108 VITE PAVARËSI /
MEHMET PASHË DERALLA – MINISTËR I PARË I USHTRISË KOMBËTARE SHQIPTARE /
Nga QATIP MARA/NEW YORK/
Në historinë e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë kujtohet e nderohet edhe personaliteti i shquar i Kabinetit të Parë të Qeverisë së Përkohëshmë të Vlorës, Mehmet Pashë Deralla ,Ministri i Parë i Ushtrisë Kombëtare Shqiptare. Mehmet Pashë Deralla është një ndër figurat e shquara të Kombit Shqiptar, i cili lindi në Gradec të Tetovës në vitin 1843. Arsimin fillor e mori në Tetovë, kurse atë të mesëm në Shkup. Ishin vite kur ndjenja e fortë e lirisë dhe e shpëtimit kombëtar po rritej me shpejtësi në të gjitha trojet shqiptare. Në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare familja Deralla, ka qenë në çdo kohë në radhët e para të barrikadës ndaj çdo rrebeshi, të paepur në stoicizmin e tyre, ajo është përballur me hordhi armiqësh ,duke mbrojtur me heroizëm trojet shqiptare.. Në familje Mehmet Deralla mësoi shumë për të kaluarën e popullit shqiptar dhe më pas, kjo ndjenjë e kultivuar do ta bënte një luftëtar të paepur për lirinë e kombit shqiptar.
Mehmet Pashë Deralla. njihet në memorien historike si një ndër protagonistët e Lidhjes së Prizrenit në vitin 1878 dhe ishte një nga nënshkruesit e deklaratës së pavarësisë… Ishte një nga protagonistët kryesorë të qëndresës shekullore përballë sulmeve serbo-malazeze. Nën komandën e tij, luftëtarët shqiptarë i gozhduan forcat serbe në hapësirën ndërmjet Drinit të Bardhë e Drinit të Zi. Arsimin fillor e kreu në Tetovë, kurse atë të mesëm në qytetin e Shkupit. Pas shkollimit në vendlindje, studimet e larta i ndoqi në Akademinë Ushtarake të Turqisë. Pas diplomimit, do të shërbente për disa vite në një regjiment këmbësorie në Anadoll dhe njëherazi, atij do t’i jepej e drejta për të ndjekë shkollën e lartë të Shtatmadhorisë në Stamboll, që ishte niveli më i lartë i arsimimit ushtarak në Turqi. Në moshën 35-vjeçare u gradua Pasha (Gjeneral) i Perandorisë Osmane . Gjenerali i ri Mehmet Deralla u emërua komandant xhandarmërie në Bagdad të Irakut dhe, më vonë, në Halep të Sirisë. Nga Siria u transferua në Selanik, më pas transferohet në vilajetin e Kosovës, ku vendoset me detyrë në kryeqendrën e tij, në Shkup. Në vijim e shohim në funksionin e qeveritarit dhe komandantit të qarkut të Prizrenit që përfshinte edhe Gjakovën, Tetovën dhe Lumën.
Gjenerali i ri, Mehmet Deralla, në kulmin e karrierës së tij e hoqi uniformën osmane të pashait, për të mos e veshur më kurrë gjatë gjithë jetës së tij,sepse ishte vënë në dispozicion të Ushtrisë Vullnetare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ai u emërua këshilltar i njërit prej udhëheqësve popullorë të Lidhjes Shqipatre të Prizrenit , Sulejman Vokshit .. Mehmet Deralla së bashku me babanë e tij ishin në vijën e parë të frontit të luftës për liri. Babë e bir treguan gatishmëri të lartë për të sakrifikuar gjithçka për idealet kombëtare shqiptare.
Lidhja e Prizrenit u shtyp, por Mehmet Deralla nuk hoqi dorë nga idealet e tij. U aktivizua përsëri në Lidhjen e Pejës , nën drejtimin e Haxhi Zekës.Mehmet Pashë Derallën e internuan në Bagdad për t’i prerë çdo mundësi kontakti me Shqipërinë
Në dokumentat e botuara shkruhet : “Kryengritja xhon-turke e vitit 1908, që u pasua nga një amnisti e përgjithshme, i dha mundësi Mehmet Pashë Deralla të rikthehej në funksione të larta në ushtrinë osmane. Në Stamboll mendonin se ai do ta mirëpriste rehabilitimin dhe riveshjen e uniformës së gjeneralit osman. Pas dy dështimesh të hidhura, a nuk ishte rasti që ai të mendonte, më në fund, edhe për veten e familjen e tij, për të ardhmen e tij dhe njëherësh për prosperitetin e të tij, për një jetë të qetë e të lumtur?
Mirëpo për çudinë e shumë turqve dhe të pak shqiptarëve që nuk e njihnin sa e si duhet, Mehmet Deralla refuzoi duke dhënë përgjigjen e tij befasuese:
“U jam mirënjohës për bamirësinë, por tani i takoj tjetërkujt”. Ai refuzoi, sepse fatet e Shqipërisë i qenë njësuar në vetëdije me fatet e tij. U kthye në atdhe me po atë vendosmëri të viteve të stuhishme të të dy lidhjeve historike shqiptare që mbetën vetëm si gurë kilometrikë udhërrëfyes drejt pavarësisë. E presin triumfalisht në vendlindje pas një mungese të gjatë gati dhjetëvjeçare. Tashmë ai ishte bërë i njohur edhe në qarqet më të larta të Europës. Emri i tij qe cituar edhe nga ministri i Jashtëm i Austro-Hungarisë, konti Bertoldt, për të cilin:
“Mehmet Pashë Deralla qe një burrë me kulturë të gjerë dhe ndjenja të pastra kombëtare”.
Në vitet 1908-1912 shtëpia e Derallave,në Tetovë do të shndrrohej në një çerdhe të shqiptarizmës.Mehmet Pasha dhe i biri Halimi ishin kurdoherë në krye të lëvizjeve të mëdha atdhetare,duke dhënë ndihmesë jo vetëm me trimërinë,guximin,logjikën por edhe me pasurinë e tyre.Të dy sëbashku ata do të prisnin e do të përcillnin në shtëpinë e madhe në Tetovë, trimat patriotë e atdhetarë si Sali Gjukën, Bedri Pejanin, Bajram Currin,Isa Boletinin,Mid’hat Frashërin,Hamdi Ohrin,Hoxhë Vokën dhe dhjetra atdhetarë të tjerë nga krejt viset etnike shqiptare. Ata do të merrnin pjesë në Kuvendin e Junikut e mandej në fillim të viteve 1912,do të komandonin çetën e parë të luftëtarëve tetovarë, e cila rroku armët për t’u bërë ballë sulmeve turke dhe atyre serbo-bullgare Mehmet Deralla ishte një nga organizatorët më në zë të kryengritjeve të mëdha të Kosovës të viteve 1910, 1911 dhe 1912.
Lufta Ballkanike e monarkive të gadishullit kundër Perandorisë Osmane kishte objektiv kryesor pushtimin e trojeve shqiptare. Mali i Zi, Serbia, Bullgaria dhe Greqia ishin të interesuara të mohonin ekzistencën e kombit shqiptar, për të realizuar aneksimin e trojeve shqiptare..Në këto ditë të tmerrshme jete ose vdekje për shqiptarët., Mehmet Deralla përkrah atdhetarëve të shquar, ishte ndërmjet radhëve të para që u ngritën në këmbë për mbrojtjen e tokave shqiptare dhe çlirimin e vendit nga robëria 500-vjeçare osmane. Gjenerali Mehmet Deralla , në luftimet e ashpra me serbët, arriti t’i mbajë trupat serbe në hapësirën ndërmjet Drinit të Bardhë e Drinit të Zi. Një bllokim i tillë krijoi terrenin e domosdoshëm, siguroi kushtet historike për ngjarjen e madhe të ngritjes së flamurit në Vlorë më 28 nëntor 1912
Mbas Shpalljes së Pavarësisë dhe formimit të qeverisë të parë të Shqipërisë të pavarur, kryeministri Ismail Qemali , mbështetur në meritat, kapacitetet profesionale dhe atdhedashurinë e zjarrtë të Mehmet Pashë Derallës i ofroi postin i ministrit të ushtrisë kombëtare Shqiptare. U formua Ministria e parë e Mbrojtjes që quhej Ministria e Luftës. Ministri i parë i luftës ishte Mehmet Pashë Deralla. Kjo Ministri kishte një efektiv që përbëhej nga disa oficerë shqiptarë të ish ushtrisë turke, nënoficerë dhe popull të armatosur. Si detyrë kryesore këto forca kishin të organizonin mbrojtjen e qytetit të Vlorës ku ndodhej qeveria e sapo formuar dhe ta mbronte atë nga çdo lloj rreziku.
Mehmet Pashë Deralla, u emërua Ministër i parë i Luftës , në mbledhjen e pestë të kuvendit Kombëtar të Vlorës, sipas votave të fituara. “Kjo zgjedhje u verifikua në seancën e pestë, e cila filloi më 3 dhjetor dhe zgjati deri më 4 dhjetor, kur u bë votimi për ministra, ku nga 63 delegatë, të pranishëm ishin vetëm 57, vend i tretë i takoi gjeneralit tetovar me 42 vota, pas Luigj Gurakuqit e Mufid Beut. “
Dita e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, 4 dhjetor 1912, lidhet dhe me emrin e kontributin e Mehmet Deralla, i cili u bë organizatori dhe frymëzuesi i qëndresës me armë në dorë kundër të gjitha trupave pushtuese ballkanike që po sulmonin Shqipërinë. Ai reformoi trupat vullnetare dhe siguroi sovranitetin e Qeverisë së Vlorës .
Populli e hymnizoi, me këngën:
”O Mehmet Pashë Deralla,
Rritur me përshesh baruti,
Të kishte shku fjala dhe palla,
Lisi i tyre je te supi.
Të këndon Labëria,
Siç këndonte për Gjon Lekën
Të këndonte historia,
Kur për nënën të japin jetën.
Po ku i rri valles së rëndë,
O Mehmet Pashë Tetovari,
Nëna prapë të do në këmbë,
Tundu dhe, çohu nga varri
Qatip Mara
Nju Jork 25 nëntor 2020