Nga Arbi Fortuzi/-.Kukësi është mundur me rezultatin 1-0 në “Qemal Stafa” ndaj Mlladost Podgorica, në ndeshjen e parë turit të dytë eliminator të Europa Ligë.
Ndeshja e luajtur në Tiranë tregoi brishtësitë e skuadrë verilindore. Tashmë Kukësi duhet të bëjë mrekullinë në Mal të zi, javën e ardhshme në ndeshjen e kthimit. Loja përgjithësisht ishte e vakët. Pjesa e parë pati shumë përplasje në mesfushë, aty ku dhe skuadra kundërshtare kishte pjesën e saj më të fortë. Në pjesën e dytë, një gol i Lakiç në minutën e 51’ vendosi gjithçka.
Ndeshja nisi mjaft ngadalë, me skuadrat që studiuan njëra-tjetërën. U deshën 12-minuta lojë që të shënohej dhe rasti i parë. Ishin “miqtë” që morën guximin dhe çuan topin deri në zonën kuksiane, ku portieri vendas Stazhilla administroi mirë rrezikun. I menjëhershëm që reagimi bluve verilindor. Në minutën e 14-të disa kombinime të bukura mes Pejiç dhe Flores brenda zonës i japin brazilianit mundësi të çmarkohet nga kundërshtarët, por anësori e vlerëson pozicion jashtë loje.
Loja merr ngjyrim tjetër pas minutës së 33’, kur Pejoviç provon për malazezët, por topi përfundon jashtë. Mungesa e grintës sjell dhe zëvendësimin e parë tek kuksianët, ku në lojë futet Edon Hasani. Loja nisi të bëhej më e shpejtë. Kuksianët kërkuan më shumë portën kundërshtare. Në 39-ën Gled Mici godet nga hyrja e zonës, por mbrojtja kundërshtare largon rrezikun.
Fraksioni i dytë i lojës nisi mjaft mirë për miqtë. Skudra e Mlladost Podgoricës gjeti menjëherë rrugën e rrjetës, falë dhe një pakujdesie të mbrojtjes kuksiane. Goli u shënua në minutën e 51’ nga Lakiç me kokë. Lojtari malazezë përfitojë nga përgjumja e kuksianëve gjatë harkimit të topit nga këndorja dhe dërgoi topin në rrjetë, duke nxjerrë të tijët në avantazh. Në vijim, skuadra nënkampione e Shqipërisë e bllokuar në zonën kundërshtare, ku mbrojtjamalazeza largoi të gjitha rreziqet, duke ruajtur deri në fund fitoren.