Mitrovica do të shpallë “Qytetar Nderi” kryebashkiakun e Tiranës Lulzim Bashën. Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri. Kryetari i komunës se Mitrovicës i shoqëruar nga nënkryetari Safet Kamberi, kryetari i asamblesë Bislim Imeri dhe Gazment Boletuar u prit në një takim të veçantë nga kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha.
Kreu i komunës së Mitrovicës ka shprehur mirënjohjen e tij dhe qytetarëve të Mitrovicës për ndihmë që zoti Basha ka dhënë në kuadër të iniciativës “Ndihmo dhe ti” për rindërtimin e shtëpive të shkatërruara nga lufta.
“Sot kam pasur kënaqësinë e veçantë të pres këtu në zyrën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Kryetarin e ri të komunës së Mitrovicës z. Agim Bahtiri të cilin pasi i urova suksese në detyrën e tij të lartë, në besimin që i kanë dhënë qytetarët e Mitrovicës, e garantova se bashkëpunimin mes Bashkisë së Tiranës dhe komunës së Mitrovicës, i cili ka nisur prej kohësh, do të konsolidohet dhe do të rritet në të gjitha fushat. Bashkia e Tiranës, qytetarët e Tiranës, janë ndër kontribuuesit e parë të projektit “Ndihmo dhe ti”, i cili ka për qëllim ndërtimin dhe rindërtimin e shtëpive të dëmtuara gjatë luftës, të qytetarëve të Mitrovicës. Kjo është një ndihmë simbolike, por që shpresoj që do të ketë rolin e saj modest, jo vetëm në ndërtimin dhe rindërtimin e shtëpive të shkatërruara në Mitrovicë por edhe tërheqjen e vëmendjes ndaj këtij procesi kaq të rëndësishëm për rindërtimin e lagjeve, e shtëpive, banesave të qytetarëve të këtij qyteti simbol të Kosovës, por po kështu të një qyteti i cili për nga zhvillimi i tij do të jetë edhe treguesi më i mirë i përparimit të Kosovës në tërësi, drejt arritjes të objektivave të saj si një shoqëri e hapur, e lirë, europiane dhe e përparuar”- deklaroi Basha.
“Kam ardhur për të falënderuar me ndihmën që ka dhënë prej 100 mijë dollarëve, për të ndihmuar aksionin “Ndihmo dhe ti”. Ju e dini që Mitrovica është në gjendje të rëndë ekonomike sepse ka qenë një qytet më i rrezikueshmi deri më tani. Mitrovica, e dini që është një qytet specifik, ka probleme edhe politike edhe ekonomike. Përpara ka qenë një qytet shumë i pasur dhe tani pas zhdukjes, pas luftës, gjatë luftës gjithë industria e rëndë është shkatërruar dhe tani është në gjendje të rëndë ekonomike”-u shpreh kryetar i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Kryetari i bashkisë së Tiranës ndërsa është njohur me disa nga projektet e kryetarit të Mitrovicës ka ofruar mbështetjen dhe angazhimin e tij personal dhe të bashkisë së Tiranës për të ndihmuar në realizimin e çdo projekti që do të përmirësoj cilësinë e jetës së qytetarëve të Mitrovicës.
“Unë kam kërkuar nga qeveria e Kosovës që të shpallë zonë të lirë ekonomike, e cila do të më japë mundësi mua si kryetarë i komunës që të ftoj ndërkombëtarët e bizneset dhe më tej unë e di se shumë biznesmen të globit do të vinë në Mitrovicë dhe do të investojnë, kështu që kam kërkuar edhe nga qeveria e Kosovës që ligji mbi Trepçen të dal në shqyrtim dhe të hiqet nga protektorati dhe të kthehet në menaxhmentin e saj, për arsye se, unë nuk mund të duroj dhe nuk mund të toleroj që në komunën e Mitrovicës qytetarët e mi të flenë mbi ari dhe të kërkojnë miell, dhe unë do të jem zëri i tyre shumë i fuqishëm që ajo të kthehet në gjendjen e mëparshme dhe unë po shpresoj se gjendja ekonomike në Mitrovicë do të kthehet për së mbari. Njëkohësisht edhe nga ana politike jemi duke folur edhe me EULEX dhe me KFOR dhe me të gjithë ata që e dëshirojnë një qetësi normale dhe europiane që të jetë në dy krahët si nga ana e veriut dhe e jugut, sepse është në interesin e të gjithë neve që ajo të bëhet sa më parë, të normalizohet dhe unë e kam gjetur një pikë të dobët e cila ka qëndruar, jemi duke punuar ngushtë me policinë e Kosovës që kontrabanda që ka qenë deri tani të ndërprehet dhe është duke u ndërprerë, që një muaji e gjysëm ju garantoj nuk ka as një lëvizje tjetër, dhe unë po shpresoj që brenda 2-3 muajve zalli do të jetë i panevojshëm në atë urë të Ibrit. Njëkohësisht ne biseduam ngushtë edhe me planin i cili do të jetë në të ardhmen, bashkëpunime të ngushta. Unë kam një simpati të veçantë për kryetarin tuaj dhe shpresoj që ne do të gjejmë gjuhë të përbashkët për çdo ndihmë njëri-tjetrit”-theksoi kreu i komunës se Mitrovicës.
Basha theksoi se, “Kryetari Bahtiri më njohu me axhendën e tij ambicioze që ka në qendër punësimin dhe mirëqenien e qytetarëve të Mitrovicës përmes aktivizimit dhe riaktivizimit të mundësive dhe potencialit të madh ekonomik të qytetit të Mitrovicës dhe potencialeve, resurseve të shoqëruar në këtë qytet. Siç jemi sot në krah të njëri-tjetrit do të vazhdojmë të jemi në bashkëpunim, në bashkëbisedim dhe në kontakt të vazhdueshëm si dy kryetarë, si dy njësive vendore të cilat janë të interesuara për mbarëvajtjen e punëve të njëri-tjetrit dhe në këtë kuptim Bashkia e Tiranës do të vazhdojë të ketë një interes të vazhdueshëm në mbarëvajtjen e punëve në komunën e Mitrovicës dhe në ndihmën e drejtpërdrejtë për qytetarët e qytetit të Mitrovicës. Dua ta garantoj kryetarin e Mitrovicës për mbështetjen time të plotë në të gjitha sfidat dhe projektet që ka përpara”.
Zoti Basha dhe zoti Bahtiri me kërkesë të familjes Boletini ranë dakord për ngritjen e një komisioni të përbashkët për të organizuar ceremoninë e varrimit të eshtrave të Isa Boletinit.
“Diskutuam edhe për një ngjarje shumë të veçantë, shumë domethënëse në raport me historinë kombëtare dhe një nga figurat kryesore të historisë që është Isa Boletini. Autoritetet kosovare konfirmuan përfundimisht përmes analizave të ADN-së identitetin e eshtrave të ruajtura me fanatizëm nga familjarët e Isa Boletinit dhe sot ne diskutuam dhe rakorduam së bashku një angazhim të përbashkët të qytetit të Isa Boletinit, Mitrovicës dhe kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës për të bërë përgatitjet e nevojshme për një ceremoni dinjitoze të rivarrimit të eshtrave të Isa Boletinit”- deklaroi Basha.
Kryetari i komunës së Mitrovicës e ka ftuar zotin Basha ta vizitojë Mitrovicën, kohe në të cilën do t’i dorëzohet edhe titulli “Qytetar Nderi” i Mitrovicës.
Leka says
Pse?