Panariti në SHBA, takim me të rinjtë shqiptarë që punojnë në BB dhe institucione të tjera/
TIRANE, 16 Korrik /ATSH-E.Xhajanka/- Ministri i Bujqësisë Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave Edmond Panariti, takoi të shtunën në Washington, të rinj shqiptarë, të cilët punojnë në Bankën Botërore dhe institucione të tjera të rëndësishme financiare në SHBA.
Ministri Panariti i ftoi ata, të bashkëpunojnë me ministrinë e Bujqësisë, duke dhënë ekspertizën e tyre për projektet e Bankës Botërore të cilat implementohen në Shqipëri.
Ata mirëpritën propozimin e ministrit Panariti dhe vendosën që, video- konferencën e parë për të shkëmbyer ide dhe praktika në dobi të zhvillimit të ekonomisë shqiptare, ta zhvillojnë në javët në vijim.
Kreu i Bujqësisë shqiptare Prof.Edmond Panariti, ndodhet për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë të cilës ka zhvilluar takime të frytshme, me personalitete dhe zyrtare të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, BB, dhe sipërmarrës amerikan të fushës së bujqësisë, për të nxitur bashkëpunimin midis dy vendeve në fushën e bujqësisë dhe për të sjellë asistencën amerikane në sektorë specifik të bujqësisë shqiptare.