
Dr. DURIM ÇAÇA/
Lexim i “Melankolia e qëndresës”, roman distopik nga Lazlo Kraznahorkai
Beteja e përfytyrimit është në kulmin e vet: një luftë e pamëshirshme kundërvë rrëfimin ndaj rrëfimit, trillimin ndaj trillimit, – vë re Alen Finkielkraut, eseisti i njohur francez,- ngaqë veprimtaria jonë fantaziste nuk njeh ndërprerje, sepse dhe pengesa kryesore që ngrihet mes nesh dhe botës, madje, mes nesh dhe vetes sonë, është e llojit romanesk. Velloja e hedhur mbi gjërat ashtu si dhe zbulimi i tyre ka një thurje prej rrëfimi. Kjo, për shkak se, -duke ndërmendur Kunderën,- arti është kthjellim i qenies dhe narrativa e tij është një kthjelltësi verbuese e melodramës universale dhe e manikeizmit (”heretizmit”) të saj moral… Siç ndodh dhe me këtë fantazmagori sureale, (por që nuk ka asgjë në të që nuk është përfundimisht realiste) të kësaj proze magjepsëse që po kundrojmë, të një sage antiheroike e të entropisë, (gjendjeje çregullimi, pasigurie e kaosi) të mjeshtrit të shquar bashkëkohor hungarez të letraritetit, Lazlo Kraznahorkai që, (me fiksionin e vet të shndërruar në një eksplorim global, shpesh metafizik, të rrugëve të arratisjes, në brendësi të njeriut e të shoqërisë, përmes angazhimit me artin, sublimen etj. deri në çmenduri të personazheve të tij, që shpërfaqin, në mënyrë obsesive, ndjenjën e tyre të të qenit të hedhur në një univers të thyer, teksa lëvizin për të hapur rrugë të tjera jete), dhe pse me një stil të vështirë të tij të një tonaliteti të errët distopik (pasqyrimi të një dehumanizimi të shoqërisë), si të një përralle cinike, krijon me “Melankolia e qëndresës”, një vepër të habitshme, kompakte, të fuqishme, intensive, (me fjali të gjata pabesueshmërisht, “të pafundme”, ekstatike dhe, çuditërisht, (për leximin estetik), shumë imponuese dhe tepër tërheqëse, – krijon “këtë rrjedhë të ngadaltë llave të rrëfimit, këtë lumë të madh të zi, – sipas “The Guardian”,, – që e ngre lexuesin në hapa të mëdhenj hënorë”.
Rrëfimi i makthit social…
… me një madhështi epike postmoderniste, në romanin në fjalë, projektohet përmes qëndresës tragjikomike të katër personazheve-protagonistë: Së pari, të gruas së ve dhe në moshë znj. Pflaum, me të cilën nis “Melankolia e qëndresës” që, për t’u mbrojtur nga bota e pasigurtë dhe njerëzit harbutë, (madje, teksa ka shpëtuar nga rreziku i një përdhunimi prej një një maniaku seksual në tren gjatë kthimit nga një vizitë te motra e saj), duke ecur në errësirë, me frikën në zemër, ndien se fatkeqësia mund të godasë në çdo moment, nëpër rrugët pa dritë të qytetit të saj të vogël, për të mbërritur në shtëpinë e vet, (ku do të ndihet e qetë në jetën e mbyllur shtëpiake me kujdesin për lulet dhe përgatitjen e kompostove të frutave): ““Sa ka vallë që më shikon kështu?, kjo pyetje ia ngriu gjakun zonjës Pflaum; gjasa që ata sy të paturpshëm “t’i qenë gozhduar” qysh prej nisjes e bënte dhe më të tmerrshëm atë vështrim, domethënien e të cilit e kishte kapur vetëtimthi, kur iu kryqëzua me të sajin; ata sy kullonin “një dëshirë të neveritshme trupore”, të përzier, “për më tepër” me njëfarë përçmimi të ftohtë. Pa iu dukur vetja grua “ me të vërtetë” e moshuar e dinte shumë mirë se e kishte kapërcyer kufirin e viteve, kur një e këtillë vëmendje, më së paku, e pacipë, t’i dukej e natyrshme, ndaj dhe, përveç krupës që po i shkaktonte burri përballë (sepse, “kush është ai kafshë që mund të ndiej epsh për femrat e shkuara në moshë?”), mendoi me tmerr se ai horr i bërë xurxull nuk kishte tjetër synim, veçse ta fyente, ta tallte, ta poshtëronte, para se ta flakte tej “si leckë”…Mbaroi, kjo qe, nuk ke pse trembesh më”, ishte, megjithatë, e bindur se, po ta humbiste sadopak përqëndrimin a vigjilencën duke e lëshuar veten mbi ndenjëse, rrezikonte të zihej në befasi; sepse, në atë vagon, përveç disa pasagjerëve që vazhdonin udhëtimin, kishte zënë vend edhe një çetë e re “zuzarësh të dyshimtë”, po aq të tmerrshëm sa të mëparshmit… Arriti, hodhi një vështrim rreth e rrotull, pastaj hapi portën dhe e mbylli nxitimthi mbrapa vetes, i kyçi të dyja bravat dhe vuri zinxhirin e sigurimit; i kishte lënë shëndetin tashmë kësaj bote…”O Ati im që je në qiell, erdha në shtëpi“”. Me dekompozimin dhe kalbjen e trupit të saj në varr, dhënë si proces shpërbërjeje patologjike të organeve, në elementët fillestarë kimikë, (“shpërbërë në karbon, hidrogjen, azot dhe squfur, indet e saj të hollë, të këputur, të rrëgjuar, të bjerrë që i gëlltiti një Gjyq,“Gjyqi i fundit”, jashtëzakonisht i largët”…), paraqitur dhe në këtë finale të trishtë e ironike, si në të gjithë teksturën rrëfimore, me një “realitet të përimtësuar deri në pikën e çmendurisë”, (pas përdhunimit dhe vrasjes nga banditët që grabisin, terrorizojnë dhe i vënë flakën qytetit provincial), me të cilën mbyllet, si me një epilog përshpirtjeje, (me ankthin e pasigurisë dhe të frikës të së cilës nis), vepra romanore në fjalë.
Protagonisti i dytë, i qëndresës, rezistencës (melankolike) ndaj realitetit të shëmtuar e të pistë, është djali i saj, Jan Valuska, i riu i qashtër, vegimtar e ëndërrimtar i universit që të tjerët e përtallin dhe e përçmojnë si naiv, “idiot”, (frymëzim nga Dostojevski), të çekuilibruar, duke filluar nga e ëma e vet që e ka dëbuar nga shtëpia atërore, ngaqë i biri i duket, “i shkarë nga mendja”, jo me këmbët në tokë, në soditjet e tij të yjeve e planeteve, teksa pi verë të cilësisë së keqe, me shokët e pijetores, punëtorë të thjeshtë që, më shumë e tolerojnë se e pranojnë në shoqërinë e tyre, në mbrëmjet pas punës si postier, – një “hero” fatkeq me “kokën në re”, (që është dhe qendra e dhembshurisë dhe i vetmi shpirt i pastër e fisnik i kësaj narrative qindrafaqeshe), teksa mrekullohet me bukurinë e qiejve me yjet sipër, duke ndier, në çaste të zymtë, se ekzistenca është orkestruar nga një mekanizëm i magjishëm: “…sa naive dhe fëmijërore kishin qenë supozimet e tij, duke e ngushëlluar veten me iluzionin se, megjithëse kozmosi ishte i gjerë dhe toka ishte thjesht një grimcë e vogël brenda tij, forca që e shtyu kozmosin ishte, në fund të fundit, gëzimi: gëzimi i cili, që në agim të kohës, kishte ngopur çdo planet, çdo yll’!” …”Ai nuk kishte nevojë as të merrte vrull për të braktisur truallin e rrënuar të asaj kolonie të vogël tokësore dhe për të hyrë në “oqeanin e paanë qiellor”, sepse, me mendjen dhe me fantazinë e tij, që asnjëherë nuk ishin të ndashme nga shoshoqja, kishte nja tridhjetë vjet që lundronte përmbi dallgët mrekullisht të heshtura të kupolës qiellore, Nuk kishte asgjë në zotërim – e vetmja pasuri e tij kufizohej te palltoja e postierit, te çanta, kasketa dhe çizmet- dhe vetëm me shkallën e largësisë marramendëse të asaj kupole të pafundme mund të llogariste pasurinë dhe, sikur ajo gjithësi e pamatë dhe e pakuptueshme t’i dhuronte një liri lëvizjesh, këtu poshtë, rob i asaj lirie, nuk e gjente dot vendin e tij në atë hapësirë aq të ngushtë të “tokës së rrëgjuar”, ndaj dhe ua hidhte sytë e ndritshëm atyre fytyrave të njerëzve në pijetore që, ndonëse të ngrysura e të shushatura, i qukeshin miqësore,,,” (f.77). Edhe kur ndokush i bënte vërejtje se do të ishte më mirë të shqetësohej për gjendjen e tij të mjerë dhe për përpjekjet e tij të përvajshme, se sa për madhështinë apokrife të gjithësisë,…prapëseprapë pjesa më e madhe e ndërgjegjes së tij, që i ishte kushtuar tërësisht ekstazës, e kishte shkëputur nga bota tokësore dhe e kishte ngujuar (për turp e faqe të zezë të së ëmës dhe për zbavitje të gjindjes), në një rruzull të çastit të ndalur; ecte, çapitej, endej “i verbër dhe i palodhur”, me mendjen – sikundër shprehej jo pa ironi, miku i tij i vjetër – te bukuria e pashërueshme e gjithësisë së tij vetjake”, (f.86). Por, teksa parapëlqen të mbajë shikimin e tij në qiell, jo si një besimtar i krishterë që sheh te ai dashurinë e mirësinë hyjnore, (këndvështrime këto, filozofike-poetike, të teologjisë së krishterë të vonë antike e mesjetare: Shën Agustini, Dante, etj), por si një qëndresë e përditëshme ndaj plehrave, dekompozimit, ndyrësisë, mjerimit, kalbjes së qytetit dhe jetës së tij shoqërore, mes të cilave kalon çdo ditë, Valuska befas, në natën e sulmit të hordhisë së grabitësve të alkolizuar, e gjen veten duke u përballur me një univers të zhveshur dhe të shkretë ku “asnjë element i peizazhit nuk është i aftë të tejkalojë vetveten”, (si një mbartje e jehonës së “Neveria” të Sartr-it), ku i vetmi ligj është fuqia e verbër, memece e një force të errët absolute dhe bota e tij e pafajshme shkatërrohet menjëherë, në rastin më të parë, nga ky vandalizëm në qytetin gri, të nxitur nga të huaj të një trupe cirku.
Personazhi i tretë i “rezistencës” ndaj realitetit, është z. Ester, drejtori i shkollës së muzikës, që ka dhënë dorëheqjen nga detyra publike, për të ndërprerë çdo komunikim me botën, teksa i sfilitur nga lodhja depresive e jetës shoqërore dhe bashkëshortore, rri në shtëpi, shtrirë në shtrat, me përsiatjet e trishta filozofike (për idetë e Tomas Hobs-it të konkurencës e egoizmit dhe konceptin darvinian për mbijetesën e më të fortit), dhe, herë-herë, ngrihet për akordimin e pianos së tij me sistemin klasik harmonik të verkmeister-it, (“Harmonitë verkmeister”, është titulli i filmit të realizuar si ekranizim i këtij romani, nga regjisori njohur hungarez, Bela Tarr, në vitin 2000). Me vetëizolimin e tij në shtëpi “donte të hiqte nga kujtesa sulmet shfarosës të idiotësisë, zbrazëtinë e madhe të vështrimeve, mungesën e tërësejtë të gjallërisë shpirtërore te të rinjtë, duhmën e topitjes intelektuale, në atmosferën dhe peshën e kobshme të vogëlsisë, të autarkisë, të ambicjeve të ulëta, nën rëndesën e të cilave desh qe shembur dhe ai vetë; të hiqte nga kujtesa nxënësit e dikurshëm, shkëlqimin e paharrueshëm të vështrimeve të tyre, ku mund të lexohej urrejtja për pianon dhe dëshira e zjarrtë për ta bërë copë-copë….deri te shefi debil i policisë, te kryetari i Këshillit të Bashkisë, gjuetar i regjur çupëlinash e te fshesari i rrugëve, donte ta fshinte njëherë e përgjithmonë nga kujtesa të gjithë atë “pellg të përvajshëm idiotësie”; dhe, natyrisht, njeriu për të cilin nuk donte të flitej, ishte ai fosil i krupshëm, e shoqja, së cilës, “falë Zotit”, i ishte larguar prej vitesh, ishte zonja Ester, që i kujtonte mercenarët gjakatarë të mesjetës, martesa me të cilën, ajo farsë satanike, me atë ftohtësinë e saj të lemerishme ku, në vend të “energjisë elementare jetësore dhe të sigurisë morale- që kanë zakonisht njerëzit e ardhur prej mjedisesh modestë”,- ishte përballur, pa asnjë teprim, me një idiotësi shfarosëse, të piperosur me një etje të sëmurë për pushtet, me një mendje “të varfër dhe të mbrapshtë”, ndërthurur kjo me një vrazhdësi prej hamalli, me një krupë të skëterrshme, mungesë ndjeshmërie, urrejtje dhe idiotësi, gjëra që, për dhjetëvjeçarë me radhë, e kishin katandisur të pafuqishëm… me një rraskapitje përfundimtare, me një lodhje të paanë dhe vdekjeprurëse që ishte pasojë e neverisë, hidhërimit dhe pikëllimit”, (f.116-117).
Dhe, së fundi, znj. Ester, bashkëshortja e z. Ester, një grua e fortë dhe e frikshme në përpjekjen e saj për të qenë e rëndësishme, njëlloj arrivisteje dhe demagogeje të “interesit qytetar”, (strategjinë që përdor për “rezistencën”, “qëndresën” e saj), maskuar si veprimtare publike, në fushata nismash të punës vullnetare, (si ato të “të shtunave komuniste” të sovkozeve ), të tipit “Oborr i pastruar, Shtëpi e rregulluar”, duke synuar pushtetin bashkiak. Me dëshirën e saj për të shkatërruar “rendin e vjetër” dhe për ta zëvendësuar atë me një sundim të sajin, ajo nuk i lë asgjë rastësisë. Manipuluese e zellshme dhe e patrembur, që e di se kur duhet t’i përdorë njerëzit për synimin e saj, me një individualizëm të egër, ajo ecën nëpër qytet sikur po e zotëron atë – gjë që, ndërsa historia përparon, nuk është shumë larg së vërtetës. “…Zonja Eszter e ndieu drejtpërdrejt në zemër kundërshtimin e banorëve, duke kuptuar se pafuqia dhe servilizmi i tyre i mallkuar buronte nga një frikë e paarsyeshme, ndonëse, për ta, e justifikuar ndaj të gjitha përpjekjeve të saj që synonin rinovimin e përgjithshëm të jetës së qytetit, një rinovim që, për ta, mund të duket si një prishje e përgjithshme e rregullit sepse, në të gjitha përqafimet pasionante të së resë, njerëzit ishin të prirur të zbulonin gjurmë të një lëvizjeje po aq pasionante drejt kaosit dhe – me të drejtë – të dyshonin në planet e saj, teksa mbronin atë që ishte e vdekur dhe e varrosur në mënyrë të pakthyeshme, që ajo do ta bënte copë-copë, me qëllimin e saj të mirë për të zëvendësuar mërzinë pa tipare të jetës së tyre egoiste me ‘pasionin ngritës të veprimit të përbashkët’. ( botimi angl.,fq.38, në një përkthim të lirë automatik) dhe, i njëjti pasazh, në shqipërimin e përkthyesit tonë të shquar: “…Zonja Ester pikaste në mënyrë të pashmangshme natyrën e thellë të ngurrimit e të kundërshtimit të banorëve, domethënë, paaftësinë e sëmurë dhe pasivitetin e trembur që pasqyronte një frikë, vërtet të pathemeltë por, për aq sa iu takonte atyre, të kuptueshme, përderisa, në perspektivën e një përtëritjeje të përgjithshme dhe në etjen e pashuar për ndryshime të përpjekjeve të saj, shihnin shenjat paralajmëruese të një katrahure të pakthyeshme dhe të ca forcave që – me të drejtë- në vend që të ta mbronin, do ta shkatërronin pa mëshirë atë çfarë ishte përgjithmonë e vdekur dhe do ta shndërronte mërzinë depresive të jetës së tyre me gëzimin egoist, “në pasion fisnik për të mirën publike”, (bot. shqip, f. 44).
Secili nga këta katër protagonistë, me qëndresën e vet vetjake, përkatësisht: mizantrope, të çartur, obsesive dhe pragmatike dhe meskiniteti e kotësie, për të mbajtur jasht jetës së tyre “botën”: e frikshme, për znj. Pflaum, (që ndihet e qetë me dyer të siguruara, pa pranuar kontakte me tjetërkënd, në “bunkerin” e vet, të jetës së mbyllur shtëpiake të shtresës së mesme, që shpreson të ndalë Armagedonin, “me stolitë e saj të lira, kompostot e velëta të frutave, jorganët paanë me pupla, tapetet me thekët e krehur gjithë kujdes”, duke injoruar rënien e dukshme të qytetit, teksa jasht, njerëz të mistershëm, si një fuqi e errët, po mblidhen grupe-grupe në rrugë, mes të ftohtit të madh; kaotike, për Valusjen, (me mungesën e qymyrit për ngrohje, të energjisë elektrike, të transportit publik, etj.) gjen bukurinë dhe përsosmërinë në pafundësinë e universit, ku kërkon të tërheqë, me entuziazmin e vet vegimtar, dhe shokët e tij të pijetores, punëtorë të thjeshtë, në mbrëmjet, pas punës si postier, teksa pijnë një “Riesling” të keq çmimlirë; të rrezikshme, për z. Ester, me obsesionet e një të sëmuri depresiv, që ngallmon me binarë dhe dritaret për të mos u hapur nga pastruesja e shtëpisë, znj. Harrer , teksa ndihet mirë me vetizolimin në shtëpinë e tij, ku hyn vetëm Valuska, (me miqësinë e tyre të çuditshme) që i sjell me gavetë ushqimin e përditshëm.
Si dhe qëndresa ndaj “botës”, realitetit “të paparashikueshëm me pasoja të pallogaritshme” për znj. Ester, (kryetares së vetëshpallur të komisionit të gruas), që gjen si rezistencë ndaj tij, amoralitetin dhe paskrupulltsinë, si rruga drejt zotërimit të pushtetit publik të qytetit:”pasi i dredhoi lukunisë së maceve, në rrugën me sogje plehrash…vijoi të ecte teksa shikonte qepenët e ndryshkur metalikë që ishin ulur prej javësh mbi pragjet e shitoreve, shikonte krahët e rënë të fenerëve të verbër, vëzhgonte makinat, autobuzët e braktisur për shkak të mungesës së karburantit…dhe befas, një ndiesi e këndshme ia përkëdheli lehtazi ashtin, sepse ky rrënim i ngadaltë nuk nënkuptonte, prej kohësh tashmë, në sytë e saj një fund zhgënjyes, përderisa qysh tani kishte në mendje atë çka shumë shpejt do t’i zinte vendin kësaj bote të falimentuar, ndaj, dhe për rrjedhojë, nuk ishte një fund, por një zanafillë, lënda e papërpunuar e një rendi të ri të gjërave “që do të mbështetej te çiltërsia e pamëshirshme e jo te sëmundja e gënjeshtrës” dhe do t’i jepte më shumë rëndësi “çelikosjes së trupit dhe forcës e hijeshisë së vullnetit për veprim”. Si një zonjë e së ardhmes, e shikonte qytetin me sytë e një trashëgimtareje të tij, me sigurinë se ndodhej në prag “të një epoke rrënjësisht të re…Pa udhëheqës, masat nuk vlenin asgjë, pa besimin e tyre, hapi portën e shtëpisë, një udhëheqës është i paralizuar dhe, në fund të fundit, “kjo lëndë e parë njerëzore nuk është dhe aq e keqe”, para se të shtonte menjëherë “se udhëheqësja e tyre nuk ishte aspak njeri i zakonshëm”…kishte fituar atë që shpresonte, pushtetin, pushtetin, pushtetin, e kishte në dorë dhe, ç’është më kulmorja,, hyri e mallëngjyer në salon, i kishte rënë vetë në dorë, porsi një frut i pjekur…”, (faqe 52, 301).
Qëndresa vetmitare të trishtme këto, që shpërfaqen si pamje tragjikomike, për të qenë jasht realitetit, të cilit duan t’i fshihen, sepse, në rastin më të parë, të ardhjes në qytetin e provincës, të një trupe cirku që kanë si atraksion kryesor një balenë të madhe të balsamosur, në karrocerinë gjigante të automjetit të tyre, përmes së cilës (kësaj trupe cirku), 30-40 grabitës, të maskuar si spektatorë që presin për bileta apo për të parë balenën e famshme, nisin shkatërrimet e vrasjet dhe i vënë flakën qytetit, ndërkohë që shefi i alkolizuar i policisë është gjithëherë në gërrhitjet e dehjes dhe kryetari i bashkisë, s’bëhet i gjallë për të marrë në dorë fatet e banorëve të qytetit që e kanë zgjedhur, (pikërisht, funksionarët që janë për mbrojtjen e rendit publik). Pra, në rastin më të parë, “bota”, realiteti, “i gjen”, “i zbulon” këta “qëndrestarë” fshehur pas “luleve të shtëpisë”, “pas yjeve”, “pas dritareve të ngallmuara” dhe “akordeve të harmonisë” dhe iu jep fundin tragjik e absurd, (masakrimin e znj.Pflaum, nga vandalët e hipnotizuar, teksa ka dalë të kërkojë, në natën fatale, të birin e dëbuar nga shtëpia, prej saj; mbylljen në çmendinë të Valuskës dhe veçimin në një kthinë të shtëpisë së vet, të z. Ester, nga znj. Ester, tashmë e pushtetshme, sekretare e këshillit bashkiak, që ka bërë pronë të saj shtëpinë e bashkëshortit dhe ka marrë në dorë “fatet e qytetit”, pas shkatërrimit e djegies së tij.
Një fund tragjik dhe absurd, me gjithë qëndresën e tyre melankolike, “rebele” e obsesive, ku “reziston” dhe triumfon vetëm amoraliteti dhe poshtërsia e znj. Ester që e shohim të shijojë vishnjet e kompostove me rum në shtëpinë e znj. Pflaum, (e cila nuk pranoi të bashkëpunonte për kulisat e saj drejt pushtetit), para se të mbajë fjalimin pompoz të “moralit komunist”, në varrimin e saj: “bota udhëhiqet nga Zoti, morali dhe e mira”, këto ishin hi syve, gënjeshtra, doli nga salloni, “nuk i hante ajo këto”, “bukuria!”, “solidariteti!”, posi, posi!…vështroi arkivolin ku prehej znj. Pflaum,..”ajo pulë ende e mbajtur për moshën”… dhe, duke pritur publikun të mbante qetësi, sepse “po fillonte ceremonia”: Sot po përcjellim një nënë, një vejushë, një bashkëshorte besnike…ajo na tregoi si duhet të jetojmë…tani, zonja Pflaum mund të gjesh prehjen e përjetshme, përpjekjet e tua, kujtimi yt do të mbeten përgjithmonë midis nesh”.. Triumfi i znj. Ester, kësaj zonje të pangopur me ushqime, me burra, (pasi largon të dashurin e saj, shefin e policisë, në një qendër rehabilitimi për alkolizimin, hidhet në krahët e kolonelin e ushtrisë që ka ardhur për të vendosur rendin publik në qytet) si dhe të pangopur me pushtet!
Frekuenca narrative, pra, e marrëdhënies së përsëritjes midis të rrëfyerit dhe diegjezës (rrëfimit) si një aspekt thelbësor i kohësisë narrative, (sepse përsëritja, si figurë stilistike, është në të vërtetë, një ndërtim i shpirtit, që mënjanon nga çdo situatë gjithçka që i përket në mënyrë ekskluzive, për t’u mjaftuar me ruajtjen vetëm të asaj që ajo ka të përbashkët me të gjitha situatat e tjera të së njëjtës klasë), shpërfaqet jo vetëm në përshkrimet përsëritëse të peisazhit të zymtë urban, me rrugët e errëta, pirgjet e plehrave, siluetat e heshtura të mistershme të njerëzve në rrugë, në të ftohtin e madh, por dhe përsëritjet e tipareve karakteriale të protagonistëve: të ekstazave shpirtërore qiellore të Valuskës, përsiatjeve filozofike dhe të harmonive klasike të z.Ester, te devizave pragmatike populiste e znj. Ester, (“Shtëpi e rregulluar, Oborr i pastruar”, etj.) deri dhe në përshkrimet përsëritëse të sjelljeve dhe paraqitjeve të tyre të jashtme: “Kur pushonte së vrojtuari pafundësinë marramendëse të qiellit, Valuska e kishte zakon të shikonte vetëm tokën poshtë këmbëve; me çizmet e brejtura, pallton e rëndë të postës, kasketën me strehë, ecjen e paimitueshme prej rosaku, shpinën e kërrusur dhe çantën më rrip, që i krijonte një bullungë në krahë, përshkonte qerthuj të pafundmë rreth ndërtesave të rrënuara të vendlindjes…)
Një ndjenjë e pafuqisë dhe e katastrofës së papërgjegjshme e të pashmangshme, “sikur një modifikim jetik por i pazbulueshëm të kishte ndodhur në përbërjen përjetësisht të qëndrueshme të ajrit”, i ka bërë banorët e qytetit të rrinë mbyllur në shtëpi, si lepuj të frikësuar, teksa duhet të presin dhe të shikojnë se çdo të ndodhë, në pritje të stuhisë që po afrohet, megjithëse, për pjesën më të madhe të librit, ne kurrë nuk jemi plotësisht të sigurt se çfarë po ndodh; ka thjesht një frikë të përgjithshme, nga ajo që mund të jetë, jo nga ajo që është…Në vend të asaj që qyteti i vogël, pa emër, i romanit, në juglindje të Hungarisë, në kufi me Rumaninë, (ndoshta Gyula, qyteti i lindjes i romancierit të shquar, më 1954), i mbushur me pesimizëm dhe anarki, (ndiesi e marrë nga Cioran-i i hershëm, filozofi i njohur rumuno-francez i dëshpërimit, i shekullit XX), me duhmën e kalbëzimit, rrënimit, lëngimit, të dundjeve të minjve kudo, me shkollat e mbyllura, shërbimet që nuk funksionojnë, dyqanet pa furnizim, rrugët pa ndriçim, linjat e telefonit, të prishura, udhëtimet e pamundura me autobus e makina, pirgjet e mbeturinave e lukunitë e maceve gjithandej, – paraqitur prej Kraznahorkai-t në një kulmim e përfundim entropik, si një duhmë e proces kalbjeje, dekompozimi e shpërbërjeje, (të qytetit, të balenës, të kufomës së gruas në varr, në fund të romanit). Teksa banorët presin në ankth që të ndodhë diçka, në një dimër të tmerrshëm, të thatë, (me temperature minus 18 gradë e ku bora e shumë e pritur nuk bie ), në ankthin e së keqes, ndoshta, pse jo, për një rigjallërim dhe ndryshim me një shpresim të ri, – por ndodh shëmtia e radhës, e plaçkitjes vrastare prej një skote fundërrinash të pamëshirshme.
Sepse, asnjë ndryshim i ri nuk ndodh, pas “modernitetit të parë të ngurtë” të institucioneve, të drejtësisë shoqërore, rrjeteve publike të veprimit kolektiv, etj., tani, me rrënimin e tyre, me “thyerjen e sistemit”, në modernitetin sotëm “të dytë”, “të kthyer kundër vetes” apo, sipas sociologut Zigmunt Bauman, “të modernitetit të lëngët, fluid”, ku, tani, në emër të të drejtave të njeriut, – jemi të gjithë “qenie përsiatëse”, “ me arsye të instrumentalizuar”, të angazhuar me “politikat vetjake jetësore”, me shkalafitjen e familjes (marrëdhëniet prindër-fëmijë e ato bashkëshortore, – në roman, nënë e bir, znj. Pflaum me Valusjen dhe, burrë e grua, me çiftin Ester), si dhe me etjen për shkatërrim krijues, siç mund të vijë rasti, ku individi dhe individualiteti janë armiq të qytetarit dhe qytetarisë, ku “publikja” është kolonizuar nga “privatja”, ku “interesi publik” është reduktuar në kureshti për jetët private të figurave publike, ku koha e revolucioneve sistemike shoqërore ka kaluar dhe nëpërkëmbja, cakdërrmimi dhe gjithëgërryerja, përmes teknikave të shpejtësisë, arratisë dhe pasivitetit, janë të qenësishme.
Dhe, përballë epshit të shfrenuar arrivist për pushtet, çdo tërheqje nga bota do të dështojë, qoftë në shtëpinë e fortifikuar të individulistes së shtresës së mesme, në tërheqjen intelektuale të filozofit apo në botën imagjinative të ëndërrimtarit, – hulumtim që Krasznahorkai e bën jo në ndonjë kontekst politik a moral, por për pasojat që sjellin për individët, thellësitë e të cilëve na zbulohen pa pendim.
Narrativa e komedisë së apokalipsit…
…zhvillohet si një linjë (romani është plot me skena kalbëzimi, siç thamë dhe më parë që krijojnë një ndjenjë të prekshme mjerimi shoqëror dhe përçudnimi njerëzor, – një distopi (shoëri e dehumanizuar) e zymtë e Kraznahorkai-t përafër jetës reale, – shqetësuese për ata pak personazhe që duket se e vënë re atë, si, bie fjala, z. Ester, të cilit: “…Nuk mund t’i shkonte mendja te “bashkudhëtarët e jetës së tij” – paçka se qenë përpjekur së toku – për ngritjen e asaj përmendoreje të madhërishme dhe të përkryer të pikëllimit; dukej sikur toka qe çarë më dysh, duke shfaqur rropullitë e qytetit apo, i ra truallit me bastun, sikur një kënetë e ndyrë dhe kutërbuese, duke gërryer sipërfaqen e asfaltit, kishte shpërthyer rrugëve; një kënetë sipër llumit, mendoi z. Ester, ky ishte vetë themeli i situatës, pastaj vështroi përgjatë atij vëllimi të palëvizshëm dhe zuri të përfytyronte mënyrën me të cilën ndërtesat, pemët, fenerët, shtyllat e afisheve do të mbyteshin brenda pak minutash. Mos kemi të bëjmë, pra, me Gjyqin e Fundit? Asnjë bori, asnjë kalorës i apokalipsit, por njerëzimi i gëlltitur pa bujë e ceremoni nga plehrat e tij?” (f.135); linjë dhe nëntekst i fuqishëm grotesk, (në ditën e tretë, gjatë tre ditëve që zhvillohen ngjarjet e fiksion-it në fjalë), ku apokalipsi i tmerrshëm e i llahtarshëm është paraqitur si një komedi barbare pijanecësh, përmes “frymëzimit” që merr turma e horrave të hajdutëve e parazitëve, nga “atraksioni” tjetër i trupës së cirkut që, përveç balenës, ka dhe një krijesë njerëzore, të lindur me deformim gjenetik, (një xhuxh me tre sy: “Ku e ka syrin e tretë? Mbrapa koke? Në ballë? Djall i arratisur nga skëterra?,(f.269), që vjedhës e vrasës, këtë “përbindësh monstruoz” e quajnë Princi apo Engjëlli i Zi që, sipas tyre, ka ardhur të lajmërojë Gjyqin e Fundit të botës dhe të nisjes së apokalipsit e që i hedh në veprim për shkatërrimin e rrënimin e gjithçkaje të botës ekzistuese, në emër të shpagimit hyjnor të Zotit. Kjo hordhi skëterrore keqbërësish ordinerë shpërfaqet si frymëzim dhe ekstazë e mizorisë, në emër të këtij “Princi a Engjëlli të Ferrit” dhe harbutëria e tyre vandale, – si një parodi e “Gjyqit të fundit” dhe ndëshkimit qiellor.
Përgjatë pjesës së parë të librit “Gjendje e jashtëzakonshme”, dhe asaj të dytë “Harmonitë verkmeister” të kësaj narrative, ka një kontrast të dukshëm, midis shqetësimeve të vogla të banorëve të qytetit (dhe dobësive të tyre shumë njerëzore) dhe ndjenjës shumë çnjerëzore të fatkeqësisë, në një qytettë trishtë, me një ajër dukshëm “apokaliptik”. Turma në shesh është me një parandjenjë, sikur thjesht pret një sinjal, ngaqë tek ajo: “…kishte diçka tjetër, diçka thelbësore: heshtja, një heshtje mbytëse, ngulmuese, shqetësuese; asnjë tingull nuk dilte nga ajo turmë e paduruar që, me këmbëngulje, në këmbë, priste, mes një nemitjeje të plotë të shpërbëhej tensioni që shoqëron atraksione të këtij lloji dhe t’ia linte vendin atmosferës pothuajse të dalldisur të “spektaklit”; çdonjëri dukej krejt shpërfillës ndaj tjetrit përbri, a, më sak, jo, përkundrazi, dukeshin të gjithë të lidhur pas shoshoqit, gjë që pamundësonte çdo përpjekje për arratisje dhe zhvleftësonte çdo lloj komunikimi; mirëpo kjo heshtje e makthshme vetëm pjesërisht e përligjte atë “ankth të papërmbajtshëm”…(f.91, bot.shqip). Por veç banditëve, edhe njerëz të tjerë, shkaktojnë dhunë, thyejnë dyer, iu sulen njerëzve, djegin ndërtesa, pa u thënë asnjëherë se përse. Vetëm dikush vëren se “ne nuk mund të gjejmë objekt të duhur për neverinë dhe dëshpërimin tonë, ndaj sulmojmë gjithçka me të njëjtën dëshirë dhe pasion të pashterrshëm!”
Pasi njësitë e ushtrisë vënë rendin publik në qytetin e vogël, të shkatërruar prej bandave, nis gjykimi ligjor i keqbërësve si dhe i banorëve që, me pasivitetin e tyre u bënë, si të thuash, mbështetës të grabitësve:
“Mjaft tani matufë!,,.Mos kini iluzione, do t’i mbyll pas hekurave gjithë kokëqypat, gjithë gomerët e zgjebosur që kujtojnë se bota rrotullohet rreth tyre, që kujtojnë se janë Zoti vetë! Ç’është kjo mënxyrë që na gjeti! Jo, more! Gjyqi i fundit! Pa pirdhuni tutje! Mënxyra jeni ju! Ju jeni gjyqi i fundit! Nuk jeni në terezi dhe duhet të ngordhni, ju dhe të gjithë somnambulët si puna juaj! Heq bast, – komandanti i trupave ushtarake, shkundi nga supi zotin Nadaban, – që nuk merrni vesh ç’po ju them… ju dini vetëm të psherëtini, të dhiteni në brekë dhe të përmendni Gjyqin e Fundit, ngaqë ju janë mjegulluar mendtë dhe, kur e keni surratin në mut, nuk dini të bëni gjë tjetër, vetëm të vështroni, të merrni erë e të thoni: Magji! Magjia e vërtetë, o gërmadha të degjeneruara, do të ishte sikur të zgjoheshit një ditë dhe të shihnit se nuk ndodheni në hënë, por në Hungari…Nuk hani pykë, nuk jeni të zot të bëni dallimin midis një mistrie dhe një këmbane, por nuk e hiqni nga goja “kataklizmën”, fundin e botës a ec e merre vesh, ç’idiotësi tjetër, kur unë mbeta duke bredhur fshat më fshat, me dy batalione ushtarësh, vetëm e vetëm që t’ju mbroj nga ca huliganë!!!”,(f. 283).
Sepse, “ideja e Gjyqit të Fundit (hyjnor), që i duket ndërgjegjes, si një çast papërcaktuar dhe i paparashikuar, si një stad i ankthit, – thotë Emil Cioran,- është një marrëzi dhe një provokim i hapur për intelektin, edhe pse paraqitja përfundimtare e Historisë, si pjesë përbërëse e mendjes njerëzore, qoftë fetare, qoftë profane, sërish kjo ide e kotë, merr veçoritë e një fataliteti”. Ngaqë kristianizmi ka shfrytëzuar frikën njerëzore, për të arritur në maksimum përfitimin, për një hyjni pa skrupuj që ka bërë terrorin, aleatin e vet. E gjithë ploja e përgjakshme dhe rrënimtare e vandalëve në natën fatale të qytetit të paralizuar, kalon para nesh përmes Valuskës, këtij vizionari të trazuar e naiv, këtij vëzhguesi “të çmendur” të çmendurisë njerëzore, – kësaj “viktime” të pafajshme, (të nesërmen, në dritën e ashpër të ditës), këtij antiheroi nga shtresa e njerëzve të thjeshtë ëndërrimtarë, me të cilin autori nuk ka ngritur në qiell teprimin e së pavetëdijshmes, por ka shpërfaqur faktin, se atë nuk e çon në humnerë ndonjë patologji perverse, por prirja e shpirtit të vet, nga e cila asnjë shpirt nuk mund të thotë se është i paprekur.
I gjithë ky rrëfim (që Kraznahorkai rrezikon ta shtyjë drejt një lloj “realizmi magjik” të Europës Qendrore), heterodiegjetik, (ku rrëfyesi ndodhet jasht ngjarjes që rrëfehet dhe është ndryshe nga protagonisti i ngjarjes së rrëfimit autorial, ndërthurur me atë figural, – dominim i personazhit reflektues apo pikë fokusuese e rrëfimit), realizohet përmes ligjërimit të zhdrejtë të lirë, (ku rrëfimtari merr përsipër diskursin e personazhit), të ndërthurur me monologun e brendshëm (tek të katër protagonistët, të cilët, teksa flasin me të tjerë, flasin dhe me vete, në një diskurs, në këtë të fundit, të pashqiptuar, përmes të cilit, një personazh shpreh mendimin e tij më intim, atë më pranë të pavetëdijshmes) apo, siç e quan Zhenet, “diskurs (imediat) i atypëratyshëm”, (ku rrëfimtari asnjanësohet dhe personazhi zë vendin e tij), si dhe përmes rrëfimit të rrëfimit si, bie fjala, kur znj. Harrer, pastruesja e shtëpisë, i tregon (në dhjetëra faqe) të nesërmen, z. Ester, (punëdhënësit të saj që rri mbyllur në shtëpi), plojën e natës së tmerrshme të përgjakjes dhe djegies së qytetit nga turma banditeske. Duke patur kështu një procede të metarrëfimit, pra një rrëfim në rrëfim, (metadiegjezë), që është universi i një rrëfimi të tillë , ashtu si diegjeza përcakton universin e rrëfimit të parë. Dhe, ku çdo ndodhi e rrëfyer nga një rrëfim, gjendet në një nivel diegjetik menjëherë superior, ndaj nivelit ku vendoset akti rrëfyes që prodhon një rrëfim i tillë, (në këtë rast rrëfimi i znj. Harrer që qëndron në një nivel më lart se rrëfimi diegjetik i nivelit të parë të rrëfyesit autor, Brenda të cilit ndërfutet rrëfimi i saj).
Romani madhor europian…
… “Melankolia e qëndresës”, (Magveto Konyvkiado, Budapest, 1989), në shqip, (“Alef”, Tiranë, 2019), në shqipërimin mjeshtëror të përkthyesit të shquar Romeo Çollaku, (i njohur me përballjet e tij me tekste të vështirë e të sofistikuar artistikë, si, bie fjala, në shqipërimin e poetit “satanik”, Lotremont, me “Këngët e Malderorit”, etj.), – një shqipërim nga përkthimi i përkryer në anglisht i poetit të njohur hungarez që jeton në Britani, George Szirtes,- nga hungarishtja, gjuha “e vogël” e Europës Qendrore, rrezikuar, ashtu si letërsia e saj, nga izolimi, – një shqetësim i thekshëm ky i Kraznahorkai-t ), vepra në fjalë është një epope’ antiheroike që ngrihet mbi themele të estetikës postmoderniste: atë të ironisë dhe skepticimit (nihilizmit) për vlerat e shoqërisë së modernitetit “fluid” të kohës sonë. Në një pamje, sipas eseistit Xhejms Vud, të një “çmendurie dhe qytetërimi” ankthioz, vibruar nga një pesimizëm i errët të përshkuar nga xixëllima të herëherëshme humori dhe komizmi.
Kjo prozë madhështore, tejet e vështirë për lexim për një lexues të thjeshtë, me fjali “pa mbarim”, (kështu, fjalia e parë, me të cilën nis romani, përbëhet nga 176 fjalë dhe rrallë gjen në roman fjali me gjatësi më të shkurtër), me strukturë të pafundme dhe një pikësim të shpeshtë, si lëvizja e kokës së zogut në pranverë, që të lë pa frymë. Universalizmi i Kraznahorkai-t, “rivalizon fuqishëm me këtë vepër, me Gogol-in, “Shpirtra të vdekur”, (Ë.G. Sebald) dhe me Melvil-in, “një Mobi Dik” i Europës Qendrore dhe një prej romaneve madhorë europianë të tridhjetë viteve të fundit”, (G.R. Hallberg), me personazhë dostojevskianë dhe me një njerëzim folknerian, nëpër shkreti ciorane e kafkiane që vetëtijnë, megjithatë, herë-herë nga një optimizëm i dlirë.
Mes kaosit dhe errësirës, ajo që mbetet në intensën e narrativës, me një tis të gjithëhershëm misteri, është balena në qendër të qytetit ku, trupi i saj, në një botë të ndyrë, të pakuptimtë, dhe histerike, sjell një kulm dhe, për çdo personazh, një ndryshim në atë që më parë ishte një univers i qëndrueshëm. Kjo krijesë gjigante e vdekur, e kalbur, shpërfaq, ndoshta, një alegori për rënien shpirtërore, shoqërore, natyrore e qiellore të njerëzimit të modernitetit, apo për Hungarinë e epokës sovjetike dhe dështimit të një shoqërie të kontrolluaar nga shteti, apo një alegori për sjelljen njerëzore dhe prirjen e saj për të rënë në çmendurinë e çnjerëzores më të ulët, përmes turmës pa fytyrë, (si, bie fjala, tek episodi tronditës, kur barbarët ndjekin një çift të vuajtur, me një vajzë të vogël, të cilët, sado përpiqen të ikin rrugicë më rrugicë, nëpër errësirë, për t’iu shpëtuar, ata iu kanë ngritur pusi kudo dhe i gëzohen “presë” deri sa i masakrojnë me një histerizëm të egërsht).
Fjalitë e gjata “pambarimisht”, me strukturat e tyre ritmike, janë aspekti më “i frikshëm” e më i rëndësishëm i prozës së Kraznahorkai-t, megjithëse diksioni i tij është i shënuar me presje, kapituj të tërë apo edhe libra që priren të përbëhen nga një fjali e vetme. Megjithatë, nuk është e vështirë të vendosesh në ritmin e këtyre rrymave të pafundme: lexuesi tërhiqet derisa efekti zbutet në një monotoni organike, si ajo e valëve të oqeanit ose e frymëmarrjes; tekst, i menduar nga shkrimtari, për të mos u ndërprerë. Me qëllim, sipas tij, për ta sjellë tekstin e shkruar më afër fjalës së folur. Ngaqë, siç shprehet në një intervistë, për “Milionat”-in (2012), “pas rishqyrtimit, dyshoj se këto fjali të gjata ekstatike nuk kanë asnjë lidhje me teorinë ose me ndonjë ide që mund të kem për gjuhën hungareze, por janë produkte të drejtpërdrejta të heronjve “në ekstazë” të librave të mi.. Nuk jam unë, por ata që shërbejnë si transmetues përmes librit. Dhe struktura e veprës nuk është diçka që e vendos unë, por ajo që gjenerohet nga intensiteti deri në çmenduri i personazheve të mi. Unë vetë jam i heshtur, në fakt plotësisht i heshtur. Dhe duke qenë kështu, mund të dëgjoj se çfarë thonë këto figura “heroike”; detyra ime është thjesht t’i transkriptoj. Pra, fjalitë nuk janë vërtet të miat, por shqiptohen nga ata, tek të cilët funksionon ndonjë dëshirë e egër. Kjo dëshirë iu jep fjalimeve të tyre një urgjencë të çmendur. Urgjenca është stili. Dhe një gjë tjetër: fjalimet që këta heronj janë aq të dëshpëruar për të të na i thënë, nuk janë aspak libër! Libri është një medium, një mjet për fjalimet e tyre, për të cilët janë aq të bindur për rëndësinë dërrmuese të këtij të shprehuri, saqë kjo gjuhë e tyre synon të prodhojë një efekt magjik, pa pasur domosdoshmërisht një kuptim konkret”.
Me lojën e tij të zgjuar me gjuhën, – siç thuhet në linket e shumtë on-line për veprën e tij,- Krasznahorkai thyen kufijtë tradicionalë të shkrimit, aq sa rishpik temën e idiomës hungareze në letërsinë kombëtare; (ndikimi i hungarishtes, gjuhës amtare, me fuqinë e saj aglutinative, -fjalëformimit me përngjitje,- të përthithjes, përbashkimit të shumë rrënjëve e temave fjalësore, në njësi të vetme leksikore e frazeologjike semantike, bie menjëherë në sy, në veprat e literaritetit të tij, teksa paraqet botën moderne përmes stilit të vet unik të përshkrimit të detajuar shterues). Si dhe me aftësinë e jashtëzakonshme për të artikuluar poetikisht shekuj të mendimit evropian (besimit dhe skepticizmit të tij, në terma të përmbledhur), si një histori fiksionale tërheqëse, intelektuale dhe shpirtërore, me një shtytje dhe tërheqje të vazhdueshme midis botëkuptimit, habisë e zhgënjimit, me një energjizëm komik e ironik dhe një thelb humori e trishtimi të prekshëm, përmes fjalive të tij të jashtëzakonshme, që shkojnë në gjatësi të pabesueshme, me një tonalitet të tyre që kalon nga ai solemn në atë çmendur, që shtohen në një rrëshqitje fjalësh që na shtyjnë në mënyrë të pashmangshme përpara e që ndihen të natyrshme (e paksa të panatyrshme në të njëjtën kohë), teksa shkojnë në rrugën e tyre të çuditshme; fjali sfilitëse e shkatërruese, por të bukura, gjë që tregon se nihilizmi pasiv përfundon gjithëherë në një estetizëm të së bukurës në art.
Ku fjala vepron jo si forcë ideale, por si një fuqi e errët, si një nomatisje, që i detyron gjërat, i bën realisht të pranishme jasht vetvetes…si një magji e gjallë për të cilën flet Kafka, “ku shkatërrimi nuk është shkatërrim, por ndërtim”,…ku “autori nuk duhet të ndërhyjë, sepse një roman është një vepër arti dhe, që vepra e artit të ekzistojë në vetvete, si një gjë ireale, ai duhet ta lërë të lirë në botën jasht botës”, (Blansho, “Nga Kafka te Kafka”, 2021:172). E që të kujton, në ndonjë rast, trilogjinë e Beket-it, veçanërisht “E paemërtueshmja”, me atë emfazë të palëkundur për asgjënë, kapjen, ikjen dhe pamundësinë për të ikur.
Teksti romanor në fjalë, dhe pse i vështirë, krijon një mistikë , teksa “hap brazdën e kënaqësisë, të humbjes së madhe subjektive, siç thotë Bart, (“Pëlqimi i tekstit”, 2022: 70), duke e njësuar tekstin me çastet më të kulluar të përvertimit, (rrëmbushjes emotive), me vendet e tij më të fshehtë, duke barazuar fushën e pëlqimit dhe mënjanimin e kundërvënies së rreme mes jetës praktike dhe jetës soditëse, sepse pëlqimi i tekstit është vlera e ngritur në rangun rrezëllues të shenjuesit dhe domethënësia e tij, është kuptimi për aq sa ai prodhohet sensualisht”.
Krasznahorkai na shfaq dhe prezanton me veprën e tij, (gjatë tre dekadave, në tre kontinente), një botë të humbjes, të humbjes së komunikimit, (si frikë e moskomunikimit dhe akoma më keq: si pamundësi e komunikimit) dhe të së vërtetës, të mbushur me tmerre dhe dëshpërime – por të zbukuruar dhe të zgjeruar me një gjuhë që të lë pa frymë. Që e vijon dhe në romanet e tjerë të tij: “Satan-tango”, një prozë e gjatë e parë kry evepre, për fundin e komunizmit nga këndvështrimi i një fshati të vogël hungarez, (ekranizuar, me të njëjtin titull, në një film prej më se 7 orësh, nga Bela Tarr); “Luftë dhe luftë”, (një vepër po kaq e famshme, sa kjo që po kundrojmë),;“Seibo, atje poshtë, (rrëfim i një historie dhe reflektimi për artin dhe bukurinë), “Ujku i fundit”, etj., si dhe në reportazhe, tregime, përshkrime me subjekte nga vendet ku jetoi për shumë vite, (Kinë, Japoni, Gjermani, SHBA): “Shkatërrim dhe pikëllim nën qiej”, “Bota vazhdon”, “Projekti Manhatan”, etj., ku njerëzit, fatet e të cilëve janë të shkëputur nga pjesëmarrja kuptimplote në diçka më të madhe se jeta, gravitojnë drejt paranojës dhe obsesionit, si fluturat rreth një llampe, me shpresën për të shmangur vetëshkatërrimin duke iu dorëzuar kauzave më të mëdha: intelektuale, artistike, sociale.
Sepse, siç shprehet Xhejms Vud, eseisti anglo-amerikan, në “The Neë Yorker”, (2011), Kraznahorkai përqëndrohet te bota e tij fiksionale në përmbushjen e fjalisë, në zhdërvjelltësimin e saj për të kapur e dhënë cilësimet më të holla, mëdyshjet, hopet dhe kontradiktat e të qenit gjallë duke bërë që fjalitë shumë të gjata, plot hapësirë, të pandërprera, të jenë njëheri dhe letrare, dhe vokale, ashtu si tek Thomas Bernard, Saramago, Ë.G. Sebald, David Foster, Ëallas, Roberto Bolanjo, që janë në konflikt me realizmin e rrafshët gramatikor, (sipas të cilit realja është bërë që të bjerë në bashkëlidhje dhe kallëpe të paravendosura formale), por ndryshe nga ata, ai shpërfaq vijueshmërinë e vrazhdë të sintaksës, vendosjen e përkryer komike të frazës finale, kompozita të vetme që kapen, flaken dhe asgjësohen, përsëritja e të cilave krijon humor, por dhe panik, me humnera që janë pa taban dhe larg logjikës (që i afrohen, në ndonjë rast, haluçinacionit) dhe ku ne, shpesh herë, nuk kemi idenë se kush e motivon letraritetin e tij shkundullitës.
Ky “shkrimtar vizionar me një diapazon vokal të jashtëzakonshëm,- siç thuhet në motivimin e dhënies së çmimit të lartë “The Man Booker Inernational Prize”, (2015), – kap strukturën e ekzistencës së sotme në skena që janë të tmerrshme, të çuditshme, tmerrësisht komike dhe shpesh jashtëzakonisht të bukura”. (Kujtojmë se fituesi i parë i këtij çmimi botëror letrar, që jepet çdo dy vjet nga Britania e Madhe, për letërsinë e shkruar apo të përkthyer në anglisht, mes kandidatëve nobelistë: Bellou, Markez, Grass, Kenzaburo Oe, Nagip Mahfuz, – është Kadare, autori i famshëm shqiptar, më 2005, si “ një shkrimtar universal, me një traditë narracioni që e ka origjinën që nga Homeri”). Së fundmi, nderuar dhe me vlerësimin më të lartë të botës letrare, çmimin “Nobël”, 2025.
“Melankolia e qëndresës”, ky roman mjeshtëror postmodern, por dhe pesimist grotesk, përderisa jep në mënyrë të përsëritur, me tone ironike, mundësinë e një revolucioni a frymëzimi të një idealiteti, ky “kompozim gjenial dhe shkrim mahnitës” (Kirkus Revieuës) i Lazlo Kraznohorkai-t, (fituesit të çmimeve të rëndësishëm në Europë dhe Amerikë, nominuar për çmimin “Nobël”, prej disa vitesh), i këtij “mjeshtri të apokalipsit”, (Suzan Sonntag), të komedisë së përgjakshme të tij, përmes një fuqie tallazitëse estetike, është një roman ku çdo fjali është një akt i performancës së pastër, një akt i tensionuar energjizmi semiotik dhe, e gjithë vepra, – një “shkulm” i jashtëzakonshëm ,- po të shpreheshim me termin e Roberto Kalaso-s, eseistit të shquar italian,- i “letërsisë së përbotëshme”.