(Në përkujtim të 135-vjetorit të lindjes)/
Nga Anton Çefa/*
Njerëzit e mëdhenj shpesh e bëjnë veten të paharrueshëm edhe vetëm me një fjalë, një porosi, një thirrje, duke mbetur kështu të përjetshëm në kujtesën kombëtare.
Mithat Frashërin e kujtojmë kështu me sentencën e famshme “Partia ime është Shqipëria”. Një devizë që të merr sytë me dritën e idealit dhe të ngrohë me afshin e dashurisë për Atdheun. Flakërimë e vetëtimtë ndërgjegjeje kombëtare dhe zjarr i pashuar atdhetarizmi. Sado ta mbulojë hiri i murmë i kohës, do të përshkënditë gjithnjë si shpuzë e zjarrtë.
Shqipërinë e krijuan njerëzit e mëdhenj si Mithati. Ajo ka qenë me fat. Nuk i kanë munguar kurrë. Shqipërinë e kanë prishur njerëzit e vegjël. Edhe këtu ka qenë me “fat”. Nuk i kanë munguar kurrë. Përkundrazi, i ka pasur me tepri. Edhe sot e kësaj dite prishanakët vazhdojnë zanatin e tyre të përjetshëm.
Në ato kohë kur Shqipërisë i mungonte çdo gjë, edhe vetvetja, kur ideja kombëtare në hauzin e errët e kaotik të kohës përpëlitej në dhimbjet e lindjes, kur kultura qe veç djerrinë e asgjë më shumë dhe kur organizmit politik shtetëror i kishte humbur emri prej shekujsh, Zoti i fali asaj, ndër të tjerë, edhe treshen e vëllezërve frashëriotë: Abdylin për t’i vënë themelet shtetit, Samiun për të ravijëzuar platformën ideologjike të lëvizjes kombëtare dhe Naimin për të ndezur flakëzën e qiriut të fjalës, flakëz fjale e flakëz shpirti, dhe për të kultivuar përmes saj farën e edukatës kombëtare.
Mithati qe i vetëm. Duhej të kryente detyrat e të treve. Dhe i kreu. Qe i fundit. Duhej t’i kryente një herë e mirë. Dhe u përpoq tërë jetën pa kursyer asgjë. Me fjalë, si ideator i Shqipërisë së qytetëruar; me vepra, si demiurg i saj. Ai botoi një bibliotekë të tërë shkencore duke na mësuar të lexojmë abetaren e vetes, të kohëve dhe të popujve, shkroi një letërsi të tërë artistike, duke na shpirtësuar me frymën e shenjtë të idealit dhe të dashurisë dhe, kur Shqipëria rrezikohej të humbte në vorbullën tejet të trazuar e tejet të përgjakshme të Luftës së Dytë Botërore, i dha asaj alternativën e shpëtimit.
“Partia ime është Shqipëria”. Me këto fjalë mua dhe ju na troket në kujtesë dhe do të na trokasë gjithnjë, ai Mithati, filizi i fundit i trungut frashëriot, atij trungu që i dha aq rrënjë truallit tonë dhe aq e aq degë qiellit tonë. Ndoshta sepse në ato fjalë, më shumë se kudo tjetër, përmblidhet jeta e tij, ideali dhe dashuria, puna dhe veprat.
U lind 135 vjet më parë. Nuk dua t’ia kujtoi vdekjen. Qe e errët. E errët, siç janë vdekjet që vijnë nga duar diktaturash. Jo pak njerëz të ndritshëm kanë vdekje të errëta.
“Partia ime është Shqipëria”. Ky qe ideali i jetës së tij. E lindi dhe e tharmoi që në fëmijëri të hershme, nën ndikimin e baba Abdylit, e urtësoi dhe e pasuroi me porositë e xhaxha Samiut, dhe e shpirtësoi e i dha flatra me frymën e xhaxha Naimit. E leçiti me dritë në Manastir për t’i dhënë shkronjat alfabetit të gjuhës dhe abetares së atdhetarizmit, e shpalli me bujë në Vlorë, në atë më të bardhën ditë të 28-ës, përkrah Babait të Kombit dhe e mbrojti gjithnjë e gjithkund. Për hir të tij, iu kundërvu edhe Plakut, kur Janina rrezikohej prej të huajve, ashtu siç u rrezikua. Kështu iu duk, kështu e pleqëroi dhe kështu e veproi.
Dhe, më së fundi, e ngriti si një armë shpëtimtare, kur atdheu ra rishtas nën thundrën e të huajit. E ngriti si alternativën më të ndershme, kur të tjerë, të kulluar a të turbullt, i nënshtroheshin armikut me motivin për t’i shkyer një thelë sado të vogël për atdheun – duke folur për ata të shëndoshët, – a për të xhvatur sa më shumë për vete, a edhe thjesht për lakmira kolltukësh dhe kotësirash; dhe të tjerë, prishanakë të çmendur, që futeshin qorrazi a edhe syhapur në luftë, nën flamurin e turpshëm të ideologjisë së një Internacionaleje pansllaviste, për ta kthyer atë në një kasaphanë vëllavrasëse.
Në atë gjendje të tallazitur udhëkryqi për fatet e Shqipërisë dhe të kombit – sepse ai gjithnjë mendoi e punoi jo vetëm për gjysmështetin, por për shtetin shqiptar të të gjitha trojeve të veta – si një tribun i vërtetë, zgjodhi atë më të ndershmën rrugë, atë të bashkimit kombëtar, larg dasisë, kundër pasioneve egoiste që sjellin vetëm koncepte, qëndrime dhe institucione dasie.
U bë prijës i rinisë, i popullit, pa e lënë për asnjë moment rolin e mësuesit, të edukatorit. Dhe rinia e admiroi dhe i shkoi pas.
I armatosur me kulturat e qytetërimet e Lindjes e të Perëndimit, i rrahur me përvojat e jetës e të punës së dy botëve, në krahë politike dhe diplomacie, dhe i pajisur me një mendje të shëndoshë, me një zemër të madhe dhe me një vullnet të çeliktë, ai, dishepulli i idealeve demokratike, ai demokrati i vërtetë nuk krijoi parti, siç pritej, sado që e njihte aq mirë shkencën e demokracisë dhe gramatikat e partive, por krijoi një organizatë. Paradoks? – Jo, nuk ishte kohë paradoksesh. Ishte shtjellë ideali dhe domosdoshmëri, nevojë e kohës.
Përballë të huajit, populli është e duhet të jetë një. Vetëm një, i bashkuar; prandej ai duhej rreshtuar në një organizatë, siç është rreshtuar gjithnjë, kur në qiellin kombëtar kanë vetëtuar kërcnueshëm flakët kobndjellëse të rrezikut.
E krijoi dhe e drejtoi. Në fillim, në ditët e para të errësirës së huaj, si një rezistencë e gjithmbarshme sabotimesh e protestash dhe, në një fazë të dytë, si një luftë e armatosur çetash e më vonë njësitesh më të mëdha luftarake.
Komunistët hodhën baltë mbi të; po, a mbulohet ari me baltë? E quajtën “një nga përfaqësuesit kryesorë të reaksionit në Shqipëri, intelektual liberal, pseudopatriot e tradhtar” 1), etj., etj. Dokrra! Gjykimin e artë e jep historia. Ndërsa ata përfunduan në fëlliqësitë e plehrave, qelbësirat e të cilave po na zënë hundët edhe po na ndotin mushkëritë sot e kësaj dite, e nuk dihet se deri kur, historia e ngriti atë në piedestalin e Heroit Kombëtar. Qoftë i qetë në lavdinë e vet! Atdheu do të ketë nevojë gjithnjë për shpirtin e tij, për fjalën dhe veprën e tij; por atdheu është ende i sëmurë dhe nuk kujtohet se duhet t’i japë dy metër vend për t’i pushuar eshtërat e shenjta.
Pse të mos e themi: pati edhe një “dobësi”: nuk mundi ta ngrejë dorën në luftën vëllavrasëse të imponuar nga komunistët. Kjo “hije” e ndriçon edhe më tepër madhështinë e personalitetit të tij. Si për të vërtetuar atë që thuhet shpesh: “Përjashtimi përforcon rregullin”. Më vjen mbarë këtu t’u kujtoj lexuesve një bisedë mes Hasan Dostit, mikut dhe krahut të djathtë të Mithatit, dhe Mustafa Gjinishit, fill mbas mohimit të Mukjes dhe shndërrimit të luftës çlirimtare në luftë për pushtet nga ana e komunistëve:
“Dosti: kush do të fitojë?
Gjinishi: Po të bashkohemi, do të fitojë Shqipëria.
Dosti: Po të mos bashkohemi, do të fitoni ju, sepse ju e dini dobësinë tonë, që ne nuk mund t’ju konsiderojmë armiq dhe t’ju luftojmë në mënyrë të paskrupullt ashtu siç na luftoni ju.
Gjinishi: po fituat ju, jam i sigurt se nuk do të më hyjë gjemb në këmbë, përndryshe s’dihet si do të vejë fati yt dhe imi bashkë.” 2). Dhe dihet se si shkuan fatet e të dyve.
Natyrisht, në kushtet që po jetojmë, do të ishte paradoksale të pretendonim prej politikanëve dhe diplomatëve tanë të sotëm të bëjnë të tyren thirrjen frashëriote “Partia ime është Shqipëria”, por na vret në shpirt nëse nuk u kërkojmë ose së paku nëse nuk u kujtojmë që në veprimtarinë e tyre të mos nisen nga thirrje te kundërta.
Referenca
-Akademia e Shkencave e RPSSH: “Fjalori enciklopedik shqiptar”, Tiranë 1985, f. 289
-Dashnor Kaloçi: “Hasan Dosti-Historia e vërtetë si u formua Balli Kombëtar”, nga interneti.
*Ribotim i redaktuar
sami repishti, USA says
Falemnderit Anton
Shkrimi i yt ashte nji mesim themelor ne qytetarine e bashkeatdhetareve tone. Shqiperia nuk ka “armiq”; atje ka kundershtare, por kundershtari nuk ashte tjeter vecse nji shqiptar qe mendoj ndryshe.
Sadik Elshani says
Ndersa ata qe per gjysem shekulli u munduan ta perdhosin kete fytyre te ndritur, deklaronin me mburrje se jane bijte e Stalinit.
Ferhat Ymeri says
Nje perkujtim i denje e i bukur i figures se Mit’hat Frasherit!
Nuk di pse lihet ende ne heshtje nje figure e tille e ndritur,
qe rradhitet krah per krah me Konicen, Nolin, Fishten!
Nje monument i gjalle, madheshtor i trashegimise shqiptare, i cili vertet ishte para kohes se vet, dhe eshte aktual dhe
per kohen tone.
Kujtojme dhe thenjen e tij: ” Ne roberi puna jone eshte lufta, ne liri lufta jone eshte puna.” (f. 23)
“Dekallogu Moral” (f.234)
“Dekallogu i Organizates “Balli Kombetar” (f.237)
“Elita Shqiptare” (Detyra dhe pergjegjesia e saj) (f.226)
Thenja e te ndriturit Lumo Skendo:
“Fjalet dhe frazat jane kufoma pa jete; stili u jep shpirt. Ky shpirt qe veme ne stil eshte uni” (f.233)
i shkon per shtati dhe shkrimit te z. Anto Cefa, i cili shkruan me nje stil te gjalle, duke nderuar kujtimin e kesaj figure madheshtore te trashegimise kombetare.
Sahere lexoje dhe rilexoj librin “Kthimi i Mit’hat Frasherit” ( pergatitur nga Uran Butka, botues Phoenix 1997) nga jane marre citimet e sipershenuara, gjithnje
me del nga shpirti nje falenderim i thelle, si nje lutje e pershpirtshme: “Lume per Ty Lumo Skendo!”