Prof. Dr. Musa AHMETI
Center for Albanian Studies, Budapest
Mesjeta shqiptare deri me sot është njëra prej periudha më të pa ndriçuara dhe të pa hulumtura të historisë së popullit shqiptar. Për një gjendje të tillë kanë ndikuar shumë faktorë, por më kryesori është mungesa e dorëshkrimeve, dokumenteve dhe burimeve origjinale të shkruara të kësaj epoke në arkivat dhe bilbiotekat shqiptare, por edhe në ato europiane e botërore.
Është botërisht e ditur tani se Shqipëria gjatë mesjetës ishte një “arenë”[1] luftrash. U ndërruan sunduesit njëri pas tjetrit, duke shkatërruar vlerat qytetëruese dhe plaçkitur të mirat ekonomike dhe ato kulturore. Këto pohime, në dukje të parë mjaft të rënda dhe të ashpra ne do i mbështesim në burime të ndryshme dokumentare të sigurta të kohës, të cilat për fat të mirë na janë ruajtur, por jo në Shqipëri, por, në arkivat dhe bibliotekat e Europës dhe të botës. Vetëm gjatë shekujve XI-XIV (për rreth 300 vjet) në tokat shqiptare kaluan rreth 32 pushtues të ndryshëm që nga: normanët e Sicilisë, gjermanët Hohenshtaufenë, francezët Anzhu, aragonezët spanjolë të Napolit pastaj Perandoritë: e Nikesë, e Bizantit, e Bullgarisë, e Serbisë, ajo Osmane si dhe Republika e Venedikut.[2]
Një paraqitje kornologjike e gjithë asaj që qe “arenë” luftrash në mesjetë (shekujt VI-XVI) do të dukej përafërsisht kështu:
– në shekullin VII (609) avaro-sllavët u dyndën në Ballkan.[3] Po në këtë shekull dy fise të mëdha sllave u ngulitën në Gadishullin Balkanik, kroatët dhe serbët. Një ngjarje e rëndësishme ndodh në vitin 732, kur ipeshkvitë shqiptare nga varësia e Romës, kalojnë në varësinë (sundimin) e Konstantinopojës. Në shekullin IX, kemi themelimin e “themave” të Durrësit, Nikopojës, Selanikut dhe Dalmacisë. Në vitet 852-879, trojet shqiptare ishin nën sundimin e mbretit bullgar, Borisit (Mihailit), ndërsa në vitet 894-927 trojet shqipatre ishin prap të pushtuara nga mbreti tjetër bullgar Simeoni. Në fillim të shekulit XI, themelohet “thema” e Shkupit. Ngjarja më e rendësishme në sferën kishtare e cila la gjurmë të thella përgjatë gjithë historisë së popullit shqiptar, është ndarja e Kishës në atë Katolike dhe ortodokse, (1054) ku trojet shqiptare u ndanë në dy pjesë, përkatësisht, Veriu i Shqipërisë i takoi kishës katolike me qendër Romën, ndërsa Jugu i Shqipërisë i takoi kishës ortodokse me qendër Konstantinopojën. Një sulëm pothuajse shkatërrues për popullin shqiptar ndërmorën normanët në vitet 1081-1084. Edhe kryqëzata[4] e parë e vitit 1095[5] kaloi nëpër trojet shqiptare duke lënë gjurmët e saja.[6] Normanët prap e pushtuan Shqipërinë në vitet 1107-1108, ndërsa për herë të tretë Shqipërinë e pushtuan normanët në vitin 1149. Për normanët, Shqipëria (Albania/ Arbania e kohës) dhe terrioret e saj ishin shumë tërheqëse, kështu në vitin 1185, për herë të katër u pushtuan nga Guljelimi I. Edhe pjestarët e kryqëzatës së katërt në vitin 1204,[7] kaluan nëpër trojtet shqiptare. Një tjetër pushtim ishte ai i mbretit të Sicilisë, Manfredit Hohenshtaufen në vitet 1257-1258.
STATUTA ET ORDINATIONES CAPITULI ECCLESIAE CATHEDRALIS DRIVASTENSIS
Njëri nga dorëshkrimet më të rëndësishme që i takon mesjetës shqiptare është ai i “Statuteve të Drishtit” dhe për fat të mirë na është ruajtur i plotë, në origjinal, me autorë të saktë që e kanë përshkruar, noterin durrsak Simon Dromasyus dhe me e rëndësishmja: data dhe viti i saktë i krijimit të tij.
Statutet e Katedrales së Drishtit, titulli i plotë i të cilave në latinisht është Statuta et ordinationes capituli ecclesiae Cathedralis Drivastensis, sot origjinali i tyre në dorëshrkim gjendet në Kopenhagë, në Bibliotekën Mbretërore Daneze, (Det Kongelige Bibliotek, Håndskriftsafdelingen, København,) në sektorin e dorëshkrimeve me signaturën Ny kgl. S. 1822.
Përpara se t’i gjenim këto statute, dispononim vetëm të dhëna fragmentare për vendndodhjen e sotme të tyre, të dhëna këto të marra nga shënimet e albanologut kroat Milan Shuflaj.[8] Sipas tij, dorëshkrimi i Statutit të Katedrales së Drishtit për herë të parë përmendet në katalogun 438 të antikuarit gjerman, Karl Wilhelm Hiersemann nga Lajpcigu, në qershorin e vitit 1915, fasc. 43, nën numrin 250, i përshkruar në mënyrë shumë sipërfaqësore, por me titull të plotë: “Statuta et ordinationes capituli ecclesiae Cathedralis Drivastensis”. Meqenëse dorëshkrimi nuk u shit, K. W. Hiersemann-i i përsërit shënimet e vitit 1915 në katologun 477 për vitin 1920, fasc. 7, nën numrin 33, duke mos shtuar asgjë më shumë.[9]
Sipas rezultateve më të fundit, pas kërkimeve dhe hulumtimeve të bëra në biblioteka të ndryshe, rezulton se dorëshkrimi i “Statuta et ordinationes capituli ecclesiae Cathedralis Drivastensis” njihej në botën shkencore dhe në atë të koleksionistëve të dorëshkrimeve dhe të librit të rrallë (antikuare) jo që nga viti 1915, por që nga viti 1833. Informacioni për ekzistencën e këtij dorëshkrimi ishte bërë publik nga koleksionisti Thomas Thorpe, dhe ne sot mund ta gjejmë atë në “Thorpe MSS, 1833. From Guilford, Naylor, Shaw, Mason, Allard, Monteil, and other Collections,” (f. 107). Për sugjerimet dhe ndihmën e pakursyer në lidhje me gjetjen e këtij informacioni falenderojmë publikisht historianin anglez Noel Malcolm dhe albanologun kanadez Robert Elsie. Në një nga botimet tona kemi shkruar ndër të tjera që dorëshkrimi i Statutit të Katedrales së Drishtit për herë të parë përmendet në katalogun 438 të antikuarit gjerman, Karl Wilhelm Hiersemann nga Lajpcigu, në qershorin e vitit 1915, fasc. 43, nën numrin 250, zë ky i përshkruar në mënyrë shumë sipërfaqësore në këtë katalog, por me titull të plotë: “Statuta et ordinationes capituli ecclesiae Cathedralis Drivastensis”.[10] Meqenëse dorëshkrimi nuk u shit, Hiersemann i përsërit shënimet e vitit 1915 në katologun 477 për vitin 1920, fasc. 7, nën numrin 33, duke mos shtuar asgjë më shumë. Me informacionin e ri të zbuluar kohët e fundit, dhe që e daton dijen për ekzistencën e dorëshkrimit “Statuta et ordinationes capituli ecclesiae Cathedralis Drivastensis” në vitin 1833, njohuritë për ekzistencën e këtij dorëshkrimi shtyhen për të paktën 82 vjet. Pra, pohimi ynë i mëparshëm që e shënon vitin 1915, si vit të përmendjes për herë të parë të këtij dorëshkrimi, është tashmë i vjetëruar, e bashkë me të edhe pohimet respektive të botuara nga të tjerë që kanë shkruar për këtë dorëshkrim herë duke na cituar, e herë duke na anashkaluar, edhe pse asnjëri prej tyre nuk e ka pasur në dorë origjinalin, apo ndonjë kopje të mikrofilmuar a fotografuar të tij.
Poashtu, i fundit që ka shkruar për këtë dorëshkrim, para se na ta botojmë të transliteruar, përkthyer dhe edituar sipas metodës kritike të botimeve moderne, ka qenë albanologu danez Gunar Svane,[11] i cili sjell një përshkrim jo shumë të saktë dhe me gabime të ndjeshme në transkriptim. Ne po e sjellim ashtu siç e ka botuar Svane në vitin 1985 pa ndërhyrje: “Në koleksionet BMK, dëshmia më e vjetër për shqiptarët është një dorëshkrim në pergamenë: 19 fletë (24,7x17cm) i shek. XV. Në katalogun e dorëshkrimeve latine në BMK ai përshkruhet si: Statuta et ordinationes ecclesie Driuasvtensis anno 1464 ab archiepiscopo Dyrrhachensi. Paulo Angelo confirmata (nënshkrimi: Ny Kongelig Samling 1822 fol.). Doreshkrimi është shkruar me shumë kujdes mbi një pergamenë të një cilësie të mirë. Ai ka rubrika dhe shkronja nistore të punuara me art. Veçanërisht e bukur është shkronja nistore mbi fletën 1: polikromi P (në Paulus Angelus); ai është i praruar dhe i dekoruar me pikturën e një peshkopi me veshje fetare. Mbi fletën 17 vërtetohet autenticiteti i tekstit nga «Joanes Mauro, canonicus dyrrhachiensis publicus», pas këtij pohimi vjen nënshkrimi «levita Simon Promasyus,[12] canonicus antibarensis publicus», datuar1468. Mbi fleten 19 gjejmë «Stemma Pauli Angeli, archiepiscopi Dyrrhachiensis», e cila renditet në këtë mënyrë: «Ixacius Angelus —> Alexius Angelus Imp —» Alexius Andreas Angelus Posth —> Michael Angelus Co Dyrh —> Andreas Angelus Co Dyrh —> Michael Angelus als Petrus —> Andreas Angelus Co —> Paulus Angelus eps Dyrach/ Petrus Angelus Comes. Këtë dorëshkrim interesant me origjinë shqiptare Biblioteka e bleu në Lajpcig më 1920. Para këtij viti ai ndodhej nën zotërimin anglez, gjë që kuptohet nga shënimet në anën e brendshme të lidhjes: Earl of Guilford, Sir Thomas Phillipps.”[13]
Në vijim po japim historinë e munguar të përmendjes së dorëshkrimit para vitit 1915. Pas kërkimeve të bëra në shumë prej katalogjeve të Sir Thomas Phillipps-it për shitje, në njërin prej tyre: “Sothebys” të quajtur “Bibliotheca Phillippica” u gjet informacioni që vijon: “katalog i një pjese të mëtejshme të (…) dorëshkrimeve dhe letrave autografe të Thomas Phillipps të mëvonshëm (Londër, 1913), për një shitje prej katër ditësh (19-23 maj 1913) zëri në faqen 168 për dorëshkrimin 826 (shitur më 22 maj 1913) është: “Illyria: Statuta Pauli Angeli Archiepiscopi Dyrrhachiensis et Illyrice [sic!] Regionis Judicis et Comissarii, dorëshkrim original i shekullit XV në vellum, me miniature, me inicial, të Pal Engjëllit në rrobën e ipeshkvit. Folio. Shek. XV.”
Biblioteka Bodleiana e Oxfordit, disponon një fotokopje të kopjes me komente të këtij katalogu, në të cilin komentatori, shkruesi i këtyre shënimeve, ka vënë emrat e blerësve dhe gjithashtu edhe numrat e dorëshkrimeve në katalogun original të stampuar të bibliotekës së Sir Thomas Phillipps-it. Në këtë rast, blerësi ishte Hiersemann dhe çmimi ishte 4 paund e 15 shilinga. Në katalogun original të Phillipps-it, numri i këtij dorëshkrimi ishte 7308. Ekziston edhe një ribotim modern i këtij katalogu: A. N. L. Munby, [ed.], The Phillipps Manuscripts: catalogus librorum manuscriptorum in bibliotheca D. Thomae Phillipps, Bt. impressum typis medio-montanis 1837-1871 (London, 1968). Zëri për dorëshkrimin në fjalë në këtë katalog, f. 111, është si vijon: “Pauli Angeli Statuta sm f. V. s. XV [d.m.th. folio e vogël, vellum, saeculi XV], 1468.” Pra, është në një grup dorëshkrimesh nën titullin: “Thorpe MSS, 1833. From Guilford, Naylor, Shaw, Mason, Allard, Monteil, and other Collections,” (f. 107). Me fjalë të tjera, dorëshkrimi ishte sjellë nga ndërmjetësi Thomas Thorpe në vitin 1833, dhe vinte nga një prej atyre koleksioneve, emrin e të cilin për momentin nuk jemi në gjendje ta themi me saktësi. Një gjë është e sigurtë se dorëshkrimi nuk vinte nga koleksioni i Lord Guilford-it, sepse dorëshkrimet që ishin nga koleksioni i tij janë shënuar me “G” në katalog. Fraza “…and other Collections” (dhe koleksione të tjera) lë hapësirë për të vazhduar kërkimet edhe në katalogjet e koleksionistëve të tjerë, për të vjelur informacione më të hershme, jo vetëm për këtë dorëshkrim, por edhe për ndonjë tjetër që ka të bëjë me Shqipërinë dhe që është akoma i panjohur.[14] Sipas njohurive tona koleksioni i Thomas Phillipps ishte kolosal dhe pjesët më të mëdha të këtij koleksioni vazhduan të shiten nga trashëgimtarët e tij edhe shumë kohë pas vdekjes së tij.
Milan Shuflaj jo vetëm që ka qenë i pari që tërhoqi vëmendjen e botës shkencore për ekzistencën, vlerën dhe rëndësinë e këtij dorëshkrimi,[15] por edhe i pari që tregoi për përmbajtjen dhe vendndodhjen e tij, në atë kohë, pra deri në vitin 1920. Për këto të fundit, M. Shuflaj jo vetëm që kishte njoftuar Ivan Bojniçiqin në vitin 1916, por edhe ishte përpjekur me të gjitha forcat të gjente një blerës në pamundësi për ta blerë vetë dorëshkrimin e vyer. Shuflaj i ishte drejtuar banit kroat, Rauhit, që ta blente atë për Bibliotekën Universitare të Zagrebit, por blerja nuk ishte realizuar.[16] Ai e kishte provuar përsëri përmes Thalloczy-t që Akademija Vjeneze ose ajo e Budapestit ta blenin atë, por pa sukses. Ndërsa Shuflaj po këmbëngulte që dorëshkrimi të blihej me çdo kusht [ai i ishte drejtuar edhe Akademisë Serbe të Shkencave në Beograd për ndihmë],[17] pa pritur në vitin 1920, ai njoftohet, se një blerës anonim e kishte blerë dorëshkrimin për shumën marramendëse prej 2.000 markash, aq sa ia kishte vënë çmimin antikuari gjerman. Një gjë e tillë e shqetësoi shumë, ngaqë kishte pasur shpresë që një ditë do ta botonte vetë këtë burim me vlera të jashtëzakonshme për mesjetën e qyteteve shqiptare.
Përmes albanologut Henrik Bariq, në vitin 1924, Shuflaj arrin të sigurojë emrin e blerësit, danezit Sir Thomas Phillipps. Së bashku me kolegët e tij, Viktor Novakun dhe Henrik Bariqin, i luten albanologun danez, Holger Pedersenin, që të ndërmjetësonte te Sir Thomas Phillipps për të siguruar një kopje të fotografuar të tërë dorëshkrimit. Më në fund, në vitin 1925, arrin kopja e dorëshkrimit, e cila megjithatë nuk ishte e plotë.[18]
Shuflaj, së bashku me V. Novakun, menjëherë i hynë punës dhe e përgatitën për botim dorëshkrimin, me gjithë mangësitë që kishte. Si i tillë botohet në Biblioteka Arhiva za Arbanasku starinu, jezik i etnologiju në Beograd në vitin 1927.[19] Edhe pse i botuar, ai mbetet pothuajse i panjohur dhe i pashfrytëzuar fare nga studiuesit dhe historianët shqiptarë dhe të huaj për arsye të ndryshme. Në vitin 1972,[20] botohet në formë të shkurtuar në gjuhën shqipe dhe me ndërhyrje të shumta në revistën: Gjurmime Albanologjike, seria e shkencave historike të Prishtinës.[21]
Për të saktësuar dhe plotësuar historikun e ardhjes së dorëshkrimt të “Statuta et ordinationes capituli ecclesiae Cathedralis Drivastensis” në Bibliotekën Mbretërore Daneze, kemi pasur edhe ndihmën dashamirëse dhe të pakursyer të albanologëve dr. Noel Malcolm dhe dr. Robert Elsie. Përmes këtij të fundit, dr. N. Malcolm, na dërgoi informacione shumë të vlefshme për historinë e lëvizjes së dorëshkrimit. Nga hulumtimet e tij në bibliotekat britanike, Malcolm kishte arritur në konkluzionin që pohimi se dorëshkrimi i ishte shitur nga Hiersemann zotërisë “danez” Thomas Phillipps ishte i gabuar. z. Thomas Phillipps (1792-1872) ishte një koleksionist i famshëm anglez dorëshkrimesh dhe librash.
Përshkrimi fizik i dorëshkrimit
Në Bibliotekën Mbretërore Daneze, Det Kongelige Bibliotek, Håndskriftsafdelingen, København, në sektorin e dorëshkrimeve, dorëshkrimi ruhet në një kuti kartoni, ngjyrë jeshile dhe është i lidhur me kopertina kartoni të forta, ngjyrë kafe të errët, ndërsa kurrizi është prej pergameni të bardhë.
Gjashtë faqet e para dhe të fundit janë boshe, përkatësisht janë faqe që u takojnë kopertinave kur është bërë lidhja e re në fund të shek. XIX. Dorëshkrimi është në pergamen të butë,[22] fin dhe i tëri në gjuhën latine.[23] Kopertina është diçka më e trashë se faqet e tjera. I tërë dorëshkrimi është i shkruar me ngjyrë kafe nga një dorë e vetme në tipin kaligrafik mjuskul.
Dorëshkrimi origjinal në pergamen ka dy lloj faqosjesh. Njërin lart në të djathtë, që fillon nga nr. 1r dhe vazhdon deri në nr. 18v[24] dhe faqosjen e dytë, poshtë në djathtë, që fillon nga nr. 9r dhe përfundon në nr. 26v.[25] Të dyja faqosjet janë të kohës së dorëshkrimit. Mesa duket, ky dorëshkrim ka qenë pjesë e një apo më shumë dorëshkrimeve tjera të lidhura së bashku.
Në f. 1r (faqosja e vjetër 9r) brenda nistores “P” të praruar në flori, me dekorime shumë të bukura përreth, është një portet i kryeipeshkvit Pal Engjëlli me shkopin baritor në dorë, me mitër në kokë i veshur me rrobat e kryeipeshkvit. Mitra e bardhë, e ndarë me një vijë të kuqe nga balli lart, ka një lakim të vogël, majtas. Në ballë është vetëm një hark i vogël që shërben si bazament për fillimin e vijës. Jakat e veladonit janë jeshile. Menjëherë poshtë jakave është petku i hedhur mbi supe i cili ka ngjyrë vjollce. Nga gryka deri në fund të kraharorit, petku ka formën e shkronjës “V.” Petku është i hedhur mbi supe dhe mbi duar. Brendia e petkut është jeshile. Veladoni poshtë petkut është blu dhe i arrin deri te gjunjët. Poshtë veladonit, nga gjunjët deri te këpucët është një petk i bardhë. Në dorën e djathtë, kryeipeshkvi mban shkopin baritor, i cili është i bardhë dhe ka kokën e rrumbullakët, ngjyrë gri. Dora e majtë është ngritur në pozicion lart, ashtu si kur bëhet bekimi. Sfondi është gjithkund blu i errët, ndërsa portreti rrethohet nga një rreth eliptik ngjyrë vjollce.
Në të gjitha faqet e dorëshkrimit ka iniciale të dekoruara. I tërë dorëshkrimi ka 66 iniciale. Zakonisht në iniciale janë përdorur tre ngjyra: e kuqja, kafeja dhe bluja e mbyllur![26]
Në f. 4r-v; 5r-v; 6v; 7v; 8r-v; 9v; ka shënime në hapësirën anësore të faqeve, marginave, menjëherë në vazhdim të tekstit me ngjyrë të kuqe. Shënimet në margina shkojnë gjithmonë në drejtim të fundit të faqes. Në faqen e fundit të dorëshkrimit është një gjenealogji e familjes së Engjëllorëve, e cila lexohet me vështirësi sepse është shumë e zverdhur. Kopertina e fundit e dorëshkrimit është mjaft e dëmtuar. Në të ka disa rreshta me shënime në fund të faqes, por janë shumë të dëmtuara nga koha dhe leximi i tyre është pothuajse i parealizueshëm.
Dorëshkrimi ka gjithsej 922 rreshta: 32 faqe kanë nga 27 rreshta, dy faqe nga 26 rreshta [f. 14v dhe 17v] dhe një faqe 6 rreshta [f. 18r], me 53 kapituj dhe dimensione: 17.5 x 25.7 cm.[27]
Koha dhe rrethanat e krijimit të dorëshkrimit
Dorëshkrimi është shkruar nga kanoniku dhe noteri i Tivarit, Simon Dromasys me 12 janar 1468, i cili bën gjithashtu përshkrimin e variantit të zyrtarizuar të vitit 1464,[28] nga libri i noterit[29] dhe kanonikut të Durrësit, Gjon Mauros, që njëkohësisht ka qenë edhe sekretar i kryeipeshkvit të Durrësit, Pal Engjëllit.[30] Gjon Mauro kishte vdekur në vitin 1468.
Variantin e “Statuta et ordinationes capituli ecclesiae Cathedralis Drivastensis” nga viti 1464 e kishin punuar kanonikët nga Drishti, të cilët ishin të ditur, të shkolluar, dhe njihnin rrethanat, situatën dhe gjithçka tjetër që kishte të bënte me katedralen dhe me zakonet e Drishtit në të kaluarën. Për zakonet e lashta të katedrales së Drishtit flet vetë teksti në mënyrë eksplicite: “laudabilem consuetudinem antiquorum nostrorum immitantesi” (kap. 2); pastaj: “antiquissimam constuetudinem imminantes” (kap. 39) dhe “antiquissima et observata consuetudine” (kap. 44) si dhe “secundum morem et consuetudinem antiquorum” (kap. 46). Pra, përveç përvojës, njohurive dhe njohjes së situatës së përgjithshme, kanonikët nga Drishti, kishin si shembull edhe këto statute të lashta “a maioribus nostris quasdam constitutiones traditas,” [f. 2v], që datonin të paktën nga viti 1397.[31]
Sipas të dhënave të tjera arkivore, mësohet se ky statut ishte “edituar” në vitin 1456, kur papa Kalisti III, i kishte dhënë autorizimin ipeshkvit të Sapës Gjergjit [ishte ipeshkv në Sapë gjatë viteve: 1440-459] për një veprim të tillë, “ipsique capitulum et canonici nonnulla statuta ediderunt”. Shkaku se pse ky editim nuk u njoh zyrtarisht, ishte vdekja e papës Kalisti III. Ndërkohë, në vitin 1459, vdiq edhe ipeshkvi i Sapës Gjergji, kështu që papa Piu II, pas një lutjeje me shkrim të bërë nga katedralja e Drishtit në vitin 1463, emëron dy persona autoritarë për të verifikuar dhe nëse ka nevojë për të plotësuar statutin ekzistues të Katedrales së Drishtit. Këta ishin, kryeipeshkvi i Durrësit Pal Engjëlli dhe kryediakoni i Shkodrës, emri i të cilit nuk na bëhet e njohur në statute, por që sipas Hierarchia Catholica të Eubelit (vëll. II, f. 256) ai duhet të jetë domenikani Manuel (1451-1465).
Pas një pune të kujdesshme, të kryeipeshkvit dhe kryediakonit, më 21 nëntor të vitit 1464, në manastirin benediktin të shën Theodori de Elohiero bëhet njohja zyrtare e “Statuta et ordinationes capituli ecclesiae Cathedralis Drivastensis” në prani të “zotit at Nikollë Lalemit, abatit të manastirit në fjalë dhe në praninë e zotit Gjergj Topia dhe të burrave të nderuar, zotit Pjetër, rektorit të shën Demetrij de Plumsis dhe të zotit Gjin, rektorit të shën Venere de Managastis dhe në prani të dëshmitarëve dhe të të ftuarve të tjerë edhe të rogatëve…”
Përmbajtja e dorëshkrimit
Që nga themelimi i komunave-qytete, kisha ishte drejtuese e segmenteve kryesore të zhvillimit të përgjithshëm shoqëror. Një gjë të tillë e dëshmojnë statutet ekzistuese, por edhe burimet historike dokumentare të kohës të në të cilat vërehet pushteti dhe ndikimi i “dorës së fortë“ jo vetëm në përditshmëri, por deri në detajet më të imta të jetës, të cilat kontrolloheshin në forma të ndryshme, ndërsa në këtë rast përmes Statuteve, sepse luftoheshin në mënyra të ndryshme faktorët negativë dhe të dëmshëm për individin dhe shoqërinë dhe në të njëjtën kohe ishte ajo, pra kisha, e cila ofronte kujdesej, mbrojte dhe bashkim në gjirin e saj.
Pothuajse në të gjitha statutet e njohura deri me sot, vërehet roli dhe ndikimi i madh i kishës gjatë mesjetës, sepse pa përjashtim, normat e para të statuteve fillojnë me rregullat e kishës, obligimet, rolin dhe vendin që ka kisha në shoqërinë komunë-qytet. Ky veprim është i pranishëm edhe për faktin se kisha ishte promotore pothuajse e të gjitha segmenteve të jetës, qofshin ato laike apo kishtare, si në aspektin ekonomik, tregtar, politik, diplomatik, social, shëndetësor, kulturor etj, pra ishte boshti i zhvillimit dhe marrëdhënieve të njeriut në shoqërinë mesjetare, qoftë me individin qoftë me pushtetin.
Kushtetuta që zyrtarizoi katedralja e Drishtit, më 12 janar të vitit 1468, nuk ishte tjetër veçse përmbledhja e rregullave që ishin në fuqi prej një kohe të gjatë.[32] Duke qenë se këto statute bazohen në një shkallë të lartë tek zakonet e vjetra ekzistuese “antiquissima et observata consuetudine” (kap. 44) duke i hedhur në letër ato që tashmë ishin praktikë e përditshme në shoqërinë shqiptare “secundum morem et consuetudinem antiquorum” (kap. 46), statutet fillojnë me një normë zakonore që duhet të ketë qenë shumë e përhapur në traditën e lashtë shqiptare si është ajo e respektit të ndërsjellë të brezave dhe pikërisht me “Në ç’mënyrë të rinjtë duhet të respektojnë pleqtë dhe në ç’mënyrë pleqtë duhet t’i duan të rinjtë…” [kap. I] duke theksuar kështu që në fillim vlerat tradicionale dhe rëndësinë që ata u jepnin këtyre vlerave vendore.
Në kapitujt në vijim përcaktohet mënyra e zgjedhjes së rektorit dhe prokuratorit [kap. II], saktësohen detyrat dhe përgjegjësit e rektorit [kap. IV], kanonikëve [kap. VII, VIII, IX, XLIV], rregulli për diskutim në kapitull dhe respekti ndaj pleqve [kap. XVII], ruajtja dhe përdorimi i vulës; dokumenteve dhe privilegjeve [kap. XX], gjobat për vjedhje dhe mashtrim [kap. XXIII], përfaqësimi i kanonikëve dhe të deleguarit e tyre në bisedime ose marrëveshje të ndryshme [kap. XXIV], dënimet për rrahje [kap. XXIX], shqyrtimi i ankesave të ndryshme nga qytetarët, por edhe nga kanonikët [kap. XXX-XXXIII], në rast të mungesës së normës statutore, të veprohet sipas drejtësisë dhe ndershmërisë, duke pasur gjithmonë parasysh frikën e Zotit [kap. XXXV], dënimet e konkubinatit [kap. XXXVI], ndërsa kap. XLI, flet për ndihmën dhe mbështetjen e studiuesve dhe atyre që shkojnë studime, kurse kap. LI, trajton “Mosmarrëveshjet rreth respektimit të statuteve”, etj.
Familjet fisnike të përfaqësuara në radhët e kanonikëve si Kalanci, Prekasi, Beli, Çezani, Kelanti, Pishiragu, Hungari, Jonima, Suma, Sakati, Golemi, Xaoni, Kazeli, Merti, Mazioti, Engjëlli, Frangu, etj. e zotëronin tashmë prej kohësh ekonominë dhe politikën e qytetit. Administrimi dhe drejtimi i abacive dhe i dioqezave-ipeshkvive e kryeipeshkvive shqiptare bëhej nga rrethi i ngushtë i klerikëve të lartë vendas,[33] po kështu edhe rrethin e ngushtë të kanonikëve e përbënin vendasit, kryesisht nga familjet e kamura fisnike. Familjet e shumta të përfaqësuara në rradhët e kanonikëve si Hungaro, Summa, Prekali dhe Zaon zotëronin jo vetëm ekonominë dhe politikën në qytetin në hyrje të universit malor shqiptaro-verior, por edhe të dy pushtetet atë kishtar dhe laik, të bashkuar në personin e ipeshkvit.
Edhe në Durrës katedralja ishte një qendër e pushtetit, sepse përcaktonte zgjedhjen e kryeipeshkvit, e princit kishtar më të rëndësishëm të Shqipërisë së mesme dhe jugore, rreth mesit të shekullit të 15-të edhe udhëheqës shpirtëror e mendor i kryedioqezës së tij. Kryedhjakët në Tivar, por veçanërisht në Durrës, radhiteshin ndër personalitetet më të rëndesishëm të qytetit. Durrsaku kishte udhëhequr deri rreth 1350-ës gjatë sundimit ortodoks një komunë katolike, por e ruajti pozicionin e tij edhe pas vendosjes së një kryeipeshkvi katolik. Kryedhjaku ishte shkalla e fundit në rrugën për titullin e ipeshkvit ose të kryeipeshkvit. Kryedhjaku dhe patrici nga shtëpia e Vladëve në Ulqin është vetëm një shembull (1406).[34] Kryedhjaku i Ulqinit ishte i dërguar i princit të Balshajve, Gjergj II në Dubrovnik (1403).[35] Kolegu i tij shkodran merrte pjesë njëkohësisht në tregtinë e kripës.[36]
Të huajt nuk ishin të mirëpritur në Drisht, sidomos në shekullin e katërmbëdhjetë,[37] por edhe më vonë. Në shekullin e pesëmbëdhjetë të huajt me funksione në qytetet shqiptare u zëvendësuan plotësisht nga klerikët vendas.[38] Kjo shpjegon edhe faktin që në katedralen dhe komunën e Shkodrës kemi shqiptarë si Progonin, ipeshkv të qytetit në vitin 1402,[39] Gjergj Pelinin, abat të Rotecit dhe Pal Engjëllin, kryeipeshkv të Durrësit. Të gjithë këta rridhnin nga fisnikëria vendase e Drishtit, Shkodrës dhe Tivarit dhe janë shembuj të dukshëm për kontrollin e patriciatit vendas mbi kishën katolike në hapësirën shqiptare edhe gjatë sundimit venedikas.
Me një fjalë, Statutet janë ligje në të cilat është saktësuar, përkatësish është rregulluar ose sanksionuar, e drejta e individëve dhe shoqërisë si tërësi si dhe marrëdhëniet e tyre të përbashkëta apo ato të veçanta. Nëse i shikojmë si strukturë, Statutet janë të ndarë në libra, të cilat në brendi të tyre janë të ndara pastaj në kapituj. Çdo libër në vetvete përmban rregulla të përcaktuara saktë të një fushe përkatëse të drejtësisë, derisa kapitujt me terminologjinë praktike të sotme mund ti quajmë nenet përkatëse të një ligji të caktuar. Përveç fazës së parë të krijimit të Statutit, (zyrtarizimit të tij të parë), kemi edhe pjesët shtesë të Statuteve, të cilat zëvendësojnë një normë përkatëse ose reformojnë atë që ka filluar të “vjetrohet“ apo “tejkalohet.“
Është e sigurt se Statuti, në vetvete, nuk mund të kishte rregulla të cilat do të mbulonin të gjithë veprimtarinë shoqërore, por në këto raste, kur mungonte ndonjë rregull, atëherë aplikohej analogjia e rasteve të ngjashme qoftë nga e drejta zakonore vendore, ose ajo e ndonjë statuti të komunave fqinje, por, jo rrallë aplikohej edhe e drejta romake ose ajo bizantine, e njohur dhe e praktikuar për shekuj me radhë në këto troje.
Konteksti gjeografik dhe historik
Nuk është çudi që i vetmi statut katedraleje nga brigjet e Adriatikut na vjen nga qyteti i Drishtit. Drishti njihej si qytet me një karakter të fuqishëm katolik dhe me një ndërgjegjshmëri të lartë qytetare. Ka shumë elementë që kanë ndikuar në krenarinë e lartë të Drishtit.[40] Shumë studiues janë rrekur t’i marrin ato një nga një në analizë dhe të vënë theksin në këtë apo atë element. Vetë emri i Drishtit ka tërhequr vëmendjen e madhe të gjuhëtarëve të cilët duke kërkuar përmendjen e parë të emrit të Drishtit dhe prejardhjen e tij, e kanë konsideruar atë si një provë të rëndësishme që vërteton vazhdimësinë iliro-shqiptare të kësaj treve.[41]
Karakteristikë për vazhdimësi iliro-shqiptare, në qytetin e Drishtit është edhe arkitektura e qytetit. Ndryshe nga qytetet bizantine, që kanë mure rrethuese dhe akropol, në të cilin banonte aristokracia dhe nëpunësit e administratës shkencore, Drishti dhe qytetet e tjera mesjetare shqiptare të ngjashme nuk e kanë një strukturë të tillë të qytetit dhe as teknikën e ndërtimit të mureve mbrojtëse tipike bizantine.[42] Për këtë, një rol të madh ka luajtur sigurisht, autonomia administrative e këtyre qyteteve,[43] por për të drejtën qytetare në mesjetën e hershme, tani për tani ne kemi vetëm një përfytyrim të zbehtë.
Megjithatë nuk është vetëm lashtësia e këtij vendbanimi, por edhe elementi i tij katolik ato që e bëjnë atë karakteristik. Përsa i përket kohës së krijimit të ipeshkvisë së Drishtit, Shuflaj e vendos atë në të ashtuquajturën shtresë e dytë të krijimit të ipeshkvive në shqiptare, secundäre Schicht, shtresë kjo e krijuar si rezultat i migrimit të madh të popujve. Në dokumentet e shkruara, ipeshkvia e Drishtit përmendet për herë të parë më 16 maj 743,[44] kur mesa duket ishte nën juridiksionin e kryeipeshkvit të Dubrovnikut,[45] në atë kohë të njohur me emrin Epitauritane.
Përsa i përket arkitekturës kishtare të Drishtit, Aleksander Meksi[46] është i mendimit se fillimet e këtyre ndërtimeve i takojnë kohës së sundimit të perandorit Jan Cimiskes (969-976).[47] Në atë kohë, Drishti përmendet si ipeshkvi[48] në varësi të Durrësit.[49] Meksi është i mendimit se në këtë qytet duhet të ketë ekzistuar që herët një domus episcopalis ose ndryshe i njohur edhe si palatium episcopatus, ndërtesë kjo e njohur si rregull në të gjitha qytetet ipeshkvnore. Përmendja e parë në dokumente e një domus episcopalis në Drisht daton nga viti 1251.[50] Në vitin 1397 përmendet përsëri një domus episcopalis,[51] dhe Meksi mendon se sa herë përmendet ky term, bëhet fjalë për katedralen e qytetit.[52]
Qyteti i Drishtit duhet të ketë pasur shumë kisha,[53] siç mund të dokumentohet në tekstet e shkruara. Kështu p.sh. që në vitin 1353 kemi të përmendur katedralen e Shën Mërisë,[54] e cila edhe në vitin 1553 mendohej të ishte pikturuar nga Shën Luka[55] i famshëm i gjithë hapësirës së Adriatikut.[56] Krahas katedrales së Shën Mërisë,[57] në Drisht gjejmë të përmendur edhe kishën e Shën Stefanit, e madje që prej vitit 1290.[58] Katedralja e Shën Gjergjit[59] ishte gjithashtu e famshme[60] dhe kisha e shën Françeskut[61] përmendet shpesh (1353, 1368), (1404).[62] Kisha Sancta Maria Veteris (1403)[63] dhe kisha e Shën Shelbuemit (1399),[64] si dhe kisha e Shën Prendës[65] janë vetëm disa të tjera për të mos i përmendur të gjitha.
Duke qenë se kapitulli i Drishtit, ashtu si ai i Tivarit ishte i ndarë në kolegje, mendohet që të gjithë jetonin në një kuri të përbashkët që quhej kanonikë.[66] Përderisa në vitin 1400 përmenden canonisi de sancta Maria[67] dhe canonisi de san Zorzi[68] kjo do të thotë që në këtë kuri (canonica) bënin pjesë klerikë nga të gjitha kishat e qytetit,[69] që mesa duket zgjidheshin kanonikë me anë të shumicës së votave.[70]
VIJON NE NUMRIN E ARDHSHEM…
[1] Antun S. Dabinović, Kotor u drguom skadarskom ratu (1419-1423). Në: RAD Jugoslovenske Akademije Znanonsti i Umjetnosti. Knjiga 257 Razreda historičko-filologičkoga i filozifičko-juridičkoga, 115. Zagreb: Tisak Nadbiskupse Tiskare, 1937, v. 257 (115), f. 133 (1) – 271 (139), këtu f. 135 (3).
[2] Pëllumb Xhufi, Dilemat e Arbërit. Studime mbi Shqipërinë mesjetare. Tiranë: Pegi, 2006, f.VIII.
[3] Skënder Anamali, Kasem Biçoku, Ferit Duka, Selim islami, Muzafer Korkuti, Stavri Naçi, Frano Prendi, Selami Pulaha, Pelumb Xhufi, Historia e popullit shqiptar. Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Instituti i Hisotrisë. Tiranë: Botimet Toena, 2002, vëll. I, f. 739; Eugenio Barbarich, Albania. (Monografia antropogeografica). Roma: Enrico Voghera, Editore, 1905, f. 170.
[4] Për kryqëzatat ka një literaturë të shumtë dhe përmbajtësore. Ideatorë i kryqëzatave është papa Silvester II (pontifikoi në vitet 999-1003), ndërsa kryqëzatën e parë e shpalli papa Urbani II (pontifikoi 1088-1099) më 28 nëntor të vitit 1095, i cili arriti të mbledh në Burgund të Francës 14 kryeipeshkëv, 250 ipeshkëv, 400 priftërinj dhe një numër shumë të madh kalorësish nga vende të ndryshme. Për më shumë shih: Thomas F. Madden, A Concise History of the Crusades (Critical Issues History). New York: Rowman & Littlefield Publishers, 1999, f. 11-14; Aurel Plasari, Skënderbeu një histori politike. Tiranë: Instituti Shqiptar i Studimeve “Gjergj Fishta”, 2010, f. 15-18; Joseph François Michaud, Histoire des croisades, par Michaud de l’Académie française. Nouvelle édition faite d’après les derniers travaux et les derniéres intentions de l’auter et augmentée d’un appendice par M. Huillard Bréholles. Tome Premier. Paris: Furne, Jouvet et.ig éditeurs et Delagrave et cig éditeurs, 1867, vëll. I, f. 40-65; Giorgio Fedalto, Perché le crociate. Saggio interpretativo, Bologna: Pàtron, Quarto Inferiore, 1980, 29-31; Jean Richard, La grande storia delle crociate: storia dell’avventura che per oltre due secoli mise in contatto il mondo occidentale e quello orientale, trad. di M. P. Vigoriti, (I volti della storia; 40). Roma: Newton & Compton, 1999, f. 53-56.
[5] Madden, 1999, f. 13.
[6] Plasari, 2010, f. 17-18.
[7] Thomas F. Madden, The Crusades: The Essential Readings (Blackwell Essential Readings in History). Oxford-Malden: Blackwell Publishers, 2002, f. 21-23.
[8] MusaAhmeti, E drejta urbane në Statutet Shqiptare. /Nga dorëshkrimet e Milan Shuflajt/. Ekskluzive. Tiranë-Prishitnë. Dhjetor 2002-janar 2003, nr. 32-33, f. 94.
[9] Milan von Šufflay, Städte und Burgen Albaniens hauptsächlich während des Kittelalters. Von dr. Milan v. Sufflay. Vorgelegt in der Sitzung am 24. April 1918. Akademische der Wisenschaften in Wien. Philosophischen-historische Klasse. Denkschriften, 63. band, 1. Abhandlung.. Wien – Leipzig: Hölder-Pichler-Tempsky A.-G. Kommisions-Verleger der Akademie der Wissenschaften in Wien, 1924, f. 78A, referenca nr. 94.
[10] Musa Ahmeti. Gjendet dorëshkrimi origjinal i Statutit të Drishtit. Mesjeta shqiptare pasurohet edhe me një dorëshkrim origjinal burimor nga viti 1468 me vlera të jashtëzakonshme për drejtësinë dhe albanologjinë. Koha Jonë. Tiranë, 2005, 4 shkurt, viti XV, nr. 32 (3648), f. 18-19.
[11] Gunar Svane, Libra dhe dorëshkrime të vjetra shqipe në Bibliotekën Mbretërore në Kopenhagë. Në: Studime Filologjike. Tiranë: Akademia e Shkencave e RPSSH, Instituti i Gjuhësisë dje i Letërsisë, 1985, nr. 3, f. 133.
[12] Është lexuar gabim, duhet: “Dromasyus”. Shih: Musa Ahmeti & Etleva Lala, Statutet dhe urdhëresat e kapitullit të kishës Katedrale të Drishtit. /Statuta et ordinatines capitulli ecclesiae cathedralis Drivastensis/. Tiranë: Ombra GVG, 209, f. 128 riprodhimi i origjinalit, ndërsa f. 182 trasnliterimi latinisht dhe përkhtimi shqip.
[13] G. Svane, Libra dhe dorëshkrime …, f. 133-134.
[14] Letër e dr. Noel Malcom drejtuar dr. Musa Ahmetit e dr. Etleva Lala përmes dr. Robert Elsie, më 1 mars 2005, pasi ishte botuar shkrimi për gjetjen e dorëshkrimit origjinal të “Statuta et ordinationes capituli ecclesiae Cathedralis Drivastensis” në gazeten Shekulli, të Tiranës më28 shkurt 2005. Të dy albanologëve, Elsie dhe Malcolm, publikisht ju shprehim konsideratat e falenderimet tona për kohën dhe mundin që i kanë kushtuar punës rreth Statutit.
[15] Milan von Šufflay, Die Kirchenzustände im vortürkischen Albanien. Die Orthodoxe Durchbruchszone im Katholischen Damme. Në: Vjestnik Kraljevskog krvatsko-slavonsko-dalmatinsko zemaljskog arkiva. Godina XVII. Zagreb: Tisak Kraljevske Zemaljske Tiskare, 1915, viti XVII, f. 41, referenca nr. 9; i njëjti edhe në: Illyrisch-albanische Forschungen, ed. Ludwig Thallóczy, vol. 1, 188-282. Munich and Leipzig: Verlag von Duncken and Humlot, 1916, vëll. 1, f. 243, referenca nr. 5; i njëjti: Kulturne struje na srednovječnom Jadranu. Në: Darko Sagrak-Musa Ahmeti, Dr. Milan pl. Šufflay-Izabrani eseji, rasprave i članci. Zagreb: Nakladnik, Darko Sagrak, 1999, vëll. I, f. 41, i njëjti: Kulturne struje na srednovječnom Jadranu. Obzor. Zagreb, 23 dhjetor 1923, viti LXIV, nr. 349. f. 9.
[16] HrvatskiDržavni Arhiv u Zagrebu; (Arkivi Shtetëror kroat – Zagreb) Fondi: 832, – Rukopisna Ostavština Milana Šufflaya, (Dorëshkrimet e Milan Shuflajt), kutia, 5- 6, në shumë vende.
[17] Gavro A. Škrivanić, Oblast srednjovekovnog Pilota u XIV st. (The province of medieval Pilot). Në: Istoriski Časopis. Organ Istoriskog Instituta SANU. (Revue Historique. Organe de l’Institut des Sciens Historiques. Académie Serbe des Sciences, Livre VII, 1957). Beograd: Srpska Akademija Nauka, 1957, libri VII, f. 323-332.
[18] EmilianusdeŠufflay-VictorNovak, Statuta et ordinationes capituli ecclesiae chathedralis Drivastensis. “Biblioteka Arhiva za Arbanasku starinu, jezik i etnologiju.” Istoriska Serija. Beograd: Izdanje Seminara za Arbanasku Filologju Universiteta u Beogradu, 1927, Lib. II, fasc. 1, f. I-XVIII.
[19] EmilianusdeŠufflay-VictorNovak, Statuta et ordinationes capituli ecclesiae chathedralis Drivastensis. “Biblioteka Arhiva za Arbanasku starinu, jezik i etnologiju.” Istoriska Serija. Beograd: Izdanje Seminara za Arbanasku Filologju Universiteta u Beogradu, 1927, Lib. II, fasc. 1, f. [I-XVIII]+1-31.
[20] Ka raste kur ndonjë studiues shqiptar që pretendon se e njeh Statutin (!) pohon se ai është botuar me 1970, në Gjurmime Albanologjike, seria e shkencave historike të Prishtinës, gjë që është e gabuar.
[21] EmilianusdeŠufflay-VictorNovak, Statutet dhe urdhërat e kapitullit të kishës katedrales të Drishtit. Në: Gjurmime Albanologjike, seria e shkencave historike. Prishtinë, 1972, viti, X (I), (1971), f. 163-191.
[22] Ellen Jørgensen, Catalogus Codicum Latinorum Medii Aeivi Biblioethecae Regiae Hafniensis. Hafniae: Prostat in Aedibus Gyldendalianis, 1926, f. 401; Musa Ahmeti, Shqipëria një kushtetutë që në Mesjetë. /Mesjeta shqiptare pasurohet edhe me një dorëshkrim origjinal burimor nga viti 1468 me vlera të jashtëzakonshme për drejtësinë dhe albanologjinë/. Shekulli. Tiranë, 28 shkurt 2005, viti IX, nr. 56 (2508), f. 21.
[23] “Duke mos pasur koncentruar Shqiptarët e mesjetës fuqitë e tyre në një shtet nacional të vetëm, në këtë mes përjashtohen apriori akte shtetërore e administrative në gjuhë të vendit. Gjithashtu nuk mund të mendohet për ekzistencën e teksteve juridike shtetnore, siç i ka Serbia mesjteare (Zakoniku i Stefan Dushanit). Duke kombinuar të dhënat e historisë me lajmet e kohës, na del se gjuha zyrtare në Shqipërinë e mesjetës (gjuha e kancelarive të oborreve princore, aktet noteriale nëpër qytete etj) ka qenë e huaj.” Eqrem Çabej. Studime gjuhësore VI. (Gjon Buzuku dhe gjuha e tij). Botim i dytë. /Gjon Buzuku. 1. Rrehtanat historike/. Prishtinë 1988, vëll. VI, f. 18; i njëjti: “Buletin për Shkencat Shoqërore.” Tiranë, nr. 1, 1955, f. 9-23.
[24] Musa Ahmeti, Gjendet dorëshkrimi origjinal i Statutit të Drishtit. /Mesjeta shqiptare pasurohet edhe me një dorëshkrim origjinal burimor nga viti 1468 me vlera të jashtëzakonshme për drejtësinë dhe albanologjinë/. Koha Jonë. Tiranë, 4 shkurt 2005, viti XV, nr. 32 (3648), f. 18.
[25] Në katalogun e: Ellen Jørgensen, Catalogus Codicum Latinorum Medii Aeivi Biblioethecae Regiae Hafniensis. Hafniae: Prostat in Aedibus Gyldendalianis, 1926, f. 401, gjejmë këtë përshkrim: “Ny kgl. S. 1822 fol. membr., saec. XV, ff. 19, cm. 24,7 x 17. Litt. Init. f. 1-18: Statuta et ordinationes ecclesie Drivastenis anno 1464 ab archiepiscopo Dyrrhachiensi Paulo Angelo confirmata. f. 19: Stemma Pauli Angeli archiepiscopo Dyrrachiensis. Prov. Illyricum. – Poss. Earl of Guilford. (Segnatura in inferiore parte tegumenti). – Sir Thomas Philipps. (In inferiore parte tegumenti: “Phillipps Ms. 7308”). – Empt. Lipsie anno 1920”.
[26] Musa Ahmeti, Gjurmë historike. Gjendet dorëshkrimi origjinal i Statutit të Katedralës së Drishtit i vitit 1468. [Kultura. Javore për kulturë, mediale e argëtuese. 26 shkurt 2005, nr. 73, viti III]. Zëri. Prishtinë, 26 shkurt 2005, viti VII, nr. 1583, f. 20.
[27] Të dhënat e botuara në katalogun e Ellen Jørgensen, Catalogus Codicum …, f. 401, për dimensionet 24,7 x 17, nuk janë të sakta.
[28] M. Šufflay, Städte und Burgen Albaniens…, f. 68A, referenca nr. 94.
[29] Për përgjegjësinë, detyrat, obligimet dhe fushëveprimtarinë e noterit, gjatë shekujve XIII [1286] – XVI [1586] është me vlerë të veçantë studimi: G. B. Padauin, Capitulare notariorum…, f. 2-86; shih edhe Milan Šufflay, Dalmatinsko hrvatska srednjovjekovna listina. Povjest hrvatskog notariata od XI. do XV. stoljeća. /Prijevod s njemačkoga originala. Uredio, proslovnom pripremom popratio i preveo s njemačkoga Darko Sagrak/. Zagreb: Naklada: Darko Sagrak, 2000.
[30] Kushtet e punës së noterit, veçanërisht në qytetet bregdetare të Adriatikut janë të preçizuara me saktësi në studimin: “Tassatione, over limitatione delli pretii che dienno havere li Nodari…,” ff. 2-11.
[31] M. Šufflay, Städte und Burgen Albaniens…, f. 68A.
[32] LudovicusThallóczy, Constantinus Jireček dhe Emillianus de Sufflay, Acta et diplomata res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia. Vindobonae: Typis Adolphi Holzhausen, 1913-1918, vëll. I-II. [Ribotuar në vitin 2002 nga DPA dhe Ekskluzive, Tiranë-Prishtinë, nën përkujdesjen e dr. Musa Ahmetit], vëll. II, f. 54, nr. 236. [Në vazhdim: Acta Albaniae]. E drejta e zgjedhjes së katedrales përcakton zgjedhjen me anë të shumicës ose njëzëri, shih kapitujt XL-XLVI.
[33] Milan Šufflay, Nacionalne maglice. Sredovječna plemena Albanije i Crne Gore. Obzor. Zagreb, 24-25 II. 1924, viti 65, nr. 53, f. 3; nr. 54, f. 3; M. Šufflay, Kirchenzustände, f. 53.
[34] ActaAlbania Veneta, vëll. III, nr. 1170.
[35] Aleks Buda-Injac Zamputi-Luan Malltezi, [Ed.], Dokumente për historinë e Shqipërisë të shek. XV. Vëll. I. (1400-1405). Tiranë: Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë. Instituti i Historisë, 1987, vëll. I, f. 375, nr. 314. [Në vazhdim: Dokumente për historinë].
[36] Dokumente për historinë, vëll. I, f. 364-365, nr. 298.
[37] Një paduan që vjen si ipeshkv i Drishtit në vitin 1374 sulmohet nga vendasit. Acta Albaniae, vëll. II, f. 74, nr. 318.
[38] M. Šufflay, Kirchenzustände, f. 249.
[39] Josephi Valentini S.J. ActaAlbania Veneta. Saeculorum XIV et XV, Josephi Valentini S.J. labore reperta et transcripta ac typis mandata. Patris 1ae saeculorum XIV complectens. Tomus III ab anno 1396 ad annum 1406. Monaci in Bavaria (München): Rodulpho Trofenikio editore]. /Impresum in Schola Graphica Salesiana Panormitana (Palermo). Lavoro eseguito con il contributo del Consiglio Nazionale Ricerche, 1968, vëll. III, nr. 1012. [Në vazhdim: ActaAlbania Veneta].
[40] Michaelis le Quien, Oriens Christianus, inquator patriarchatus digestus; quod exhibentur Ecclesiae, Patriarchae, caeterique praesules totius orientis. Studio et opera R. P. F. Michaelis le Quien, Morino-Boloniensis, Ordinis Fratrum Praedicatorum. Opus Posthumum. Tres magnas complectens Diaeceses Ponti, Asiae, et Thraciae, Patriarchatui Constantinopolitano subjectas. Pariis: Ex Typogfraphia Regia, 1740, vëll. I-III.
[41] EqremÇabej, Studime gjuhësore IX. Studime etimologjike në fushë të shqipes, C-D. Prishtinë: Rilindja, 1989, vëll. IX, f. 322-323; IvanMužić, Hrvatska Kronika 547-1089 /Biblioteka Hrvatska kulturna i povijesna baština. V. izdanje/ Split: Marijan Tisak, 2002; PiriReis, Kitab-i Bahriye. /Ministry of Culturs and Tourism of the Turkish Republic, Ankara/ Ankara: The Historical Research Foundation, İstambul Research Center, 1988, vëll. II. /Falenderojmë profesorin Riza Hasa, nga Universiteti “Aleksander Xhuvani” i Elbasanit, i cili pati mirësinë të na huazojë këtë botim të vlefshëm për konsultim/; SpiroShkurti, Vendbanimet fshatare dhe ekonomia bujqësore në Shqipërinë mesjetare. Në: Etnografia Shqiptare, Tiranë: Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore, Departamenti i Etnologjisë, 1997, nr. 17, [1990], f. 3-46; XhemalMeçi, Treva e Dukagjinit në dritën e të dhënave të reja për ndarjet krahinore. Në: Etnografia Shqiptare, Tiranë: Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore, Departamenti i Etnologjisë, 1997, nr. 17, [1990], f. 171-183; Fran Luli, “Kërkime toponimike për vreshtarinë dhe prodhimet e saj,”në Etnografia Shqiptare, Tiranë: Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë. Instituti i Kulturës Popullore, Departamenti i Etnologjisë, 1997, nr. 17, [1990], f. 197-206; GjerakKaraiskaj, Pesë mijë vjet fortifikime në Shqipëri, Tiranë: Shtëpia botuese “8 Nëntori”, 1981; Žarko Muljačić, Das Dalmatische. Studien zu einer untergegangenen Sprache, Köln, 2000, 945-947; Ivan Marković, Dukljansko-Barska Metropolija. /Napisao dr. Ivan Marković/. Zagreb: Tisak Antuna Scholza, 1902.
[42] Gjerak Karaiskaj. Qyteti shqiptar i Sardës. Origjina dhe zhvillimi i qytetit mesjetar në Shqipërinë e Veriut. /Die Albanische Statdt Sarda. Entstehung der mittelalterlichen Stadt in Nordalbanien/. Në Mounmentet. Tiranë, 1987, nr. 1 (33), f. 79.
[43] Gj. Karaiskaj. Qyteti shqiptar i Sardës…, f. 79.
[44] Acta Albaniae vëll. I, n. 50; Johannes Radonić, Acta et diplomata Ragusina. Fontes rerum Slavorum Meridionalium. /Edita cura, collegit et nunc primum in lucem protulit, Johannis Radonić. Series Prima. Tomus I, fasciculus 1/. Dubrovačka akta i povelje. Izvori za istoriju južnih slavena. Uređuje, sabrao i objavio, Jovan Radonić. Serija prva, knjiga I, sveska 1. Srpska Kraljevska Akademija. Zbornik za Istoriju, jezik i književnost srpskog naroda. Treće odeljenje, knjiga II. Beograd: Štamparija «Mala Srbija». 1934, lib. I, bleni 1, f. 1-3.
[45] Vinko Malaj, Djelovanje franjevaca Dubrovačke provincije među albanskim katolicima. Zbornik Male Braće. Dubrovnik, 1984, f. 223-255.
[46] Aleksandër Meksi. Arkitektura e kishave të Shqipërisë (shekujt VII-XV), Tiranë: Uegen, 2004, f. 143.
[47] Arkitektura e kishave, f. 143.
[48] Mauro Orbini, Il Regno de gli Slavi Hoggi Corrottamente detti schiavoni. Historia di don Mavro Orbini Ravseo abbate Melitense nella quale si vede l’origine quasi di tutti i Popoli, che furono della Lingua Slava, con molte, et varie guerre, che fecero in Europa, Asia, et Africa; il progresso dell’Imperio loro, l’antico culto, et il tempo della loro conuersione al Christianesimo. E in particolare veggonsi i successi dei Re, che anticamente dominarono in Dalmatia, Croatia, Bosna, Servia, Rassa, et Bvlgaria. Pesaro; Apresso Girolamo, 1601.
[49] Josephi Valentini S.J. Contributi alla cronologia albanese. Le invasioni barbariche (395-700 D. Cr.). Tavole chronologiche. /Fonti per la storia d’Albania. Prolegomeni/. Roma: Real Academia d’Italia. Tip. G. Bardi, 1944, vëll. II, bleni I, f. 48; L. Tacchella, Le antiche sedi episcopali latine, greche e bulgare dell’Albania etnica e della Macedonia. Milano: s.n. 1990, f. 59.
[50] Acta Albaniae vëll. I, f. 60, nr. 200; f. 61, nr. 203, f. 61, nr. 204; Šufflay, Kirchenzustände, f. 251; Sime Ljubić, Listine o odnošajih izmedju južnog slavenstva i Mletačke Republike. (Skupio Sime Ljubić. Knjiga I, od godine 960-1335. Na sviet izdala Jugoslovenska Akademija Znanonsti i Umjetnosti. (Monumenta spectantia Historiam slavorum meridionalium. Edidit Academia Scientiarum et Artium Slavorum Meridionalium. Volumen Primum). Zagreb: U knjižari fr, Župana (Albrehta i Fidlera), 1868, libri I, nr. 408; [Në vazhdim, Listine]
[51] Acta Albaniae vëll. I, f. 60, nr. 200; f. 61, nr. 203, f. 61, nr. 204; Šufflay, Kirchenzustände, f. 251; Listine, f. 251.
[52] Arkitektura e kishave, f. 143.
[53] Milan Šufflay, Politische Schicksale des Themas Dyrrachhion. Në: Vjesnik Kr. Hrvatsko-Slavonsko-Dalamtinskoga Zemaljskoga Arkiva. /Uredjuje dr. Ivan Bojničić pl. Kninski/. Zagreb: Tisak kralj. Zemaljske Tiskare, 1915, viti XVII, f. 273-300.
[54] Acta Albaniae II, f. 28, n. 99; f. 58, nr. 252; f. 172-173, nr. 615; f. 186-187, nr. 656; f. 221, nr. 728; f. 229, nr. 745; Arkitektura e kishave, (2004), f. 80, 149.
[55] “E in Dulcigno nella chiesa episcopale una devotissima immagine della beatissima vergine, che figura l’assunsione sua in cielo, la quale si dice essere una di quelle, che fece s. Luca evangelista di sua mano, la qual e bellissima, et appiè è ornata di sì ricche yoglie et ori…” Siemon Ljubić, Commisiones et Reltaiones Venetae. /Monumenta Spectantia Historiam Slavorum Meridionalium/. Zagrabiae: Edidit Academia Scientiarum et Artium Slavorum Meridionalium, 1878, vëll. 2, f. 229.
[56] Šufflay, Kirchenzustaende, 261.
[57] Arkitektura e kishave, (2004), f. 142.
[58] Acta Albaniae, vëll. I, f. 152, nr. 512.
[59] Arkitektura e kishave, (2004), f. 143.
[60] Šufflay, Kirchenzustaende, f. 262.
[61] Vinko Malaj, Djelovanje franjevaca Dubrovačke provincije među albanskim katolicima. Zbornik Male Braće. Dubrovnik, 1984, f. 223-255.
[62] Acta Albaniae vëll. II, f. 28, n. 99; f. 58, nr. 252; f. 172-173, nr. 615; f. 186-187, nr. 656; f. 221, nr. 728; f. 229, nr. 745.
[63] Arkitektura e kishave, (2004), f. 143.
[64] Šufflay, Kirchenzustaende, f. 262; Arkitektura e kishave, (2004), f. 143.
[65] Arkitektura e kishave, (2004), f. 143.
[66] Šufflay, Kirchenzustände, f. 254 Acta Albaniae, vëll. I, f.140, nr. 468.
[67] Jovan Radonić, Đurađ Kastriot Skenderbeg i Arbania u XV veku. (Istoriska građa). [Srpska Kraljevska Akademia, Spomenik XCV, drugi razred, 74.]. Beograd: Srpska Kraljevska Akademia, 1942.
[68] Šufflay, Kirchenzustände, f. 254.
[69] Daniele Farlati & Jacobo Coleti. Illyrici Sacri. Tomus septimus. Ecclesia Diocletiana, Antibarenis, Dyrrhachiensis, et Sirmiensis, cum earum sufraganeis. Auctore, Daniele Farlato, presbytero Societatis Jesu, et Jakobo Coleti olim ejusdem Societatis alumno. Venetiis: Apud Sebastianum Coleti (Superiorum permissu, ac privilegio), 1817, v. VII.
[70] Šufflay, Kirchenzustände, f. 254.