-Mundësitë për ta fuqizuar mësimin shqip përmes një bashkëpunimi më të ngushtë në mes të komunitetit shqiptar në Zvicër dhe institucioneve të Kosovës dhe të Republikës së Shqipërisë/
PRISHTINË, 21 Qershor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/Ministri i Diasporës, Valon Murati gjatë një vizite zyrtare në Konfederatën e Zvicrës, mori pjesë në turneun e organizuar nga Unioni i Klubeve Shqiptare të Futbollit në Zvicër në Gjenevë e të përkrahur edhe nga Ministria e Diasporës.
Njoftimi i dërguar thekson se, fituesit të këtij turneu, FC Prishtinës nga Berni, ministri Murati i ndau kupën dhe njëkohësisht u uroi suksese në garat e mëtejme.
Gjatë manifestimit të mbajtur për nder të këtij aktiviteti sportiv ministri Murati theksoi rëndësinë e ngjarjeve të tilla në funksion të ruajtjes së identitetit, kultivimit të frymës sportive si dhe integrimit në shoqërinë zvicerane.
Ministri shtoi se shqiptarët në Zvicër jo vetëm në sport, përkatësisht në futboll, por në të gjitha lëmitë janë duke korrur suksese të jashtëzakonshme dhe me pjesëmarrjen aktive në jetën publike të shtetit zviceran dhe me arritjet e tyre e kanë ngritur në nivel të lartë imazhin e komunitetit shqiptar në Zvicër por edhe të vetë shtetit të Kosovës.
Gjatë qëndrimit në Zvicër, ministri Murati shoqëruar edhe nga Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Ramadan Avdiu, u takua me përfaqësueses të komunitetit shqiptar, arsimtarë të mësimit plotësues shqip dhe aktivistë të shoqatave në kantonet e Gjenevës, të Vaudit dhe të Neuchatelit.
Në këto takime përveç të tjerash me theks të veçantë u fol për mësimin e gjuhës shqipe në këto kantone ndërsa u diskutuan mundësitë për ta fuqizuar mësimin shqip përmes një bashkëpunimi më të ngushtë në mes të komunitetit shqiptar në Zvicër dhe institucioneve të Kosovës dhe të Republikës së Shqipërisë.
Po ashtu ministri Murati diskutoi edhe mbi projektin e Ministrisë së Diasporës për formimin e rrjetit të shoqatave në diasporë, e në këtë kontekst u fol edhe për mundësit e gjetjes së formave dhe modeleve më të përshtatshme për rrjetëzimin e shoqatave shqiptare në Zvicër.
Ministri së bashku me Avdiu dhe me bashkëpunëtorët e tjerë mori pjesë edhe në hapjen e ekspozitës së piktorit të shquar të diasporës sonë në Zvicër, Samedin Asllani.