradhëtisht. Populli i Korçës dhe veçanërisht shoket e Themistokliut ishin të shqetësuar për fatin e tij. Në mëngjes kur pritnin ndonjë lajm mbi fatin e tij, panë që shëtitnin nëpër rrugët e qytetit patrulla të shumta franceze, te cilat kishin vënë nëpër dritaret mitralozë. Ne orën 9 të asaj ditë, u thirren nga ana e gjeneralit francez, pjestarët e Këshillit Qeveritar. Gjeneral Sali ishte një person i ashpër e gjysmeanormal, mbasi kishte humbur në luftë pesë djem. Pra, me brutalitetin e tij që e karakterizont,e i njoftoi këshillit qeveritar pushkatimin e Themistokli Gërmenjit dhe i kërcënoi ata, se në rast te ndonjë manifestimi, kishin për t’u marrë masa të rrepta. Gjithashtu i porositi që të këshillonin popullin të mbante gjakftohtësinë dhe të qëndronte i urtë. Sigurisht nuk ngjau asgjë.
Rilindasi i shquar Themistokli Gërmenji
Themistokli Gërmenji u ekzekutua në Selanik të Greqisë më 9 Nëntor 1917 me vendim të një gjykate ushtarake franceze. Në atë kohë u miratua “Protokolli i Republikës së Korçës”, i cili pati vetëm një vit jetë, por edhe me kaq pak kohë kjo periudhë do të linte gjurmë të mëdha në jetën e kazasë së Korçës. Me vrasjen e Themistokliut kish ndryshuar edhe qëndrimi politik i Francës. Qe atë ditë u shpall mosekzistenca e Republikës se Korçës. Emri i Republikës u ndërrua në emrin e kazave-qeveritare e Korçës. Këshilli qeveritar u suprimua dhe mori emrin e Këshillit te Parësisë (Conseil del notables). Ky këshill u formua nga persona të tjerë me konservatorë. Kompetencat e këshillit u kufizuan.
Lufta ballkanike dhe “Lufta e Madhe” përfundon në vitin 1918. Më 20 Maj 1920, Parisi vendosi që trupat franceze të lënë kazanë e Korçës deri në 28 maj kur filloi tërheqja e tyre. Republika “autonome” e Korçës, megjithë sukseset që pati, nuk jetoi gjatë. Që kur u krijua, u prit në mënyrë armiqësore dhe të ashpër nga shovinistët grekë dhe qeveria italiane.
Në 24 Maj 1920 u mbajt në fshatin Kapshticë protokolli greko-shqiptar i njohur si protokolli i Kapshticës, i cili në atë kohë siguroi kufijtë e Korçës dhe detyroi të mbante larg forcat shoviniste greke. Po këtë muaj populli dhe qeveria e Korçës u bashkua me atë të Tiranës duke zyrtarizuar kështu bashkimin e Korçës me Shqipërinë.
Me 1998, Republika Franceze vendosi të njohe pafajësinë e Themistokli Germenjit dhe Ambasadori Francez ne Tiranë, Krismant vendosi një tufë me lule mbi varrin e tij në Korçë. Kaq për të kujtuar një aleat të ndershëm, por edhe një nga Shqiptaret e pakte që diti të nxjerre nga turbullirat e luftës botërore dhe nga pretendimet fqinje, të paprekur qytetin e tij. Për Republikën Autonome të Korces ka shkruar me vërtetësi funksionari kolonjar Sejfi Vllamasi.
Referime
(http://sq.xn--ikipedia-s1a.org/ëiki/Krahina…r%C3%A7%C3%ABs) (http://xn--cdaaa.albasoul.com/vjeter/modul…ticle&sid=1286)
(http://xn--cdaaa.peshkupauje.com/comment/223627) .
Përgatiti: Albert Vataj