
Prof. Dr. Arben Hajrullahu/
Pavarësisht rrjedhjes së kohës, krimet e luftës lënë plagë të përjetshme që nuk mbyllen kurrë plotësisht. Ato mbeten si pamje, si ankthe, si përfytyrime e trauma të shtresuara brenda njerëzve që i përjetuan e u mbijetuan dhe nuk dihet asnjëherë kur e si do të shpërfaqen. Krimet e luftës nuk vjetrohen asnjëherë dhe ata që i shkaktuan e i jetësuan ato duhet të ndiqen penalisht pa afat, derisa drejtësia të mund të vendoset në vend, për aq sa është e mundur.
Në historinë e gjatë njerëzore ka shtete që jo vetëm se planifikojnë dhe jetësojnë krime ndaj njerëzimit, por ato edhe nuk i pranojnë krimet e kryera ndaj të tjerëve dhe qëllimshëm refuzojnë të përballen me të kaluarën e tyre kriminale. I këtillë ishte, është dhe vazhdon të jetë fqinjiverior i Republikës së Kosovës, shteti serb. E posaçërisht në raste të këtilla, në të cilat mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve, dokumentimi i krimeve në mënyrë faktike e me metodologji shkencore bëhet urgjencë, detyrë dhe qëllim i shenjtë.
Të nderuar organizatorë të konferencës, të nderuar studiues vendas e ndërkombëtarë,
më 23 nëntor të vitit 1999, gjatë fjalimit të pasluftës nëFerizaj, Presidenti amerikan Bill Clinton pati deklaruar: „ne e fituam luftën, por dëgjoni, vetëm ju mund ta fitoni paqen!” Gati njëzet e gjashtë vjet më vonë, një mik i madh i Universitetit të Prishtinës dhe Kosovës, juristi, diplomati e profesori japonez me përmasa ndërkombëtare, Hisashi Owada, kur u nderua nga UP-ja me titullin „Doctor Honoris Causa”, më 18 qershor 2025, ligjëratën e tij „Pse luftë: Një reflektim mbi rendin publik të bashkësisë ndërkombëtare” e përfundoi me fjalët „ajo që është arritur në Kosovë mund të vlerësohet më shumë si një fitore njerëzore sesa një fitore mes kombeve”.
Këto porosi të Presidentit Clinton dhe ish-kryetarit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Owada, janë me shumë peshë për historinë dhe të ardhmen e Kosovës, por as paqja nuk mund të fitohet plotësisht, e as fitorja nuk mund të jetë tërësisht njerëzore, pa vendosjen e drejtësisëpër viktimat e luftës dhe të mbijetuarit e saj.
Jo shumë larg nga këtu ku ndodhemi sot ndodhet shtatorja e Faik Rexhepit, inxhinierit që në gusht të vitit 1990 po në qendër të Prishtinës u ul në tokë, në tokën e tij, dhe nuk lëvizi nga vendi kur dhuna e organizuar shtetërore serbeshpërfaqej ndaj njerëzve që ishin mbledhur për të mirëpritur senatorët amerikanë me në krye Robert Dole-in. Atë ditë ai u rrah e u maltretua, por simbolika mbeti këtu përjetësisht.
Në Skenderaj ndodhet një shtatore tjetër që kujton dhimbjen e madhe të luftës, ajo e Leotrim Ahmetit, djaloshit shtatëvjeçar që kur u plagos rëndë i tha nënës së tij: „kam diçka në bark, jam i smutë prej barkut”. Ai vdiq tetë orë më vonë. Kosova, me njerëzit dhe institucionet e veta, duhet të identifikojë e dokumentojë çdo krim lufte të kryer në hapësirën e saj, jo për të mbetur peng i së kaluarës, por para së gjithash për të mos lejuar më kurrë që ato të përsëriten.
Të nderuar shkencëtarë e hulumtues vendas e ndërkombëtarë, drejtues e punonjës të IKKL-së,
më lejoni të përsëritëm një herë më shumë. Ju gjithnjë e në çdo rast do ta keni ndihmën e personelit akademik të Universitetit të Prishtinës në kapacitetet profesionale, shkencore e të ekspertizës gjatë grumbullimit e analizimit të vazhdueshëm të fakteve për krimet e luftës.
Dy profesorë e 18 studentë të UP-së, të përfshirë në një projekt të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, mblodhën informata në terren për fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë, me qëllim që këto krime të dokumentohen e të mos harrohen. Vitin e kaluar, raporti i përgatitur prej tyre iu dorëzua kësaj ministrie.
Gjithashtu, tre profesorë tjerë dhe 33 studentë të universitetit më të madh, më të vjetër e më të suksesshëm të Kosovës, gjatë viteve 2021 – 2022, zhvilluan 200 intervista me 200 të mbijetuarit nga masakra e Krushës së Madhe. Video-intervistat u bënë edhe libra gjatë vitit 2025.
Tani personeli akademik i UP-së është i angazhuar në një projekt tjetër të mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportitpër dokumentimin e masakrave gjithandej Kosovës. Nga konferenca e parë ndërkombëtare e Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës „The Scale, Legacy, Documentation and Adjudication of Crimes Committed in Kosovo”, mbajtur në shkurt 2025, tashmë ka dalë librishumëdisiplinar shkencor si përmbledhje e të gjitha punimeve për aspekte të ndryshme të krimeve të luftës në Kosovë.
Jam shumë i nderuar që redaktorët e këtij libri më ftuan të hartoj një recension për t’u shfaqur në kopertinat e tij. Punën e konferencës, të përmbledhur në libër, e vlerësovasi kontribut jetik për fushat e të drejtave të njeriut, drejtësisë tranzicionale dhe studimeve të kujtesës së tëkaluarës — si një gur të pashkëputshëm në mozaikun më të gjerë e të gjallë të qëndrueshmërisë, dokumentimit dhe kërkimit të drejtësisë, në përballje me shkeljet e papara të të drejtave të njeriut, të përjetuara në Kosovë.
Të nderuar drejtues dhe punonjës të Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë,
Ju përgëzoj për punën e përditshme dhe të vazhdueshme për mbledhjen e fakteve e dëshmive për të gjitha krimet që për shumë dekada kanë damkosur vendin dhe njerëzit e Kosovës, si p.sh. së fundmi krimet masive të viteve 1998 –1999. Kur krimet e luftës dhe ato ndaj njerëzimit, humanitetit, kalojnë në harresën njerëzore dhe ngelin tëpandëshkuara, hapet rruga që të njëjtat të përsëriten në të ardhmen. Kështu, le të përpiqemi fort të gjithë së bashku të mos lejojmë që krimet e kryera në Kosovë, e kudo, as të mos harrohen e as të mos ngelin të pandëshkuara.
Ju dëshiroj vullnet, forcë e qëndrueshmëri për ta kryer misionin tuaj. Konferencë të mbarë e u pafshim edhe në ngjarjet tjera të ngjashme që do të vijnë!