– Dr. Dashi gjendet në New York në një specializim në Rockefeller University mbi hulumtimin e qelizave të lëkurës së njeriut….
Dr. Albert Dashi, ekspert i bio-mjeksisë në Singapor vizitoi të mërkurën, 9 Qershor 2021, Federatën Panshqiptare të Amerikës “VATRA “ në New York. Ai u prit nga anëtari I Kryesisë, njëkohësisht arkëtari i Vatrës Marjan Cubi, anëtari i kryesisë së Vatrës Mark Mrnaçaj, ish nënkryetari i Vatrës Asllan Bushati, anëtarët e këshillit të Vatrës: Mëhill Gjuraj, Paulin Mrnaçaj, Drita Vushaj, gazetari i Diellit Sokol Paja dhe antikomunisti Palok Vushaj. Në fillim të vizitës vëllazërore në Vatër, Dr. Dashi u njoh nga gazetari i Diellit Paja mbi kontributin e Vatrës dhe të gazetës Dielli në dobi të kombit e shtetit shqiptar që nga koha e Pavarësisë e deri në ditët e sotme. Dr. Dashi u shpreh shumë i lumtur për vizitën në Vatër dhe falënderoi me mirënjohje të veçantë kontributin e Vatrës e vatranëve për kombin shqiptar dhe punën e shkëlqyer të shqiptarëve të Amerikës në mërgatën shqiptare në SHBA. Dr. Dashi gjendet në New York në një specializim në Rockefeller University mbi hulumtimin e qelizave të lëkurës së njeriut. Ai foli rreth rëndësisë së shkencës së diagnostikës së lëkurës në ditët sotme. Sipas Dr. Dashit Sequential Skin përdor teknologji të përparuar të sekuencave gjenetike për të kuptuar se si gjenet e njeriut, mikrobioma e lëkurës sonë dhe si ndërvepron mjedisi jonë, për t’i dhënë lëkurës së njeriut karakteristikat që ajo ka. Dr. Dashi në përfundim të takimit vëllazëror premtoi se do ta vizitojë Vatrën sa herë të vijë në New York dhe u bëri thirrje dhe të rinjve të tjerë profesionistë shqiptarë kudo në SHBA dhe në botë që të bashkohen me Vatrën për të kontribuar në interes të kombit shqiptar.(Dielli)