Javën që kaloi, kandidati i Partisë Republikane për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump deklaroi se nëqoftse zgjidhet president ai do të ketë marrëdhënie të mira me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Gjatë fushatës për president ai ka vazhduar të shprehet në mënyrë të favorshme për udhëheqsin rus, madje kohët e fundit, krahasoi presidentin amerikan Barak Obama me Vladimir Putin, duke thënë se Vladimir Putini është president më i mirë presdienti Obama. Deklaratat lavdëruese të Donald Trump-it për udhëheqsin rus kanë shkaktuar reagime të ashpra, përfshirë kandidaten e Partisë Demokrate për president, Hillary Clinton e cila i ka quajtur deklaratat e kundërshtarit të saj republikan në favor të Putinit, si “jo patriotike”. Kritikat e ashpra kundër Donald Trump për qëndrimin e tij ndaj Vladimir Putinit po bëhen jo vetëm nga demokratët por edhe nga përfaqsues të lartë të Partisë Republikane. Gazeta Washington Post shkruan se udhëheqsi i Republikanëve në Dhomën e Përfaqsuesve të Shteteve të Bashkuara, Paul Ryan, pa dashur të futej në hollësi në lidhje mbi këtë çështje, u shpreh se presidenti i Rusisë, Putin është “një agresor, i cili nuk mbështetë interesat tona” dhe shtoi se presidenti rus sillet si një kundërshtar i yni.
Ndërsa Senatori republikan Lindsey Graham i cili ishte kandidat për president i Partisë Republikane gjatë fushatës paraprake, u shpreh se deklaratat e kandidatit republikan për president në lidhje me Putinin, “e shqetësojnë atë deri në palc”. Ai u citua nga media të jetë shprehurmë ashpër ndaj deklaratave të Donald Trump për admirimin e tij për Putinin, duke thënë se ai e vlerson udhëheqsin rus si “Një gangster, diktator dhe udhëheqës autokrat, i cili vret përfaqsuesit e opozitës nepër rrugët e Rusisë.” Senatori amerikan shtoi (duke iu referuar Donald Trump) se, “Nëqoftse bën fushatë për tu zgjedhur si udhëheqës i botës së lirë dhe njëkohsisht je admirues i Putinit, atëherë unë këtë nuk e kuptoj.” Ai citohet nga Washington post të ketë thënë se Vladimir Putin, “Shkatërroi çdo instrument të demokracisë në vendin e tij, duke i zhdukur fizikisht kundërshtarët e tij politikë.” Për më tepër,“Ai, me forcë ushtarake copëtoi vendet fqinje dhe po përfiton nga marrëdhëniet e tija me kasapin e Damaskut”, tha senatori republikan Lindsey Graham i Karolinës së Jugut.
Kritikat vazhdojnë ndaj lavdërimit që Donald Trump i akordon Vladimir Putinit edhe nga media dhe qarqe të tjera. Një koment që ka tërhequr vëmendjen e medias dhe të publikut është ai i shkruar para disa ditësh nga dy ekspertë të sigurimit kombëtar të cilët kanë shërbyer gjatë viteve në detyra të larta qeveritare, si në administrata republikane ashtu edhe demokrate. Michael Morell dhe Mike Vickers i drejtohen Donald Trump-it duke shkruar se, “Me gjithë respektin që kemi për ty si kandidat për president i Partisë Republikane, ti nuk mund të shërbejsh si kryekomandant i forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara, nëqoftse mbështetë presidentin rus, Vladimir Putin.”
Në shkrimin e tyre drejtuar Donald Trump, ata nënvijojnë se udhëheqsi rus ka treguar vazhdimisht se është një kundërshtar i vendosur i Shteteve të Bashkuara dhe se gjatë gjithë karierës së tij, ai ka ndjekur politika kundër interesave amerikane si dhe kundër interesave të aleatëve dhe partnerëve tanë. Bashk-autorët Michael Morell dhe Mike Vickers përmendin ndërhyrjet e Rusisë në vendet fqinje, okupimin e Ukrainës dhe të Gjorgjisë, përfshirë edhe aneksimin e Krimesë. Qëllimi i Putinit ka qenë vazhdimisht që kombet e ish-Bashkimit Sovjetik të mos kenë lidhje të ngushta, në të ardhmen, me Europën dhe Perëndimin. Ata i kujtojnë Donald Trump një listë të gjatë veprimesh të mbrendshme dhe të jashtme të Rusisë së Putinit me të cilat ai nuk duhej t’i ishte dakort. Ata shkruajnë se Putini, “Ka burgosur dhe ka vrarë kundërshtarët politikë. Ai ka arrestuar dhe ka vrarë gazetarë. Ai ka neutralizuar median ruse deri në një pikë sa që tani ai ushtron kontroll të plotë mbi mesazhet dhe lajmet që i transmetohen popullit rus. Ai gëzon popullaritetin që ju admironi aq shumë vetëm e vetëm sepse ai vendosë se çfarë duhet të lexojnë, dëgjojnë dhe të shikojnë rusët për veprimtarinë e tij dhe të qeverisë së tij”, shkruajnë dy ekspertët amerikanë të çështjeve të sigurimit kombëtar.
Më në fund, ata i kërkojnë Donald Trump që në vend që ai të lavdërojë Vladimir Putinin, kandidati republikan për president t’i kërkojë udhëheqsit rus që t’i japë fund , “Agresionit jashtë vendit. Dhe t’i kërkojë atij që t’u japë fund veprimeve diktatoriale mbrenda vendit.” Ata i bëjnë thirrje kandidatit republikan për president që në vend të lavdërimeve, t’i komunikojëudhëheqsit rus, se ai Donald Trump, “Do të zbatojë angazhimet (e Shteteve të Bashkuara) ndaj aleancës euro-atlantike, NATO dhe se do të mbroni, nëqoftse paraqitet nevoja, shtetet baltike. I thuaj gjithashtu” udhëheqsit rus, shkruajnë ata, se natyrisht do të dëshironit të punonit me ‘të për të zgjidhur problemet e botës — por për një gjë të tillë ai (Vladimir Putin) duhet të jetë më i sjellshëm” si mbrenda vendit ashtu edhe në fushën ndërkombëtare. “Kështu do të duhej të vepronte një kryekomand i vërtetë i forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara”, sfidojnë kandidatin republikan për president,ish-zyrtarët e lartë amerikanë Michael Morell dhe Mike Vickers.
Gazeta Washington Post shkruan se madje edhe mbështetsit më të zellshëm të Donald Trump do të dëshironin që në vend që ai të lavdërojë Vladimir Putinin, kandidati republikan të kritikojë marrëdhëniet e Hillary Clinton me Rusinë, gjatë mandatit të saj si Sekretare Amerikane e Shtetit.
Por, në mbrojtje të Donald Trump në lidhje me këtë çështje foli ish-kryetari i bashkisë së New York-ut, Rudy Giuliani i cili krahasoi Trump-in e Putin-in me ish-presidentin amerikan Ronald Reagan dhe ish-udhëheqsin sovjetik Mikhail Gorbaçov, të cilët duke bashkpunuar me njëri tjetrin në vitin 1986 arritën një marrveshje në Rejkjavik të Islandës për pakësimin e numrit tëarmëve bërthamore dhe eventualisht, bashkpunuan me njëri tjetrin,për t’i dhanë fund luftës së ftohtë midis dy sistemeve të ndryshme politike.
Megjithë respektin dhe reputacionin që gëzon në vend Rudy Giulani, ndryshimi midis Ronald Reagan dhe Donald Trump, si njerëz dhe si politikanë, është shumë i madh. Donald Trump nuk është Ronald Reagan. As Putini nuk është Gorbaçov. Ronald Reagan që në fillim të mandatit të tij nuk lëvdoi Gorbaçovin as sistemin politik produkt i të cilit ishte ai, por përkundrazi e kishte shpallur ish-Bashkimin Sovjetik komunist si, “perandorinë e të këqiave” në këtë botë.Qëndrimi i Ronald Reagan-it ishte parimor dhe i qartë për të gjithë, përsa i përkiste komunizmit dhe udhëheqsve të atij sistemi, përfshirë Mikhail Gorbaçovin. Pa marrë parasyshë deklaratën e Rudy Giulianit, nuk besoj se Ronald Reagan do të ishte i kënaqur me lëvdatat që Donald Trump i bën Vladimir Putinit, një ish-agjenti të policisë sekrete komuniste sovjetike KGB,i cili tani si udhëheqës i Rusisë po përpiqet me gjithçka mundet dhe me gjithçka di, që – ndryshe nga Gorbaçovi i cili me politikat e tija solli shpërbërjen e ish-Bashkimit Sovjetik — të ri-krijojë madje edhe me forcë ish-Bashkimin Sovjetik në një formë ose tjetër, dhe të rivendosë përsëri influencën dhe kontrollin e Rusisë mbi ish-territorin e “perandorisë së keqe” komuniste, duke shpërbërë gjithçka që është arritur në Europë dhe në botë gjatë çerek shekullit të kaluar, si përfundim i shëmbjes së komunizmit në Europë dhe shpërbërjes së ish-Bashkimit Sovjetik.
Deklaratat lavëdruese të kandidatit republikan për president, Ronald Trump ndaj presidentit rus Vladimir Putin, nuk janë pritur aspak mirë as nga një numër i konsiderueshëm amerikanësh me origjinë nga Europa Lindore. Ndoshta, drejtuesit e fushatës së Donald Trump nuk e kanë menduar mirë se deklarata të tilla të favorshme në llogari të udhëheqsit rus, sidomos këtij udhëheqsi rus, nuk priten mirë nga qindra mijëra votues me origjinë nga ish-vendet komuniste të Europës lindore të dominuara nga komunizmi rus për gjysëm shekulli — votues të cilët normalisht mund të kenëvotuar për republikanët në të kaluarën pikërisht për qëndrimin historikisht të fortë të republikanëve kundër komunizmit – por që kësaj radhe mund të votojnë ndryshe ose mos të votojnë fare.