Nga Thanas Hoda/ Çikago/Ne që erdhëm nga Shqipëria në Amerikë, pas vitit 1990, vërtetë gëzonim, se erdhëm në vendin e lirisë dhe demokracisë, ku mund të ndërtonim një jetë më të mirë veçanërisht për fëmijët tanë por njëkohësisht ishim të ngarkuar edhe me plot strese e shqetësime shkaktuar nga vështirësitë jo të vogla të fillimit. Erdhëm në një vend, që nuk e njihnim, me mënyra te reja pune e jetese. Shumica nga ne nuk njihnin gjuhën angleze, nuk kishin profesionin e duhur për bizneset amerikane, ishim me dokumente e pa dokumente, thjesht me një vizë turistike, por me mendimin e vullnetin për qëndrim të përhershëm. Për më tepër ishim të lodhur nga hallet e përditëshme të jetës në vendin tonë.
Të stresuar para vështirësive, në muajt e parë në jo pak raste na ka humbur besimi dhe ka lindur mendimi për t’u rikthyer nga kishim ardhur.Por fati na buzëqeshi. Këtu në Çikago, jetonin shqiptarë, të ardhur që para lufte të cilët kishin hapur biznese të fuqishme, që ruanin gjuhën shqipe dhe zakonet tona të bukura. Këta shqiptarë hapën zemrat, dyert e shtëpive duke ofruar mikpritjen dhe inkurajimin dhe mbi të gjitha krijuan mundësitë e punësimit në vetë bizneset e tyre.
Veçanërisht në vitet e para të emigrimit pas 90-tës, emri i biznesmenit të shquar në Çikago, George Samatas, (Jorgji Shamata), u bë shpejt i njohur për mikpritjen e ndihmën e pakursyer të emigrantëve të rinj, jo vetëm me lidhje të afërta e të largëta familjare, por thjesht për faktin se ata ishin shqiptarë.Rrugën e emigracionit, nga fshati malor Sinicë, në Devollin e Sipërm të Korçës ai e mori që në moshë të re. Fillimisht qëndroi në Kanada. Më vonë në vitin 1946 u vendos në Çikago plot ëndrra dhe vrull rinor.
Ishte vetëm 29 vjeç , kur në vitin 1949 hapi restorantin me emrin e fshatit të lindjes Sinicë që më pas u shoqërua me veprimtari të tjera biznesi.
U martua me një vajzë shqiptare, Antigoni Pano, nga fshati Qytezë po nga Devolli i Sipërm.
Zonja Antigoni Shamata është një grua e nderuar në mbarë komunitetin shqiptar në Çikago për sjelljen e ngrohtë e mikpritjen që tregon ndaj të gjithve. Ajo i qëndroi pranë bashkëshortit të vet në rrugën e gjatë deri sa ai u nda nga jeta më 20 Nëntor të vitit 2004 në moshën 84 vjeçare. Sot znj. Antigoni, 88 vjeç nuk rresht së treguari për burrin e vet shëmbullor duke shprehur në veçanti dashurinë e përherëshme të tij për vendlindjen e shqiptarët.
Vitet 80-të do të ishin vite të një një suksesi të jashtëzakonshëm në fushën e biznesit të z.Xhorxh Shamata, duke e bërë atë në një nga biznesmenët më të nderuar dhe më të shquar në Çikago.
Biznesi i tij shtrihet në fushën e kujdesit dhe shërbimit shëndetësor ndaj të moshuarve. Pa hyrë në hollësi po përmendim se biznesi familjar që ndërtoi z. Xhorxh Shamata përfshin 12 godina të natyrës së kujdesit shëndetësor por edhe të të jetuarit në mënyrë të pavarur, me apartamente banimi dhe mjedise të shumta për jetesë e veprimtari të larmishme, si restorante, pishina, biblioteka, ambiente sportive, për veprimtari argëtuese e deri sallone bukurie etj.
Në biznesin e tij janë punësuar mbi 3 mijë punonjës mes të cilëve qindra shqiptarë emigrantë të pas viteve 90-të, duke u ndihmuar të aftësohen në profesione te ndryshme.Ai i njihte me emër shqiptarët, ndiqte përparimin e tyre në punë dhe në jetë, i inkurajonte dhe i nxiste të ecnin përpara. Veçanërisht të rinjtë i këshillonte dhe ndihmonte që të vazhdonin shkollat e larta duke realizuar ëndrrat dhe ambicjet e tyre.
Shqiptarët i janë shume mirënjohës këtij njeriu me zemër të madhe, që kurrë nuk u mërzit, nuk u lodh e nuk përtoi asnjëherë të ndihmonte këdo që kishte nevojë dhe lutej për një vend pune.
Që nga fillimet e viteve 90-të kanë kaluar mbi 20 e ca vjet dhe gjërat kanë ndryshuar për mirë. Shqiptarët emigrantë kanë shtëpitë e tyre, shumë prej të cilëve edhe biznese të suksesëshme, fëmijët kanë mbaruar shkollat e larta dhe punojnë në vende ku kërkohet kualifikim e profesionalizëm. Sot vetë ata janë në gjëndje të bëhen përkrahës të emigrantëve të rinj si dikur ai burri energjik, fjalë urtë e zemërartë Xhorxh Shamata, kujtimi dhe mirënjohja për të cilin do të përcillen në breza.Figura e Xhorxh Shamatës merr shkëlqim jo vetëm si biznesmen i fuqishëm, me intuitë e larpamës, por edhe si një njeri patriot që ka dhënë shumë për komunitetin në Amerikë dhe ka kryer mjaft bamirësi në vendlindje. Ai është ndër kontribuesit kryesorë për ngritjen e Kishës Othodokse Shqiptare Shën Nikolla në Çikago me një histori mbi 70-të vjeçare. Pas 90-tës financoi për restaurimin e kishës së Shën Nikollës në Sinicë. Po këtu në Sinicë dha kontribut financiar për ngritjen nga themelet të Kishës së Shën Thanasit që ishte rënuar në vitin 1967 . Vëmendjen e drejtoi edhe në qytetin e Korçës. Dhuroi një shumë të konsiderueshme për ndërtimin e ikonostasit të Kishës Shën Ilia në Korçë ku në shënjë respekti është vendosur mbishkrimi “Dhuruar nga Jorgji dhe Antigoni Shamata.” Ndihmesë dha edhe për Kishën e Shën Prodhomit në Voskopojë dhe atë të Shën Pjetrit në fshatin Vithkuq. Në Maj të vitit 1996 krijoi fondacionin “Jorgji dhe Antigoni Shamata” duke ndihmuar financiarisht fëmijë me aftësi të kufizuara mendore. Ka dhënë gjithashtu ndihmesë për spitalin dhe senatoriumin e qytetit të Korçës.
Më 30 shtator të vitit 1996 për gjithë kontributin e tij , Këshilli i Bashkisë së Korçës e nderoi z. Xhorxh Shamata “Qytetar nderi”ndërsa për të nderuar veprën e kujtimin e tij Bashkësia Sinicare në Çikago e shpalli Anëtar Nderi të saj.
Ishte dëshira një grupi emigrantësh shqiptarë që për të përjetësuar jetën e veprën e tij të hartohej një libër me kujtime, mbresa dhe intervista nga të afërm dhe shqiptarë të tjerë, që kanë ndjerë në mënyrë të prekëshme dorën e ngrohtë mikpritëse të z. Xhorxh Shamata. Për gati një vit u mblodhën materialet, shkrime, intervista, foto të ndryshme, mes të cilave edhe një intervistë e bashkëshortes së z. Xhorxh Shamata, Antigoni Shamata.
Libri me titull “Mirënjohje që do të përcillet në breza” është ndarë në tre kapituj: Ribashkim pas një ndarje të gjatë. Si një familje edhe pse pa lidhje gjaku. Intervista.
Në fund nëpërmjet fotosh të ilustruara jepet një vështrim në rrugën e biznesit që mban firmën Shamata.
Për përgatitjen dhe redaktimin e këtij libri punoi krijuesi Kostaq Duka. Korrektimi u realizua nga Thanas Hoda dhe puna në kompjutër nga Albert Sakaj. Sponsorizuan Josif Kotemelo dhe Gjergji Tumba. Libri u botua dhe u vu në qarkullim në Amazon.
Më 15 Tetor, në hollin e Kishës Orthodokse Shqiptare u bë promovimi i këtij libri në prani të një pjesëmarrjeje të gjërë.
Uroi mirëseardhjen At Kostandin Tuda i cili tha se nuk është rastësi që ky promovim u bë në mjediset e kishës. Z. Xhorxh Shamata do të kujtohet e nderohet gjithmonë si një nga kontribuesit kryesorë për ngritjen e kësaj kishe dhe si një njeri që dha aq shumë ndihmesë për komunitetin shqiptar.
Sollën mbresa dhe vlerësime për veprën e paharruar të z.Xhorxh Shamata Josif Kotemelo, Thanas Hoda, Jani Depo, Paskal Gjikdhima, Sokol Gjata, Andon Shamata, Flora Tumba, Spiro Haxhi,Memo Gjonzeneli. Për natyrën familjare të z. Xhorxh Shamata, sjelljen me të afërmit etj, solli mbresat e tij z.Randi Sutter nipi i zonjës Antigoni Shamata. Me interes të veçantë ishte ideja që u hodh në këtë veprimtari nga z. Paskal Gjikdhima për të bërë propozim nga komuniteti që z. Xhorxh Shamata të nderohet nga Presidenti i Shqipërisë.
Znj.Cindy Thiem, vajza e z. Xhorxh Shamatës falenderoi komunitetin shqiptar për respektin e treguar ndaj babait të saj, veçanërisht bashkëpunëtorët që ndihmuan në hartimin e librit. Veprimtarinë e mbylli me fjalën e tij krijuesi Kostaq Duka.
Me këtë rast në një kënd të vecantë u bë shitja e mjaft librave. Të hollat e grumbulluara kaluan si ndihmesë për kishën.