BERLIN, 28 korrik /– Kancelarja gjermane, Angela Merkel deklaroi sot se Gjermania mbetej një shtet i fortë dhe se ajo do ta fitonte luftën kundër terrorizmit.
Merkel dënoi ashpër dhunën në Wurzburg dhe Ansbach dhe i konsideroi veprime të terrorit islamik.
”Bëhet fjalë për sulme të tmerrshme, sulme ku shkelet çdo rregull civilizimi… Autoritetet do të bëjnë çdo gjë për të na qartësuar”, tha Merkel në hapje të një konference tradicionale shtypi, ku u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve.
“Njëmbëdhjetë muaj më parë thashë se Gjermania ishte një shtet i fortë. Kemi bërë shumë gjëra dhe edhe sot mendoj se do t’ia dalim. Nuk thashë se ishte e lehtë, por thashë se do ta fitonim këtë sfidë historike”, theksoi ajo.
”Atentatet e kryera nga refugjatët në Gjermani nuk do ta ndryshojnë politikën tonë kundrejt azilit. Gjermania u mbetet besnike parimeve të saj dhe do t’i japë strehë atij që e meriton”, shtoi kancelarja.
Merkel paraqiti edhe një plan me nëntë pika për çështjen e luftës kundër terrorizmit.