Nga B.Kastrati/.- Kancelarja gjermane, Angela Merkel deklaroi sot se vendimi për statusin e vendit kandidat për Shqpërinë varet nga raporti që Komisioni Europian do të publikojë në muajin qershor.Deklarata e znj. Merkel u bë gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin shqiptar Edi Rama, i cili ndodhet sot në Berlin për një vizitë zyrtare.
Gjatë takimit dypalësh zyrtarët e lartë diskutuan për procesin eurointegrues të Shqipërisë, domosdoshmërinë e një bashkëpunimi më të thellë ekonomik mes dy vendeve, si dhe situatën dhe rolin e shtetit shqiptar në rajon.
Në konferencën për mediat znj. Merkel tha se vendeve të Ballkanit Perëndimor i kemi dhënë perspektivë dhe në fund të një rruge të gjatë do të kemi integrimin e plotë të tyre.
E pyetur për qëndrimin që do të mbajë Gjermania në qershor në kuadër të marrjes së statusit kandidat për Shqipërinë, Merkel tha se “ne i trajtojmë vendet në bazë të raporteve të Komisionit Europian”. Sipas saj, Komisioni paraqet raport për statusin, për gjendjen e punëve dhe hapi tjetër që vjen për Shqipërinë është statusi i kandidatit. “Ne në qeshor do të marrim një raport të ri. Komisioni do të ketë regjistruar përparimet dhe ne do të shikojmë me një vështrim pozitiv për statusin e kandidatit për Shqipërinë. Gjithmonë është një çështje, kur do ta merrni. Nuk duhet të keni frikë se nuk do të jepet statusi i kandidatit, por raportet duhet ta bëjnë të mundur që t’ua japim. Këtë e folën shumë hapur edhe me Kryeministrin”, deklaroi ajo.
“Kryeministri, tha Kancelarja, më ftoi për vizitë dhe unë i thashë se do ta respektoj këtë ftesë dhe nëse më pyesni pas një viti unë do të kem qënë në Shqipëri”.
Ajo gjithashtu vlerësoi pjesëmarrjen e grave në kabinetin qeveritar shqiptar, ndërsa tha se investimet gjermane në Shqipëri i sheh si një instrument të transformimit të kulturës së sipërmarrjes.
Kryeministri Rama në deklaratën për mediat tha se e njohu Kancelaren me ecurinë e procesit të integrimit të vendit ndërsa i shprehu asaj angazhimin e qeverisë për përmbushjen e reformave që kërkon ky proces, kryesisht ato në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe sundimit të shtetit ligjor.
Rama e konsideroi të domosdoshme rritjen e bashkëpunimit ekonomik, referuar edhe rolit transformues të Gjermanisë në sektorin privat. Kjo sipas kryeministrit e bën legjitime kërkesën për praninë e investitorëve gjermanë në Shqipëri.
“Ne e konsiderojmë Europën një destinacion brenda nesh dhe vendi ynë është në Europë, ndaj ne duhet të bëjmë gjithçka, ditë pas ditë, që të meritojmë atë vend që shqiptarët aspirojnë dhe që ne, me ndihmën e Gjermanisë dhe të gjithë partnerëve tanë europianë, do të mund t’ua japim duke bërë çdo reformë, për një proces që nuk është i shkurtër”, deklaroi kryeministri Edi Rama sot në Berlin.
Merkel: Do të inkurajojmë investitorët gjermanë për të ardhur në Shqipëri
Nga Arlindaj Gjonaj
Kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi sot në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama se “do të inkurajojë investitorët gjermane për të investuar në Shqipëri”. Duke u ndalur në çështjen e bashkëpunimit ekonomik, Merkel në përgjigje të intertesit të medias tha se kishte folur me kryeministrin shqiptar për bashkëpunimin ekonomik. “Po unë fola. Folëm për faktin se projektet e caktuara të organizatës kreditore për rindërtimin regjistrohen shumë pozitivisht në Shqipëri, sa i përket konfigurimit të infrastrukturës në Shqipëri. Kryeministri Rama do të zhvillojë bisedime. Ne do të inkurajojmë investitorët gjermanë. Për investitorët privat ka shumë rëndësi siguria juridike. Ata duhet të kenë besim te sistemi juridik. Ndaj dhe ne ngulim fort këmbë të reforma e drejtësisë”, u shpreh Merkel. Kemi shumë sipërmarrje të mesme në Gjermani, tha ajo, që varen shumë nga fakti për të investuar kapitalin e tyre atje ku gjejnë kushte të mira. “Sa më shpejt të mirëformohet kuadri juridik, aq më i madh do të jetë edhe interesi i investitorëve gjermanë për Shqipërinë. Jam e sigurtë që edhe bilanci i import -eksportit do të balancohet”, tha kancelarja gjermane, Merkel.
Ndërsa Kryeministri Edi Rama shtoi në këtë drejtim se ka patur një dakordësi të plotë me kancelaren gjermane, Merkel, lidhur me domosdoshmërinë që rajoni si i tërë të zhvillohet në mënyrë më të integruar dhe bashkëpunimi rajonal në aspektin ekonomik të shkojë duke u forcuar. Ai shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për të bërë gjithçka për të krijuar kushtet, për të tërhequr sa më shumë investime gjermane në Shqipëri. Investimet gjermane në Shqipëri, për kryeministrin Rama, shihen jo vetëm si burim i të ardhurave, por edhe si si transformim i kulturës së sipërmarrjes dhe kulturës së punës. Për këtë arsye, tha ai, i konsiderojmë me një vlerë të dyfishtë. “Do të vazhdojmë kontaktet edhe me sipërmarrjen këtu dhe kemi planifikuar të çojmë më tutje këto kontakte në disa takime të mëtejshme me disa nga grupet e mëdha në Gjermani”, deklaroi Rama