Vrasjet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së si po klasifikohen: politike, parapolitike, të qëllimta, të porositura nga Serbia apo nuk llogariten fare?!
Nga Faton Mehmetaj/
Vrasjet e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka vite që komentohen në Kosovën e pasluftës, nëpër gazeta, në rrjetet sociale, në çarshi e në jetën e përditshme. Shumica prej komentuesve shprehin mllef, shprehin mendimet e tyre, secili i ndikuar nga subjektiviteti i vet. Disa e lavdërojnë UÇK-në, disa të tjerë e poshtërojnë atë, e disa të tjerë bëjnë sehir e derdhin lot krokodili. Prej të gjitha këtyre shtresave rrallëkush ka bërë pyetje dhe e ka ngritur zërin në përjashtim të familjarëve, të cilët kanë pritur nga shteti se do të ketë drejtësi për familjarët e tyre. Pse janë heshtur vrasjet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së?! Pse askush apo rrallëkush e ka ngritur çështjen e tyre?! Pse të gjitha hetuesitë, deri në ditët e sotme, i kanë anashkaluar këto lëndë, e disa prej tyre i kanë mbyllur fare?! Në këto pyetje është dashur të përgjigjej hetuesia, policia, UNMIK-u më herët, EULEX-i tani, gjykatat vendore dhe ato ndërkombëtare, prokuroria e shtetit dhe organet tjera kompetente. Vrasjet tragjike të mbi njëqind figurave të rezistencës shqiptare, shumica eprorë dhe ushtarë të dalluar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë mbetur në harresë.
Kanë kaluar pesëmbëdhjetë vjet rresht, por edhe përkundër premtimeve të dhëna se do të zbulohen të gjitha vrasjet e pasqaruara, duke i përfshirë këtu edhe vrasjet e disa prej drejtuesve të UÇK-së në periudhën e ilegalitetit, deri më tani nuk doli asgjë. Neglizhencën, pengimin dhe moszbulimin e këtyre vrasjeve e kanë bërë struktura të lidhura me shtetin. E kanë bërë ata që nuk e kanë dashur unitetin e Kosovës, e kanë bërë ata që nuk e dëshirojnë progresin e Kosovës. Që nga paslufta e këndej janë vrarë mbi njëqind çlirimtarë, shumica prej tyre strategë luftarakë, vizionarë, eprorë të shquar për profesionalizëm, të urtë në përditshmëri e të pathyeshëm në vijat e frontit. Dyshimet janë të bazuara se këto vrasje ishin të organizuara nga shërbimet sekrete serbe, të ndihmuara nga veglat e tyre të ngjashme me “opriçnikët” e Ivanit të tmerrshëm rus. Këto vrasje nuk po ndriçohen qëllimisht nga një shtresë e njerëzve të paaftë dhe injorantë, madje jo vetëm të tillë, që kanë ardhur në pozita të caktuara përmes servilitetit, duke u paraqitur viktimë e duke u strukur e nënshtruar para akëcilit që ka qenë i veshur me pushtet. Kjo shtresë e njerëzve e ka dëmtuar imazhin e organeve tona shtetërore, policisë, hetuesisë e gjyqësisë. Këto vrasje e kanë dëmtuar Kosovën pa masë duke e shndërruar në një shtet kaotik pa qenë. Gjendja në të cilën jemi sot, është meritë e këtyre shtresave. Duhet përmendur se vrasjet enigmatike apo të pasqaruara të ish-pjesëtarëve të UÇK-së në njërën anë dhe të disa personaliteteve politike të Kosovës në anën tjetër, e kanë rrezikuar gjendjen e sigurisë skajshmërisht, ato kanë reflektuar shumë në destabilitetin politik dhe në prishjen e imazhit të Kosovës në arenën kombëtare e ndërkombëtare. Në përgatitjen e skenarëve të vrasjeve serike, që ndodhën në Kosovën e pasluftës, padyshim se janë të involvuara agjenturat serbe, pasi që qeveritë e Serbisë që nga përfundimi i luftës në Kosovë e këndej të vetmen rrugë për rimarrjen e sërishme të Kosovës e shohin nëse arrijnë ta destabilizojnë apo ta vietnamizojnë Kosovën: t’i fusin shqiptarët në konflikt të dyfishtë: ndërmjetveti dhe me bashkësinë ndërkombëtare.
Dyshimet se Serbia ka dorë në organizimin e këtyre vrasjeve rriten edhe më shumë ngase shumica e dëshmitarëve që kanë dëshmuar në gjyqet dhe në proceset e montuara kundër eprorëve dhe ish-pjesëtarëve të UÇK-së ka rezultuar se paraprakisht kanë qenë dëshmitarë të përpunuar në Serbi. Madje, dëshmitari N. B. i ka kushtuar mbi 4 milionë euro buxhetit të Kosovës dhe deri më tani me dëshmitë e tij nuk ka kontribuar në asnjë proces gjyqësor për zbardhjen e të vërtetës. Ky person më shumë ka qenë i porositur për ta njollosur UÇK-në se sa ka qenë dhe është dëshmitar i besueshëm i ndonjë procesi të mirëfilltë gjyqësor. Serbia nëpërmjet rrjetit të bashkëpunëtorëve që i ka të instaluar në Kosovë dhe të nomenklaturës që ka arritur ta inkorporon në institucionet e Kosovës, ka ndërmarrë veprime dhe fushata të orkestruara në forma të ndryshme kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së, varësisht si u ka rezultuar pas analizës së personaliteteve të tyre veç e veç.
Shoqëria kosovare, organet kompetente të hetuesisë e të drejtësisë duhet të mbledhin prova e fakte konkrete, pos atyre që kanë mbetur, sepse një pjesë e këtyre fakteve janë shkatërruar nga UNMIK-u, pas dështimit të drejtësisë në Kosovë. Për ta implementuar drejtësinë në Kosovë ka dështuar UNMIK-u, EULEX-i (shih për këtë aferat tepër të rënda korruptive që janë bërë publike prej vet pjesëtarëve të këtij misioni), por ka dështuar edhe drejtësia vendore, e cila ka qenë e politizuar dhe e shantazhuar. Këto janë disa nga arsyet pse vrasjet politike të asnjë profili nuk janë zbuluar. Mbi njëqind veta është numri i pjesëtarëve të vrarë të UÇK-së, TMK-së, Policisë së Kosovës, etj., vrasjet e të cilëve nuk janë zbardhur ende. Çështja është se gjykata speciale që pritet të formohet, a do ta konsiderojë këtë shtresë të barabartë për trajtimin e rasteve të vrasjeve të tyre në këtë gjykatë, e cila edhe ashtu po ngitet posaçërisht kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së, apo do të anashkalohen e heshten rastet e tyre siç ka ndodhur deri më tani?!
Për zbardhjen e vrasjeve të cilësuara me motive politike, që kanë ndodhur pas luftës, gjatë luftës, apo para luftës janë bërë thirrje të vazhdueshme nga shtresat e ndryshme të shoqërisë, është bërë thirrje tek UNMIK-u, EULEX-i e organet e drejtësisë për të dhënë kontribut në zbardhjen e këtyre vrasjeve, por kjo nuk ka ndodhur. Kanë kaluar mbi pesëmbëdhjetë vite e gjykatat tona, të ndihmuara edhe nga UNMIK-u dhe EULEX-i, nuk kanë arritur të zbulojnë makar një rast. Ky hendikep po ndodhë për shkak se drejtësia – organet e drejtësisë nuk janë të liruara nga ndikimet politike. Nëse arrihet të bëhet një gjë e tillë, ky mund të jetë edhe njëri nga çelësat e suksesit për zbardhjen e këtyre rasteve dhe dhënien fund manipulimeve të shumta në emër të tyre. Nëse akuzat nuk janë të argumentuara dhe të bazuara realisht, nëse ndodhë të jenë të motivuara politikisht dhe të ngriten për qëllime të dyfishta, prapë do të bëhen gjyqe sa për të thënë, viktimat dhe familjarët e tyre nuk do të marrin drejtësi dhe do të bëhen padrejtësi të mëdha. Nuk duhet të përsëriten praktikat e UNMIK-ut, kur dosjet gjyqësore përgatiteshin në Serbi e UNMIK-ku i zbatonte në Kosovë.
Vrasjet enigmatike të periudhës së pasluftës, të luftës dhe të paraluftës, duhet trajtuar njëlloj të gjitha e jo në mënyrë selektive. Janë mbi 100 pjesëtarë të UÇK-së të vrarë pas luftës, por që askush nuk është marrë me zbardhjen e tyre. Që nga ajo kohë e gjer më sot për këto vrasje është heshtur. Ata që i urdhëruan vrasjet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, pavarësisht çfarë tabori i takojnë e kanë bërë punën e Serbisë. Kjo do të thotë se mosndriçimi i krimeve dhe lënia e lirë e kriminelëve u shkon përshtati më së shumti atyre që i kanë sponsorizuar krimet dhe kriminelët.
S’do mend se drejtësia nuk ka funksionuar në Kosovë për një kohë të gjatë sepse ka qenë e kapur nga klanet e mafies politike. Kjo është njëra nga arsyet e prolongimit të zbardhjes së vrasjeve që ndodhën në Kosovën e pasluftës. Këto vrasje u heshtën nga drejtësia ndërkombëtare dhe vendore për shkak të lidhjeve të ngushta të klaneve të krimit të organizuar me shtetin. Si pasojë e kësaj u likuiduan edhe shumica e dëshmitarëve të proceseve gjyqësore, shumë prej të cilave procese të montuara, për të vazhduar anonimiteti rreth këtyre vrasjeve me qëllim që prapë sa herë të duan të krijojnë procese të reja, jo për të vënë drejtësi për viktimat, jo për ta ndriçuar të vërtetën, por më shumë për pazare politike, siç mund t’i konvenojë dikujt.
Siç e kemi parë në shtyp, në fushatat elektorale, në gjykata e në jetën e përditshme lufta mes klaneve të mafies politike ka qenë e ashpër dhe për pesëmbëdhjetë vite nuk kanë zbritur fare tensionet. Duke u marrë me vetveten e me njëri-tjetrin e kemi harruar ndërtimin e shtetit, ndërtimin e të ardhmes për brezin e ri, i cili po shpërngulet në vendet e Europës e të botës tash e pesëmbëdhjetë vite herë më pak e herë më shumë.
Serbia gjatë të kaluarës për t’i mbajtur më lehtë nën sundim shqiptarët, i nxiti vëllavrasjet ndërmjet tyre, thuri intriga e shkaktoi ngatërresa të mëdha, pasojat e të cilave shqiptarët i bartën mbi supe me dekada. Dhe tërë këto nuk kanë qenë të ngjarje të rastit, por të parapara me planprograme antishqiptare, të hartuara e të zbatuara nga organet zyrtare të Serbisë. Ndonjë prej këtyre dosjeve është bërë publike vetëm pas njëqind vjetësh! Ky fenomen është i njohur e i trajtuar me qindra herë të paktën qysh kur Serbia e pushtoi Kosovën më 1912 dhe ka vazhduar pa e humbur efikasitetin gjer në ditët e sotme. Interesi dhe prania e lartë e agjenturave serbe në Kosovë dhe ndikimi i tyre tek bashkëpunëtorët dhe lidhjet e veta, qoftë nëpërmjet influencimit apo shantazhit, ka krijuar një klimë të volitshme që Serbia t’u hyn proceseve për të tentuar t’i barazojë krimet e forcave okupuese serbe (ushtrisë, policisë, paramilitarëve serbë…) me ato të shqiptarëve! Serbia ka botuar mbi 400 libra, shkrime, lansime nga më të ndryshmet në shtypin e Serbisë dhe atë ndërkombëtar, duke bërë çmos për ta njollosur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe luftën e shenjtë të saj. Si produkt i angazhimit të Serbisë dhe luftës speciale që e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë Serbia kundër drejtuesve të UÇK-së, është iniciuar edhe formimi i gjykatës speciale për t’i gjykuar ekskluzivisht ish-pjesëtarët e UÇK-së, gjykatë kjo e vetmja në rajon që do të formohet kundër shqiptarëve e që do të ketë karakter të gjykatës etnike, sikurse gjykata e Nurembergut e themeluar pas Luftës së Dytë Botërore, veçse me një dallim të madh: gjykata e Nurembergut nuk i gjykoi viktimat (hebrenjtë) por agresorin (nazistët) e në rastin e Kosovës po ndodh e kundërta, madje edhe me selektime tendencioze brenda llojit. Kjo qasje është mashtrim i opinionit dhe dhunim i drejtësisë ndaj njërës palë.
Në Kosovën e pasluftës vrasje dhe krime ka bërë kush ka mundur e më së paku pjesëtarët e UÇK-së, megjithëse janë cilësuar si fajtorë kujdestarë për çdo gjë që ka ndodhur, ndonëse fajësia e tyre në më shumë se 80 për qind të rasteve nuk është vërtetuar.
Sidoqoftë, i gjithë angazhimi i shoqërisë kosovare duhet të fokusohet në gjetjen e vrasësve të vërtetë, të cilët, sigurisht se nëse zbulohen do të tregojnë për urdhërdhënësit dhe prapaskenat e moszbardhjes së deritashme të këtyre krimeve. Partitë politike në Kosovë pa dallim duhet të bashkohen për ta luftuar fenomenin e vrasjeve politike dhe të vrasjeve me porosi si dhe të gjitha tentativave që qojnë kah vëllavrasja dhe destabilizimet e mundshme të përplasjeve, që mund të vijnë nga grupet dhe klanet e caktuara të mafies politike. Pse të mos zbulohen vrasjet e mbi njëzet eprorëve të TMK-së?! Pse të mos zbulohet vrasja e ish pjesëtarit të UÇK-së, Avni Elezajt, i cili si 17-vjeçar gjatë kohës së luftës likuidoi njërin ndër kriminelët më famëkëqij të Serbisë, Vidomir Shalipurin, që hyn në vazhdën e sulmeve të vazhdueshme kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe të TMK-së? Avni Elezaj u vra më 12 tetor 2002, në Pejë, bashkë me Bekim Mustafën nga Klina e Poshtme e Skënderajt me banim në Arbnesh (ish- Vitomiricë) të Pejës, edhe ky ish-pjesëtar i UÇK-së. Pos kësaj, më 17 mars 2004, u vra edhe babai i Avnisë, Smajl Elezaj, vetëm pak orë para shpërthimit të protestave të marsit në Pejë. Pse të mos zbulohet vrasja e Avdi Mujajt, nga Strellci i Deçanit, i cili më 1 tetor 2003, u vra në oborrin e shtëpisë së vet në prani të familjes së tij, me ç’rast u plagosën rëndë edhe tre kushërinj të tij?! Pse të mos zbulohet vrasja e vëllezërve Brahim e Rexhep Nikqi, djemtë e atdhetarit të shquar Sylë Mehmeti, të dy aktivistë të çështjes kombëtare dhe pjesëtarë të UÇK-së, të cilët u vranë në një pritë në Shqipëri në gusht të vitit 1999, derisa po vinin në Kosovë?!
Pse të mos zbulohen dhe dënohen denoncuesit apo pjesëmarrësit e mundshëm në pritën në Pestovë, ku u vranë disa nga drejtuesit kryesorë të UÇK-së?! Pse të mos zbulohen rastet e mjekut Hafir Shala e veprimtarit Xhavit Haziri, të arrestuar e më pas të zhdukur nga policia sekrete serbe; vrasjet e Hyzri Tallës, Ilir Durmishit, Afrim Maliqit, të vrarë nga policia sekrete serbe në Prishtinë në fillim të dhjetorit të vitit 1998, në prag të fillimit të ofensivës në Llap. Pse të mos zbulohen organizatorët e pritës në Bishtazhin, Goden e Rogovë të Hasit, në janar të vitit 1999, ku u vranë mbi tridhjetë shqiptarë, prej tyre 21 pjesëtarë të UÇK-së, në mesin e tyre edhe disa komandantë të njohur të Zonës Operative të Dukagjinit? Pse të mos zbardhet prita ku u vra nga forcat serbe njëri ndër organizatorët e orëve të para të UÇK-së, Mujë Krasniqi bashkë me 41 bashkëluftëtarë të tjerë në Gorozhub të Hasit në dhjetor të vitit 1998?! Pse të mos zbulohet vrasja e Ekrem Rexhës-komandant “Drinit”, ish-komandant i Zonës Operative të Pashtrikut, për të cilën UNMIK-u organizoi edhe një proces gjyqësor, ku u akuzuan për vrasjen e tij bashkëluftëtarët e tij, në mesin e tyre eprorë të lartë të UÇK-së, të cilët më pas u shpallën të pafajshëm, por që karrierën ushtarake ua shkatërruan përjetësisht?! Pse të mos sqarohet vrasja e Skënder Gashit, nga Sopniqi i Rahovecit, luftëtar i dalluar i UÇK-së dhe pjesëtar i TMK-së, i cili u masakrua në afërsi të fshatit të tij, e që pesë ditë më vonë si pasojë e kësaj i vdiq edhe babai?! Pse të mos ndriçohet vrasja e Ali Ajetit, Ali Ukajt, Ilir Konushevcit, Agron Rrahmanit, Bahri Fazliut, Sadri Ramqajt, Enver Haradinajt, Shaqir Krasniqit, Agim Makollit, Sadik Ukës e dhjetëra të tjerëve…
Vrasjet në moh, në prita, në pabesi, vrasjet e liderëve politikë, të udhëheqësve ushtarakë e kombëtarë, vrasjet e prijësve kulturorë e fetarë gjatë historisë dhe vrasjet që kanë ndodhur pas përfundimit të luftës së fundit kundër Serbisë dhe dëbimit të forcave ushtarako-policore e paramilitare serbe nga Kosova, nuk janë risi, janë një lloj përsëritjeje e ngjarjeve të hidhura që kanë ndodhur gjatë historisë ndër shqiptarë edhe më parë. Brenda një kohe të shkurtër u vranë liderët më të shquar të kombit shqiptar, Bajram Curri, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Avni Rrustemi e qindra të tjerë. Vetëm me emrat e tyre do të mbusheshin disa libra shumëfaqëshe, aq i madh është numri i atdhetarëve të popullit shqiptar, të vrarë për motive politike me porosi të armiqve apo të eliminuar për shkaqe revanshiste, karrieriste apo të luftës së brendshme mes klasave politike. Ky fenomen paraqet rrezik të lartë për popullin shqiptar, ngase vrasjet e motivuara politikisht kanë një kontinuitet, por edhe një tradicion me vrasjet që kanë ndodhur në të kaluarën dhe kanë vazhduar gjer më sot.
Nga historia mund mësojmë dhe të marrim sinjale të qarta prej nga vijnë nxitjet e vëllavrasjes në Kosovë dhe në hapësirat mbarëshqiptare, sepse hetime të mirëfillta për këto vrasje nuk janë bërë pothuajse asnjëherë, kuptohet as për vrasjet e kësaj cilësie që kanë ndodhur para, gjatë dhe pas luftës së fundit. Vet fakti se këto vrasje nuk janë zbuluar tash e pesëmbëdhjetë vite e disa edhe më shumë, e tregon mosseriozitetin dhe mosangazhimin e shoqërisë tonë në këtë drejtim, veçanërisht të organeve kompetente, duke lënë hapësirë për manipulime të shumta. Për vrasjet politike është folur e përfolur, por edhe është debatuar në kohë fushatash e momentesh sensitive nëpër të cilat ka kaluar populli ynë këto vitet e pasluftës, në vitet e lirisë, për të cilën është derdhur shumë gjak, është dhënë mund e janë bërë shumë sakrifica. Secili qytetar pyet me të drejtë se pse me të vërtetë nuk janë zbuluar këto vrasje kaq gjatë, kur në Kosovë që nga fillimi e gjerë më tani sundimi i ligjit dhe i drejtësisë është mbikëqyrur dhe është zbatuar nga instancat ndërkombëtare, siç janë: UNMIK-u, EULEX-i, KFOR-i, OSBE, por edhe nga instancat vendore, që kanë qenë mbështetës e deri diku edhe zbatues të vendimeve të instancave ndërkombëtare, që veprojnë në Kosovë dhe e ndajnë drejtësinë. Ndoshta nuk pritet aq shumë nga shtresa të caktuara të shoqërisë sonë, të cilat çdo ditë e më shumë po e mohojnë shtetësinë e Kosovës, që të punojnë sinqerisht dhe intensivisht në zbardhjen e këtyre vrasjeve që presin drejtësi tash sa vite.
Vrasjet e pazbardhura politike në Kosovë më shumë janë përdorur nga nomenklatura të caktuara të shoqërisë sonë si gogol për t’i frikësuar grupimet e caktuara me qëllim që t’i mbajnë nën kontroll dhe t’i disiplinojnë ato, e shumë pak ka pasur të interesuar që t’i zbardhin ato vrasje, të ketë drejtësi për viktimat dhe familjarët e tyre.
Qarqe te caktuara, të porositura, mirë të financuara, menjëherë pas mbarimit të luftës kanë organizuar një fushatë të orkestruar kundër elementit progresiv në Kosovë, kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së, ish të burgosurve politikë dhe pjesës tjetër që ka mbajtur qëndrim të profilizuar për zhvillimin dhe progresin e vendit. Rrathët koncentrikë të këtyre qarqeve kanë qenë dëshmitarë në të gjitha proceset gjyqësore kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Tribunalin e Hagës dhe në proceset gjyqësore të organizuara në Kosovë, procese këto që janë analoge me proceset e gjyqeve të regjimit komunist në ish-Jugosllavi, të organizuara për ta shkatërruar klasën kundërshtare, duke i përdorur aparaturat e shtetit. Për zgjidhjen e kësaj situate ka qenë dashtë një veprim më direkt, por ka heshtur secili, asnjëri nuk ka marrë guxim por edhe nuk kanë qenë të interesuar për ta trajtuar problemin e vrasjeve të pasluftës. Kjo çështje tepër e ndjeshme më shumë ka shërbyer për të ngjallë urrejtje e armiqësi ndaj grupeve të caktuara, veçanërisht ndërmjet LDK-së dhe krahut të luftës, sesa ka qenë një këmbëngulësi për t’i zbardhur këto vrasje, duke lënë hapësirë që sipas dëshirës apo interesave për t’ua vënë në barrë individëve apo grupeve të caktuara. Për t’i zbardhur vrasjet politike, pra vrasjet e aktivistëve të LDK-së dhe vrasjet e eprorëve dhe luftëtarëve të UÇK-së, TMK-së, Policisë së Kosovës, etj. që sigurisht shumë prej tyre janë politike apo akudohet se janë politike, nuk është vonë kurrë, por nuk duhet keqpërdorur e politizuar këto raste, meqenëse është duke u formuar gjykata speciale, ngase politizimi është imponim direkt i përzierjes së politikës në këto procese, të cilat edhe mund të dështojnë si herëve tjera po qe se i lejohet politikës t’i futë duart dhe të ndikojë politikisht në këto procese.
Shpesh herë janë organizuar fushata me porosi nga qarqet e Serbisë për komprometimin dhe shantazhimin e udhëheqësve të ish-UÇK-së, duke shkruar vetëm zi. Fatkeqësisht, kundër këtyre fenomeneve kanë heshtur organet shtetërore, ka heshtur klasa intelektuale, drejtësia, hetuesia, etj., edhe pse e kanë pasur të qartë se kemi të bëjmë me shpifje dhe me fushata të organizuara e të përpunuara në laboratorët e shërbimeve sekrete serbe. Duke u bazuar në fushata të tilla shpifjesh, janë ngritur dhjetëra procese gjyqësore në të cilat janë gjykuar shumë pjesëtarë të UÇK-së, kanë vuajtur me dhjetëra vite burg gjatë qëndrimit në paraburgim, nga gjykimet e deritanishme kanë mbajtur të gjithë bashkë qindra vjet burg dhe më pas më se 80 për qind e tyre ka dalë të jenë të pafajshëm. Edhe pse ata kanë dalë të pafajshëm atyre iu ka shkatërruar karriera politike e ushtarake, janë njollosur moralisht pa të drejtë, iu ka shkatërruar ekonomia familjare dhe u është rrënuar e ardhmja. Kjo shtresë e shoqërisë është keqtrajtuar dhe denigruar skajshmërisht. Mbi 45 pjesëtarë të UÇK-së kanë bërë vetëvrasje, sepse nuk kanë mundur ta durojnë gjendjen në të cilën i katandisi shoqëria kosovare ekonomikisht e politikisht. Shumë prej tyre janë bërë personazhe të rregullta të kronikave televizive e gazetaresve për ilustrimin e skamjes e mjerimit në Kosovë. Afërsisht pesëdhjetë libra janë shkruar kundër UÇK-së nga shkrimtarë, gazetarë të huaj e shqiptarë, çka s’u tha kundër UÇK-së, që rezultuan edhe me procesin Dick Marty, i cili pos akuzave që e dëmtuan shumë rëndë imazhin e UÇK-së, të Kosovës e të shqiptarëve përgjithësisht, baza e të cilave ishte dhe është në Serbi, të gjeturat e bëra publike deri më tani nuk e materializuan asnjë prej akuzave skandaloze të tij.
Gjeneralët serbë kanë deklaruar publikisht se nuk mund të kthehen në Kosovë pa e gjunjëzuar UÇK-në, dikush që ka emër e mbiemër po punon pandërprerë për këtë. Çdo ditë përbaltoset figura e UÇK-së nga kjo shtresë. Mbi tetë mijë shqiptarë të kosovës kanë azil në vende të ndryshme të Europës e botës si të përndjekur nga UÇK-ja, për ta siguruar azilin partitë politike u kanë dhënë dëshmi këtyre njerëzve që janë të përndjekur nga UÇK-ja. Për çudi ka prej tyre që krahas statusit të të përndjekurit politik nga UÇK-ja të marrë në ndonjërin nga shtetet europiane bashkë me të gjithë anëtarët e familjes, kanë ushtruar edhe poste të larta në institucionet e Kosovës! Shoqëria jonë e ndihmuar edhe nga një shtresë e kriminalizuar e pushtetit ia ka dhënë rastin akëcilit që do, t’i quajë kriminelë pjesëtarët e UÇK-së, t’i vret e askush të mos përgjigjet për këto vrasje. Fatkeqësisht, ky është vetëdijesimi ynë. Siç dihet edhe publikisht me qindra lëndë të krimit të organizuar, korrupsionit e lëndë të tjera janë zhdukur nëpër prokurori, sa e sa prova janë zhdukur, sa e sa raste janë fshehur, sa e sa dosje janë bartur në Beograd, sa e sa dëshmitarë janë vrarë vetëm për ta fshehur të vërtetën, sepse një shtresë e shoqërisë sonë është mësuar ta ndërtojë karrierën mbi mundin, djersën, gjakun, sakrificat e fatkeqësitë e të tjerëve. Shoqëria jonë duhet të vetëdijesohet të unisohet dhe t’i zbardhë të gjitha vrasjet që ndodhën pas luftës, e jo të qaset në mënyrë selektive ndaj këtyre rasteve, sepse sipas logjikës që po kultivohet po i bie se UÇK-ja i ka vrarë pjesëtarët e LDK-së e LDK-ja ata të UÇK-së. Siç është dëshmuar publikisht, shumë prej dëshmitarëve të montuar janë joshur me premtime të ndryshme për t’i përdorur kundër UÇK-së, qoftë për rregullim statuti të azilit në vende të ndryshme të botës, qoftë me para, apo benificione të tjera, por ka ndodhur që kur nuk ua kanë përmbushur kushtet dhe kanë dështuar në dëshmitë e rrejshme edhe janë vrarë.
Edhe përkundër pranisë së madhe të forcave të KFOR-it, të policisë së UNMIK-ut, Policisë së Kosovës, pranisë së shërbimeve të shumta inteligjente, pastaj kontingjentit të hetuesve, prokurorëve ndërkombëtarë e vendorë, drejtësia në Kosovë dështoi në zbardhjen e veprave kriminale dhe të vrasjeve të pasluftës, duke mos i vënë fajtorët para drejtësisë. Kjo nuk është vetëm një mungesë vullneti për t’u përballuar me strukturat e krimit të organizuar, por edhe një mungesë e vendimeve politike për të ndërmarrë masa ndaj këtyre strukturave. Kjo logjikë çon në luftë vëllavrasëse, provokon luftë qytetare, nxitë urrejtje, shkakton pakënaqësi, e të gjitha bashkë e bllokojnë progresin e Kosovës drejt integrimit në BE, në NATO e në instancat tjera ndërkombëtare.