Nga Albert Z. ZHOLI
Atë mbremje kisha shkuar te miku im, Kastrioti, për të marrë disa libra që m’i kish sjellë nga Tirana. Veja rrallë se komshiu i tij grek bënte zhurmë sa here shihte vizitorë:
-Nuk dua që të më mbushet pallati me alvanozë! Shkallët dhe ashensorin i duam për vete.
Kjo e detyronte Kastriotin, që ç’do gëzim familjar ta bënte nëpër lokale, ku harxhonte qimet e kokës. Ai e dinte se ç’kish pësuar kur bëri ditëlindjen e djalit. Të ndezur nga rakia, të ftuarit ia shkulën labçes. Pa mbaruar akoma kënga erdhi komshiu-grek dhe kërcënoi:
-Po nuk e pushuat këtë këngë, për pesë minuta solla policinë.
Kënga pushoi dhe të ftuarit u larguan qejfprishur. Qysh mnga ajo ditë Kastrioti me komshiun-grek nuk shkëmbenin as “mirmëngjes”.
Atë mbremje dera e komshiut-grek qëndronte hapur. Njerëzit dilnin e hynin vazhdimisht. Unë hyra me njëherë te dera e Kastriotit dhe e pyeta:
-Çfar ka ndodhur?
-I është përplasur djali me makinë dhe është rëndë. I duhet gjak. Merr librat dhe eja të shkojmë t’i gjendemi!-dhe librat m’i vendosi në duar.
Kastrioti kaloi mes njerëzve dhe shkoi drejt e te babai i djalit të plagosur:
-Zoti Jorgo, të shkuara të djalit!
Ai e pa me mosbesim dhe i zgjati dorën me përtesë.
-Erdha për diçka tjetër. Dua t’ju pyes ç’grup-gjaku ka djali juaj?
Z.Jorgo ngriti përsëri kokën dhe nëpër dhëmbë foli:
-Grupi zero.
-Edhe unë atë grup-gjaku kam. Më çoni në spitalë të ndihmoj dhe unë jetën e djalit tuaj me gjakun tim.
Jorgua s’po u besonte veshëve. U ngrit me vështirësi, e përqafoi dhe i tha:
-Më vjen turp të të them “Më fal!”.