
Fondacioni “Jup Kastrati” (FJK), me sjelljen para lexuesve e studiuesve të ndryshëm, brenda dhe jashtë Shqipërisë, të epistularit midis prof. Jup Kastratit dhe At Justin Rrotës, O.F.M., që shtrihet në periudhën 12 tetor 1951 deri me 2 shkurt 1964, hap serinë e botimit të disa vëllimeve të tilla, si pjesë përbërëse e një kolane të veçantë me titull “Jup Kastrati – nga epistulari, letra të zgjedhura” (titulli i sugjeruar po prej tij), brenda kolanës “Opera Omnia” të prof. Jup Kastratit, e parashikuar të botohet nga familja.
Ky botim i sotëm vjen në respektim të vullnetit dhe të kërkesave të babait tonë, lënë si në testamentin e datës 02.10.1996, mbartur dhe paraqitur në vendimin e lëshimit të dëshmisë së trashëgimisë testamentare ashtu dhe të porosive testamentare të tij, të lëna me shkrim dhe të regjistruara me video, me 27 dhjetor 1998.
Në porositë testamentare të datës 27 dhjetor 1998, shkruhet e thuhet që hapja e arkivit personal do të bëhej vetëm nga ne, vajzat e tij, “… me rastin e 100-vjetorit të lindjes sime, (d.m.th. më 15 prill 2024)…”. Më poshtë ai shkruan që: “Posedoj një epistular shumë të pasur, me rreth 5,000 (pesë mijë) letra… Pasi të keni rregulluar në këtë mënyrë shkencore gjithë epistularin tim të begatë, atëherë, zgjidhni, ju vetë, letrat më të bukura, më interesante dhe me vlerë.”
Nëpërmjet botimit të këtij letërkëmbimi dhe të atyre që do ta pasojnë, del qartë që te prof. Jup Kastrati spikasin, përveç të tjerave, saktësia, skrupuloziteti në punë dhe, mbi të gjitha, karakteristika e tij themelore: ithtar i kulturës të të shkruarit, gjë e cila bëri të mundur krijimin jo vetëm të një arkivi personal tejet të pasur, që zë fill që në fëmijëri e vazhdoi deri në ditën e fundit të jetës së tij, por edhe të një arkivi të dokumentimit të kulturës kombëtare e shkodrane, duke u bërë kësodore kujtesë e thellë e historisë së qytetërimit shqiptar.
Fatmira Kastrati (Sykja)
Diana J. Kastrati
*Pjesë nga hyrja e veprës “Epistular”.