Veseli: Mërgata të ndjejë se shteti i Kosovës është pranë saj. Mërgata nuk u ndal kurrë së punuari për atdheun tonë të dashur, gjurmët e duarve të saj janë dëshmi e përjetshme në historinë e çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës/
Ne Foto:Kryeparlamentari kosovar Veseli ne takimin me rreth 200 mërgimtarë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 22 Korrik 2015/ I japim fund epokës së mërgatës pa shtet, tha sot kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në një pritje të veçantë në ditën e dytë të aktivitetit “Bashkatdhetarët në Kuvend”.
Në sallën e mbledhjeve plenare të Kuvendit, kryeparlamentari kosovar Veseli takoi rreth 200 mërgimtarë, duke atribuar atyre edhe meritën pse Kuvendi i Republikës së Kosovës sot bart këtë emër. Duke e konsideruar ditën e sotme të veçantë për të, kryetari Veseli tha se këto ditë vere janë të veçanta edhe për atdheun, kur ai ripërtërihet dhe rizbulon lidhjen e tij të fuqishme me bijtë dhe bijat e tij, që jetojnë dhe punojnë gjithandej botës.
“Në 20 vitet e fundit atdheu ynë ka kaluar nëpër ngjarje të mëdha historike. Roli i mërgatës sonë në këto ngjarje ka qenë i jashtëzakonshëm. Kosova nuk do të mbijetonte pa mbështetjen tuaj të nderuar bashkatdhetarë”, u shpreh Veseli.
Në vitet ‘90 të shekullit të kaluar, kur regjimi i atëhershëm serb e dëboi gjithë popullin tonë nga sistemi institucional, shtoi kryetari Veseli, me mundin e bashkatdhetarëve Kosova ngriti sistemi e mbijetesës dhe rezistencës ndaj këtij regjimi.
“Dhe kur nisi lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ju të nderuar bashkatdhetarë, ishit të parët që ju përgjigjët thirrjes së atdheut. Brenda një kohe të shkurtër e gjithë mërgata jonë u kthye në një logjistikë të fuqishme të luftës çlirimtare, një logjistikë që edhe shtetet më të organizuara do ta kishin zili. Mijëra djem lanë familjet e tyre, shkollat dhe vendet e punës nëpër shtetet perëndimore dhe u rreshtuan në njësitet e UÇK-së. Shumë prej tyre ranë dëshmorë, shumë humbën gjymtyrët e tyre. Ata sakrifikuan fatin e tyre individual për të mbrojtur dhe çliruar atdheun. Ne do të përkulemi përjetë para veprës dhe kujtimit të tyre”, theksoi kryetari i Kuvendit.
Kryeparlamentari Veseli tha se mërgata nuk u ndal kurrë së punuari për atdheun e dashur dhe se, gjurmët e duarve të saj janë dëshmi e përjetshme në historinë e çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës.
Duke e konsideruar zhvillimin ekonomik si njërën nga sfidat kryesore të ditëve të sotme, kryetari Veseli tha se shteti ynë nuk mund të ecë përpara pa ndryshuar gjendja ekonomike, ndërsa stabiliteti makro-ekonomik ende varet në masë të konsiderueshme nga kontributi i drejtpërdrejtë i mërgimtarëve.
“Në anën tjetër, shërbimet që shteti duhet t’i kryej ndaj jush ende nuk janë në nivelin e duhur. Shpeshëherë kjo ndodhë për shkak të burimeve të kufizuara, por edhe për shkak të neglizhencës burokratike”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës
“Duhet dhënë fund epokës së mërgatës pa shtet. Mërgata jonë duhet të ndjejë se shteti i Kosovës është pranë saj, pranë halleve dhe nevojave të saj. Kjo nuk është vetëm borxhi historik që ky shtet ka ndaj mërgatës, por edhe një investim në të tashmen dhe të ardhmen e atdheut tonë”, u shpreh kryeparlamentari Veseli.
Në vazhdim, morën fjalën bashkatdhetarë nga shtete të ndryshme, të cilët falënderuan kryetarin Veseli që hapi dyert e Kuvendit për ta, duke u dhënë mundësinë të shohin nga afër mjediset e legjislativit të vendit.
Në emër të komunitetit shqiptar në Itali, përfaqësuesi i këtij komuniteti, Xhafer Berisha, kryeparlamentarit Veseli i ndau mirënjohje.