
Eduart Sulollari/
Tronditës. Si një ortek tek merr me vete frymën e dimrit. Aspak pendim, ndërgjegjës se po luaja me tradhti të vockla, verbuar nga krenaria. Pata mbyllur fletën e fundit të romanit “Mëkatet e zonjës Eva” të Mirela Kanini. Emër që askund nuk e pata hasur rrugëtimit të leximeve. Vjen dhe më shastis, “dhe të kontrolloja emocionet e mia të çakërdisura” shpotit thekur Kanini, hyrjes së romanit. Përpiqet të të shkatërrojë çastin e endjes që në nisje. Gjuhë e shkathët. Kërcitëse. Dhimbje që shkund tendën rehati me dialogë ulëritës. Është grisur cipa e natës që doje të të mbështillte strehës së ëndërrimit. Eva ka takuar Tonin. Zemra e tij e pret. Ka etjen përvëluese të shkretëtirës. Eva vetë, zjarri i tempullit.
Gëzim puritan, “si ujvarë e vogël që thyente qetësinë e thellë” citon Kanini. “I puthja lotët duke mos mbajtur të miat”. Janë në territorin e prehjes së dehur. Melankoli ëndërrimtare tretur takimit të prushtë, pastaj mbërrin rrokada tinzare e autores. Djeg gjasme e pakujdesshme rrëfimin, lë në hije Tonin. Eva, i duhet një telefonatë me Benin, bashkëshortin, por zë femre i është gjegjur përtej oqeanit. Ngashërimit gati paralizohet.
“U ndjeva e tradhtuar”. Sapo ndeshi pakujdesinë shkatërruese të tij. Kacavirret trishtimit. Je peng i trillit të Kaninit tashmë. Të hedh. Të përplas. Herë në të shkuarën. Herë në të tashmen e të paktëve personazhe të vet. Ka shkelur me kohë tokën e çoroditjes tënde. Harruar je të panjohurës. Të gllabëron faqe pas faqe. Në ajrin e thatë të natës loti yt ujit rrëfimin e Evës adoleshente. Zhbën varfërinë e dhjamosur të frazave bajate ndaj ngjarjeve të rëndomta. Kurthe. Gracka. Nuk guxon të gabojë në shtegun ku të ka degdisur mëkati i Evës.
Gati e mallkoj Kaninin tek zhvat orët e mia të mesnatës me truket si të magjistricave shtatzëna. Drama e ndarjes së prindërve shpon si kamë trinën e tëndit kraharor. Gjoksi ulet e ngrihet si dunë grindavece. Ditët e enjtura me mllefin e urrejtjes karshi babait humbës. Pastaj ndihet trok gëzimi – lindja e vajzës, por Kanini gati ka kamxhikun e torturës. Godet me të tjera të papritura. Kthesat dinake janë aty me të fshehtat tinzare që si prestidigjator endacak kalb pagjumësinë. Toni ka arritur në Amerikë. Eva përplaset dyerve të rënda të divorcit. Faqe të tëra me dramë.
Tashmë je i paralizuar. Lakmia e Kaninit të hodhi rrjetën. Të ka bërë për ujë të ftohtë edhe atë pak qëndresë se do t’i lësh pa lexuar faqet që të kanë mbetur. Mos po më merr për të lajthitur. Të tregova kaq shumë? Apo për t’u afruar tek errësira gjerb dritën e agut dhe unë të rri ende me ty?
Hej?!? Para kam “Për pak dashuri” “Trafikanti”
“Mallkimi i Mellonëve” “Arratisje” dhe “Klienti”, romane të tjera të Mirela Kaninit.