Gjokë Dabaj/
Askush me mend në kokë nuk mund të jetë kundër një Evrope të hapur, kundër një Bote të hapur e rrjedhimisht as kundër një Ballkani të hapur.
Madje, ku ta gjejë njerëzimi, që njerëzit të lëvizin lumturisht nëpër këtë botë kaq të bukur!?
Por ç’të bëjmë që, midis njerëzve ka edhe njerëz-kafshë, njerëz që kanë pamjen e njeriut, por që nuk janë njerëz?! Me këta ç’të bëjmë?! Me të këtilla qenie ç’të bëjmë?!
Unë nuk do të kisha asgjë kundër vizionit të Ed Ramës për një Ballkan të hapur, nëse ai do të kish gjetur në fjalimet e tij qoftë edhe një cep, ku të prononcohej ç’mendon ai lidhur me lëvizjen e lirë të kriminelëve sërbë. Kriminelët sërbë, siç dihet, jetojnë të lirë në Sërbi dhe jo vetëm në Sërbi. Ata kanë vrarë gra e fëmijë dhe burra të Bosnjës dhe nuk janë ndëshkuar, për veç ndonjë prijësi të tyre, sa për të thënë. Ata kanë vrarë gra, fëmijë e burra shqiptarë të Kosovës dhe nuk janë përgjigjur askund për ato vrasje. Ata kanë djegur me mijëra shtëpi të shqiptarëve nëpër Kosovë dhe në krahina të tjera shqiptare dhe nuk janë përgjigjur askund për të tilla zjarrvënie. Ata kanë rrëmbyer me qindra mijë bagëti nëpër Kosovë dhe, o i kanë therur e ngrënë mish të pjekur po aty, duke u zgërdhirë, ose i kanë çuar me kamionë e me vagonë trenash për në Sërbi. Ata kanë rrëmbyer çdo gjë që u ka pëlqyer nëpër shtëpitë tona, sende të argjendta dhe monedha të argjendta e të florinjta, deri vathë të shkulur prej veshësh të grave e të nuseve dhe rruaza të këputura në fytet e gjokset e grave e të nuseve. Ata kanë përdhunuar me mijëra gra e vajza shqiptare, kudo ku i kanë gjetur e zënë ngushtë, në pamundësi për t’u mbrojtur prej tytave e bajonetave të tyre.
Këto nuk po do t’i përmendë Ed Rama dhe po i kalon me një fjali të vetme: Të mos shikojmë nga e shkuara!
Të mos shikojmë nga e shkuara! Të mos shikojmë nga e kaluara!
Por ata janë ende gjallë e shëndoshë e mirë, pa iu përgjigjur askujt për krimet që kanë kryer dhe, jo mund edhe të vijnë, por do të jenë ndër të parët që do të vijnë në bregdetin tonë për t’u larë e për t’u rrezitur. Do të jenë ndër të parët, sepse në Sërbinë e sotme, militarët dhe paramilitarët, kriminelë të pandëshkuar, janë ndër më të lëvduarit dhe ndër më të privilegjuarit. Sepse në Sërbinë e sotme, militarët dhe paramilitarët, kriminelë të pandëshkuar, përbëjnë pjesën më aktive në zgjedhjet që bëhen në Sërbi dhe janë forca vendimtare që të zgjedhin deputetët që duan, si dhe ministrat e kryeministrat që u shërbejnë atyre.
Ed Rama po thotë që biznesmenët të lëvizin lirshëm. Mirë po thotë. Biznesmenëve duhet t’u krijohen mundësi për të bërë biznes. Askush me mend në kokë nuk e mohon një të tillë kërkesë, për kohën në të cilën popujt po jetojnë. Por, si t’ia bëjmë kur po ata kriminelë, që vranë, therën, përdhunuan, plaçkitën e dogjën nëpër vendbanimet e shqiptarëve, sot janë shndërruar në biznesmenë më të fuqishëm nëpër Sërbi?!
Ata do të vijnë të bëjnë tregti në vendin tonë dhe ata do të vijnë të lahen e të rreziten në bregdetin tonë. Dhe, për ironi, në të njëjtët plazhe, ndoshta edhe në të njëjtët hotele, do të mund të gjenden edhe gra shqiptare të përdhunuara, edhe meshkuj sërbë, përdhunues të atëhershëm e tash pushues të lirë, pikërisht falë Minishengenit ballkanik. Përdhunuesit, vrasësit, plaçkitësit, në të njëjtët plazhe me bijtë, bijat, motrat, vëllezërit, bashkëshortët e të përdhunuaravet, të të vrarëve dhe të të plaçkiturve!
A mund të pajtohen kështu dy kombe?! A është e rregullt të thuhet: Ta harrojmë të kaluarën, pa i ndëshkuar prishësit, shkatërruesit e asaj së kaluare?!
Askush me mend në krye nuk duhet dhe nuk mund të jetë kundër ndërtimit të urave mirëkuptuese midis kombeve. Por jo kështu! Jo kështu, sepse kjo rrugë i çon kombet në gjakderdhje të reja!
Duhet katarsis! Duhet kombi fajtor, me përulje, të kërkojë ndjesë e falje! Duhet që vetë Sërbia t’i dënojë e ndëshkojë ata bij të saj, që e kanë prishur kaq keq imazhin e atij kombi! Vetëm atëherë sërbët do të mund të vijnë lirshëm nëpër qytetet shqiptarë dhe nëpër plazhet e Shqipërisë!
Prandaj unë i them Ed Ramës, me dashamirësinë më të madhe: Mos u ngut me kapërcimin e etapave!
18 shtator 2021