Si vatran dua te ve ne dijeni Federaten Panshqiptare te Amerikes”Vatra” dhe dashamiresit e saj se kam gati per shtyp nje veper te re me shkrime te ndryshme. Titulli i saj eshte “MOSDENIMI I KRIMIT ESHTE KRIM I RI”. Deri sot kam botuar shume prej ketyre shkrimeve, tani po botoj hyrjen e kesaj vepre./
Nga Thanas L. Gjika/
H Y R J E/
Territoret e banuara prej shqiptarëve janë një vend me pasuri të mëdha natyrore dhe njerëzore. Mirëpo për shkak të sundimeve të huaja në të kaluarën e largët, pastaj për shkak të coptimit në disa shtete dhe tani së fundi për shkak të qeverisjes së keqe, këto territore dhe kjo popullsi nuk kanë arritur nivel zhvillimi që meritojnë. Deri më 1912 territoret shqiptare ishin kthyer në një minierë prej nga merreshin jenicerë dhe ushtarë, aty nuk investohej asgjë. Mirëpo edhe gjatë qeverisjes së keqe të këtyre dhjetëvjeçarëve të fundit territoret tona po ashtu shërbejnë si minierë prej ku eksportohen emigrantë dhe nuk bëhen investime serioze për të shfrytëzuar pasuritë e vendit e për të punësuar shqiptarët. Territoret tona po zbrazen e dobësohen deri në shkretim për shkak të klasës politike të korruptuar.
Për fatin tonë të mirë gjeopolitika e disa shteteve të fuqishme si SHBA-të, Gjermania dhe Italia përputhet me interesat e popullit tonë dhe të territoreve tona. Kjo përputhje interesash ka bërë që këto shtete na kanë ndihmuar për çlirimin dhe përparim tonë, por kjo nuk duhet të na bëjë të mendojmë se këto shtete do ta zhvillojnë Shqipërinë, Kosovën e Maqedoninë ashtu si duam ne. Faktori kryesor dhe vendimtar për zhvillimin tonë jemi e duhet të jemi ne shqiptarët dhe kur themi faktori kryesor për zhvillimin tonë duhet të jemi ne, duhet të kuptojmë se këtë rol ne do ta luajmë jo thjesht duke punuar, por duke punuar rëndë me atdhedashuri e cila shpesh herë kërkon dhe sakrifica…
Sot, pasi Kosova ka fituar pavarësinë kombëtare dhe shqiptarët e Maqedonisë e kanë forcuar luftën e tyre për më shumë të drejta politike, ndërsa Shqipëria është anëtarësuar në NATO; mundësitë për zhvillim të popullit tonë janë rritur. Përmirësimi dhe zhvillimi i shpejtë është i lidhur me ndërgjegjësimin e popullin për vlerën dhe forcën e votës. Sa më i ndërgjegjshëm të jetë populli që votën duhet t’ua japë vetëm njerëzve të ndershëm, aq më shpejt do të pastrohet klasa jonë politike nga njerëzit e korruptuar që po e qeverisin keq këtë popull. Vetëm deputetët dhe zyrtarët e ndershëm do të regullojnë legjislacionin demokratik dhe do të luftojnë korrupsionin dhe kriminalitetin në çdo hallkë e qelizë të shoqërisë.
Dihet se nga viti 1991 deri më 2015 në Shqipëri janë futur 140 miliaed dollarë në formë ndihmash e investimesh prej Komuniteti Europian, SHBA-ve, emigrantëve, etj. Me një kapital të tillë duhej që Shqipëria të kishte ndërtuar jo vetëm ato pallate e rrugë që ka ndërtuar, por ajo duhej të kishte krijuar një zhvillim të tillë industrial e bujqësor që të thithte fuqi punëtore prej jashtë dhe jo të vijonte emigracioni si rruga kryesore për përmirësimin e jetesës.
Pengesa themelore për mosecjen me sukses të Shqipërisë pas shkërmoqjes së diktaturës komuniste, ka qenë zbatimi në fshehtësi i planit Katovica. Ky plan, i hartuar prej Mikhail Gorbachev (Mihal Gorbaçovit), u zbatua dhe po vijon të zbatohet tek ne prej njerëzve të vënë prej Ramiz Alisë. Ky plan kishte dhe ka për qëllim mosdënimin e së keqes komuniste dhe trashëgimin e pasurive të vendit dhe të pushtetit ekonomiko-politik prej bijve të ish-pushtetarëve komunistë dhe shërbëtorëve të tyre. Pikërisht për të trashëguar pasuritë, të cilat ata i rrëmbyen me forcë në vitet 1945-1991 duke zbatuar politikën çnjerëzore të luftës së klasave dhe mbas vitit 1991 duke kultivuar korrupsionin dhe një luftë fiktive politike, u ndoq një politikë mashtruese për të thënë sikur në Shqipëri u krijua pluralizmi i vërtetë politik dhe ekonomia e tregut. Në partitë e majta si PS, PSD, LSI militojnë ish-deputetë të PPSH-së, ish-pushtetarë komunistë e shërbëtorët e tyre, të cilët pas dështimit të politikës së PKSH / PPSH-së nuk kanë të drejtë morale të qeverisin Shqipërinë. Kurse në partitë e quajtura opozitare si PD, PR, etj, militojnë shumë elementë të ish Sigurimit dhe ish-komunistë, të cilët duke luajtur rolin e antikomunistit, ndihmuan e ndihmojnë maskimin e korrupsionit dhe mbajtjen e pushtetit ekonomiko-politik prej bijve të kupolës së vjetër komuniste dhe shërbëtorëve të saj. Forcat e vërteta opozitare, si Shoqata e të Përndjekurve, Balli Kombëtare Legaliteti janë përçarë duke futur në to elementë të ish Sigurimit. Këtyre forcave pas vitit 1991 asnjëherë nuk iu dha hapësirë jetike në lojën politike shqiptare. Pronarët e vërtetë janë sjellë vërdallë dhe po sorollaten nëpër gjykata duke marrë vetëm letra e shumë pak nga pasuritë e tyre të grabitura.
Kasta e sotme sunduese e Shqipërisë, pra klasa politike, përbëhet kryesisht prej Partisë Socialiste, Partisë Demokratike, Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Partisë Socila Demokrate dhe Partisë Republikane.
Plani Katovica duke mos i dënuar krimet e komunizmit është një krim i ri, i cili duhet dënuar rëndë dhe sa më shpejt. Duhet të dënohet rëndë, sepse shoqëria e inkriminuar nuk siguron zhvillim ekonomiko-politik e moral, por vetëm pasurimin e pakicës sunduese. Kjo pakicë për fitimeve të veta dhe ruajtjen e pushtetit bën aleanca me forca të brendshme e të jashtme antishqiptare turke, greke, sërbe, italiane, etj.
Mbas hapjes së Shqipërisë, populli shqiptar pa nga afër popujt e Europës së Bashkuar, të SHBA-ve, Kanadasë, etj të cilët në sistemin pluralist me ekonomi të tregut të lirë, gëzojnë mundësi reale për të ecur përpara drejt mirëqenies. Prandaj populli ynë, të cilit nuk i mungon zgjuarësia, do të ndërgjegjësohet dhe do të krijojë një parti të re politike vërtet të djathtë të përbërë prej bijve të ndershëm. Këtë parti populli mund ta sjellë në qeverisje përmes mekanizmit të votës duke e mënjanuar kështu kastën e sotme sunduese, e cila po pengon rigjenerimin moral e shpirteror tëpopullit tonë.
Në përpjekjet për ndërgjegjësimin e popullit, për të mënjanuar këtë kastë nga pushteti deri sot po luajnë rol vetëm bijtë e shtresës së të përndjekurve dhe disa të rinj të formuar në botën Perëndimore. Mirëpo kasta politike është shumë e fortë, prandaj përmbysja e saj kërkon që të mobilizohen edhe intelektualë e krijues të ndershëm të së majtës. Ish-kuadrot e kohës së diktaturës duhet të pranojnë dhe dënojnë gabimet e krimet e asaj kohe, kurse shkrimtarët dhe artistët të dënojnë veprat e tyre të realizmit socialist, të cilat duke zbukuruar realitetin dhe duke lëvduar politikën e partisë, ishin gjithashtu krime sepse ndikuan drejtpërdrejt në shkatërrimin moral të popullit tonë.
Sot, kur hiqen si të ndershëm e të përndjekur të gjithë, madje dhe ish-pushtetarë komunistë e ish-sigurimsa, lind pyetja: si mund t’i njohë populli ata që janë vërtet të ndershëm që mund të krijojnë partinë e re politike, së cilës duhet t’i japë votën për të marrë frenat e qeverisjes?
Mbas 25 vjet tranzicioni, populli mund t’i dallojë kollaj bijtë e tij të ndershëm nga të pandershmit. Bij të ndershëm janë ata që kanë dënuar krimet e komunizmit, ata që u janë futur shkollave dhe punëve dhe kanë arritur rezultate të lavdërueshme, të cilët kur janë pasuruar, janë pasuruar jo me mashtrime, po me rrugë të ndershme. Të tillë janë të përndjekurit dhe të lënët mënjanë gjatë kohës së diktaturës dhe gjatë tranzicionit. Midis tyre ka dhe bij të ish-komunistëve të ndershëm të cilët nuk bënë karierë po punuan kokulur gjatë kohës së diktaturës e më pas. Te këta shqiptarë shkërmoqja e diktaturës dha rezultate pozitive. Ata ecën përpara pa paterica baballarësh dhe larg korrupsionit. Të tillë bij ndjejnë dhimbje kur shikojnë se shpërngulja e popullit tonë vijon ende. Ata përbëjnë shumicën, ose pak më shumë se gjysmën e shoqërisë sonë dhe mund ta marrin pushtetin po të organizohen si duhet në një parti vërtet të djathtë.
Bijtë e pandershëm të popullit tonë dallohen nga fakti se ata janë bij të ish-pushtetarvekomunistë, të ish-sigurimsave të cilët nuk i dënojnë krimet e kohës së komunizmit, madje mburren me të tilla bëma të turpshme të tyre ose tëprindërve të tyre. Të tillë njerëz janë pasuruar me rrugë jo të ndershme, duke trashëguar prona të grabitura prej pushtetit diktatorial ose tranzicionit mashtrues. Ata nuk ndjejnë dhimbje për shpërnguljen masive të shqiptarëve.
Kthjellimi i popullit për rrugën e shpëtimit nga kasta që ka sunduar deri sot dhe për zëvendësimin e saj me njerëz të ndershëm është zgjidhja e problemit jetik të pushtetit. Vetëm njerëzit e ndershëm e kuptojnë se mosdënimi i krimit është një krim i ri që e mban shoqërinë shqiptare në krahun e të humburve, në krahun e shoqërive dhe shteteve pa të ardhme.
Për të ndikuar në njohjen dhe dënimim e krimeve të kohës së diktaturës komuniste dhe të atyre që i fshehin e nuk i dënojnë ato, si dhe të atyre që i kanë vuajtur dhe i dënojnë ato krime, i mblodha në këtë vëllim disa shkrime që u përkasin disa fushave, si kritika letrare, artikuj studimorë, ese, kujtime, biseda, etj.