AT GJERGJ FISHTA O.F.M./
“IN HOC SIGNO VINCES.”/
“ME KËTE SHENJË DO TË FITOSH.”/
Në fillim të shek. XV turqit sulmojnë Evropen dhe shkretnojnë fise e mbretni. Fatosi i Krujës përballë rrezikut, qi i kercnohej Shqypnisë, i drejtohet Hyjit edhe e lutë qi mos të premtonte, qi Shqypnija të bije ndër kthetra të turqve. Lutja e tij prekë të Amshuemin, i cilli i dergon së nalti Flamurin Kuq e Zi, emblemë bashkimi e vetsundimi. Me atë flamur në dorë, Skanderbeu, i mberthyem në armë, qet kushtrimin. Shqyptarët rrâjnë (nisen) menjiherë, kështu nisë lufta e tmershme dhe turqvet u thehet sulmi. (Komet nga At Viktor Volaj O.F.M. 1941)
Tue zbardhë mosha dhetepesëtë e jona
Atje prej shtojesh s’ Anadollit t’ plleshem
Hanza pergjakshem nisë mbi Evropë t’ kukzohet.
Ishte zot-madhi i turqve, qi në krye
Të ma s’ rreptes ushtri të jetës s’ atëhershme
Ujnat e njelmta dilte t’ Helespontit,
Edhe betohej n’ mëni të vet mizore,
Se shpirti trupit s’ do t’i ndahej para
Se hanzen t’ ngrinte mbi Sh’ Sofi t’ Bizantit
E n’ Sh’Pjeter t’ Romës tagji t’i vête kalit.
E pse ai burrë dokrrash e pallavrash s’ ishte,
Perpara tij ranë frone e ranë therore;
U rroposen mbretni e u shkimen fise,
E as bar ma s’ bijti andej ka ’i shkeli kamba.
Greku, Bullgari humben, humbi Serbi,
– Humbi, po, Serbi, madhështija e t’ cillit,
Atje te e vona boten mbarë në zi
Do t’a mbështiellte. – T’ felgruem drojet, shuejten
Zanin mbretent e Evropës. Zâmaret heshten,
Heshti edhe kanga e nji mjerim i shemtuem,
I ra mbarë dheut.
Kur, qé, mbi kep të Krujës
Titanike po del nji hije burri,
Vetullat ngerthye, si dy hulli rrufeje,
Me do sy zjarmi e ‘i mjekerr t’ thinjtë, e cilla
Shllungë gjatë nofllash i derdhej, si ajo mjegulla
Rreth njaj curri s’ thepisun. N’ krye trishtueshem
Flakë i shkelqen tarogza brynatake,
Qi, tmershem ka ‘i vezllon nen rreze t’ diellit,
Kometë zharitse dan nder sy t’ anmikut.
Ai asht fatosi i ndiem Gjergj Kastrjota,
I Madhi Gjergj Kastrjota Skanderbeu,
Qi, pre’ atij kepi, si nji shqipe mali
Kundron kah forca e barbarisë lindore
Shkon tue rrëmbye mbretni e fise e popuj,
E gjithshka t’ mbarë perftue kisht’ mendja e njerit;
Si rribë Verit, qi rêt i fshinë prej qiellit
Dhe e lê token me u tha. Edhe tue pa
Se anmiku i rrebtë i gjytetnis njerzore
Po nisë per s’ afermi Shqipnis t’ kercnohej
E se prej njerit s’ kisht’ pse ndimë me pritun,
Çon syt kah qiella, e zemra gjak tu’ i shkue,
“O Zot! – gerthet, – O Zot i Madhi i Ushtrive!
E po a njimend se ma s’ do t’ ketë Shqipnija
Nji vend ku me t’ u lutë?… E se gratë t’ona
Djepat n’ Azi mbas sotit do t’ perkundin?…
E se Shqiptari tokën do t’ punojë
Veç per me kndêllë n’ mish gocat çerkeze,
Që nji tirani t’ i sherbejnë ma kandshem?
Oh! Pse ia mbrrimë kësaj dite, e s’ ka shperthye
Toka q’ me kohë, me na perpi per s’ gjalli!
Ti, o Zot i Madh i Ushtrive, Ti prej qiellet
Zemer e forcë m’ dergo, qi këtij Tartari
Barbar unë t’ ia diftoj, se Shqiptarija
S’ merret pa gjak, e se per Fé e Atdhé
Di t’ vdesë Shqiptari”. Permbi flatra
Të bardha t’ Fésë kjo lutë u çue kah qiella
E i shkoi n’ vesh Perendisë e e preku n’ zemer.
I Amshuemi, atëhera, prej visarit t’ qiellvet
Nxjerrë nji pelhurë të ngjyme “kuq e zi”,
Qi Engjujt vetë n’ Parriz endun e kishin:
E mbasi e puthë i Lumi e ven në ball,
Nji Kerubini t’ lehtë i urdhnon tue thanë,
“Na, e ketë Flamur Skanderbeut çoja
Atje poshtë n’ Krujë, e thuej prej ane s’eme,
Se dersa t’ rrije tok fisi i Shqiptarit
Nen hije t’ këtij emblemi t’em t’ bekuem,
Zot m’ vedi e i lirë gjithmonë ai ka me kenë”.
Kështu tha i Amshuemi; e ai Kerubini i qiellvet
Palosun m’ parsme Flamurin e Shqipnisë,
Hap flatrat e prarueme, e poshtë Empirit
Shigjetë nper nji rreze drite dirgjet n’ Krujë.
Ku Skanderbeut n’ dorë dhantin e Zotit –
Flamurin e Shqipnisë – ia nep e këshillin
E t’ Lumit ia difton: Se si Shqiptari
Zot m’ vedi e i lirë gjithmonë do t’ mund qindrojë.
Si ai njeri, qi trishtue njaj andrre s’ keqe,
Kur gjumi i del, me vedi xen e gëzohet,
Se n’ hije e jo njimendtë iu shfaq rreziku:
Kështu Skanderbeu nisë me u gëzue me vedi,
Si Lajmi i qiellve n’ dorë ia dha Flamurin
E i tha se per nën hije t’ tij Shqipnija
E lirë e zojë m’ vete përherë do t’ mbetej.
Edhe armatoset Burri i dheut krejt m’ hekur,
Njeshë pallen n’ ije – pallen t’ rreptë mizore,
E n’ patershanë, me pafta arenzit t’ mathun,
Njet Flamurin kuq e zi, qi vetë i Amshuemi
E kishte puthë, edhe mbi shpinë të kalit,
Qi, fry turijt, nuhatte erë gjakut,
Hidhet porsi duhi e rrebtë. Prej millit
E nxjerrë pallen mizore, e drejtë kah qiella
Heshten e ngrehë. Nji fllad i lehtë, i ambel –
Flladi i Dashunisë – po e zhdrivillon Flamurin.
– Flamurin e Atdheut t’ em – qi tue gufue
Mallnueshem nepër ajr të lirë t’ Shqipnisë,
Nisë me u valvitë si fleta e Kerubinit,
Si njai skundilli i petkut t’ Perendisë,
Qi, mirë qendisë me hana, hyj e diej,
Prej krahve t’ amëshuem e t’ gjithpushtetshëm
I varet poshtë neper hapsi t’ Empirit,
Kah, pshtetë m’ stuhi e m’ flatra t’ rribës s’ murranit
Sheston boshtin e moknes s’ rrokullisë.
E ashtu n’ atë dukë të rreptë e t’ perfrigueshme
Me ‘i za, si tue ulërue, prej kepit t’ Krujës
Po u thrret Shqiptarvet t’ vet e u thotë: “Këtu burra!
Këtu eni, o bijt e Maleve! Shqipnija
Gjindet n’ rrezik!” N’ atë bulurimë ushtuene
Malet e fushat e Shqipnisë kreshnike,
edhe nji çetë e vogel homeridësh,
– Burrash si motit veç qi i bante nana –
Per rreth tij mblidhen, e nen hije t’ Flamurit
Nji bé të madhe bajnë e lidhin besen,
Se i pllâmë toket t’ Atdheut s’ ia lshojn tartarit,
Po s’ e lán’ para me gjak t’ tij t’ perdhosun.
T’ forcuem me atë bé, t’ forcuem me shejtni tagresh
E shpresë n’ Zotin tue mbajtë e n’ krah të vetin,
Me Flamur kuq e zi zhdredhun perpara,
Poshtë errmoreve t’ maleve t’ thepisuna
Si rreshme boret prej ndo ‘i kulmi t’ rryeshem,
Rrâjn fulikare permbi rradhë t’ turqve,
Të cilët, prej s’ largut tue ua pamë hovin,
Thonë se kulshedra me dragoj po u turret.
Edhe mnershem nisë lufta titanike.
Kah t’ idhtat shpata, kah gjakbâset heshta
Çeken nder shkndija me vringllimë t’ trishtueshme,
E bumbullojnë henikë edhe gopedra,
E vërrasin keqas të varruemt perdhé.
Kaq nji zhurmë, nji rropame e ‘i vigmë e kobshme
Çohet per ajr të terratue pluhni,
Qi rreth e rrotull t’ tanë dridhet Ballkani.
Shkon gjaku rrëkajë. T’ tanë fusha e gjanë e Dibrës
Me kurma t’ zeshkët barbarësh asht mbulue. Hidhet,
Hingllon, trumhaset kali i Skanderbeut,
Kah thundra e mbathun thellë i humbë në dhé
Të rijtun m’ gjak t’ barbarit. N’ dhambë brén buzen,
Atëherë zotmadhi i turqvet pendohet
Qi i ra kurr n’ mend t’ mësyjë Shqipnin mizore.
E sheh, po, vetë gjakbâsi, se rob s’ bahet
Ai dhé, ku Flamuri kuq e zi valvitet.
Shenim nga Fritz Radovani: Botohet pa asnjë ndyshim nga origjinali me rasën e 28 Nandorit 2015.
Janë ba redaktime të vogla gjyhsore në pershtatje me kohen.
Melbuorne, 27 Nandor 2015.