Eva Marku/
“Kafshatë që s’kapërdihet asht o vlla mjerimi, kafshatë që të ngec në fyt e të zë trishtimi”, kështu thoshte Migjeni, por mjerim më të madh sesa ai shpirtërori nuk ka. Nëse shpirtin e ke të mjerë, atëherë je krejtësisht i mjerë. Jo më kot për ta dëmtuar një komb, thonë, varfëroji në mendje e zemër. Dënim më të keq nuk ka për një popull të lashtë ilir, që ta pasqyrojë veten me shembujt e njëpasnjëshëm kaq çnjerëzor sikurse po shohim në tri vitet e fundit dhe jo vetëm.
Dhunimi seksual ndaj një vajze të re, sportisteje në mes qytetit në Pejë, dhunim ndaj një nëne të moshuar në azilin e pleqve, në po të njëjtin qytet, dhunim ndaj të miturve, vajzave dhe djemve në shtëpinë e jetimëve në Sarandë. Në të tria rastet e përmendura janë individë krejtësisht të pambrojtur nga shteti, madje as zoti, sikurse e thotë dhe shprehja popullore “Jetimi mbetet jetim, i pafat”. Ashtu sikurse në Kosovë, edhe në Shqipëri të tria kategoritë që veçova, vajzat/gratë, fëmijët jetimë dhe të moshuarit mbeten të pambrojtur, të diskriminuar dhe të nënshtruar.
Secili rast dhemb po aq shumë sa tjetri, por ajo çfarë dhemb më shumë është kur një femër, një vajzë e re apo qoftë dhe grua vë dorë mbi një zonjë, grua, nëne të moshuar. Madje, dhimbja bëhet edhe më therëse, prerëse, si maja e thikës që shkon gjer në kockë, nga gajasja e vajzave të tjera përreth dhe asaj që e regjistron me telefon gjithë këtë skenë të rëndë. Dhemb trishtimi, vajtimi, klithma e nënës së gjorë, që flijoi djalin për të ardhmen, lirinë pikërisht të këtij brezi, të atyre vajzave që zgërdhihen e torturojnë fizikisht dhe psikologjikisht një nënë të gjorë, të vetme, të pambrojtur. Një skenë që dhemb aq fort, sikurse vajtimi mbi varrin e djalit të saj.
Luftën nuk e kemi as me serbin dhe as me grekun, luftën e kemi me njëri-tjetrin. Ne jemi e keqja e vetës, e vendit dhe e brezave të ardhshëm. Ne, që nuk ngremë krye për padrejtësitë, ne që përqeshim dhe gabimet më të vogla të shokëve e shoqeve, të të varfërve, që tallemi dhe luajmë me fatkeqësinë e tjetrit, që nuk hezitojmë ta publikojmë në rrjetet sociale e të gajasemi të gjithë, njëjtë si këto vajza të mjera, që shfrytëzojnë një të moshuar për të shfryrë dufin dhe për t’u argëtuar me të në formën më të shëmtuar dhe çnjerëzore.
Kënaqësia që marrin dhunuesit duke e filmuar një akt të tillë të tmerrshëm, është kthyer në modë, te dhunuesi e përdhunuesi, madje sa më shumë virale që po bëhen akte të tilla edhe më shumë po shtohen rastet.
Në Kosovë, dhuna ndaj fëmijës është normale, nuk denoncohet, sepse ende ecin me ligjin “kush të rreh të do”, duke filluar që nga familjarët, me baba, nënë apo edhe kushërinjtë më të mëdhenj sesa ty kanë të drejtë të vënë dorë mbi ty, pa harruar mësuesin, që ai është shembulli i dhunës dhe forcat e policisë, që përveçse të kontrollojnë si të duan e sa herë duan, edhe të ofendojnë dhe e nisin me shpulla pas qafe, presion dhe më pas tortura vazhdon në rajon nëse guxon t’u kundërvihesh.
Kosova e vogël, me zemrën e madhe, ka një luftë më të madhe sesa me Serbinë, ka atë mes veti, të ndërgjegjësojë dhe edukojë brezat. Nuk çalon te shamia arsimi, por te rivendosja e një sistemi të mirëfilltë arsimor, edukativ, që të mos prodhojë më figura kaq të shëmtuara, të pista, si vajzat që dhunojnë nëna të moshuara apo djem që përdhunojnë vajza të mitura. Arsimi i dobët, jo cilësor, mentaliteti i gabuar dhe injoranca pjell personazhe të tilla që gajasen si ‘shtriga e Borëbardhës’ duke torturuar një jetë që i ka fal vendit një jetë për pavarësi.